Poezia e Mihail Soares vjen në shqip nga Oana Glasu
Mihail Soare: Dashuria si një tel me gjemba
Të dua, kjo shprehje e thënë nga të gjithë nga mëngjesi deri në darkë
nuk më thotë asgjë – tingëllon si një fuçi e prishur, bosh
prej mijëra vjetësh njerëzit i thonë këto fjalë budallaqe
me buzë të ngjeshura si një bori bronzi e rëndomtë
siç thonë mirëmëngjesi dhe mirëmbrëma dhe mirupafshim
për të mos u tallur dhe për të qenë njësoj si të gjithë, e kisha shkruar edhe unë në një karton
një kapak i një kutie këpucësh për të vdekurit
sapo u shfaqeshin të dashurat e mia në dritare
ato të pamishëruara si xhinde që mundojnë ëndrrat të cilat s’bëjnë dy para
u tregoja kartonin
dhe u bëja shenjë se nuk mund të dilja duke u treguar njollat e vogla të bëra me laps të kuq
i shkreti, ky ka skarlatinë, mendonin ato
dhe iknin të kërrusura nga inati
duke mërmëritur çuditërisht: sëmundje e mallkuar, kush ta dashurojë këtë
nga mbrapa grilave të verdha si hëna po qeshja me djallëzi
por me të dashurën e fundit nuk më doli,
mori formën e një flete letre në të cilën ishte shkruar një kondak kishtar
dhe hyri nën derë
ma rrëmbeu lapsin e kuq nga dora dhe bëri dhe ajo
njolla të kuqe si skarlatina
tha diçka për kundërshtimin
për gjakun tim të butë në venat e saj
për pakuptimin e botës tjetër që u bë befas e padukshme në sytë e saj të qelqtë
rreth nuk e di se çfarë mrekullie
nuk kam idenë se nga erdhi, ndaj mos më pyesni
edhe më tha se i kishte lënë gjellët në zjarr
dreqi t’i marrë, patëllxhanë do të gjej unë në jetën tjetër,
por një laps të kuq si ky askund
ngatërrohem në këmbët e saj kur shkoj tek frigoriferi dhe dukem
si një gaforre e lezetshme
dashuria e saj m’u ngjit këmbës si tela me gjemba
dhe kush e ka pësuar me ndonjë tel me gjemba e di se nuk mund të shpëtosh
është një lloj dashurie absolute
dhe këtu nuk e thua më atë të dua të ngushtë
që ngjan me mirëmbrëma dhe mirëmëngjesi dhe mirupafshim
nuk thua asgjë
thjesht mban në krah ato pika të bëra nga lapsi i kuq
dhe mrekullohesh sikur të jetë skarlatinë e vërtetë.
Please follow and like us: