Albspirit

Media/News/Publishing

Si u arrestua dhe dënua Lukë Kaçaj, basi më i famshëm në 1973?

Siç dihet, Sigurimi i Shtetit kishte një rrjet të fuqishëm në të gjitha institucionet e rëndësishme të artit e kulturës, mes të tjerave edhe në TOB. Raportet dhe konkluzionet për veprimtarinë “armiqësore” të artistëve të këtyre institucioneve vinin herë pas here, sa herë që egërsohej lufta e klasave. Ka informacione për TOB në mesin e viteve 60-të, në fund të viteve 60-të e më pas në fillim të viteve 70-të, pa llogaritur informacionet që vinin në rrugë jo zyrtare, nga informatorët e bashkëpunëtorët. Për basin e falshëm Lukë Kaçaj informacionet kishin mbi një dekadë që depozitoheshin, derisa një ditë, në fund të majit 1973, më 28 maj, Sigurimi i Shtetit do t’i vinte hekurat, në prani të studentëve dhe pedagogëve, në hollin e Akademisë së Arteve, me etiketën e njohur të “rrezikshmërisë shoqërore, dhe në emër të popullit arrestohet si armik i tij…”.

I akuzuar për “Agjitacion dhe propogandë” Lukë Kacaj pati fatin e kolegëve të tij që u gjendën, papritur, pas hekurave, përballë regjimit kriminal komunist. Ai ishte një nga emrat e mëdhenj të skenës operistike shqiptare, karriera e të cilit nisi që në fillim të viteve 50-të. Realizoi role të mëdha nga literatura operistike botërore dhe ajo e vendit. Profili i një prej këngëtarëve më të mëdhenj shqiptarë, ai që sipas Kadaresë mund të ishte nga më të mëdhenjtë në Evropë, “i vrarë” nga ish-Sigurimi i Shtetit dhe miqtë e tij që e spiunuan. “Goja e tij pëlqente llazanjën, që e gatuante për mrekulli Vangja, po pëlqente dhe ca gjëra të tjera, që ishin të ndaluara, si bie fjala Rahmaninovi, që kishte shpëtuar se jetonte në Amerikë, tenori Tito Skipa s’do të ishte bërë aq i famshëm, po të mos kishte kënduar në Nju Jork “O sole mio”, Stravinski ia kishte hedhur që ndodhej në Perëndim dhe Boris Pasternak e kishte marrë çmimin Nobel ngaqë “Doktor Zhivago” ishte botuar së pari në Itali, në Perëndim”, shkruan Roland Gjoza për basin e madh në 1999.

Dosja e plotë e artistit që dashuronte Fishtën, që parathoshte dështimin e socializmit në Shqipëri, që thoshte se vendi ishte nën diktaturë dhe që pati kurajën të pranonte për veten se ishte “armik i popullit”. Kalvari i mundimeve të tij është sinonim i Golgotës së gjithë asaj plejade artistësh dhe intelektualësh të kalibrit botëror, të cilët hoqën mbi vete mundimet dhe persekutimin e diktaturës komuniste për “krimin” e vetëm se ishin patriot, ishin dinjiteti i një kombi, ishin tharmi i mburrjes nacionale në botë.

U lind më 19 korrik të vitit 1926, në Bajzë të Malësisë së Madhe. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Gjimnazin e Jezuitëve në Shkodër, me mësues Át Martin Gjokën dhe që në këtë kohë ai shfaqi dhunti të pazakonta muzikore. Luk Kaçaj ra në sy vrullshëm dhe u dërgua të studionte në konservatorin ‘Çajkovski‘, ku shkëlqeu në mënyrë të pakrahasueshme në skena të ndryshme të botës. Shumë herët iu desh të mbante barrën e krahasimit me të madhin Shaljapin, ose ‘Albanskij Shaljapin”.

Pasi kryeu studimet e larta për kanto pranë Konservatorit P.I. Tchaikowsky, në Moskë, emërohet solist në TOB. Ndërkaq, që në kohën e studimeve Kaçaj ishte aktivizuar dhe në disa aktivitete ndërkombëtare, duke marrë edhe çmime. Në TOB realizon mjeshtërisht role të paharruara nga operat shqiptare dhe botërore, duke u bërë një ndër artistët më të njohur e të preferuar në Shqipëri. Në fakt, edhe regjimi, në fillim e donte Lukën, e përkrahte, i bëri favore si gjithë artistëve të tjerë … Në vitin 1966 emërohet pedagog i kantos në Institutin e Lartë të Arteve dhe jep kontributin e tij të çmuar në përgatitjen e brezit të ri të këngëtarëve. Në vitin 1968 interpretoi një rol në filmin e Piro Milkanit, “Përse bien këto daulle”, film që u ndalua me burgosjen e tij. Në kohën e “liberalizmit” Luka, si shumë artistë të tjerë, ra pre e kësaj gënjeshtre të madhe, e kësaj “lirie” apo “pranvere” të vonuar. Duhet pranuar edhe një fakt tjetër që ka të bëjë me vetë Lukën. Artistë të ndryshëm kujtojnë se Luka, ato kohë kishte filluar të pinte nga pak… Mund të kishte arsye, por shpesh herë, për shkak të pijes, ishte bërë problem dhe kishte thënë edhe gjëra me zarar… që i kushtuan shumë. Pinte me kolegët, me ta fjaloste, por mes tyre kishte edhe provokatorë, kishte edhe bashkëpunëtorë të Sigurimit. Në gjyq i dolën dëshmitarë, por ishte vonë…

Në 28 maj 1973 e arrestojnë dhe më pas e dënojnë me disa vite heqje lirie. Në burg mbajti një qëndrim dinjitoz, ashtu siç rrëfen vetë në kujtimet e tij përballë hetuesit. Kur e pyet se përse nuk iku, ai u përgjigj: “…Kush nuk e do atdheun e vet, nuk i duhet askujt gjë në botë.

Së dyti, atë që kam mësuar në shkollë, në Shqipëri e jashtë saj kam dashur t’ia kthej përsëri popullit tim. Se sa vlej e tek vlej as unë s’e di.

Së treti, kurrë në jetën time paraja s’më ka korruptuar dhe nuk dua të di gjë për të. Edhe sot nuk kam ndryshuar mendim, ashtu jam. Nuk ia kam ditur vlerën dhe nuk dua t’ia di deri sa të vdes! Së katërti, kam patur nënë, baba, vëllezër e motra, njerëzit e mi më të dashur të shpirtit tim. Nuk kam jetuar me ta, por në zemër i kam patur dhe i kam”.

Luka u lirua nga burgu i “vogël” në vitin 1978, për të vazhduar dënimin e tij në burgun e “madh” me të gjithë popullin shqiptar. Artisti i Madh mbeti pa punë. Një ditë i ofruan punë: “Kemi punë edhe për ty, vetëm hamall…”. Luka tregonte: “Vetëm në ngarkim shkarkim të makinave, të karrocave mund të fitojshe bukën për vete dhe për Anën… Lodhja fizike po, por ajo shpirtnore më dërmonte shpirt e zemër!” Vazhdoi disa vite hamall tek Pazari i Ri në Tiranë…

Në vitin 1988, gruaja e tij, Ana, që nuk kishte kursyer as “gjakun” duke e shitur, për të mbajtur gjallë burrin besnik të saj në burg, mbylli vuajtjet e jetës. Ana është simbol i gruas së vuajtur e nëpërkëmbur nga regjimi, i gruas besnike që sakrifikoi gjithçka për dashurinë, ëndrrën e jetës së saj. Kjo ishte drama më e madhe e tij, ajo që e rrënoi përfundimisht dhe që bëri edhe pas vitit 1991, ai të mos kishte atë entuziazëm edhe pse vazhdoi të aktivizohet në jetën muzikore shqiptare, sado pak. Asgjë nuk i hynte më në sy, as thyerja e heshtjes, “rehabilitimi”, as artikujt në media, as çmimet e titujt, as dokumentari për të… I dëshpëruar, i lodhur dhe i nëpërkëmbur nga regjimi, Luka mbylli sytë më 7 shtator të 2001 dhe u përcoll për në banesën e fundit në Laç. Pas vdekjes, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i jep dekoratën “Nderi i Kombit”./shkodraweb

Please follow and like us: