Albspirit

Media/News/Publishing

Kasapi i Ballkanit, “luftëtar i lirisë”?! Mirë BE nuk ka veshë të dëgjojë, po Tiranës dhe Prishtinës kush ua thau duart të protestojnë për këtë blasfemi antishqiptare?

Shaban Murati

Ministri i brendshëm i Serbisë, filorusi patologjik Aleksandër Vulin, deklaroi në 11 mars 2021 se krimineli ndërkombëtar i luftës Sllobodan Millosheviç, “meriton respektin e Serbisë, të serbëve dhe të gjithë atyre, që respektojnë luftëtarët e lirisë”.

Qeveria serbe shpall kështu zyrtarisht kasapin e Ballkanit “luftëtar të lirisë”.

A e dëgjoi kush në BE? A ka veshë diplomacia e BE? Shteti serb, që ndërmori katër agresione të përgjakëshme kundër popujve joserbë në ish-Jugosllavi, pretendon tani se i paska bërë masakrat dhe gjenocidin kundër popujve të tjerë ” për liri dhe i udhëhequr nga luftëtari i lirisë Millosheviç”, i cili u dënua nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës si kriminel lufte.

Ky nuk është revizionim i historisë, por është kërcënimi për të përsëritur agresionet serbe “të lirisë” kundër popujve të tjerë në Ballkan. Dhe Serbia ështe shtet kandidat i BE, e cila i ka hapur bisedimet e anëtarësimit.

Duhej të kishte rënë gongu i alarmit në Bruksel, por hiç.

Dashuria për Serbinë apo për Rusinë ua ka mbyllur gojën dhe veshët Lajçakëve të Brukselit.

Sepse nuk pipëtinë ata as kur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ish-ministër i Millosheviçit, sfidoi Ballkanin dhe BE-në në 15 shkurt 2021 me deklaratën për “Serbinë e Madhe”, në prani të zëvëndëskryeministrit rus.

Mirë BE nuk ka veshë të dëgjojë, po Tiranës dhe Prishtinës kush ua thau duart të bëjnë protesta zyrtare për këtë blasfemi historike serbe antishqiptare të të dy krerëve serbë?

Please follow and like us: