Albspirit

Media/News/Publishing

Facebook humbet 7 miliardë dollarë pas bllokimit të përkohshëm

Nga dalja jashtë funksionit për më shumë se katër orë e Facebook, Instagram dhe WhatsApp ne mund të kemi humbur ndonjë foto pa postuar, status pa vendosur, koment, pëlqim, a shpërndarje. Mund të kemi humbur edhe komunikimin me njerëz të afërt, a që na lidhin punët, por humbësi i madh nga ky “Black Out” është Mark Zuckerberg.

Ai ka humbur plot 7 miliardë dollarë brenda kësaj kohe nga zhvlerësimi i aksioneve të Facebook në bursë, që sipas Bloomberg kanë rënë me 5.3 për qind. Që prej mesit të muajit shtator, rënia totale e tyre është 15 për qind, nxitur nga skandalet që lidhen me privatësinë, efektet anësore te të rinjtë dhe mbajtja fshehur e tyre prej kompanisë.

Rënia e aksioneve të hënën uli vlerën e kompanisë së Zuckerberg në 120.9 miliardë dollarë, duke e renditur atë poshtë Bill Gates në numrin 5 në Indeksin e Miliarderëve të Bloomberg. Ai ka humbur rreth 19 miliardë dollarë pasuri që nga 13 shtatori, kur Facebook vlente afro 140 miliardë dollarë, sipas indeksit.

Më 13 shtator, Wall Street Journal filloi të botojë një seri artikujsh të bazuara në një sasi dokumentesh të brendshëm, duke zbuluar se Facebook e dinte për një gamë të gjerë problemesh me produktet e tij – të tilla si efektet e Instagramit ndaj shëndetit mendor të vajzave adoleshente dhe keqinformimi rreth trazirave të Kapitolit të 6 janarit, duke i minimizuar çështjet në publik. Raportet kanë tërhequr vëmendjen e autoriteteve amerikane që kanë nisur një hetim.

Në përgjigje, Facebook ka theksuar se çështjet me të cilat përballen produktet e tij, përfshirë polarizimin politik, janë komplekse dhe nuk shkaktohen vetëm nga teknologjia.

Please follow and like us: