Albspirit

Media/News/Publishing

Ekipi i Biden që do t’i zgjidhë problemet e Kosovës – ky është lajmi i keq për Serbinë dhe Rusinë

Administrata amerikane e udhëhequr nga Joe Biden nuk po rri ‘duarlidhur’, ajo ka filluar të lëvizë dhe marrë vendime të ndryshme, sa i përket situatës në Ballkanin Perëndimor.

Në bazë të raportimeve të fundit, thuhet se rajoni i Ballkanit Perëndimor tashmë është vendosur në prioritetet e administratës aktuale amerikane.

Presidentin amerikan, Joe Biden ka emëruar pesë diplomatë enkas për çështjet dhe problemet në vendet ballkanike.

Në mes të këtyre diplomatëve është përmendur emri i Kristofer Hill i cili do të udhëheq ambasadën amerikane në Beograd, Gabriel Escobar i cili do të jetë zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit që do të merret me Ballkanin Perëndimor, Jeffrey M. Hovenier i cili pritet të zëvendësojë Philip Kosnettin në ambasadën e SHBA-së në Prishtinë.

Gjithashtu është përmendur edhe emri i James O’Brien i cili është nominuar nga Joe Biden si koordinator për politikat e sanksioneve dhe emri i Michael Murphy i cili është një politikan me përvojë të madhe sa i përket politikës së jashtme amerikane.

Kjo pesëshe po vlerësohet si një ekip special që Joe Biden e ka përzgjedhur për të gjetur zgjidhje sa u përket situatave në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë.

Këto emërime të administratës së presidentit Biden, i kanë komentuar analistët Shqiprim Pula dhe Skënder Mulliqi.

Pula: Emërimi i diplomatëve amerikanë në vendet e Ballkanit, duhet kuptuar si kambanë.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula ka komentuar emërimin e diplomatëve amerikanë në Ballkanin Perëndimor.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tha se kjo tregon seriozitet nga administrata e presidentit të SHBA-ve, Joe Biden.

“Angazhimi i diplomatëve të rinj si emra por me shumë përvojë të gjatë në diplomaci, e po ashtu edhe në rajonin tonë, së pari, duhet kuptuar si seriozitet i administratës Biden, që çështjet e pazgjidhura, ndërmjet njësive federative të ish-Jugosllavisë, të marrin udhë drejt gjetjes së epilogut statusor-politik. E arritja e pranimit të rregullimit të ri statusor ndërmjet vendeve në rajon, nënkupton zhvillim ekonomik, siguri dhe perspektivë, anëtarësimi në NATO dhe Union Evropian”, deklaroi ai.

Sipas Pulës, këto emërime të diplomatëve amerikanë duhet të jenë kambana që duhet zgjuar nga gjumi.

Ai beson se nuk mjafton vetëm normalizimi i marrëdhënieve, por edhe njohja e ndërsjellë.

“Emërimi i diplomatëve të rinj nga Departamenti Amerikan i Shtetit për vendet e Ballkanit, duhet kuptuar si kambanë, për shumë kë, që duhet zgjuar nga gjumi. Nuk mjafton më vetëm normalizimi i marrëdhënieve, por edhe avancimi i tyre në një stad tjetër, asaj të njohjes së ndërsjellë, duke respektuar karakterin shtetëror-kushtetues ndërmjet vendeve në Ballkan”, theksoi njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në fund, ai përmendi ndikimin rus në çështjet e mbetura pezull që nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë.

Pula potencoi se ndikimi rus lidhet kryesisht me aspektin e leverdisë ushtarake e ekonomike.

“Ka qenë i gjithhershëm angazhimi i Federatës Ruse në Ballkan dhe jo vetë, po edhe më gjerë, por, në vazhdimësi, ndikimi i saj shihej e konsiderohej si jo-transparent mbi çështjet e mbetura pezull që nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Ashtu si në çdo cep tjetër të botës, edhe në Ballkan, ndikimi rus lidhet kryesisht me aspektin e leverdisë ushtarake e ekonomike më tepër se sa involvimi i saj për të gjetur zgjidhje politike”, përfundoi Shqiprim Pula.

Mulliqi: Joe Biden i dha prioritet Ballkanit e veçmas Kosovës

Ndërsa, analisti politik, Skënder Mulliqi këto emërime i konsideroi si riorganizim të politikave të jashtme amerikane.

Ai rikujtoi orientimin proserb gjatë kohës së ish-presidentit Trump, i cili shkarkoi Boltonin dhe emëroi Grenellin.

“Emërimet e reja në Ballkanin Perëndimore nga administrata e Joe Biden, janë riorganizim i politikave të jashtme amerikane. Trump sa ishte në pushtet kishte dështuar shumë me politikat e jashtme, e veçmas e la prapa Ballkanin me shumë probleme ende të pazgjidhura ekonomike, por edhe etnike. Kur bëhet fjalë për Kosovën, të emëruarit na dolën se ishin bukur shumë me orientime pro serbe, si Bolton i shkarkuar, e po ashtu dhe Grenell. Ky i fundit bëri lojëra politike jo parimore, të cilat ranë ndesh me politikën tradicionale të jashtme të Amerikës”, deklaroi analisti.

Sipas Mulliqit, Rusia i dha mbështetje Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale në Amerikë, ku më vonë Kosova u përfshi në larje të këtij ‘borxhi’.

Më pas, ai e mirëpriti humbjen e Trumpit në zgjedhjet e dyta presidenciale, duke thënë se me ardhjen e Bidenit në pushtet, administrate amerikane i dha prioritet Kosovës.

“Bisedimet me Serbinë nuk ishin të favorshme për Kosovën. Përkrahja e Rusisë siç është edhe përfolur gjatë në opinion që ia bëri Trumpit gjatë zgjedhjeve të para presidenciale, u pa më vonë, si larje borxhit ndaj Rusisë dhe Serbisë dhe atë pikërisht me Kosovën. Po ashtu, shumë u përfolën edhe shkëmbimet territoriale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mua më duket se ishte gjë e mirë që Trump nuk e fitoi një mandat të dytë për në Shtëpinë e Bardhë. Ardhja në pushtet e demokratit, Joe Biden i dha prioritet Ballkanit e veçmas Kosovës. Edhe para ardhjes së tij në pushtet përmes një letre, ai kishte treguar se Ballkani do të jetë zonë e interesit të veçantë dhe se do të angazhohet që të zgjidhë problemet në rajon”, theksoi ai.

Në vazhdim, analisti tha se me emërimet e diplomatëve amerikanë do të ketë një qasje më koherente të zgjidhjeve të problemeve, ku Serbia do të vihet në trysni për pranimin e pavarësisë së Kosovës.

“Të kthehemi pak prapa për të përmendur se edhe Marrëveshjen e Uashingtonit, sipas meje nuk ishte shumë në favor të Kosovës, sepse me këtë marrëveshje përfiton dhe faktorizohet Serbia si fuqi ekonomike dhe politike në Ballkan. Dihet se kjo marrëveshje nuk është obligative. Faktorizimi i Serbisë është padrejtësi e madhe, kur dihet së ky shtet mban hipotekën e gjenocidit mbi shqiptarët dhe myslimanët, të shkaktuar me rastin e shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë. Emërimet e pesëshes speciale të Bidenit në Ballkan, do të thotë se do të kemi një qasje shumë më koherente të zgjedhjes së problemeve, e ku Serbia kësaj radhe përmes ambasadorit amerikan, Kristofer Hillit, do të vihet fort në trysni për pranimin e pavarësisë së Kosovës”, nënvizoi Mulliqi.

Tutje, ai beson se tash e tutje ndikimi amerikan do të jetë shumë më i madh dhe më frytdhënës, ku do të ndalen apetitet fashiste të Vuçiqit.

“Ky proces i ndërrimit të përfaqësuesve diplomatik nisi më Gabriel Eskobarin, si i dërguar i posaçëm për Ballkanin, dhe pastaj emërimi i Hillit me përvojë të madhe, si ambasador në Beograd. Emërime të reja u bënë në Bosnje dhe në Kosovë, të gjithë diplomatë të karrierës dhe njohës të mirë të politikave ballkanike. Ndikimi amerikan do të jetë shumë më i madh dhe më frytdhënës. Do të fashiten apetitet shoviniste dhe grabitqare të Vuçiqit, i cili po kërcënon më luftë veriun, me pretendime që me forcë ta bëjë faktike, Asociacionin më kompetenca ekzekutive”, potencoi analisti.

Krejt në fund, Mulliqi konsideroi se Amerika do të arrijë ta ndalë ndikimin serbo-rus në Kosovë dhe këtë pikërisht do ta bëjnë diplomatët e emëruar amerikan për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Do të ndalet nga Amerika ndikimi i Rusisë dhe Serbisë më hegjemonitë e tyre ndaj Kosovës, por edhe ndaj Ballkanit. Këtë do ta bëjnë pesëshja në fjalë, kur dihet se edhe në Bosnje, kemi tendencë të ndarjes së Republikës Srpka nga Bosnja, të cilën po e kërkon pareshtur, Millorad Dodik. Amerika ka dhënë sinjal të qartë së duhet të përmbyllen problemet në rajon”, përmbylli Skënder Mulliqi.

Please follow and like us: