Albspirit

Media/News/Publishing

“Efektet e pritshme dhe sinjalizimet strategjike, që jep për rajonin e Ballkanit ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike të Rusisë me NATO-n”

 

Nga Shaban Murati

 

Veprimi i njëanshëm i Rusisë për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me NATO-n, të cilin e shpalli ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov në 18 tetor, nuk është vetëm një akt armiqësor ndaj Aleancës Atllantike si organizatë. Ai duhet konsideruar një akt armiqësor ndaj të gjithë shteteve anëtare të NATO-s të marrë veç e veç.

Këtë përmbajtje të veprimit rus e qartësoi kryetari i komisionit të Këshillit të Federatës Ruse për politikën informative, Aleksej Pushkov, i cili në 18 tetor i deklaroi gazetës “Vzgljad” se “mungesa e dialogut me Rusinë është minus i madh për NATO-n dhe anëtarët e saj nga pikëpamja e arkitekturës së sigurisë europiane”.

Kemi një kërcënim të kodifikuar rus për secilin shtet anëtar të NATO-s në fushën e sigurisë. Kjo do të thotë që Rusia e konsideron veprimin e saj të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me NATO-n si një formë e ndërprerjes së komunikimit atlantik me secilin shtet anëtar të NATO-s, por edhe si një fazë e re për të ndërmarrë akte dhe lëvizje kundër sigurisë të çdo shteti europian anëtar të NATO-s.

Në këtë kuadër për qeveritë dhe për diplomacitë e shteteve anëtare të NATO-s, përfshirë dhe ato të Ballkanit, përfshirë dhe Shqipërinë, është e nevojshme që të mos e trajtojnë ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike Rusi-NATO si çështje vetëm midis Rusisë dhe NATO-s si organizatë.

Veprimi rus ka dhe do të ketë efektet e veta në raportet dhe në sjelljen e Moskës me secilin shtet anëtar të NATO-s, që nga Balltiku e deri në Adriatik. Ndaj duhet reflektuar mbi efektet dhe pasojat, që pritet të ketë ky veprim antiatlantik i Rusisë në planin e strategjisë dhe synimeve të Moskës për secilin shtet anëtar të NATO-s dhe ndaj rajonit, ku ndodhen ato.

Në këto rrethana të reja merr rëndësi të hulumtohen efektet, që pritet të kenë, dhe sinjalizimet strategjike, që jep për rajonin e Ballkanit ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike të Rusisë me NATO.

Efekti i parë është se Rusia pritet t’i kushtojë një angazhim dhe forca më të mëdha synimeve dhe ndërhyrjes së saj në rajonin e Ballkanit. Strategjia ruse është që të dobësojë dhe të asfiksojë veç e veç shtetet anëtare të NATO-s me qëllim që të neutralizojë kështu vetë Aleancën Atlantike.

Ndaj duhet pritur një shkallëzim i tensioneve politike dhe ushtarake të provokuara nga Moska në rajonin tonë. Kjo vjen për dy arsye.

Së pari, sepse Ballkani është hallka më dobët e sigurisë së Europës, ku ka dy vatra konflikti të ngrirë, të cilat janë marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën dhe marrëdhëniet e të ashtuquajturës “serpska republika” me shtetin e Bosnje-Hercegovinës.

Nuk ishte e rastit që Rusia, menjëherë pas aneksimit me dhunë të Krimesë dhe ndezjes së konfliktit separatist prorus në Ukrainën Lindore në 2014, e zgjodhi Ballkanin si qendër të përplasjes së saj gjeopolitike me NATO-n dhe me BE.

Së dyti, Ballkani është e vetmja zonë e Europës, ku Rusia ka dy karta të forta në dorën e saj për të bazuar lëvizjet dhe ndërhyrjen e saj në rajon, që janë dy satelitët e saj: Serbia dhe “serpska republika”. Serbia, një shtet zyrtarisht kundër NATO-s, i cili celebron çdo vit edhe një “Ditë AntiNATO”, u shndërrua pas agresionit rus në Ukrainë në gjeneratorin kryesor të ndërhyrjes së Rusisë në punët e brendshme të shteteve ballkanike.

E tillë ishte organizimi i përbashkët serbo-rus i përpjekjes për grusht shteti në tetor 2016 në Mal të Zi, i përpjekjes serbo-ruse për grusht shteti në Maqedoninë e Veriut në prill 2017. Të dyja komplotet e mësipërme serbo-ruse me objektivin e pengimit të anëtarësimit të këtyre dy shteteve në NATO.

Vjeshta e vitit 2021 shënoi një formë dhe shkallë të re më direkte të agresivitetit dhe ndërhyrjes ruse në Ballkan si parapërgatitje e ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike të Rusisë me NATO-s. Në harkun e pak ditëve, nga 20 shtatori në 14 tetor 2021, Serbia dhe presidenti i saj dy herë me radhë mobilizuan forcat e armatosura për luftë në kufirin me Kosovën.

Moska dërgoi ambasadorin e saj në Beograd dhe gjeneralët rusë te forcat e mobilizuara serbe në kufirin me Kosovën për të shprehur përkrahjen dhe nxitjen ruse për konflikt. Implikimi rus e trimëroi presidentin e shtetit të vogël dhe të varfër serb sa që në 26 shtator Vuçiçi i dërgoi ultimatum 24 orësh Aleancës Atlantike.

Megjithë teatralitetin e veprimeve të Serbisë fakti është se pas ngrefosjes ushtarake të Serbise qendron Rusia, ndaj Serbia po turbullon ujërat ballkanike në Kosovë dhe në Bosnje për ta drejtuar zhvillimin e ngjarjeve drejt një konflikti.

Metoda bizantine e Rusisë në rastin ballkanik është se ajo nuk bëhet vetë aktore e konfliktit, siç bëri me agresionet ruse në Ukrainë në 2014 apo në Gjeorgji në 2008. Rusia në Ballkan përdor shtetin e tretë Serbinë për të provokuar tensione dhe konflikte politike dhe ushtarake në oborrin europian dhe atlantik me emrin Ballkan. Pra Serbia është bërë detonatori i një shpërthimi të mundshëm ballkanik, të cilin Rusia po planifikon që ta ndezë.

Në këtë skenar bën pjesë edhe nxitja flagrante, që Rusia po i bën veglës së saj “serpska republikës” në Bosnje-Hercegovinë, ku udhëheqësi fashist i separatistëve serbë M.Dodik shpalli se do të krijojë ushtrinë e pavarur serbe në Bosnjë, akt që është një ftesë për të ndezur një konflikt direkt me forcat e armatosura të shtetit të Bosnje-Hercegovinës.

Mbështetja ruse është kaq direkte sa që edhe një politikan fshati si Dodik, duke imituar presidentin serb Vuçiç, i dha edhe ai një kërcënim ultimativ NATO-s në 14 tetor, duke deklaruar: “Nëse NATO ndërhyn në territorin e “serpska republikës” ne do të thërrasim miqtë tanë të na mbrojnë ne”. Të vetmit miq, që ka fashisti Dodik, janë në Rusi.

Efekti tjetër është projekti rus për të krijuar një ruajtje të përbashkët të hapësirave ajrore serbe me sistemet ruse të mbrojtjes raketore. Në funksion të realizimit të këtij projekti ushtarak rus u zhvilluan brenda javës së dytë të tetorit në Serbi dy palë manovrash ushtarako-ajrore të përbashkëta ruso-serbe, me pjesëmarrjen e komplekseve të sistemeve raketore të mbrojtjes kundër ajrore ruse “Pancir C” dhe “S-400”, bateritë e të cilave erdhën posaçërisht nga Rusia.

Koloneli rus Sergej Hatilev, komandant i njësisë së raketave të Komandës së Posaçme të mbrojtjes antiraketë të Moskës, i cili mori pjesë në manovrat ushtarake ruso-serbe të mbrojtjes antiraketë, u shpreh në një intervistë me “Mk.ru” në 16 tetor se “Një bashkëpunim i tillë i frutshëm dhe dezhurnimi apo ruajtja së bashku me sistemet tona antiraketë nuk u pëlqen shumëve në Europë.

Por kjo mund të bëhet përgjigja jonë adeguate për afrimin e forcave të NATO-s në kufijtë tanë”. Koloneli rus thekson se Rusia dhe Serbia për shkak të distancës gjeografike nuk mund të kenë sistem të unifikuar të mbrojtjes antiraketë, siç ka Rusia me Bjellorusinë, por ai sinjalizon për projektin e “dezhurnit të përbashkët të hapësirave ajrore serbe me komplekset ruse antiraketë”, të cilat natyrisht do të duhet që të vendosen në territorin serb për ta realizuar këtë detyrë.

Del kështu në skenë një projekt i vjetër ushtarak rus, me të cilin Moska kishte kërcënuar Perëndimin për vendosjen e sistemeve ruse antiraketë në Serbi si kundërpërgjigje e vendosjes së sistemeve antiraketë të NATO-s në Bullgari dhe në Rumani. Tani Rusia ndërmerr me manovrat e fundit në Serbi përgatitjet konkrete për zbatimin e këtij plani, për të cilin solli edhe bateritë rus të “S-400” në Serbi. Koloneli rus zbulon se midis Rusisë dhe Serbisë në parim është rënë dakord që ajo të blejë kompleksin e raketave ruse “S-400”.

Mbrojtja e përbashkët ajrore ruso-serbe me sistemin rus antiraketë do të ishte një hap jashtëzakonisht i rrezikshëm nga Rusia dhe Serbia kundër të gjithë shteteve të Ballkanit anëtare të NATO-s. Zbatimi i një plani të tillë do të sanksiononte Serbinë si pjesë e strukturave dhe doktrinave ushtarake të Rusisë, e cila është një kërcënim për të gjithë shtetet anëtare të NATO-s.

Jemi para një plani dhe hapi të madh dhe të rrezikshëm të Rusisë në Ballkan, ku Rusia dhe Serbia planifikojnë të organizojnë mbrojtjen e përbashkët e hapësirave ajrore serbe me komplekset ruse antiraketë. Me një fjalë Rusia dhe Serbia pritet të bëhen një bllok ushtarak i përbashkët. Kjo nuk është për t’u habitur shumë për ata që nuk e kanë harruar se në 22 prill të vitit 1999 parlamenti i Serbisë ka votuar për bashkimin e Serbisë me Rusinë. Disa ditë më vonë e miratoi edhe Duma Ruse rezolutën e bashkimit të dy shteteve.

E bukura është se rezoluta e bashkimit të Serbisë me Rusinë nuk është abroguar ende nga parlamenti i Serbisë, megjithë ardhjen në pushtet të qeverive “demokratike” serbe që nga viti 2000.

Kjo do të thotë që rezoluta e bashkimit të Serbisë me Rusinë është në frigoriferin diplomatik të të dy shteteve, është në fuqi dhe mund të zbatohet kur të dy qeveritë do të bien dakord. Nuk kemi informacion nëse në zyrat diplomatike të BE kanë dijeni për rezolutën e bashkimit të Serbisë me Rusinë, meqë Serbia është shtet kandidat, që ka hapur edhe bisedimet e pranimit në BE.

Në intervistën e tij në “mk.ru” koloneli rus i forcave antiraketë jep edhe një detaj tjetër interesant se “Nëse transferojmë forcat dhe mjetet tona për t’i ndihmuar serbët dhe ndoshta krijojmë një bazë të përbashkët ushtarake atje, ne do të jemi në gjendje të kryejmë misione të përbashkëta luftarake me të. Sigurisht shumëve në Europë nuk do ta pëlqejnë një ndërveprim kaq të ngushtë dhe detyra të përbashkëta të mbrojtjes ajrore”.

Projekti i bazës së përbashkët raketore ruso-serbe dhe i detyrave të përbashkëta ruso-serbe të mbrojtjes ajrore janë sinjale të planeve shumë të rrezikshme ruse dhe serbe në dëm të sigurisë së vendeve të Ballkanit, dhe shprehin armiqësinë e pakorrigjueshme antiatlantike të Rusisë dhe të Serbisë ndaj Aleancës Atlantike dhe ndaj çdo shteti anëtar të NATO-s në Ballkan.

Pikërisht një ditë pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike nga Rusia me NATO-n ambasadori rus në Bosnje-Hercegovinë, Igor Kalabukov, bën hapur një kërcënim ndaj shteteve ballkanike në një intervistë të tij me gazetën ruse “Izvestia” në 19 tetor, ku shprehet: ”Në disa shtete ballkanike anëtarësimi në NATO shihet si garanci e përcaktuar e stabilitetit të brendshëm. Nga pikëpamja ruse një stabilitet i tillë as mund të mendohet”.

Është një paralajmërim i qartë se pritet të kemi një ndërhyrje më të madhe ruse në punët e brendshme të shteteve ballkanike për të shkaktuar destabilitet dhe kriza të brendshme politike dhe tensione.

Çdo shtet anëtar i NATO-s nuk mund dhe nuk duhet t’ia lerë vetëm NATO-s si organizatë reagimin dhe kompleksin e kundërmasave ndaj veprimtarisë agresive dhe kërcënuese ruse në Ballkan. Çdo shtet anëtar i NATO-s në Ballkan dhe në rastin konkret Shqipëria, meqë janë në frontin e parë përballë rrezikut rus dhe serb, duhet të ndërmarrin masat dhe hapat konkrete taktike dhe strategjike për të përballuar dhe neutralizuar çdo lloj ndërhyrje ruse dhe serbe në punët e brendshme të vendit tonë./gazeta dita

Please follow and like us: