Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz RADOVANI: 20 VJET PA LUKË KAÇAJ

 

 

Lukë Kaçaj (1924-2001)

 

7 Shtator 2001…

O syshqiponjë! A me të vertetë Je pranë Krijuesit Tand !?..

E pra, tash plot 20 vjetë Rinia Shqiptare këndon… por këndon pa Ty, o Luk Kaçaj, e ndoshta, sa vite të tjera do të shkojnë, tue kërkue tingujt e zanit tand!.. Po, po, atje nalt ndër Yjet e Pashuem të Asaj Botë pafund!

O i Madhi e i pavdekshmi Lukë Kaçaj, Ti ishe shkam i Alpeve tona!…

Ti ishe Prijs i kangës me Lahutë e që dijte me at za si pushka, me na lanë n’ Atdheun e Shqipeve Dykrenare gjurmët e qytetnimit Europjan…

E bash ajo Europë, të priti e të percolli si Birin e vet të pashoq atëherë, kur pak kush i dinte majet e pashkeluna t’ atij arti të pavdekshem, që Ata mësues me zhguna të murrmë, dijtne me të mësue ty o zheniu i Maleve!

E oxhaku i gurt’ i Atyne Maleve lajmonte per Ty, se u shtue një pushkë!

Stajanicat plaka, vazhdonin me shtrue sofrat: Hajde bujruem, urdhnoni “Mirse Ju ka prue Zoti, urdhnoni Buk’ e krypë e Zemer!”… E shkrepeshin gotat e Atyne Burrave, që nder shekuj të pafund nderuen Atdheun e Gjergjit të Madh Trimit të Gjon Kastriotit tonë… Atij Plakut vuejtun, e që mbas Tij kje Bij’ e Atyne Maleve kreshnike edhe Nana Tereze e Shkupit…

Edhe në vitin 1924, me 24 Shkurt, në Bajzë të Kastratit të Malsisë së Madhe, kur u le Lukë Kaçaj. Luka porsa mori mend ju kushtue Urdhnit Fretenve të Vegjel, dhe shkoi me vazhdue shkollen e Tyne në Gjuhadol të Shkodres, ku spikati zani i Tij… I pakrahasueshem per bukuri e forcë.

Ishte i pari At Martin Gjoka që dalloi talentin e rij dhe i tregoi rrugen e artistit të madh. Atje në Liceun “Illyricum” Luka, kur Mjeshtri i Madh i muzikës At Martini, i vuni në ballë djaloshit Bajzës së Alpeve shenjen e perjetshme t’ artistit t’ panjoftun e t’ pashoq… Nder Trojet tona.

Luka më ka tregue me gojen e Tij, sesi kur po permbytej Shqipnia nga komunizmi, në vitin 1946: “At Mati Prennushi thrret në Kuvend të Gjuhadolit baben e Lukës dhe i thotë: “Koha sa vjen e po bahet ma e rrezikshme per xhakoj ashtu si per ne, prandej, merre Luken në shtëpi, sikur ai nuk do me ndejë ma këtu dhe mundou me i dhanë rrugen e muzikës, mbasi ka mundsi që Liceu i ynë, të mbyllet nga komunistët dhe të mos hapet ma…Kjo këshillë e At Matisë dhanë babës sim, më shpetoi nga arrestimi i sigurtë që në 1946… Gjithmonë e kam kujtue At Matinë me mirnjohje… ” (Dëshmi gojore e të Ndjerit Lukë Kaçaj, Shkoder 1996).

U ndihmue prej kompozitorit Kristo Kona, tue e angazhue Luken me korin e Filarmonisë. Luka fillon punen në Filarmoni. Sjellja e Lukës prej qytetari me njohuni si pak kush të disa gjuhëve të hueja, italisht, latinisht, greqisht dhe në mënyrë të persosun gjuhen Shqipe. Në 1951 i hapë rrugen per studime jashta shteti në Moskë, në konservatorin “P.I.Çajkovski” në B.S., Luka paraqitet në konkurs dhe porsa perfundon së kënduemi, Drejtori i Konservatorit u çue në kambë tue thirrë: “Otliçno! (shkelqyeshem)”…E nuk do të vonojë kur Shaporin deklaron: “Ky bas asht një Shaljapin i ri, Shaljapini Shqiptar!” Luka i befasoi si artist i madh të gjithë. Ai ishte interpretues në disa gjuhë, tue mësue atje edhe rusishten, frengjishten dhe gjermanishten. Në një turne në shtetet “demokratike” të Europës Lindore, Luka kishte një repertor të gjanë mbi 100 pjesë në 5 gjuhë të hueja. I duertrokitun nga gjithë Europa…

Në 1966 emnohet pedagog i kantos në Institutin e Naltë të Arteve dhe jep kontributin e tij me vlerë në përgatitjen e brezit të ri të këngëtarëve. Po, nuk shkon gjatë… Po në 1966…Ramiz Alia, në kuadrin e “Revolucionit Kultural” e largon nga skena!“Mos vallë… ky asht fundi im…!?” Ju ngul në kokë Lukës…Parandjente até që do të ngjiste me 28 Maji 1973..,kur sigurimi i shtetit do ti vinte hekrat Lukës në prani të studentave dhe pedagogëve, në hollin e Akademisë së Arteve të Bukura, me etiketen e njohun të “rrezikshmërisë shoqërore, dhe në emër të popullit arrestohet si armik i tij…” Lukë Kaçaj, djali Fisnik i Bajzës së Kastratit, asht para xhelatëve shpifës e terroristë, kur Nana Tone me lot perfaqe i lutej “trupit gjykues” per djalin e pafajshem të vetin, por dënimi i tij asht i pashmangshem. Luka u dënue me 5 vjet heqje lirie…

“Revolucioni Kultural” antinjerzor e burgosi artistin Lukë Kaçaj…

Luka ishte “armik i popullit” se kishte recitue vargjet e At Gjergj Fishtes, mësuesit të vet, dhe nuk kishte “harrue endè” me i ra në gjuhen e Tij “Lahutës së Malësisë”, të cilen e adhuroi deri në vdekje. Ana, zonja e Tij e nderueme nuk mungoi as nder telat rrethues me gjema të kampeve.

Luka u lirue nga burgu i “vogel” në vitin 1978. Vazhdoi disa vite hamall tek Pazari i Ri në Tiranë… Në vitin 1988, e bukra Ana, që nuk kishte kursye me shitë edhe “gjakun” per me mbajtë gjallë burrin besnik të saj në burg, mbylli vuejtjet e jetes e mbeshtetun per gjoksin e basit të njohun në Botë, me sy të ngulun tek Luka! Gjendja shndetsore e Lukës nuk u kuptue. Ai e mbante veten! Me 7 Shtator 2001, Luka nuk këndoi kurrma! Komunizmi kerkoi me e varrosë “hamall” të Madhin Lukë Kaçaj, basin e njohun nga të gjitha skenat botnore që e dishruen praninë e Tij.

Ne njohem një brilant të muzikës Shqiptare që nuk i vjen kurrma Asaj…

Ai ishte i madhi Lukë Kaçaj!..

Melbourne, 6 Shtator 2021.   

Si u arrestua dhe dënua Lukë Kaçaj, basi më i famshëm në 1973?

                    

Please follow and like us: