Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: AMBASADORËT VIZITOJNË KAMPIN KOMUNIST TË SPAÇIT

Javën që kaloi, në një intervistë me moderatorin Adi Krasta tek Syri TV, ashtu siç kam bërë thirrje vazhdimisht edhe në shkrimet e mia modeste që botohen rregullisht në Gazetën Telegraf të Tiranës – u kam bërë thirrje diplomatëve perëndimorë në Tiranë – si përfaqësues të vlerave perëndimore në atë vend – por njëkohësisht dhe liderëve politikë shqiptarë të këtyre 30 viteve – që për të pasur sado pak një ide të vogël për krimet e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës në Shqipëri – të vizitojnë kampet e përqëndrimit dhe të punës së detyrueshme të atij regjimi fatkeq për shqiptarët – përhapur anë e mbanë Shqipërisë, para se ato vendgjarje të krimeve monstroze të komunizmit të zhduken nga faqja e dheut nga harresa dhe nga mos kujdesi i shtetit shqiptar për t’i ruajtur si dëshmi të krimeve anti-njerzore – të shqiptarit kundër shqiptarit – për brezat e ardhshëm të Kombit.
Kam bërë apel vazhdimisht për vite tani, në mënyrën time më të njerëzishme, duke thënë se vizita në ato vende do të ishte një gjest moral, por kam theksuar shpesh se është edhe një përgjegjësi politike dhe diplomatike, njohja e asaj tragjedie shqiptare – që ishte komunizmi. Kam bërë thirrje edhe që Shqipëria më në fund pas 30 viteve tranzicion të distancohet nga e kaluara e saj komuniste dhe që të dënojë krimet e regjimit më të egër komunist në Europën ish-komuniste.
Vazhdoj të jem i bindur se problemet e Shqipërisë sot vazhdojnë ta kenë burimin e thellë tek trashëgimia e idhtë e atij sistemi dhe për derisa Tirana zyrtare nuk distancohet zyrtarisht nga ai regjim dhe nga e kaluara komuniste gjysmë shekullore e atij vendi dhe përderisa Kuvendi i Shqipërisë me akt ligjor nuk dënon krimet e komunizmit ashtu siç kanë bërë vendet ish-komuniste të Europës Lindore e Qendrore – Kombi shqiptar do ta ketë veshtirë të zejë vendin e vet që i takon në botën e vlerave perëndimore, përfshirë ato amerikane. Në botën time ku jetoj unë dhe qindra mijëra shqiptarë këtu në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Europën Perëndimor, krime të tilla – si ato të regjimit enverist kundër viktimave të pafajshme, ajkës kombëtare, grave, fëmijve e pleqve – as nuk anashkalohen e as nuk mund të harrohen në një shoqëri moderne në 30 vjetët e para të shekullit 21! Ato viktima të pafajshme nuk duhet të harrohen kurrë dhe askush që thotë se përfaqëson vlerat perëndimore – qofshin ata politikanë shqiptarë apo diplomatë të huaj – nuk guxon të bëhet pjesë e lojës për t’i harruar ato krime kundër njerëzimit.
I përshëndes dhe falënderoj ambasadorët –në emrin tim – si një qenje njerëzore e kësaj bote që beson në të vërtetën e përjetshme se të gjithë ne jemi krijesa të barabarta para Perendisë – pa dallim – dhe si të tilla do duhej të trajtonim edhe njëri-tjetrin. Falënderime dhe mirënjohjet e mia – edhe në emër të disa ish-të burgosurve në Spaç dhe kampe të tjera që i kam njohur e të cilët kanë kaluar në amshim dhe për të cilët sot nuk ka kush flet, pasi familjet e tyre janë shuar nga komunizmi. Le të jetë kjo vizitë fillimi i një kuptimi më të mirë për ju, të nderuar diplomatë perëndimorë – se çfarë ka hequr ai popull për një gjysmë shekulli komunizëm dhe cilat janë pasojat e atij regjimi, pasoja të cilat i shohim përditë në jetën anormale politike të shoqërisë shqiptare, në përgjithësi.
Falënderime Ambasadorit zviceran Adrian Maître dhe Ambasadores suedeze Elsa Håstad – që sipas Ambasadores amerikane Yuri Kim – organizuan vizitën e sotme të rëndësishme në burgun e Spaçit dhe veçanërisht falënderime për Ambasadoren tonë në Tiranë, Zonjën Yuri Kim që i është përgjigjur thirrjes së ambasadorëve europianë për të bërë këtë vizitë në Spaç, simbolikisht, shumë të rëndësishme dhe domethënëse.
Please follow and like us: