Komandanti i kufirit, Meto Kondi: Arratisja e Bilal Xhaferit
Si e morët vesh mbërritjen e tij, për faktin se ai kishte ardhur në fund të gushtit, në zonën kufitare?
Këtu qëndron edhe hileja e kësaj historie. Sepse unë nuk e mësova ardhjen e tij më 30 gusht, por më 2 shtator.
Ç’domethënë kjo?
Më 2 shtator të vitit 1979, më merr në telefon një shok me funksion të pushtetit lokal e më thotë: Komandant, a keni dijeni ju që në fshat te ne, ka ardhur B.XH.? Pra, ky ishte shkurtimi, ose pseudonimi për Bilal Xhaferrin.
Po ju çfarë i thatë?
Unë s’dija gjë. Në moment u nisa dhe mora kontakt me të. E pyeta dhe ai më tha: Po Bilali që nga data 25 deri në datën 30 gusht ka qenë këtu, pse nuk e di ti? Dhe më 30 në mëngjes ka marrë kunatin edhe një bashkëfshatar tjetër dhe janë nisur për në Tiranë. Mirëpo, ne na shqetëson fakti se pse nuk janë kthyer dy të tjerët, po mirë ai. Se ai në Tiranë do shkonte. Kurse ata duhet të ishin kthyer.
Si vepruat ju, në atë çast?
Unë e ndërpreva bisedën dhe shkova në Degën e Punëve të Brendshme.
Kë takuat aty?
Aty takova nënkryetarin e degës dhe e pyeta si është puna, a di gjë ti? Po, -më tha ai. Unë u fyeva shumë dhe i thashë: po unë çfarë jam këtu, përse nuk më keni vënë në dijeni? Ai më tha: I kam thënë shefit të seksionit. Por pastaj më tha se e lashë të vinte punëtori operativ dhe ai të thoshte ty që të kishe kujdes.
Po ju çfarë i thatë?
Unë i thashë se nuk kisha punë me punëtorin operativ. Ti ke punë me mua pse nuk më njoftove mua që Bilali ndodhej aty? Ai nuk foli dhe atëherë unë i thashë se tani mbaj opingat e tij se ai ka kërcitur e ka ikur. Po atë ditë më datën 2 në drekë organizova kontrollin e kufirit.
Çfarë u gjet nga ky kontroll?
Në fillim të kontrollit nuk e gjet gjë. Asnjë gjurmë. Ndërsa në datën 3 njësiti i shërbimit të kontrollit gjeti diçka të veçantë.
Çfarë gjeti?
Gjeti një letër të palosur rreth gjashtë herë dhe kjo letër ishte lënë në brezin e butë të kufirit. Por më parë dua të them diçka tjetër.
Çfarë?
Më datën 30 gusht, Bilali ishte arratisur, ndërsa në datën 1 në mëngjes, komisari i postës dërgoi ushtarë që ta ripunonin brezin e butë të kufirit. Dhe i dërgoi që në mëngjes. Por letrën nuk e kishin zbuluar. Madje, punëtorët e mëngjesit e kishin mbuluar me baltë dhe dukej vetëm cepi i letrës së mbuluar nga pluhuri. Kështu më datën 3, atje shkon njësiti dhe shikon letrën. Në fakt, njësiti kontrolloi me imtësi se kishte dy ditë që nuk po gjendej asnjë gjurmë. Si kishte mundësi që të bëhej një shkelje dhe të mos lihej asnjë, gjurmë, qoftë edhe në brezin e butë të kufirit? Dhe kështu njësiti e gjeti këtë letër.
Çfarë ishte kjo letër?
Ajo ishte letra e shkruar nga dora e Bilal Xhaferrit. Sapo u gjet letra mua më njoftuan urgjentisht dhe shkova atje me një frymë.
E morët ju në dorë atë letër?
Po askush nuk e hapi atë letër para meje dhe ma dhanë mua në dorë.
Çfarë shkruhej atje.
Aty shkruhej: “Për arsye se nuk më janë botuar shkrimet e mia dhe jam injoruar nga Lidhja e Shkrimtarëve, prandaj, duke shprehur pakënaqësi se jam në ndjekje nga organet e Sigurimit unë sot po arratisem nga Shqipëria. Por megjithëse, arratisem, përsëri atdheun nuk do ta mohoj dhe as nuk do ta tradhtoj. Kjo ishte me pak fjalë, përmbajtja e letrës së Bilal Xhaferrit. Dhe tani është rasti ta them plotësisht se ai ishte një patriot që atdheun e tij, nuk e tradhtoi kurrë.
A u verifikua se i kujt ishte ky shkrim?
Po u verifikua nga organet përkatëse dhe u konfirmua se shkrimi i letrës ishte i Bilal Xhaferrit, sipas ekspertizës. Por sipas mendimit tim, kjo letër nuk ishte shkruar në momentin e arratisjes, se aty ishte natë terri. Letra ishte përgatitur më parë nga Bilali dhe u hodh aty në momentin e fundit të largimit.
Kur është arratisur Bilal Xhaferri, saktësisht?
Ai është larguar natën e 30 gushtit…
Kujt ua dorëzuat letrën, pasi e lexuat?
Unë letrën ua dorëzova bashkë me procesverbalin e ngjarjes organeve përkatëse. Sipas të gjitha hetimeve arrihet në konkluzionin se ai duhet të ketë ikur në datën 30 në mbrëmje, pasi i është garantuar se rruga është e lirë. Për arsye se në bazë të informacioneve të vlerësimit që u dhanë më pas rezultoi se ai deri në orën 20.00 ai ka qenë në mitingun dhe darkën e organizuar për këtë festë. Por arratisja e atyre ka qenë e organizuar.
Si mund të arrini në konkluzionin se arratisja e tyre ka qenë e organizuar?
Këtu janë shumë faktorë. Dhe unë isha komandant i kufirit që kisha mbaruar në Moskë. Mua nuk mund të ma hidhte kushdo, qoftë ky edhe institucioni i Sigurimit të Shtetit.
Cilat ishin faktorët kryesorë që juve ju ngjallën dyshime të forta.
E para e punës sipas rregullores së shërbimit në kufi, njësiti i shërbimit as nuk ndërrohet as nuk zëvendësohet dhe as nuk spostohet pa urdhrin e atij që ka dhënë këtë detyrë. Pra, nëse ju si Komandant Poste jepni një detyrë luftarake për patrullim këtu, as ministri i Brendshëm, nuk kishte kompetencë ta heqë që aty. Ndërsa atë natë Komisari i Postës në orën 11:00 të natës mori një ushtar dhe shkoi atje ku ishte shërbimi i njësitit. Dhe shkoi pikërisht atje ku rezultoi se, më vonë kaloi Bilal Xhaferri me grupin e tij.
Çfarë i tha komisari njësitit të patrullës.
Komisari i tha: Shkoni atje përtej, nja 500 metra më tutje dhe mos patrulloni këtu, se unë do të qëndroj vetë sot në detyrë. “Mirë i thanë ushtarët e njësitit”. Komisari aty ka qëndruar rreth një orë. Nga ora 11:00 deri në 12:00 të natës.
Ç’domethënë sipas jush kjo ngjarje?
Sipas meje, si komandant i kufirit kjo domethënë që komisari e priti atje Bilal Xhaferrin dhe i uroi atij rrugë të mbarë!
Fakti i dytë është ky në analizën e bërë disa herë për këtë problem unë jam ballafaquar personalisht disa herë me Rexhep Kollin, ish- zëvendësministri i Brendshëm për Zbulimin, pra për këto probleme. Dhe kur erdhi puna unë i tregova atij gjithë rrjedhën e ngjarjes dhe i thashë këto fjalë: “Më vjen shumë keq shoku zv/ ministër, unë jam komandant i batalionit dhe partia më ka besuar detyrë të rëndësishme, të cilën jam në gjendje ta konceptoj e ta realizoj. Por që të luajë me mua dhe me dinjitetin tim nuk e pranoj”.
Çfarë ju tha ai?
Ai më tha: Ku e ke fjalën? Dhe unë i thashë: nëse kjo ikja e Bilal Xhaferrit ka qenë e organizuar atëherë ju nuk keni besim tek unë.
Po ai çfarë të tha?
Ai u qetësua pastaj më tha: Jo more se të njohim ty nee, por ik se nuk ka problem. Dhe unë i ngrita nga tavolina sepse kaq ishte muhabeti. Pra, aty pyeta veten përse kaq butë ky njeri, kur ngado ishte bërë nami. Prandaj unë nuk e ngava këtë plagë se Sigurimi kishte punën e vet dhe unë kisha punën time.
Sipas jush nëse Bilal Xhaferri do të ishte agjent i Sigurimit përse duhet të hidhte letrën në kufi?
Kjo u bë për të na mbushur mendjen ne, se ai ishte arratisur
Çfarë ishin dy të tjerët që u arratisën me Bilal Xhaferin?
Për ata nuk u fol shumë. Në fakt u bë shumë bujë, u bë. Për shembull u tha se ka ikur një shkrimtar, u arratis Bilal Xhaferri, etj., por për ata nuk u fol fare, por për ata dy të tjerët unë që atëherë e deri më sot nuk kam dëgjuar asnjë fjalë. Unë ndonjëherë pyes veten se si ishte e mundur që një njeri i tillë me atë energji që kishte qoftë mendore, apo edhe fizike, vajti jashtë shtetit, ku më vonë, vdiq në Amerikë. Por unë nuk dua të merrem me shkaqet e vdekjes së tij. Ndërsa kunati i tij ka ardhur këtu pas viteve të demokracisë. Madje, edhe e motra e Bilalit ka shkuar për ca kohë në Amerikë, me Selfon…
Çfarë ndodhi pas arratisjes së Bilal Xhaferrit?
Pas arratisjes së tij, puna e Bilal Xhaferrit u ngrit deri në Komitetin Qendror të PPSH-së. Atje u bë sherri i madh duke diskutuar se si u arratis nga doli, ku shkoi, çfarë bënë forcat e kufirit, etj. Kjo natyrisht, bëhej për të krijuar bindjen se Bilali ishte arratisur. Dhe unë e kuptoja shumë saktë.
A ka mundësi që këtë idenë e agjenturës së Sigurimit, ti personalisht, mund ta kesh krijuar ngaqë ishe i bindur se, batalioni i ushtarëve të kufirit ishte korrekt dhe askush nuk mund të kalonte kufirin?
Unë e them e dhe tani Bilal Xhaferri nëse nuk do të ishte përcjellë matanë kufirit me manovrimet e Sigurimit të Shtetit, ai do të ishte vrarë në vend. Unë kam qenë i bindur, jam i bindur dhe do të jem deri në fund i bindur që atë ditë, pranë përroit, njësiti kufitar është hequr me qëllim dhe paramendim. Ndryshe, kufiri ruhej me kujdesin më të madh dhe askush nuk mund të kalonte. Po ua them me bindje: Atë natë Bilal Xhaferri do të ishte asgjësuar patjetër. Ata të dy të tjerët edhe mund të kishin shpëtuar se do të manovronin për shkak të njohjes së terrenit, por Bilali nuk mund të shpëtonte dot. Aty kishte edhe diçka interesante. Sepse njësiti që u hoq qëndronte pikërisht, te përroi që ishte në krah të klonit. Aty ishte mundësia më e madhe e kalimit. Dhe komisari atë natë e hoqi njësitin që andej duke e marrë përsipër vetë, mbrojtjen e territorit për një orë. Dhe gjatë asaj ore ndodhi kalimi i kufirit nga Bilal Xhaferri.
A e pyetet ju Komisarin e Postës se përse e kishte hequr njësitin gjatë mesnatës?
Nuk kishte përse ta pyesja, sepse unë për këtë gjë pyeta instancat e larta, deri te Rexhep Kolli që ishte zëvendësministër. Dhe ata më thanë: ne të njohim ty, prandaj mos u mërzit. Tani po ju them skemën e saktë. Gjatë gjithë gjatësisë ishte kloni, që nuk kalonte dot e njeri. Ndërsa më poshtë ishte përroi, ku kishim njësitin tonë që kontrollonte me vigjilencë. Por ky njësit u hoq atë natë dhe Bilal Xhaferri u përcoll matanë nën kujdesin e Komisarit të Postës Kufitare. Kjo gjë u bë për interesat e mëdha kombëtare të kundërzbulimit, por mua më mbeti përgjegjësia për shkeljen e kufirit. Se mua nuk më thanë gjë dhe prandaj më mbeti ky turp. Po të më kishin thënë, unë do të merrja masat që ai të kalonte me komoditet të plotë. Dhe kjo bisedë do mbyllej që atëherë.
Ç’punë kishte komisari i postës të ndryshonte vendndodhjen e njësitit tuaj?
Asgjë nuk mund ta justifikonte komisarin për këtë gjë. Ai meritonte padyshim gjyqin ushtarak, përveç urdhrit të Ministrisë së Brendshme, nga ana e Sigurimit të Shtetit.
Çfarë iu ngarkuan ju si përgjegjësi për shkeljen e kufirit?
Zhurma që u bë ishte e madhe, por askush nuk mbajti përgjegjësi ligjore për këtë rast. Askush nuk u bë fajtor për shkeljen e kufirit, e cila në një rast tjetër do të përfundonte gjyq ushtarak. Pra, u bë zhurmë për të bindur dikë që nga Shqipëria është arratisur një disident dhe një armik i pushtetit komunist. Por për hir të së vërtetës ne në atë kohë nuk e publikun shumë letrën e tij që ishte vendosur në vijën e butë të kufirit. Ajo letër dukej sikur ishte shkruar në kushte laboratorike dhe jo në një emergjencë rreziku.
Ju vetë duket sikur jeni i dëmtuari më i madh për këtë arratisje?
Po moralisht unë u dëmtova shumë para vetes sime. Sepse i kisha marrë të gjitha masat për të ruajtur kufirin jugor të Republikës. Por manipulimet që m’u bënë ishin të paparashikuara.
Ju vetë a keni besuar se Bilal Xhaferri është arratisur nga territori shqiptar si kundërshtar i regjimit?
Nëse do ta kisha besuar këtë do të kisha dhënë dorëheqjen që në atë kohë. Unë gjithmonë kam menduar atë që thashë më lart. Që Bilal Xhaferri ishte një patriot dhe një intelektual i madh i Shqipërisë. Por nga na tjetër, ai ishte edhe një viktimë e pushtetit komunist, si edhe e Sigurimit të Shtetit. Megjithatë kam besuar dhe besoj se ai gjatë gjithë jetës ka punuar për interesat e kombit shqiptar.
Please follow and like us: