Albspirit

Media/News/Publishing

Mashtuesi i famshëm që tronditi SHBA

 

Me 10 gusht të vitit 1920 në Kiwanis Club ndodhet i gjithë Boston me peshë. Në mbarimin e darkës, teksa fillon të qarkullojë uiski, ngjitet në podium njeriu i ftuar nga klubi, njeriu për të cilin i gjithë qyteti po flet prej një viti. Është Charles Ponzi, magjistari i 50 përqindëshit siç e quan shtypi. Në momentin e ftesës nga ana e Kiwanis nuk ekzistonte akoma hetimi i Komisionit Kombëtar Bankar, “Boston Post” nuk e kishte nisur ende fushatën e tij dhe Ponzi ishte vetëm njeriu i aftë që të krijonte para nga hiçi, që t’i bënte të gjithë të pasur me një shpejtësi si askush tjetër, as si Wall Street, që fillonte ta rimerrte veten pas panikut të madh të vitit 1907, ishte në gjendje të ofronte. Edhe me 10 gusht, pavarësisht gjithçkaje, pas diskutimit të tij ka radhë anëtarësh të klubit që duan t’i dorëzojnë Ponzi paratë e tyre.

Sepse Charles Ponzi, qysh nga koha kur quhej Carlo dhe jetonte në Parma, është një njeri që di të flasë: «Një ditë kam zbuluar se bonot me përgjigje ndërkombëtare shiteshin jashtë për ekuivalentin e 6 centëve dhe mund të konvertoheshin më pas në pulla amerikane me vlerë më të lartë. Kështu që vetëm më është dashur të numëroj sesa të tilla më duhen për të bërë 1 milion». Bonot me përgjigje qenë një risi e kohëve të fundit, e vitit 1906, që në një botë migrimesh të mëdha (sidomos drejt Shteteve të Bashkuara) kishte gëzuar një sukses të menjëhershëm: kush u shkruante të afërmve larg apo kompanive që kontaktonin furnitorë ose klientë jashtë vendit, i bashkangjiste letrës pagesën për përgjigjen. Por duke mos mundur të bliheshin pullet e shtypura nga një shtet tjetër duhej t’u drejtoheshin këtyre bonove (që ekzistojnë akoma sot, modeli aktual është Beijing Modèle Nr.2), që më pas këmbëheshin me pulla vendore. Publiku i Kiwanis Club dëgjon, por edhe ata që kanë përfituar tashmë nga skema e përkryer Ponzi kanë vështirësi t’ia ndjekin arsyetimin, deri kur financieri nuk u jep një shembull me numra: «Marr 1 dollar, me këmbimin e sotën siguroj 18 lireta italiane, që më mjaftojnë për të blerë në Itali 60 bono me përgjigje ndërkombëtare, të cilat më pas i konvertoj në Shtetet e Bashkuara me 3 dollarë». Një rendiment i pastër fitimi prej 200%. Nuk ka asgjë të paligjshme, «maksimumi pak etik» do të pranojë vetë Ponzi në një rast tjetër. Shfrytëzon ngurtësitë e sistemit postar, ato që ekonomistët i quajnë mundësi arbitrazhi, dhe prodhon para nga ku përfitojnë të gjithë.

Dy ditë më pas, me 12 gusht, Charles Ponzi arrestohet. Të gjithë dyshonin se mekanizmi Ponzi ishte pak si shumë i përkryer sa për të qenë i ndershëm, por i pari që e nuhat se ku qëndron truku është Clarence Barron, kryeredaktori financiar i “Boston Post”, një prej gazetarëve ekonomikë më të famshëm të atyre viteve. Mjaftojnë pak llogari, shkruan në faqe të parë të gazetës me 11 gusht, për të kuptuar se e gjithë oferta botërore e bonove me përgjigje ndërkombëtare është më e ulët nga ajo që do t’i shërbente Ponzi (të paktën 200000 dollarë në kupona) për të siguruar fitimet që premton. Të nesërmen Edwin Ride, inspektori i Komisionit Kombëtar Bankar që heton mbi Ponzi, konfirmon se magjistari i ardhur nga Parma ka blerë në të gjithë karrierën e tij vetëm 30 dollarë kupona. Pjesa tjetër është një piramidë prej letre.

Ponzi e ka themeluar kompaninë e tij në 1919, e cila quhet Securities Exchange Company, sigla SEC e së cilës është e njëjta që do të identifikojë më pas Komisionin e Vigjilencës së Bursës, për të investuar në kupona postarë. Në kaosin monetar të atyre viteve, me Federal Reserve që ekziston prej pak kohësh dhe që akoma nuk ka monopolin mbi valutën, Ponzi nis të presë monedhë, të famshmet Investors Notes, ose IOU. Kush i dorëzon Ponzi më pak se 100 dollarë, merr një IOU jeshil, portokalli për kë investon midis 100 dhe 1000 dollarëve dhe blu për shuma më të mëdha. Pas 90 ditësh, Securities premton 1.5 dollarë për çdo dollar të investuar. Shumë janë skeptikë dhe Ponzi e ngre pazarin: i njëjti rendiment, 50 përqind, ama pas vetëm 45 ditësh. Në 3 muaj mbledh 30000 dollarë, suksesi është i tillë sa mund t’i lejojë vetes të punësojë agjentë që fitojnë një komision për çdo IOU që arrijnë të shesin. Një vendim që është edhe një nevojë: sepse vetëm duke vazhduar që të grumbullojë investime, Ponzi mund t’ua paguajë rendimentet e premtuara klientëve të parë.

Por truku vendimtar është një tjetër: paratë i paguhen vetëm atij që dëshiron të dalë nga loja, të tjerët mund t’i lënë në duart e Ponzi dhe t’i shikojnë të rriten me 50% çdo 3 muaj. Shumë pak kënaqen, pothuajse të gjithë preferojnë të konfirmojnë investimin. Rezultati: kur Ponzi përfundon në burg, ai ka 2 milion në aktiv dhe 7 milion në pasiv, për kohën një shumë e jashtëzakonshme. Historia e bonove postare është vetëm karremi, biznesi i vërtetë qenë borxhet. Komisioni Bankar i shtetit Massachussets bllokon aktivitetet e Securities menjëherë pas arrestimit të Ponzi dhe investitorët humbasin gjithçka. Edhe banka që menaxhonte anën teknike të operacioneve, Hanover Trust, mbyllet: «Nuk dinim asgjë», betohen drejtuesit e saj. Edhe ata qenë mashtruar nga lloqet e Ponzi, bile edhe nga komisionet që fitonin për çdo transaksion.

Në këtë Ponzi ka qenë gjithmonë i zoti: të ngjallë besim, të tërheqë, të sigurojë me mënyrën e sjelljes me pamjen, me një veshje dhe me një kapele gjithmonë paksa të kushtueshme. Edhe kostumet qenë për Ponzi një investim me rendiment të lartë. Qysh kur shkon të studiojë për Jurisprudencë në Romë, duke e lënë familjen në Parma: luan, vë baste, frekuenton borgjezinë më të mirë që ai, djali i një postieri, nuk ja ka takatin. Një ditë u tregon miqve të tij se është gati të kërkojë pasuri Përtejoqeanit. Në realitet, prindërit i kanë thënë se prej tyre do të siguronte akoma vetëm një biletë për kalimin e Atlantikut. Vetëm vajtje. Fillimi është shumë i keq: fillon të punojë për një dajë në Amerikë, që në rastin e tij është vetëm një shitës fruta perimesh. Aktiviteti falimenton në pak muaj.

Ndoshta në Kanada do t’i ecë më mirë. Carlo Ponzi, që ndërkohë është bërë Charles, arrin në Montreal në vitin 1907, ndërkohë që në Wall Street shumë i njohuri JP Morgan po kërkon vetëm që të sjellë qetësinë në një ekonomi të terrorizuar nga përsëritja e Panikut të Madh që në vitin 1873 ka shkatërruar shumë pasuri. Ponzi merret në punë nga Louis Zarossi, prej të cilit do të mësojë shumë: Banco Zarossi është në vështirësi, për të tërhequr klientët premton një interes për depozitat me 6 përqind në vend të atij që jep tregu prej 2 përqindësh, por paratë investohen në bono thesari që japin vetëm 3 përqind. Zarossi rikuperon duke vjedhur nga dërgesat që emigrantët, sidomos ata italianë, dërgojnë në shtëpi nëpërmjet bankës së tij. Kur zbulohet, ja mbath për në Meksikë. Ndërkohë Ponzi ka arritur që të vjedhe një çek të bardhë nga një prej klientëve të bankës. E mbush (423.58 dollarë, shumë pak e dyshimtë për një çek fals), me paratë që merr blen një kostum të ri dhe paguan udhëtimin e kthimit për në Shtetet e Bashkuara. Por përpara se të kalojë kufirin, arrestohet dhe dërgohet në burgun Saint Vincent de Paul. Historia do të dalë në “Boston Post” e 11 gushtit 1920, në vigjilje të arrestimit, duke i dhënë goditjen finale besueshmërisë së tij. «Ime shoqe nuk dinte asgjë, më vjen keq sidomos për të», thotë Ponzi për “New York Times”. «Nuk është e vërtetë», e hedh poshtë Rose Marie Gnucco, stenografe me të cilën Ponzi martohet në 1910 pasi ka dalë nga burgu dhe është transferuar në Boston. «Dija gjithçka qysh nga fillimi, nuk ka problem. Bile shpresoj që tani të mbesë pa asnjë lek në mënyrë që të mund t’i demonstroj se sa fort dhe vërtet e dashuroj».

I përfunduar sezoni i Securities, të zhdukuar badigardët dhe kostumet me porosi, Ponzi e gjen veten të varfër: nuk mund të paguajë avokat dhe në proces mbrohet vetë. Argumenti kryesor i tij është se nuk ka dashur kurrë të mashtrojë ndonjë njeri dhe demonstrimi, thekson ai në seancë, është se «edhe sot në mëngjes kam marrë një letër nga një individ që do të më ofrojë 5500 dollarë për t’i investuar». Gjykatësi nuk është i pandjeshëm ndaj elokuencës së italianit, bie akuza për mashtrim, por vendimi gjithsesi është burg për 5 vjet. Që me sjellje të mirë, i bëhen 4.

Kur del nga burgu, në vitin 1924, Ponzi është tashmë një njeri i ri, ndryshon emër – Charles Borelli – dhe hidhet në spekulimin imobiliar në Jacksonville të shtetit Florida. Teknika nuk ka ndryshuar: kërkon financime, premton të paguajë 200% të kapitalit të investuar brenda 60 ditëve, pasi ai e di se cilat terrene të blejë (në moçale, pork jo do të zbulohet vetëm më pas) me çmim të mirë për t’i rishitur më pas me parcela më të vogla me fitim të madh. Por pas dy vitesh është sërish në burg, duke thyer gurë në Rainford, pasi ka shkelur ligjin e shtetit Florida që u ndalon privatëve të emetojnë borxhe dhe për një seri parregullsishë administrative të tjera. Gjë aspak e rëndë, kështu që mjafton pagesa e një kushti prej 1500 dollarësh dhe Ponzi është jashtë në pritje të procesit. Vetëm se tani quhet Andrea Luciana, e ka kokën e rruar dhe mban një palë mustaqe si ato që janë kthyer sërish në modë. Në plazhin e Jacksonville lë rroba dhe një copë letër ku shpjegon vetëvrasjen e ish Charles Borelli. Arrin që të hipë në një anije drejt Italisë, por përpara se të dalë nga ujërat territorialë arrestohet sërish: ia ka besuar identitetin e vërtetë të tij një bashkëkombasi italian, por që ishte i afërm i disa viktimave të mashtrimit të madh të kuponave dhe kështu e denoncon tek komandanti.

Historia bëhet e mjegullt, tashmë Ponzi nuk është më financier, për gazetat është degraduar në kategorinë e mashtruesit të vogël, nga faqja e parë në lajmet e shkurtëra. Ama ajo që dihet është se në vitin 1934 është sërish njeri i lirë dhe me një biletë, kësaj radhe vetëm me një rrugë, për kalimin transoqeanik drejt Italisë. Shtetet e Bashkuara e kanë përzënë, por qeveria e Benito Mussolini i gjen një vend në Ministrinë e Financave. Në atdhe ka ardhur vetëm një jehonë e zbehtë e ndërmarrjeve të tij, Ponzi e shfrytëzon dhe paralajmëron si yll se po shkruan një autobiografi eksplozive, do të jetë një sukses editorial i paparë, por për këtë i duhet një capital fillestar për shpenzimet: një biznes i sigurtë, vetëm 1000 aksione që kushtojnë 20 dollarë secili, rendimenti do të jetë 100 përqind pas botimit. Por tashmë edhe kush nuk e njeh Charles njeh atë që ka hyrë në xhargonin e financës si “skema Ponzi” dhe askush nuk i beson. Ndonjë mashtrim të vokël Ponzi arrin ta bëjë akoma dhe, për të shpëtuar prej tij, regjimi i gjen një vend në selinë e Rio de Janeiro të LATI-t, Linee Aeree Transcontinentali Italiani. Pak muaj dhe Ponzi zbulon se një punë në aeroport është e përkyer për t’u futur në kontrabandën ndërkombëtare, tundim të cilit i dorëzohet dhe që i kushton pushimin nga puna në vitin 1942. 7 vite shumë të gjata: pagesat e papunësisë, mësimet e anglishtes për pak para dhe ndonjë punë sezonale si inspektor anijesh që futen në port, një iktus që e lë pothuajse të verbër dhe gjysmë të paralizuar. Charles Ponzi vdes në një spital të Rio në vitin 1949. Por jo pa trashëgimtarë.

60 vite më vonë një tjetër magjistar i financës që premtonte rendimente të pabesueshme, por të sigurta, nis të preokupojë investitorët që janë përfshirë tashmë nga kriza e huave subprime. Kur vetëdenoncohet në SEC, kësaj radhe Securities and Exchange Commission që vigjëlon mbi bursën, prezantohet kështu: «Jam Bernie Madoff, fondi im i investimeve është në realitet një skemë Ponzi». Mashtrimi është kësaj radhe vetëm 50 miliard dollarë….

Si funksionon skema Ponzi

Faza 1

Një investim me rendimente më të larta se përqindjet e tregut, në afate të shkurtëra: me këtë premtim tërheq klientin potencial.

Faza 2

Pjesë e shumës së investuar praktikisht kthehet në një kohë të shkurtër: sistemi duket se funksionon.

Faza 3

Zëri i investimit fitimprurës përhapet duke joshur klientë të rinj. Interesat dhe rimbursimet e kërkuara paguhen me paratë e grumbulluara nga klientët e rinj (investitorët nuk e dinë se financiaria nuk ka kapital social).

Faza 4

Mekanizmi “hidhet në erë” kur kërkesat e rimbursimit kalojnë derdhjet e reja.

ARMIN TIRANA

Please follow and like us: