Albspirit

Media/News/Publishing

Kosova përkujton viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit

Prishtinë, 11 shtator 2021 – Krerët e shtetit të Kosovës, së bashku me zëvendësambasadorin amerikan në Kosovë, Nicholas J.Giacobbe, kanë bërë homazhe te lapidari “Kosova kujton” në përkujtim të viktimave të  sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se sulmet e 11 shtatorit ishin thirrje për mobilizimin e botës kundër terrozimit, të cilin e ka cilësuar sit ë keqe të përbashkët.

Ajo ka theksuar se populli i Kosovës do të qëndrojë bashkë mepopullin amerikan në luftën kundër terrorizmit.

“SHBA-ja është aleatja jonë strategjike dhe e përhershme. Sot jemi me ta, sikurse në çdo situatë tjetër. I kujtojmë viktimat e 11 shtatorit dhe e konfirmojmë edhe një herë se si populli më pro-amerikan në botë do të qëndrojë bashkë në luftimin e terrorizmit krahas SHBA-së, por edhe duke e ndarë dhimbjen në ditë si kjo”, ka thënë  ajo.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se sulmet që ndodhën 20 vjet më parë në tokën amerikane ngjallën reagimin unik ndërkombëtar kundrejt terrorizmit.

“Sulmet e 11 shtatorit 2001 tronditën qytetarët e Kosovës dhe mbarë popullin shqiptar sepse midis dy kombeve tona është sendërtuar një lidhje e fuqishme miqësie e emocionale. Kosova vazhdon të mbetet partnere besnike e SHBA-së në të gjitha angazhimet ndërkombëtare të saj”, ka thënë ai.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova bashkëndjen me SHBA-në për humbjen e qytetarëve nga këto sulme.

“Sot po përkujtojmë 20-vjetorin e sulmeve vdekjeprurëse që na tronditën të gjithëve. Nderojmë, me dhembje e solidaritet, familjet e 2,977 viktimave të pafajshme dhe mbarë kombin amerikan”, është shprehur Kurti.

Please follow and like us: