Ibrahim KADRIU: MISIONI RUS (1)
(Roman)
Pjesa e parë
Udhëzime për leximin e romanit
Ky roman, për të cilin autori është angazhuar një kohë të gjatë, duke respektuar çdo personazh, duke i ndenjur gatitu çdo fjale, që të jetë në vendin e vet, për të qenë rrëfimi sa më i qartë, mendohet se ka peshë, sidomos historike. Ajo që është më interesante dhe që nxiti autorin të drejtohem në këtë mënyrë, është koha e veprimit, janë datat e sakta; ngjarjet historike gjithashtu, mandej edhe shumë nga personazhet. Vërtet ka personazhe që zbërthehen lakuriq dhe, në ditën e sotme, do të dalin të çuditshëm; do të humbin diçka nga patriotizmi, dhe do të fitojnë diçka nga cilësia bashkëpunuese me okupuesit, por i tillë ishte realiteti i kohës. Në jetë ka shumë rrena, shumë glorifikime, shumë zmadhime të ngjarjeve, për shkak se njerëzit iu besojnë rrenave, bile i kërkojnë ato për ta ushqyer shpirtin.
Në rreshtat e mësipërm u përmenden personazhet që, në fakt, mbajnë ekuilibrin e librit, u tha se ka të vërteta mbi ata dhe nuk janë pjellë e imagjinatës. Nund të thueht gjithashtu se rrëfimi mbështetet në të vërteta historike të kohës kur ndodhi mëvetësia e shtetit shqiptar, por kur (në fillim të shekullit të kaluar) ndodhën edhe krimet e bëra nga serbët në viset shqiptare, që paraqesin strumbullarin e gjithë rrëfimit përmes emrave që i kemi dëgjuar nga të parët, ose për të cilët kemi lexuar në shtypin e huaj, por nuk i kemi pasur të analizuar e të studiuar realisht.
Titulli i librit ofron referencën në një mënyrë, por kjo merret vetëm me një anë, me atë që quhet krim ndërkombëtar. Sepse t’i kesh në oborr dhe shtëpi të paftuarit, gjithnjë me emra konspirativë, nuk ke se si e kupton ndryshe, pos krim. Ky truall përherë ka qenë në vorbën e krimeve, por ato kanë ndryshuar në esencë, sipas interesave të oligarkisë të një shteti apo tjetri. E interesat kanë qenë (dhe janë) aq të mëdha, të popujve që as më të voglën dhembje nuk e kanë për shqiptarët, për tokat e tyre, e lëre më për shtetin e tyre. Ata, për shembull, (mendjen e kam te kastat sllave), edhe atëherë kur mendohej se ishte avancuar logjika njerëzore e botës, afro tridhjetë vjet nga përfundimi i ngjarjeve në këtë roman, desh u çmenden kur erdhën gjermanët dhe kur (tre gjermanë pushtuan ose çliruan qytetet shqiptare të Kosovës dhe të viseve tjera me shqiptarë, krijuan shtetin etnik shqiptar me 74. 000 kilometra katrorë. Ata, më pastaj, fjalën e kam për sllavët, bënë krejt çfarë mund të bëhej tragjikisht dhe e rrudhën shtetin shqiptar në përmasa të përgjysmuara, domethënë shtetit shqiptar ia lanë diku rreth 34 000 kilometra katrorë.
Të them të drejtën, fillimisht kur kam nisur të njohë veten, isha i ndikuar nga këngët me çiftelia dhe nga odat, sepse mbështetjet tjera akademike nuk i kishim kund, ose i kishim të lëvruara nga historianë me programet e posaçme deri në çfarë mase duhej mësuar historia kombëtare. Jam bindur se në shkolla kisha qenë i gënjyer, njësoj edhe sipas elozheve për heronjtë kombëtarë kisha qenë i gënjyer. Për brezat e ardhshëm duhet të shkruhet historia e saktë e çdo periudhe deri te UÇK-ja, e pse jo edhe për UÇK-në. Por, ku e lash, romani ka të bëjë me atë periudhë të hershme, kurse personazhet ishin të gjallë, dëshmitarë të gjitha ndodhive. Veç shqiptarët ishin ata të mashtruarit, të cilët, duke bërë veprime të çuditshme, flas për veprimet reale, pësuan mija e mija gjithandej kah flitej shqipja.
Ndër këto personazhe janë përfshirë edhe tre të ardhur nga Rusia, me mision të fshehtë. Ishin të përgatitur mirë, jo si shqiptarët të cilët mezi e flasin gjuhën e mëhallës. Ata mrekullisht e flisnin edhe gjuhën shqipe, madjeedhe dialektet. Kishin nga dy emra: njërin origjinal, dhe tjetrin fals shqiptar, për t’iu përshtatur rrethit për mashtrime sa më sublime. Prandaj gjatë leximittë kihen parasysh emrat i individëve që vinin nga Rusia. Për shembull, personazhi Ruslan Nikollai ka rezervë emrin: Zef Kristi për ambientin e katolikëve, por në raste e ka edhe emrin tjetër, Faruk Myrta, për ambientin mysliman. Është një Kazimir Olenko, imam xhamie, por që njihej si Mulla Adnani. Kësaj galerie personazhesh i takon edhe Tatjana Volovna, e paraqitur si mësuese, e cila jo rrallë prezantohet me emrin tjetër Emine Brajari, duke u identifikuar me përkatësi çerkeze.
Po e mbyll pikërisht me këtë rresht këtë orientim për lexuesin, i cili, besoj, do ta respektojë. Prandaj i dëshiroj lexim të këndshëm, me të drejtën për t’i thënë vërejtjet hapur për çdo mangësi që mund të ketë libri.
***
Grigor Reziq para shumë dekadave më ka zënë pisk. Dua të them: ma ka zënë derën me kërkesë ta shoqëroja, që ta zbuloja vlerën e preokupimit të tij në një kohë kur përpiqeshim të bëheshim të vetvetes, kur bënim punë për t’ia shtuar faqet historisë, të cilat, me kushtëzim nga situatat e ditës, ashtu siç ndodh në realitet, merrnin ngjyrimet e rastit, të kohës kur ishte shpallur fituesi. Grigor Reziq më erdhi atëherë kur, vërtet, nuk dija kujt t’i besoja: faqeve të historisë, apo këngëve. Duke qenë nën peshën e dilemës, i besoja thënies se historinë e shkruan fituesi. Në të njëjtën kohë merresha edhe me thënien që përcaktonte vërtetësinë e punës të historianit, i cili përkufizohet me mendimin se historiani është si kritiku i teatrit, i cili shkruan vlerësim për shfaqjen që nuk e ka parë. Ky mendim të fut në pyll, e bën të pabesueshëm çdo faqe të historisë. Kur ato faqe përballen me folklorin, për shembull, nuk gjen shteg të dalësh nga pylli, dhe ç’është edhe më keq – mbetesh t’i besosh vetëm vetes. Problemi është te ekzagjerimi dhe te imponimi për ta pranuar cilindo ushqim që të ofrohet, edhe kur nuk ta duron lukthi, edhe kur nga efektet që të serviren herë të mbërthen e vjella, herë barkqitja. Mandej merr guxim dhe shprehesh pa kurrfarë rezerve: historia është rrenë, heronjtë nuk mund të ngjiten në qiell, derisa vazhdojnë t’i kenë këmbët në tokë. Shtyrja e tyre drejt qiellit veç që ua dobëson muskujt, aq më tepër kur qielli është i tejdukshëm. Në këso rrethanash vjen burri i botës, Grigor Reziq, me rrëfimin për një kohë të cilën e njihja nga këndi që më duhej t’i krijoja vetes kënaqësi, duke iu dhënë peshë trimërive, duke u krenuar deri në atë masë sa fare nuk mendoja se, megjithatë, përshëndetjen duhej ta bëja në gjuhë të huaj, me përcjellje të përshëndetjes edhe me përulje të detyrueshme, një përvojë e krijuar me shekuj: herë në një gjuhë, herë në tjetrën, gjithnjë me shtyrje të gjuhës së nënës në ilegalitet. I gjendur para dekadave të ngarkuara me ngjarje historike, siç thashë, më erdhi burri i botës me rrëfimin e tij. Ai rrëfim ( i Grigor Reziqit, gazetarit, apo të thuhet më saktë, i reporterit të luftës i gazetës “Progres” të Beogradit) më ishte i besueshëm. Ishte shkruar në formë ditari, me të dhëna jo nga faqet e historisë, por nga përvoja personale.
Rrëfimi është në vazhdim
1.
Në atë mëngjes të 3 nëntorit të vitit 1912, Prizrenin e gjetëm të mbuluar nga një shtresë mjegulle, që shtrihej drejt pjesës së kalasë, të cilës i qëndronte si një perde e bardhë në të përhirtë. Një pjesë e kalasë thuaja se ishte mbuluar tërësisht, kurse pjesa tjetër e mbetur me sasi të mjegullës me tejdukshmëri, përngjante në fragment pikture. Tutje sipër, kodrat kishin humbur pamjet, e tërë hapësira dukej e njësuar me qiellin. Arritja jonë në qytet, pas një rruge të gjatë e të lodhshme, të kaluar me formacione sipas përkatësisë të angazhimit ushtarak, ishte e befasishme; i gjetëm rrugët dhe rrugicat e qytetit plotësisht të zbrazura, ndërsa oxhaqet e shtëpive, përveç një numri të vogël të tyre, nuk nxirrnin tym. Kjo pamje e oxhaqeve na ra në sy, se e kishim përjetuar të ftohtit e natës gjatë marshimit, derisa mërdhinim dhe mezi pritnim të pushonim diku afër ndonjë zjarri. Prizrenin e llogarisnim si qytet të ngrohtë, së paku kështu na thoshin derisa ishim në përgatitje të merrnim rrugë. Na thoshin se Prizrenin e mbështillte klima bregdetare, sado që ishte larg detit, por për këtë i ndihmonte Lumëbardhi që derdhjen e kishte në det, në drejtim të Shkodrës. Për habinë tonë, ajo klimë nuk ishte askund. Ftohtësia e orëve të mëngjesit të hershëm, pa u shfaqur ende dielli, na hyri në palcë, ndoshta edhe për shkak se e pritnim ngrohtësinë, kishim qenë të përgatitur për atë ngrohtësi për të cilën na flisnin ata të cilëve iu kishte rastisur të kapërcenin, ose të qëndronin më gjatë në qytetin e Prizrenit. Ne, thjesht, u ndeshëm edhe me ftohtësinë e pritjes; askush nuk na doli të na priste. Rrugët e zbrazura sikur na bënin me dije se ishim të padëshiruar, sado që hynim në qytetin e mbretërisë së hershme serbe.
Njësia vëzhguese kishte kryer punën e vet që në mbrëmje të 2 nëntorit, por në raportin e tyre kishte diçka që, tash në orët e hershme të mëngjesit, na bënin të kuptonim se nuk e kishin studiuar situatën ashtu siç ishte. Me gjasë ishin ngazëllyer me bukurinë e qytetit dhe, në atë gjendje, kishin formuar një lloj bindjeje se prizrenasit, duke qenë të lumtur me rënien e Perandorisë Osmane, hapekrah do të prisnin çlirimtarët, siç e quanim ne veten. Por ishte e kundërta, si duket. Qyteti thuaj nuk merrte frymë, sikur i tëri të kishte rënë në ndonjë kllapi. Vetëm ndonjë lehje e qenve dëshmonte se në qytet kishte jetë. Ne e kërkonim atë jetë, madje gjenerali ynë Bozhidar Jankoviq, që na kishte thënë se po ktheheshim atje ku kishim qenë edhe para shtatëqind vjetësh, e kërkonte pritjen, qoftë edhe me dhunë. Këtë nuk e kuptoja, se si ishte e mundur të organizohej pritja me dhunë? Mund të ndodhë të nxirren njerëzit nga shtëpitë, të detyrohen të përshëndesin çlirimtarët, që thoshim ne, ama fytyrat e tyre nuk do të kenë buzëqeshje, për shembull. Kur presin njerëzit në heshtje dhe të mërrolur, nuk mund të thuhet se na pritnin me gëzim.
Gjenerali ynë e kishte planin. Ai e dinte mirë se çfarë duhet bërë, madje nuk ishte vetëm. Këtë e kam kuptuar diku mes Ferizajt dhe Suharekës, nuk e mbaj në mend emrin e atij vendi, derisa qëndronte dhe bisedonte me një ushtarak, veshmbathja e të cilit më dukej disi ndryshe. Kuptova se ai ishte rus, kishte ardhur vullnetarisht, apo ishte i dërguar të solidarizohej me ne, që bënim marshin çlirimtar drejt tokave, qyteteve dhe katundeve ku nuk kishim qenë asnjëherë. Të bëhem i sinqertë, unë nuk kisha njohuri për atë anë, sado që në orët e historisë kisha dëgjuar profesorin të thoshte se Prizreni ishte qendër e mbretërisë serbe, në një kohë kur sundimi serb shtrihej deri në ishujt e jugut të Greqisë dhe cilësohej si mbretëri edhe e shqiptarëve, edhe e grekëve… Gjeneralit tonë ia kishte ënda të thoshte se do ta kthenim mbretërinë e dikurshme dhe se do t’i shfarosim të gjithë popujt, të cilët nuk do t’i përgjigjen vullnetit tonë. Thoshte gjithashtu se Serbisë i duhej deti dhe se rruga më e mirë për të arritur atje kalonte andej nga bëhej marshimi. Në këto orë të mëngjesit po bindem se Prizreni nuk përkon me vullnetin tonë, prandaj kam frikë se, edhe në këtë qytet, mund të ndodhë si gjatë ditëve të gushtit në Kumanovë, Shkup dhe vise të tjera. Kam frikë prej kufomave, sidomos prej atyre kufomave të mbetura mbi tokë, të shkatërruara nga insektet. Gjenerali është i prirë të ndeshet me skena të tilla, meqë edhe vetë kishte pasur ndikimin e krijimit të atyre skenave. Kam përshtypjen se ai, skenat e tilla me kufoma, i ka për kurajë, për rehatin e shpirtit. I çuditshëm është gjenerali ynë, udhëheqës i Armatës së Tretë Serbe, që kishte një karrierë të gjatë ushtarake dhe që ishte sprovuar shumë herë me trimëri, siç kishte dëshirë t’i thuhej, ndërkaq ajo trimëri nga të tjerët quhej barbari.
Oficeri rus që i rrinte afër gjeneralit tonë, në hyrje të Prizrenit derisa bënte me dorë andej-këndej, dukej sikur tregonte kahen se në ç’drejtim ishte rruga më e drejtpërdrejtë për të arritur në qendër të qytetit. Rrugicat në hyrje të qytetit, të mbuluara me kalldrëm dhe të shtrira majtas e djathtas, thuajse ishin ndërtuar me qëllim të humbjes së rrugës që çon në qendër. Oficeri rus, Ruslan Nikollaj i dinte ato rrugë, kurse ne që nuk kishim lidhje me atë ambient, e kuptuam se oficeri rus shpeshherë kishte qenë në konsullatën e tyre, që ishte e vendosur, siç thuhej, në afërsi të kishës ortodokse. Kjo ishte e vërtetë, siç ishte e vërtetë se ai ishte vizitues i shpeshtë i Shkodrës, Tiranës… Ai, sipas të gjitha gjasave, kishte misione të ndërlikuara që për ne ishin sekrete, siç ishte sekret edhe prania e tij në organizmin tonë ushtarak, në Armatën e Tretë Serbe. Nuk e kam të qartë kur u ishte bashkuar forcave tona dhe me çfarë qëllimi. Janë shumë misterioze lëvizjet e tij. Se si shëtit andej-këndej dhe mbetët gjallë? Ruslan Nikollaj më duket person i mistershëm, aq më tepër kur mban grada ushtarake. E di se rusët kanë misionarët e tyre, por që ata janë edhe në shtabet ushtarake, nuk e kam ditur dhe nuk më duket e besueshme, ndonëse derisa është krahpërkrah me gjeneralin tonë Jankoviq, çdo gjë është e mundshme që lidhet me të. Jam shumë kureshtar të njihem me të, por e di se nuk e kam atë shans… por, ku e lash?
Po. Ne ecnim në drejtim të qendrës. Ndjenim lodhje të madhe. Mezi prisnim të dëgjonim urdhrin e eprorëve për ndalje. Ky urdhër nuk vinte se nuk vinte. Kishim përshtypjen se Prizrenin do ta kapërcenim shpejt. Nga ana tjetër, ishim kureshtarë t’i shihnim prizrenasit, qoftë edhe pa na përshëndetur, por kjo nuk ndodhte në ato orë të hershme të mëngjesit. Ata duhet të ishin të ngujuar nëpër shtëpitë e tyre, apo ishin duke na përcjellë përmes dritareve të shtëpive që dukeshin si të ngjitura për bregu. Nga ajo pjesë ku ishin shtëpitë, me dritare të shumta të kthyer nga rruga, që shtriheshin poshtë kalasë, prizrenasit mund të përcillnin çdo lëvizje tonën. Ata mund të na kishin në shënjestër, prandaj nuk e ndjenim veten rehat. Kishim sikletin pasi gjatë rrugës na kishin ndodhur disa sulme të befasishme.
Para një jave, derisa e kalonim Grykën e Carralevës, më saktë më 25 tetor, një numër i madh shqiptarësh na sulmuan. Nuk mund të them me saktësi se sa ishte ai numër, megjithëse përmendej numri dy dhe tre mijë. Këta numra mund të them se ishin të sajuar, varësisht nga kush thoshte. Mund të kuptohej se frikacakët e kishin tre mijëshen, kurse më realët mbështeteshin në dy mijëshen. Kush e di ku mund të ishte e vërteta, sepse ishte e pamundur të numëroheshin, aq më tepër kur sulmuesit ishin maleve, anësh rrugës. Ne, të Armatës së Tretë Serbe, të divizioneve “Shumadia” (me 23 mijë veta) dhe “Drini i Zi”, e kishim parasysh se gjatë marshimit tonë do të ketë sulme. Ishim të bindur se nga ato sulme nuk mund të rrezikoheshim, aq më tepër kur dihej se armata jonë ishte e përgatitur, jo vetëm me numër të madh ushtarësh, por edhe me stërvitje, mandej edhe me teknikë të sofistikuar. Sulmuesit i njihnim mirë; i kishim mundur gjithkund ku na kishin dalë në pritë. Gjithandej nga kishin kaluar njësitë tona ushtarake, rezistenca e sulmuesve shqiptarë nuk ishte efektive, derisa forcat osmane faktikisht ishin dorëzuar. Ata e kishin drejtimin drejt Bosforit dhe sikur nuk iu interesonte se kënd linin mbrapa, siç ishin shqiptarët që kishin të njëjtën fe, si turqit. Kur qe ndërmarrë fushata e përgjithshme për rekrutimin e ushtarëve, të cilët do të ndihmonin të ktheheshim në tokat e vjetra tonat, ekzistonte frika se rezistuesit do të na mposhtnin. Por, kur vëzhguesit tanë patën sjellë raportet e gjendjes në Shkup, pas largimit të ushtarëve osmanë nga kazermat e tyre dhe pasi që kryengritësit shqiptarë i kishin liruar të gjithë të burgosurit, duke iu dhënë edhe atyre trajtimin e kryengritësve, thoshin se kryengritësit sikur kishin mbetur pa ide se çfarë do të duhej të bënin më tutje. Frika jonë ishte se mund të ngrinin flamurin kombëtar në Shkup, ku edhe popullata mbi pesëdhjetë për qind ishte shqiptare. Por shërbimet sekrete tonat, në bashkëpunim edhe me individë nga kryengritësit, na gëzonin me faktin se në mesin e prijësve të tyre kishte kundërshti, se disa prej tyre ishin të vendosur për qëllimin e tyre. Ata ishin kundër pavarësisë. Në raportin e vëzhguesve thuhej se ata ishin të interesuar vetëm për një autonomi, e cila do të realizohej brenda shtetit turk. Bile, për të qenë kënaqësia jonë edhe më e madhe, kishim informacione se dy nga stafi i prijësve, Boletini dhe Kryeziu, insistonin të shkonin në Selanik që ta nxirrnin nga burgu Sulltan Hamitin, që ishte i dënuar nga turqit e rinj. Kjo ishte mrekulli për ne, prandaj edhe arritëm që, gjatë gushtit, të hynim në Shkup pa kurrfarë rezistence. Kësisoj u arrit ajo që synohej, marshimi tutje nëpër vise të Maqedonisë, Kosovës dhe të Shqipërisë, pa kurrfarë pengese. Kjo ndodhi pasi që u zunë prijësit shqiptarë dhe u dërguan në Beograd, përkatësisht në burgun e Kalemegdanit; pasi një numri të madh shqiptarësh, që i gjetëm në Shkup, ua vumë prangat. I lidhem me zinxhirë njërin pas tjetrit dhe ua humbëm dëshirën për të qenë të vetvetes. Prandaj terrenin e kishim të lirë, madje edhe të sigurt.
Ne, po e them këtu, kishim forca të mëdha: Në operacionet për pushtimin e Kosovës, Serbia angazhoi 286 mijë forca operative me 550 armë artilerie. Kjo forcë operative ishte e strukturuar në katër armata. E para kishte 76 batalione, 30 eskadronë, 40 bateri, etj. E dyta përbëhej nga 75 mijë forca dhe komandohej nga gjenerali Stepan Stefanoviq. Qendra e kësaj armate e kishte zgjedhur vend-komandimin në Qystendil. Në efektivat e saj ishin: 40 batalione, 5 eskadronë dhe 24 bateri. E treta përbëhej prej 63 mijë forcash, të komanduar nga gjenerali Bozhidar Jankoviq (udhëheqës i organizatës çetnike serbe “Narodna Odbrana”) dhe nga shefi i shtabit, koloneli Dushan Peshiq. Kjo armatë vend-komandimin e kishte në Kurshumli. Efektivat e kësaj armate ishin: 44 batalione, 9 eskadronë dhe 25 bateri… E katërta ishte me një efektivë prej 35 mijë forcash, me komandant-gjeneralin Mihajllo Zhivkoviq. Të them gjithashtu se komandant i përgjithshëm i ushtrisë serbe ishte vetë mbreti Petar Karagjorgjeviqi, ndërsa shef i Shtatmadhorisë gjenerali Radomir Putnik. I përmenda këto fakte për të qenë sa më larg frikës, por megjithëkëtë kur një pjesë e ushtrisë sonë arritëm në qendër, kaluam urën mbi Lumëbardhë dhe e zumë sheshin ku katër fyte të çezmës së gurtë nxjerrin ujë me bollëk, ujë të ftohtë.
Për pak çaste dy rrugët përskaj Lumëbardhit u mbushën me ushtarë tanë. Pamë edhe disa prizrenas që zbritën nga ajo pjesë e mjegullt, nga shtëpitë mbi kishën ortodokse. Zbritja e tyre, me një numër jo të madh, dhe ndalja përtej nesh në afërsi të dyqaneve me kanate të lëshuara, ishte befasi e këndshme që përputhej me shpresën se do të na dëshironin mirëseardhje. Në fytyrat e tyre, derisa një pjesë e tyre qëndronin të mbështetur në muret e dyqaneve, vërehej një lloj gëzimi. Përpiqeshim që, çdo njëri në mënyrën e vet, të krijonte afërsinë me ata prizrenas. Mandej kuptuam se ata ishin serbë vendorë, kurse shqiptarët nuk i shihnim. Ata sigurisht na shihnin nga ato dritaret e vogla.
Gjenerali ynë Bozhidar Jankoviq urdhëroi të bëhej një kontroll i përgjithshëm i qytetit duke caktuar grupe të armatosur të hynin nëpër shtëpi dhe të bënin bastisje me qëllim që t’i mblidhnin armët dhe të shtonin frikën te banorët. Pas kësaj bastisjeje, sipas pandehmave të gjeneralit, prizrenasit do të pranonin të ishin aleatë, dhe do t’u përshtateshin kushteve të tjera, të cilat ofroheshin me pushtetin e ri, që vinte si vazhdimësi e pushtetit tonë të para më shumë se shtatëqind vjetësh. Njësiti për bastisje, duke mos gjetur përkrahje, por dyer të mbyllura, u shndërrua në njësit ndëshkues, sipas urdhrit të gjeneralit tonë. Ne të tjerët nuk i dinim me saktësi urdhrat e gjeneralit, por se njësitet e bastisjes u bënë njësite ndëshkuese merrej vesh nga të shtënat, që dëgjoheshin nga të gjitha anët e qytetit. Në fillim ishin të shtëna të rralla, më pastaj të shtënat shpeshtoheshin, dhe dikur u bënë të zakonshme.
Nga mesdita humbën të gjitha mjegullat. Kalaja shihej qartë me mure impozante, të ngritura në breg. Më tërhiqte ai ambient. Kisha dëshirë të qëndroja një kohë atje lart dhe nga atje të soditja qytetin, mbase edhe do të bëja një reportazh për gazetën Republika. Fundja, roli im në këtë formacion ushtarak duhej të ishte i dyfishtë, edhe si gazetar, edhe si luftëtar. Për punën e parë e kisha përvojën, kurse për të dytën, si ushtarak, e kisha detyrë primare të mbrohesha vetë, duke pasur parasysh atë thënien e njohur për situata të luftës: ose vrit, ose do të jesh i vrarë! Pavarësisht urdhrave ushtarake, edhe pa ato urdhra, mbrojtja e vetes ishte në rend të parë. Këtë merak për t’u ngjitur bregut deri te kalaja do ta heq, sigurisht, por në ditët e ardhshme, derisa të stacionoheshim për një kohë në Prizren, ndonëse rrugëtimin e kishim të hapur drejt detit…
Shpeshtimi i të shtënave, për ne që, si delet në mriz, rrinim në shesh dhe në trotuaret përskaj Lumëbardhit, nuk ishte pa ndikim, aq më tepër kur nuk dinim se çfarë ndodhte: ishin shqiptarët që refuzonin t’i hapnin dyert dhe, siç mendonim, shpeshtonin të shtënat drejt ushtarëve tanë, të cilët ishin të shtrënguar të kryenin misionin e tyre ndëshkues? Nga mesdita u mor vesh se ç’ndodhte. Në të vërtetë kishin ndodhur vrasjet e shqiptarëve. Pëshpëritej për vrasje të shumta, për një numër të madh vrasjesh. Sado që na dukej e pabesueshme, gjeneralit tonë ia kishin dorëzuar raportin për punën e kryer me sukses të njësitit të caktuar për bastisje. Në atë raport ishte shkruar numri i katërqind shqiptarëve të vrarë, të cilët, siç thoshin ata të njësitit, paskan kundërshtuar dhe paskan shtënë me armë kundër ushtarëve serbë, që e kishin për detyrë bastisjen. Në çdo shtëpi të të vrarëve, siç bënin me dije ata, kishin gjetur armë të ndryshme, disa prej të cilave ishin ekzemplarë të veçantë të mbaruar nga mjeshtër prizrenas, armë me kondakë sermi. Ishin armë trofe, disa prej të cilave gjenerali ynë i ndau si prona të veta, apo që t’i shërbenin për dhurata. Një armë të tillë, të praruar me arë, e mbante në dorë oficeri Ruslan Nikollai, të cilit ia mësova emrin. Dukej shumë i gëzuar derisa luante me të, duke vënë në shënjestër ndonjë objekt.
Derisa shprehte kënaqësinë me atë armë, nga minarja e xhamisë u dëgjua ezani. Xhamia e Sinan Pashës, për të cilën thoshin se ishte ndërtuar më 1615, ishte afër sheshit, aty ku ne humbnim kohën në pritje të marsheve të reja. Pas ezanit, për habinë tonë, nga sokakët e kalldrëmeve që zbritnin drejt Lumëbardhit, u panë grupe njerëzish kokulur, të cilët i afroheshin xhamisë. Të tillët na bënin përshtypje derisa ecnin kokulur dhe nuk na shikonin, thuajse nuk ishim fare të pranishëm. Në një mënyrë edhe na krijonin nervozë, por ne e kishim urdhrin të mos ndërmerrnim asgjë kundër besimtarëvemyslimanë. Ne i shikonim ata, i përcillnim hapat e tyre, kurse ata sikur nuk na vërenin fare.
Ç’janë këta njerëz të çuditshëm? Dyshoja se nuk i kishin dëgjuar fare të shtënat, apo edhe i kishin dëgjuar, por, meqë nuk ishin bërë viktimë e atyre të shtënave, tashti bëheshin se nuk shihnin kënd dhe shkonin të kryenin lutjet e drekës. E dija se ata do të hynin brenda, ndërsa mendja më shkon te më e keqja. Mund të ndodhte ndonjë urdhër i gjeneralit tonë dhe, gjithë ata besimtarë të mbesnin të vrarë brenda në xhami. Kjo mënyrë e veprimit nuk ishte e re. Kishin ndodhur vrasje të tilla edhe përpara. Andaj i shikoja me dhembje. Më dukeshin sikur shkonin në varre. As flisnin, as shikonin. Në grupe, si të molisur, ngjiteshin shkallëve të xhamisë, të hynin brenda, por dyert e xhamisë ishin të mbyllur, sado që, siç e dinim edhe ne se dyert e shtëpive të Zotit, nuk mbyllen. Ata që arritën të parët, provuan të hapnin derën. Disa herë provuan, pastaj u hap. Përballë u doli imami, Mulla Adnani, i thoshin. Ai ishte një burrë i pashëm, i veshur me rroba të mira hoxhallarësh, me fesin në kokë i mbështjellë me shall të bardhë tekstili, me një lloj pëlhure që shndriste. Ai mbante në dorë rruzare, tespi fildishi, kokrrat e të cilit i sillte me gishta. Ata njerëz të shumtë që prisnin t’ua hapte derën, qëndronin të heshtur, që të gjithë me shikim nga hoxha. Edhe ne ishim kureshtarë të mësonim se çfarë do t’u thoshte, prandaj u afruam prapa tyre. Në ndërkohë oficeri rus Ruslan Nikolai, që ishte pas nesh me gjeneralin tonë, kërkoi t’ia lironin rrugën drejt shkallëve. Njerëzit që prisnin ia lëshuan rrugën; krijuan një lloj korridori mes tyre, ndërkaq oficeri rus vazhdoi shkallëve. Hipi te imami, Mulla Adnani. U përshëndet me të. Folën diçka si me pëshpërimë, duke ia afruar kokat njëri-tjetrit. Mulla Adnani, pastaj, iu drejtua të pranishmëve: “…Xhemat i nderuar, – nxori ai një zë si prej kasës, – ju mbetshi mirë. Unë kaq e kisha punën time. Më duhet të kthehem prej nga kam ardhur…”.
Askush prej të pranishmëve nuk foli gjë, as kërkuan të hapej dera e xhamisë. Shikoheshin mes veti me habi. Fjalët e tij iu tingëlluan si shkreptimë rrufesh. “Ju mbetshi mirë, unë kaq e kisha punën”!
Ajo që tha hoxha ishte kumt i pakuptimtë. Gjatë njëzet vjetëve ai ishte imam i asaj xhamie. Që nga vitit 1892 kishte vepruar si klerik mysliman, derisa emri i tij i vërtetë doli të ishte Kazimir Olenko. Këtë e bëri publik oficeri rus Ruslan Nikolai kur iu drejtua masës me fjalët: “Kazimir Olenko ka kryer misionin e tij. Duhet t’i falënderoheni. Ky burrë, tha ai, do të vazhdojë këtë mision, por në ndonjë vend tjetër, kurse ju që jeni mbledhur këtu, jeni të lirë të bëni lutje fetar për shpirtrat e të vrarët e sotëm, të cilët u dëshmuan se nuk duan çlirim, sepse ndjejnë dhembje për aziatikët që, më në fund, u detyruan të ikin. Për këtë do t’ju flasë gjenerali Bozhidar Jankoviq, të cilit mund t’i drejtoheni për çdo gjë që u intereson.
-Urdhëroni, zoti gjeneral! – i tha ai, kurse ne mbetëm të habitur me të ndodhurat.
Gjenerali Jankoviq, me shtat të mesëm, zeshkan, me mustaqe të nxjerra përtej anës së majtë dhe të djathtë të buzëve; i veshur me rroba të reja të stolisur me paleta ngjyrë ari, me kapelën me strehë, në pjesën e përparme të së cilës ishte emblema e shtetit tonë, u ngjit shkallëve. Mori qëndrimin gatitu dhe iu drejtua të pranishmëve: “Ne jemi çlirimtarë. Ju çliruam nga Perandoria Otomane. Për gjashtëqind vjet, e besa edhe më shumë, ata i kanë mbajtur këto toka tona. Tash e tutje ne jemi sundimtarë të përhershëm. Ju duhet ta dini se Prizreni ishte kryeqyteti i Mbretërisë serbe, kryeqytet i Dushanit. Ai kishte mirësinë t’ju ruante juve… Ne nuk e kishim idenë se në mesin tuaj, në këtë qytet të bukur, ka njerëz që nuk e duan çlirimin dhe të cilët, për habinë tonë, dinë edhe të kundërshtojnë. Ne e kemi zgjedhur qytetin e Prizrenit që t’ia kthejmë nderin kohës së Dushanit tonë, andaj qyteti i Prizrenit do të jetë baza kryesore e ushtrisë sonë për këtë rajon. Kërkoj nga ju lojalitet, kurse ne do të jemi mbrojtësit tuaj…”.
Pas përfundimit të fjalimit, oficeri rus Nikolai, duartrokiti me shpresë se do të nxiste duartrokitjen edhe te ajo masë njerëzish që lenin përshtypjen e figurave të dyllta, tek të cilët vetëm sytë funksiononin; u lëviznin si të pakontrolluar. Duartrokitja e oficerit rus do të mbeste e vetmuar, sikur të mos i bashkëngjiteshin ushtarakë tanë, por edhe ata ishin të paktë. Gjenerali ynë zbriti i nevrikosur shkallëve, duke e mbajtur dorën e majtë prapa, kurse me të djathtën mbante një shkop që ngjante në shkopinjtë e të verbuarve. Ecja e tij ishte e shpejtë, si me komandë, që mund të kuptohej se ishte i pezmatuar. Largimi i gjeneralit tonë nga skena në atë mënyrë, nga ajo skenë e improvizuar në krye të shkallëve, që çonin në hyrje të xhamisë, dukej se nuk i pëlqeu oficerit rus. Ai ende qëndronte para xhematit. Sikur u zu ngushtë që e thirri gjeneralin të fliste. Ai vazhdoi të fliste, kurse gjenerali me përcjellësit e tij iku tutje, drejt sheshit që dukej aq bukur me kroin e qytetit. Gjenerali treti në kthesën e parë të rrugicës nga ana e djathtë. Oficeri Ruslan Nikolai vazhdoi: “…Ju them se ne jemi miq. Ne rusët i takojmë një shteti të madh. Dëshirojmë t’ju mbrojmë. Ju këtë e dini, ose nuk e dini. Ne dimë se në mesin tuaj ka të tillë që na urrejnë pa të drejtë. E keni parasysh çfarë kishte ndodhur para nëntë vjetësh në Mitrovicë? Ju kujtohet vrasja e konsullit Grigorije Stepanoviq Shçerbin? Atë e pat vrarë shqiptari Halit Ibrahim Lipovica, për të cilin i kemi shënimet se ishte nga Zhegra. Konsulli i ndjerë ishte 34 vjeç…”.
Prapë, edhe pas këtyre fjalëve, heshtja e të pranishmëve vazhdonte. Oficeri rus e kishte ndërmend të tregonte se konsulli, para se të arrinte në Mitrovicë për shërbim konsullor, kishte shërbyer në Ambasadën ruse në Stamboll, dhe se kishte bërë një karrierë diplomatike. E kishte ndërmend të thoshte se Shçedrin ishte një kuadër me perspektivë për politikën ruse. Duke shërbyer në Mitrovicë do të ishte i vlefshëm edhe për mesin, por dalin edhe njerëz të pacipë, si vrasësi i tij, dhe bëjnë aso veprimesh për të krijuar armiqësinë me ne rusët. Megjithëkëtë, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë afër jush, do t’ju ndihmojmë…
Pasi i formoi në kokë këto shpjegime dhe bëhej gati t’i thoshte zëshëm, një pjesë e të pranishmëve ia kthyen shpinën. Zbritën shkallët kokulur dhe vazhduan. Të tjerët mezi pritën të merrte ndokush iniciativën për lëvizje. Edhe ata të tjerët ia kthyen shpinën. U larguan duke e lënë oficerin rus vetëm në krye të shkallëve. Në shenjë nevrikosjeje ai psherëtiu, lëvizi edhe buzët, duke nxjerrë ndonjë sharje, sigurisht. Zbriti shkallët dhe vajti në drejtim të gjeneralit tonë. Atë nuk e pamë më. Askush prej ne ushtarëve nuk dinim se nga kishte vajtur. Sigurisht gjenerali ynë e dinte, por lëvizjet e oficerit rus mbaheshin sekret, ndërkaq nuk ishte sekret vendosja në Prizren e komandës të Armatës së Tretë Serbe. Kjo ndodhi më 5 nëntor, domethënë dy ditë pasi që forcat tona u futën në qytet dhe, më duhet të përsëris, u vranë katërqind shqiptarë brenda ditës së parë.
E gjithë kjo për mua ishte përvojë e re. Të them të drejtën njeriu gjithmonë synon të përjetojë përvoja të reja, por kjo përvojë, të cilën e rrëfeva deri në këtë rresht, nuk më është dashur. Tashti kam humbur durimin, jam bërë me tension. Kam qenë rehat me shëndet, sa që kur ndokush nga kolegët përmendte ngritjen dhe zbritjen e tensionit, i pyetja se çfarë sëmundje ishte ngritja dhe zbritja e tensionit. Megjithëkëtë, përpiqesha ta ruaja dinjitetin tim në suaza të ndjenjave, që i kisha të brishta, edhe që isha bërë shumë i ndjeshëm në profesionin tim prej gazetari. Kjo ndjeshmëri qe bërë për shkak se në terrene ndeshesha me varfëri të skajshme të njerëzve, me pamundësi jete. Gjatë këtij marshimi u ndesha me gjak të njerëzve të pafajshëm, që vriteshin pa arsye, veç për shkak të përkatësisë kombëtare. Kjo mënyrë e veprimit më bënte të çmendesha. Tërë mllefin e shprehja në shkrime për gazetën time në Beograd. Kam shkruar shumë artikuj nga zonate luftës. Bile e kam bërë shkrimin edhe për vrasjen e 400 shqiptarëve të Prizrenit, që në ditën e parë të futjes të ushtrisë sonë në qytet. Kam shkruar gjithashtu edhe për hoxhën, Mulla Adnanin, që na doli të ishte rus me shërbim njëzetvjeçar në këtë qytet si imam, pa e kuptuar askush se ishte rus me një mision special. Për këtë shkrim të fundit kam marrë mesazhin nga redaksia ime. Më shkroi redaktori i faqeve të luftës. Përmbajtja e mesazhit përafërsisht është kjo:
“I nderuar Grigor Reziq, ta kesh parasysh se ka veprime të cilat paraqesin sekrete të shtetit. Nuk duhet helmuar opinionin me to. Të kesh kujdes. Mos u merr me tema që dëmtojnë politikën e shtetit. Shkrimin e fundit për vrasjen e katërqind shqiptarëve brenda ditës në Prizren, nuk e kemi botuar. Shkrimi për rastin e rusit që ka kryer shërbimin e imamit në Prizren, ishte mjaft atraktiv, por ai rast paraqet një sekret tjetër, atë të shtetit rus. Ka misione të ndryshme për interesa të shtetit, prandaj mbaj kujdes…”.
Në rregull, thashë me vete kur lexova mesazhin. Do mbaj shënime për kohë të ardhshme, ndoshta do t’i hyjnë ndokujt të shërbim.