Albspirit

Media/News/Publishing

Tre libra të rinj nga Gjergj Vlashi në 88-vjetorin e lindjes

 

Shkrimtari dhe përkthyesi Gjergj Vlashi, do të festojë nesër 88-vjetorin e lindjes. Ai vjen në këtë përvjetor me tre libra të rinj, ndërsa po përgatit një tjetër roman me temë nga ditët tona, si dhe përkthimin e një antologjie me 100 tregime të autorëve të huaj.

“Mjeshtri i madh i punës” Gjergj Vlashi tregon se “Netët e një qyteti” është titulli i romanit të botuar këto ditë. Ndërkaq, në proçes botimi janë romani “Vika” me temë nga lufta në Kosovë, si dhe përkthimi i romanit për të rinj të nobelistit Patrik Modiano me titull “Katerine Sertityd”.

Gjergj Vlashi është një nga autorët dhe përkthyesit më prodhimtarë në vend. Krijimtaria e tij letrare nis në fund të viteve 1940. Në periudhën 1960 – 1990 ai iu përkushtua regjisurës së varietesë.

Gjergj Vlashi u lind në Durrës më 13 korrik të vitit 1928. Ai është një nga personalitetet  e spikatura të kulturës qytetare durrsake dhe kombëtare.  Disa vjet më parë Gjergj Vlashi është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i Durrësit.

Pas një kontributi të gjatë në fushën e regjisurës së estradës, në këto tri dekada artisti i palodhur ka patur një krijimtari shumë të bollshme si shkrimtar dhe përkthyes. Që nga fillimi i viteve 1990, Gjergj Vlashi ka botuar 17 libra me përkthime nga gjuhët gjermane, italiane, spanjolle, portugeze, angleze, etj., duke sjellë në gjuhën shqipe autorë të shquar të letërsisë botërore si Franz Kafka, Hose Saramago, Dino Buxati, Xhejms Olldrixh, Agata Kristi, etj. Ndër të tjera ai ka botuar edhe tre antologji të tregimit hispanoamerikan, spanjoll dhe austriak të shekullit të 20-të, me emra të shquar si nobelistët Camillo Hose Sela dhe Huan Himenez, si dhe të autorëve të tjerë Vincente Blasko Ibanjez, Paolo Coelho apo Ramon Gomes della Serra.

Gjergj Vlashi është autor i 24 librave të gjinive të ndryshme që nga tregimi për fëmijë, deri te novela e romani. Lista e veprave që presin dritën e botimit është shumë e gjatë. 88-vjeçari Gjergj Vlashi, i cili në vitin 1992 është nderuar me titullin “Artist i Popullit” që nga fundi i viteve 1950 ka vënë në skenë mbi 100 premiera të varietesë me trupa të ndryshme të vendit.

Please follow and like us: