Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim KADRIU: MISIONI RUS (2)

2.

Nuk di në cilën ditë, besa as data nuk më kujtohet, sepse nga kërcënimet që më ishin bërë për shkak të shkrimeve, ndjehesha i rrezikuar. Kërcënimet kishin ardhur me shifër, të nënshkruar nga e ashtuquajtura “Dora e zezë”. Nuk kisha njohuri për ata që rreshtoheshin pas “Dorës së zezë”, as qëllimet finale të tyre. E kuptoja se me atë emër ishte ndonjë organizatë, por a ishte e shtetit ajo organizatë, nuk e dija. Në një mesazh që më kishte ardhur përmes postës ushtarake, vlerësoheshin shkrimet e mija, të botuara në Beograd; një vlerësim i frikshëm. Në fund të vlerësimit më shtroheshin disa pyetje, mes të cilave edhe pyetja shumë provokuese: A je ti serb? Ishte gjithashtu edhe pyetja: A di ti kush ta ka shkërdhyer nënën? A mos ndonjë arnaut? Ku na dole ti aq human t’i mbrosh  arnautët? Nëse vazhdon kështu do të na nxjerrësh punë, do të na përlyesh thikën, ose do të na e shpenzosh ndonjë plumb. Kij mendjen. Plumbat dhe thikat i kemi për të tjerët, por edhe për tradhtarët. Nëse ti je ai tradhtar, do të na kesh afër.

Para se të bëja kujdes, më interesonte të dija se kush ishin ata që fshiheshin pas “Dorës së zezë”. Pyeta andej-këndej. Emri konspirativ “Dora e zezë” i frikësonte edhe të tjerët. Dukej se njerëzit afër meje kishin frikë të flisnin. Ndoshta ndokush prej tyre edhe e dinte. Edhe të tillët kthenin kokën anësh dhe largoheshin nga unë. Edhe pa këtë pyetje, për mua flitej si për njeriun që ua mbante krahun arnautëve, veç pse shkruaja realisht. Për këtë edhe kisha mbajtur ditar, me qëllim që të mos më mbetej asgjë e pa shkruar. Tashti “Dora e zezë” sikur më kishte kapur për fyti, ajo dorë e trishtë e arritur te unë përmes mesazheve kërcënuese.

Më në fund mora vesh se çka ishte “Dora e zezë”. Këtë ma tregoi mjeku ynë i formacionit tonë ushtarak, me të cilin flitja hapur, sepse njihesha nga Beogradi. Isha njoftuar në redaksinë tonë kur kishte ardhur me një shkrim mbi përhapjen e tuberkulozit në Shumadi dhe për masat mjekësore që do të duheshin të merreshin për eliminimin e asaj sëmundjeje. Që nga ajo ditë shiheshim. E nxitja të merrej me shkrime në vazhdimësi, sepse dukej se kishte afinitet, sidomos për shkrimet tematike nga shëndetësia. Na qëlloi të jemi bashkë edhe në ushtri. Atij ia kisha besën, njësoj si edhe ai që ma kishte mua, prandaj e pyeta pa frikë:

-Di gjë për “Dorën e zezë”?

-Po, ore! – më tha habitshëm. – Nuk ke dëgjuar ti?

-Jo!

-Je gazetar e nuk e di kush është  “Dora e zezë”?

-Mund ta marr me mend se është e zezë, por rolin e saj nuk e di. Sigurisht konotacioni i saj është negativ.

-Për dikë negativ, kurse për ata që e kanë krijuar është tejet pozitiv.

-Ma thuaj, ore burrë, ma thuaj shkurt, se plasa! Cili është roli i “Dorës së zezë”?

-“Dora e zezë” është formua në Beograd më 3 mars 1911, domethënë vitin e kaluar. Ideja për formimin sigurisht është e kahershme, por zyrtarizmi ka ndodhur më datën që ta thashë në një kafene të Beogradit. Kjo që po ta them është tepër sekrete, prandaj le të mbesë mes nesh. Është tepër sekret sepse në formimin e saj kanë ndikim edhe qarqet më të larta shtetërore, por gjithnjë e mbajnë sekret. Në opinion dihet vetëm si “Dora e zezë”, por askush nga ajo organizatë nuk dihet. Sipas rregullit anëtarët japin betimin pa e bërë publik, kurse betimi definohet me fjalët “Bashkim ose vdekje”. Me bashkim synohen të gjitha trojet ku ka serbë. Ata të “Dorës së zezë” janë të obliguar të mbajnë edhe helmin me vete. Nëse ndonjë aksion i tyre vetjak, ose edhe kolektiv, nuk ka sukses, e përdorin helmin dhe bëjnë vetëvrasje. Çdokush që i bashkohet “Dorës së zezë” është i gatshëm të bëjë vetëvrasje. A e more vesh çka është “Dora e zezë”?

– Po, por përmende qarqet më të larta shtetërore. Kjo ma shton frikën edhe më shumë, derisa nuk e di se kush janë ata të qarqeve më të larta shtetërore. Sikur të dija do të isha më i sigurt në mbrojtje, tash që ata të “Dorës syzezë” më janë kërcënuar.

-Njëri ndër organizatorët  e “Dorës së zezë” është oficeri i lartë Dragutin Dimitrijeviq – Apis.

-E njeh atë? Ose a ke dëgjuar për të?

-Po, kam dëgjuar. Ai i përkiste grupit të oficerëve të cilët, më 11 qershor të vitit 1903, i bënë atentat mbretit Aleksandër Obrenoviq dhe bashkëshortes së tij Draga Mashin?

-Domethënë i përket atij grupi që e masakruan mbretin dhe mbretëreshën dhe i hodhën përmes dritares… – thashë me qëllim të sqarimit.

Ai heshti. Nuk e zgjati më tutje. Shikoi përreth, i frikësuar se mund ta ketë dëgjuar ndokush.

Kjo bisedë sikur m’i preu dy këmbët.

Pas kësaj bisede e kuptova arsyen e mosbotimit të disa shkrimeve të mia. E kisha parasysh ditarin që e mbaja, ku kisha shënuar shumë të dhëna mbi vrasjet e shqiptarëve, mbi djegien e shtëpive të tyre. Ndjeja frikë, aq më tepër kur më urdhëruan të kthehesha në Beograd.

Kisha shqetësim, për shkak se ditarin që e kisha mbajtur gjatë atij rrugëtimi më kishte humbur, apo ma kishin marrë, më saktë – ma kishin vjedhur. Po nëse ai ditar kishte arritur te “Dora e zezë”? Sidoqoftë ndodhi kthimi në Beograd. Mandej ndodhi arritja në redaksi dhe protesta ime pse nuk m’i kishin botuar shkrimet nga fronti, më vuri në pozitën e rebelit. Për habinë dhe gëzimin tim, kur arrita në Beograd askush nuk më kërkoi, derisa mendoja se gjithsesi do të më kërkonte ndonjë nga “Dora e zezë”. Por, më futën në lagjen e të padëshiruarve nga qarqet ushtarake, mbase edhe nga ato politike të kohës. Miqtë më këshillonin të mbaja kujdes, të mos flisja për veprimet e ushtrisë serbe në tokat shqiptare. Ata kishin të drejtë, ndërsa naiviteti im refuzonte edhe këshillat e tilla. Njeriu lindet i lirë dhe duhet ta ketë edhe të drejtën e lirisë së shprehjes,  mendoja.

Marshimi më kishte lënduar shpirtërisht. Shkrimi i ditarit sikur më jepte forcë. Ndërsa humbja e ditarit ishte një goditje e rëndë. Tani në Beograd nuk më kujtoheshin as datat, as emrat e vendeve, më ishte shpërfytyruar edhe ai ambient i egër. Këto më shkaktonin shqetësime, të cilat përpiqesha t’i zbus duke folur, duke rrëfyer për atë tragjedi të madhe në atë rrugëtim golgote, në të cilën kishin mbetur të vdekur me mijëra ushtarë serbë, edhe shumë më shumë shqiptarë, gjithë ato shtëpi që i kishim djegur. Unë flisja e flisja. Më thoshin se nëse vazhdoja të flisja për ngjarjet e ndodhura në frontin e luftës, do ta pësoja keq. E dija se dëshironin të ma mbyllnin gojën, por nuk e dija se ishin aq të rrezikshëm. Vazhdova të punoja në redaksi, pa provuar të shkruaja mbi përjetimet që i kisha pasur në atë marrshim të gjatë ushtarak në tokat shqiptare. U tregoja njerëzve, kryesisht miqve të mi në Beograd, çfarë kisha parë në ato tokaku egërsia e ushtarëve serbë u shfaq në përmasa të paimagjinueshme. Mbi njëqind mijë ushtarë serbë kishin kapërcyer andej kufirit përmes Mirditës, por edhe përmes Peshkopisë dhe nga ana e Malit të Zi. Deri në mesin e nëntorit 1912 forcat serbe dhe malazeze kishin okupuar një pjesë të Shqipërisë së Veriut: Durrësin, Lezhën, Shëngjinin e Shkodrën, ku malazezët i mbanin të rrethuar 30.000 shqiptarë. Tani ambasadorët në Londër ishin mbledhur të caktonin kufirin deri ku serbët e malazezët mund të ishin pronarë të tokave shqiptare. Anglezi Eduard Grej ishte i bindur se Shqipëria duhet të jetë e pavarur, por me mbikëqyrje. Së fundi edhe përfaqësuesi rus pajtohej për një pavarësi, me kusht që qytetet: Prizreni, Peja, Dibra, Gjakova dhe Shkodra t’iu takonin atyre të cilët Rusia i mbronte, domethënë Serbisë dhe Malit të Zi. Por Austria kundërshtonte. Këmbëngulte që këto qytete t’i takonin Shqipërisë. Në këtë pazar plaçkash, dhe me insistimin e diplomatit rus Sazonov, Vjena i lëshon pe Shën Petersburgut, duke i lejuar Serbisë koncesione mbi shumicën e vendeve rreth kufirit me Shqipërinë.

Këto të dhëna, të cilat i kisha mësuar në terrenet e luftës, i flisja hapur, meqë i konsideroja si çështje të kryera, ndaj të cilave nuk do të duhej të kishte konspiracion. Fundja, nuk isha veç unë që përpiqesha të thosha të vërtetën nga terrenet e luftës dhe të marshimeve ushtarake të ushtrisë serbe. Ishte bërë publik edhe rrëfimi i konsullit austriak Jeliçka. Ai i shkruante Vjenës për djegien e dhjetë katundeve shqiptare nga serbët dhe për vrasjen e të gjithë vendorëve. I kishin ndarë meshkujt, siç shkruante ai, të cilët i kishin ekzekutuar vetë eprorët, kurse grave dhe fëmijëve u kishin thënë të iknin. Por pastaj edhe këta, derisa po iknin, i kishin vrarë ushtarët… Ai ka shkruar për sjelljen e ushtarëve serbë në Gostivar, se si meshkujt gjatë netëve i kanë nxjerrë nga qyteti dhe i kanë ndarë në grupe prej 20 e 30 vetash. Fillimisht i kanë rrahur, pastaj i kanë vrarë dhe futur në gropa të përbashkëta. Duke rrëfyer edhe për raste të tjera, ai kishte përmbyllur shkrimin me fjalët: “Serbia është shteti që vrasjet i ka ngritur në nivel të sistemit!”

Unë pajtohem, plotësisht pajtohem me këtë gjykim të ambasadorit, por pajtimin nuk mund e them botërisht.

Një natë të errët, derisa isha bërë gati të shtrihesha të flija, dëgjova trokitje në derë. Dola dhe e hapa. Jashtë ishin tre veta, të armatosur; njerëz me detyrë të policisë ushtarake. Më thanë se duhej të vishesha, sepse më kërkonin në shtab, ku bëhej evidentimi i rekrutëve të rinj të cilët, si para dy vjetëve, do të niseshin në rrugën e gjatë të golgotës së re. Pasi më thanë se do të duhej  të shkoja atje ku më prisnin, e pashë të arsyeshme të reagoja. U thashë se nuk e kisha të qartë çka kërkonin prej meje, ndërkaq ata që kishin ardhur të më merrnin, më thanë se patjetër do të duhej të ecja para tyre, ose do të ishin të detyruar të m’i lidhnin duart.

Kur m’i përmendën duart përnjëherë më shkoi mendja te “Dora e zezë”. Për fat, nga sjelljet, fjalët dhe veprimet e atyre tre vetave nuk m’u dukënnjerëz të rrezikshëm. Iu binda urdhrave të tyre. Vazhdova drejt ndonjë aventure të re, ose drejt vdekjes së sigurt.

Qëllimi kishte qenë tjetër: ma ndërprenë mundësinë e shkrimeve nga terrenet e krimeve në tokat ku ishin shqiptarët.

… Një ditë e mërzitshme shtatori, një ditë me shi, në peronin e stacionit të trenit në Beograd, kishte njerëz të shumtë që pritnin trenin të vendosej në binarët e parë, i cili do të shkonte në Shkup dhe pastaj tëvazhdonte drejt Gjevgjelisë e tutje, por për mua do të përfundonte në Shkup, prej ku, për së dyti, do të vazhdoja, sipas direktivave, drejt Kaçanikut, Ferizajt, Prizrenit… Duke e pasur parasysh se nuk kisha rrugë tjetër, se patjetër do të duhej të bëhesha i dëgjueshëm para organeve ushtarake, që më kishin caktuar të shkoja në ushtrime dymujore në tokat shqiptare, dhe më kishin furnizuar me rroba e ushqim, u gjenda në stacion ku kishte njerëz të shumtë në lëvizje drejt dyerve të trenit, një pjesë e madhe e të cilëve në rroba ushtarake. Disa nga vagonët e trenit ishin të mbushur me armatim. Krejt ishte në frymën e luftës, sado që kur flitej dhe shkruhej, nuk përmendej lufta, por fitorja në frontet që ishin të hapura, kur zjarri nuk ndalej, sidomos në pjesët jugore, atje ku kryengritësit nuk dorëzoheshin, edhe pse i kishin të humbur shpresat se do të arrinin ndonjë fitore. Megjithëkëtë, frikën individuale askush nuk mund ta fshihte. Kjo vërehej nga heshtja e tyre, nga kryqëzimet e shikimeve përmes të cilave mund të hetohej frika.

Unë zura vend në njërën nga kupetë e vagonit të tretë nga fundi, derisa dy vagonët mbrapa ishin të mbushur me armatim, siç thashë edhe më parë. Ishin edhe rojet që qëndronin në këmbë në dyer të vagonëve.

Nga dritarja e kupesë në vagonin e tretë shikoja peronin i cili, pas pak, u zbraz. Treni u nis me atë rrapëllimën e zakonshme, me krisje të rralla, domethënë i ngadalësuar. Fishkëllima e thekshme, pastaj tymi i dalë nga lokomotiva që prekte edhe vagonët, përkatësisht dritaret, më shtynë të mbyllja dritaren. U ula skaj dritares, pa vërejtur se brenda në kupe, në ndërkohë, kishin hyrë edhe tre veta, dy meshkuj dhe një femër. I përshëndeta veç me lëvizje të kokës dhe u mbështeta me shpinë kah këndi i dritares. Mbylla sytë, jo pse më flihej, por përtoja të flisja me njerëzit që s’i kisha parë kurrë më parë. Do të kujtojnë se isha i lodhur. Në kupe heshtje. Edhe ata kurseheshin nga biseda. Ishin mbështetur dhe rrinin indiferentë.

Që nga ajo ditë kur thanë se isha caktuar të shkoja në ushtrime ushtarake, kështu iu thoshin edhe luftimeve të rastit, në përballje të rastësishme me kryengritës të cilët i quanin me emra të ndryshëm: terroristë, kaçakë, rebelë, njerëz të egjër…isha në një lloj depresioni psikik. E kuptoja se depresioni më mbante për shkak të injorancës së njerëzve, të atyre që kishin forcën e marrjes së vendimeve të ndryshme. Derisa nuk i kisha provuar lëvizjet ushtarake në fronte lufte, mendoja se sistemi ushtarak e kishte logjikën e vet dhe duhej të ishte me konsideratë ndaj të tjerëve. Këtë mendim e kisha të përforcuar në shkollë dhe si gazetar, kur shërbehesha nga kumtesat zyrtare të shtabeve ushtarake, nga të cilat mësoja se ushtria ishte krijesë e popullit të cilit i shërbente, por pa pretendime pushtuese. Kur u gjenda në mesin e tyre para dy vjetësh, u binda se ajo ushtri imja kishte ambicie të tjera, të pashpallura. U binda konkretisht se, në ato vise kah shkelte ajo ushtri e imja, kishte popuj, të cilët kishin tradita tjera nga populli im, dhe që ato tradita nuk respektoheshin. Vetë isha dëshmitar i aq shumë vrasjeve të bëra nga ushtria, të cilës i përkisja, aq shumë djegie shtëpish dhe ndjekje të banorëve të atyre shtëpive, ose edhe të djegies së tyre, duke mos pasur konsideratë as për pleqtë, plakat, fëmijët…

Duke qëndruar me kokë të mbështetur dhe sy të mbyllur, i kujtoja pamjet e tmerrshme të ndodhura në viset shqiptare dhe e urreja veten që, prapë, do të gjendem në ato mese, sado që, siç i thoshin kujdestarët e thashethemeve, tashmë kryengritësit e dikurshëm ishin lojalë ndaj Serbisë. Sa ishte kjo e vërtetë? Nuk besoj, as isha i interesuar të merresha me këtë temë, por ishin të tjerët. Në redaksi kërkonin të shkruaja, pa embargo të mendimit; kërkonin të bëja reportazhe mbi tmerrin që kishte ndodhur, mbi grupet radikale serbe që ishin jashtë kontrollit ushtarak, që i kishin komandat vetjakë, por…në të njëjtën kohë ishin kërcënimet. Nga rajonet ku isha  në cilësinë e ushtarit, kishte shkrime në shtypin e jashtëm, shkrime me fakte, kurse në gazetat tona ushtarët dhe çetnikët tanë përshkruheshin parimorë, si njerëz që ndihmonin… Nga ato shkrime fitohej përshtypja se ne ishim humanistë, ndërkaq ndodhnin vrasja masive, digjeshin shtëpitë… Këto pamje gjendeshin të përshkruara në gazetat e jashtme. Gazetarët që, në mënyra të ndryshme, arrinin në viset shqiptare, raportonin për tmerre të papara. Meqë kisha qenë edhe vetë i pranishëm në front, më interesonin shkrimet e jashtme. I lexoja për kureshtje, asgjë nuk gënjenin, siç gënjente politika e jonë për ta bindur opinionin e jashtëm se shteti ynë bënte luftë çlirimtare duke iu dalë në ndihmë popujve që, deri dje, kishin qenë nën pushtetin osman. Kur isha për herë të parë në front, gjenerali Bozhidar Jankoviq, komandant i Armatës së Tretë Serbe, më sugjeronte se çfarë duhej të shkruaja. Më ka porositur t’i mbledh të gjitha shkrimet e mia nga fronti që t’i lexonte ai. Porosinë do ta çoj në vend. I kam me vete shkrimet, por kam edhe shkrime të tjera, të gazetarëve të tjerë nga bota e jashtme. Gjenerali duhej t’i kishte edhe shkrimet e gazetarëve të huaj. Me vete e kam edhe reportazhin e Trockit, i cili në fund të 1912-ës, kishte qenë në Kumanovë, Shkup… kishte shkruar për gazetën «Kievskaja Misl«, nr. 355, 23 dhjetor 1912, që është ndër gazetat më të mëdha të Rusisë. Nuk di se si do të reagojë ai, por të them të drejtën unë, kur e përfundova së lexuari, kam qarë duke ndjerë në shpirt gjenocidin mbi popullin shqiptar, por kam qarë edhe për ne serbët pse na quajnë njerëz pa njerëzi, të egjër. Me veprimet tona i bindim të tjerët se nuk jemi njerëz. Leon Trocki nuk ka fshehur asgjë. I njohur edhe si bashkëpunëtor në disa gazeta të rëndësishme të kësaj kohe, dhjetori i vitit 1912 e gjen atë në Shkup si i dërguar special për gazetën ruse «Kievskaja Misl». Ai ishte në Shkup dhe rrethinat e tij për të bërë një reportazh lufte. I gjendur në mes të një masakre të organizuar nga serbët kundër popullsisë shqiptare, ai nuk ngurroi të shkruante me tone akuzuese për gjithë atë që kishte pa me sytë e tij. Gazeta «Kievskaja Misl» në gjuhën ruse, në atë kohë ishte më e madhja dhe më e rëndësishmja që botohej jashtë kryeqyteti rus. Për të shkruanin pothuaj të gjitha penat më të mira të kohës, nisur nga publicisti Lunaçarski, duke vazhduar me shkrimtarët Korolenko, Paustovski e Gorki e për të përfunduar me politikanët si Leon Trocki, e të tjerë. Dihet se Trocki, me origjinë çifute, ishte një nga dy pretenduesit për të marrë postin e Leninit, pas vdekjes së tij. Por ai humbi përballë Stalinit dhe më pas u detyrua të largohej nga Bashkimi Sovjetik për të gjetur vdekjen në Meksikën e largët, pas një atentati të organizuar nga kundërshtarët politikë.

Koha që Trocki sjell në reportazhin e tij ka qenë nga më të vështirat për shqiptarët dhe mbijetesën e tyre. Nuk ishte veç Trocki që asgjë nuk fshehu. Më kujtohen (besa edhe i kam marrë me vete shkrimet që t’ia jap gjeneralit tim) Leo Frojdlih, gazetar austriak. Ky shkroi edhe librin “Golgota shqiptare”, në të cilin  i përshkruan masakrat serbe në vjeshtën e vitit 1912 deri në pranverën e 1913-s, në trojet shqiptare, Kosovë e Maqedoni. Ai shkruan: “«Me qindra e mijëra kufoma të masakruara notonin në rrjedhat e lumenjve. Ata që mund u shpëtuan sëmundjeve, urisë, plumbave të pushkëve të këmbësorisë dhe gjyleve të artilerisë serbe, grumbulloheshin në vende të caktuara dhe u jepej nga një plumb në kokë. Më keq e pësonin ata që fshiheshin në shtëpitë e tyre. Pas kontrolleve të hollësishmeqë bëheshin kudo për plaçkitje dhe florinj, të fshehurit gjendeshin lehtë dhe thereshin si berret. Torturat më të mëdha i pësonin gratë shqiptare, të cilat përdhunoheshin, lidheshin, dhe pasi bëheshin kapicë, mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla. Në rast se ato ishin shtatzëna, u çahej barku me bajonetë dhe, pasi u nxirrej nga barku i nënës, fëmija vendosej në majë të bajonetës apo të hunjve. Pas masakrimit serbët pinin verë, këndonin dhe hidhnin valle. Kishte raste që ata gjatë therjes mblidhnin gjakun në kupa dhe e hapnin gostinë me të».

Nuk di se si do të reagojë gjenerali im, por për t’ia plotësuar njohuritë me të gjitha të ndodhurat, që ai sigurisht i di, por nuk i ka shkrimet origjinale, do t’ia ofroj këtë reportazh të plotë, reportazhin e Trockit, përmbajtja e të cilit është në vazhdim:

“Kam pasur rastin, për fat apo fatkeqësi, ta vizitoj Shkupin disa ditë pas Betejës së Kumanovës. Qysh në fillim u irritova nga autoritetet e Beogradit lidhur me lejen për qarkullim. Për shkak të pengesave që më bëri Ministria e Luftës, fillova të mendoj se njerëzit që e udhëhiqnin luftën nuk e kishin ndërgjegjen të pastër dhe se atje poshtë ata po kryenin veprime krejt ndryshe nga sa paraqitej në shtypin zyrtar. Kjo përshtypje ose parandjenjë m’u përforcua pas takimit me një oficer, i cili kishte qenë në Shkup me ushtarët e Shtabit të Përgjithshëm. Oficeri, të cilin e kisha njohur për një kohë të gjatë, ishte njeri i ndershëm.

Mirëpo, sapo ai e mori vesh se unë po shkoja për në Shkup, meqë realisht edhe e kisha marrë lejen për të shkuar atje, me një qëndrim të hapur armiqësor më tha se nuk duhet të shkoja dhe se nuk e kuptonte se pse Beogradi po vepronte në këtë mënyrë, sipas tij, duke i lejuar «të huajt» të shkonin në Shkup. Në Vrajë, në kufirin me Serbinë, kur e kuptoi se nuk do ndryshoja vendimin, oficeri serb e ndërroi zërin dhe filloi të më përgatisë për pamjet që do të shikoja kur të arrija në Shkup. «Këto janë gjëra të pakëndshme, por fatkeqësisht janë të paevitueshme», më tha ai. Kjo, më duhet ta pranoj, më bëri edhe më shumë të dyshoja. Kjo do të thotë se veprat e liga, për të cilat ishte dëgjuar deri në Beograd, nuk ishin të rastësishme astë veçanta e të izoluara, përderisa një oficer i trajtonte si «nevoja të shtetit». Dikush duhej të kishte të dhëna për këto. Kush? Ushtria apo qeveria?

Përgjigjen për këto pyetje e mora sapo arrita në Shkup. Trishtimi im filloi porsa e kaluam kufirin. Në orën 5 pasdite iu afruam Kumanovës. Dielli po perëndonte dhe errësira ngadalë po shtrihej. Sa më shumë errësohej, aq më tepër shiheshin flakët e zjarrit që shkonin përpjetë. Po digjej gjithçka përreth nesh. Të gjitha fshatrat shqiptare, të afërta dhe të largëta, ishin kthyer në flakë e zjarre, deri te hekurudha. Ishte ky shembull i veçantë i një lufte të tmerrshme shkatërruese që pashë në zonat e luftimeve.Pasuria e atyre njerëzve, e trashëguar nga gjyshërit e stërgjyshërit dhe e fituar me mund, sa çel e mbyll sytë po bëhej hi e pluhur.Zjarret na përcollën gjatë gjithë rrugës deri në Shkup.

Zbrita nga vagoni me të cilin udhëtova. Tërë qyteti ishte i heshtur. Në rrugë nuk shihje njeri të gjallë. Vetëm para stacionit të trenit ishte një grup ushtarësh, që dukeshin qartë të dehur. Secili shkoi në rrugën e vet, ndërsa unë mbeta i vetmuar në stacion. Shkova te grupi i ushtarëve. Katër ushtarë mbanin bajonetat në gjendje gatishmërie. Në mesin e grupit të ushtarëve qëndronin dy të rinj shqiptarë, me takije të bardha. Një ushtar, çetnik i dehur, në njërën dorë mbante thikën, ndërsa në tjetrën shishen e rakisë. Çetniku i urdhëroi shqiptarët të shtriheshin për tokë. Ata, gjysmë të vdekur nga frika, u ulën në gjunjë. Pas urdhrit tjetër, ata u ngritën. Këtë ai e përsëriti disa herë…Pastaj çetniku, duke sharë dhe duke kërcënuar, ua drejtoi majën e thikës edhe viktimave të tjera. I detyroi të pinë raki, pastaj… i puthi. I dehur nga rakia e fortë dhe gjaku, ai po argëtohej duke luajtur me ta ashtu si macja e egërsuar me minjtë.

Të njëjtat veprime, e njëjta psikologji. Të tre ushtarët e tjerë, edhe ata të dehur, qëndronin duke ruajtur se mos shqiptarët po iknin ose do kundërshtonin, derisa çetniku të argëtohej. «Këta janë arnautë», më thotë një ushtar. «Tash do t’ i ther» – vazhdon. Nga frika u largova prej grupit. Nuk kisha forcëtë mundohesha për të mbrojtur shqiptarët. Ata mund të shpëtonin nga këta ushtarë vetëm nga një forcë tjetër e armatosur. E gjithë skena luhej në stacionin e trenit. Sapo mbërriti treni tjetër, ika për të mos dëgjuar britmat e tmerrshme dhe thirrjet e shqiptarëve për ndihmë…

Në rrugët e qytetit dhe në vetë qytetin ishte aq qetësi, sa dukej sikur ishte i shkretë. Të gjitha dyert ishin mbyllur qysh nga ora gjashtë pasdite. Me të rënë nata, çetnikët fillonin punët e tyre. Futeshin dhunshëm nëpër shtëpitë e shqiptarëve dhe turqve, duke vrarë e plaçkitur. Shkupi kishte 60 mijë banorë, gjysma e të cilëve ishin shqiptarë e turq. Disa nga ata sigurisht që kishin ikur, por shumica kishte mbetur. Tashmë, gjatë natës kundër tyre kryheshin krime. Dy ditë pas arritjes sime në Shkup, e para gjë me të cilën përballesha që në mëngjes ishte grumbulli e kufomave të shqiptarëve me koka të thyera nën Urën e Vardarit, mu në qendër të qytetit. Disa thoshin se ishin shqiptarë, të cilët ishin mbytur nga çetnikët, të tjerët thoshin se ata i kishte sjellë uji i lumit. Vetëm një gjë dihej: ata njerëz nuk ishin vrarë në luftime…

Shkupi ishte kthyer në një kamp të rëndomtë ushtarak. Popullata, sidomos shqiptarët dhe myslimanët, fshihej nëpër rrugë për të mos u parë nga ushtarët serbë. Në mesin e ushtarëve dallohen edhe fshatarë serbë, të cilët kanë ardhur këtu nga vende të ndryshme të Serbisë. Duke u justifikuar se kanë ardhur për të gjetur bijtë dhe vëllezërit e tyre, ata kalojnë nëpër Kosovë duke plaçkitur. Bisedova me tre prej atyre «torbaxhinjve». Më i riu, një burrë i shkurtër, i sojit të «trimave», lavdërohej sesi me pushkën e tij kishte vrarë dy shqiptarë, ndërkohë që dy të tjerë i kishin ikur. Bashkudhëtarët e tij, fshatarë të moshuar, e vërtetonin rrëfimin e tij. «Një gjë nuk është e mirë», ankoheshin ata. «Nuk kemi para me vete. Këtu mund të marrësh sa të duash qe dhe kuaj.”

Paga e ushtarit është dy dinarë (75 kopejka). Ushtari shkon në fshatin e parë të shqiptarëve dhe e merr kalin e parë që gjen. Përmes ushtarëve mund të marrësh një penë qe për 20 dinarë. Serbët nga rrethina e Vrajës janë nisur masivisht drejt fshatrave shqiptare për të plaçkiturgjithçka që gjejnë. Gratë serbe kanë ngarkuar në shpinë edhe dyer e dritare, të cilat i kanë marrë nëpër fshatrat shqiptare.

Ndërkohë erdhën dy ushtarë. Ata bëjnë pjesë në çetat, të cilat çarmatosin shqiptarët. Një ushtar pyet ku mund ta këmbejë një lirë. Kërkova të ma tregojë lirën, meqë asnjëherënuk kisha parë monedhë turke. Ushtari fillimisht shikon anash, pastaj e nxjerr floririn nga qesja, duke rrëfyer se ka edhe të tjera, por nuk dëshiron të tregojë sasinë.

Një lirë turke këmbehet me 23 franga. Erdhën edhe ushtarë të tjerë. Po dëgjoja bisedat e tyre. «Nuk e di sa shqiptarë kam vrarë», thotë njëri, «por te asnjëri prej tyre nuk kam gjetur diçka të vlefshme për ta marrë. Dhe, kur ia kam hequr kokën një nuseje të re, te ajo kam gjetur 10 lira». Për veprimet e tyre, ata flasin krejt lirshëm. Kjo është e zakonshme për ta.

Njerëzit nuk e kuptojnë se sa ndryshime kanë ndodhur gjatë disa ditëve të luftës. Këtu mund të shihet se ku e çojnë njeriun rrethanat e veçanta. Në luftërat barbare njerëzit shndërrohen në bisha, ndoshta pa e kuptuar çfarë bëjnë.

Një tog ushtarësh po marshonte rrugës kryesore të Shkupit.

Një i dehur, sipas të gjitha gjasave, një turk i marrë, filloi t’i mallkonte. Ushtarët ndaluan. E mbështetën turkun tek muri më i afërt dhe e pushkatuan në vend. Toga vazhdoi tutje, ashtu sikur edhe popullata që ishte në rrugë. Në mbrëmje, në një pijetore, takova një oficer, të cilin e njihja. Njësia e tij kishte qenë e stacionuar në Ferizaj, në qendrën e shqiptarëve, «Serbia e vjetër». Me njerëzit e tij, rreshteri kishte tërhequr një top të madh të rrezikshëm, gjatë marshimit nga Kërçovaderi në Shkup. Topi do t’i dërgohej ushtrisë, e cila kishte rrethuar Edrenenë.

– Çfarë detyrash keni tani në Ferizaj mes shqiptarëve? – e pyes një oficer, që e njihja.

-Po pjekim zogj dhe po vrasim arnautë. Jemi lodhur tashmë,- thotë,- duke bërë grimasa dhe duke hapur gojën nga lodhja. Pastaj vazhdon: «Ka shumë njerëz të pasur mes tyre. Afër Ferizajt kemi hyrë në një fshat të pasur, me shtëpi si kështjella. Pronari ishte një njeri i pasur, i cili kishte tre djem. Ishin katër meshkuj dhe shumë gra. Të gjithë i kemi nxjerrë nga shtëpia, i kemi radhitur gratë dhe para syve të tyre i kemi therur burrat. Gratë nuk qanin nga frika. Na u lutën t’i lejonim të futeshin në shtëpi dhe të merrnin rrobat e tyre. I lejuam. Ato pastaj na dhanë nga një dhuratë. Pastaj i vumë zjarrin tërë vendit…

-Si mund të veproni në mënyrë kaq brutale?,- e pyes i tmerruar nga rrëfimi i tij.

-Nuk e di as vetë, mësohet njeriu. Në një kohë tjetër, nuk do të kisha qenë në gjendje ta vrisja një plak apo një fëmijë të pafajshëm. Në kohë lufte, sikundër e dini, komandanti urdhëron dhe ju duhet ta zbatoni urdhrin. Shumë gjëra si këto kanë ndodhur. Gjatë bartjes së atij topi deri në Shkup, gjatë rrugës takuam një qerre, në të cilën ishin shtrirë katër burra të mbuluar deri në brez. Menjëherë nuhata erën e jodit. Diçka ishte e dyshimtë, mendova. Ndalova qerren dhe i pyeta kush ishin dhe ku shkonin. Heshtnin, duke u justifikuar se nuk dinin serbisht. Me ta ishte vetëm qerrexhiu, një rom, i cili na tregoi se katër të plagosurit kishin marrë pjesë në luftime në Merdar. Ishin plagosur dhe tani po ktheheshin nëpër shtëpi. E kuptova se kush ishin. -Zbritni!,- urdhërova. E kuptuan çfarë po u thosha, por hezitonin. Ç’të bësh? Vendosa bajonetën në pushkë dhe i thera të katërt…

E kisha njohur këtë njeri. Kishte qenë kamerier në Kragujevc. Njeri ithjeshtë. Jo luftarak nga natyra, kamerier, ashtu si të gjithë kamerierët në vendet e tjera. Një kohë ishte edhe në Sindikatën e Kamerierëve. Ishte madje edhe sekretar, por u largua… Dhe shikoni tani se në çfarë është kthyer!»

– Përse veproni si banditë, po vrisni dhe po plaçkitni, pa bërë asnjë dallim!,- bërtita, duke ndier një neveri për njeriun me të cilin kisha biseduar.

Eprori u gjend në një situatë të vështirë. U duk sikur diçka i kishte rënë ndërmend. Pastaj duke u munduar ta justifikonte veten, i bindur dhe serioz, shqiptoi një frazë, e cila kishte edhe më shumë të zeza sesa kisha parë dhe dëgjuar.

«Jo. Nuk është ashtu. Ne, ushtria e rregullt, i përfillim në mënyrë rigoroze rregullat, asnjëherë nuk vrasim njeri më të ri se 12 vjeç. Për çetnikët nuk të them asgjë me siguri. Ata janë kokë më vete. Unë mund të siguroj për ushtarët».

Rreshteri nuk siguronte për çetnikët. Dhe me të vërtetë, ata nuk pranonin asnjë kufizim. Të rekrutuar nga radhët e të papunëve, të paaftëve, elementë të dobët dhe të pavlerë, nga turma më e ulët, argëtoheshin me egërsinë e tyre, me krimet, plaçkitjet dhe dhunën. Veprat dëshmonin shumë kundër tyre. Edhe ushtria e shteti ndiheshin jo mirë nga mizoritë tilla të përgjakshme të çetave të degjeneruara. Ata u detyruan të marrin masa dhe ende pa mbaruar lufta, i çarmatosën dhe i kthyen nëpër shtëpitë e tyre.

Nuk isha në gjendje ta duroja edhe më tej atë atmosferë, Nuk kisha forcëpër ta duruar. Interesi politik dhe vetëdija morale, për të parë me sy se si bëhen gjërat e tilla, u fundosën. Tashmë kisha vetëm një dëshirë: Të kthehesha sa më parë. Sërish u gjeta në tren. Po shikoja fushat e gjera rreth Shkupit. Çfarë bukurie, çfarë fushe! Njerëzit mund të jetonin mirë këtu. Çfarë dobie ka të flas kur ju vetë i dini këto ide, porse ato në atë vend më tingëllonin dhjetë herë më fort.

Pesëmbëdhjetë minuta nga nisja e trenit, hodha vështrimin jashtë dhe pashë në një largësi prej 200 jardësh nga stacioni një kufomë me takije në kokë, me fytyrë përdhe dhe duar të shtrira. Rreth 50 jardë nga hekurudha po qëndronin dy roje serbe, pjesë e forcave që po ruanin hekurudhën. Me siguri kjo ishte vepër e tyre. Tutje, tutje, vetëm të largohem sa më parë nga ky vend. Jo larg nga Kumanova, në një livadh, afër hekurudhës, ushtarët po hapnin një gropë të madhe. I pyes se pse po hapej ajo gropë. Më thanë për mish të prishur, që ndodhej në dhjetë apo 15 kamionë, të cilët ishin parkuar anës rrugës. Ushtarët nuk e kishin marrë mishin që u kishte takuar. Krejt nevojat e tyre ushqimore, madje edhe më shumë se u nevojiteshin, ata i merrnin nga shtëpitë e shqiptarëve: djathë, qumësht, mjaltë. «Në atë kohë hëngra më shumë mjaltë, që ua merrnim shqiptarëve, sesa kisha ngrënë gjatë tërë jetës sime», më thotë një ushtar.

Për çdo ditë, ushtarët serbë thernin qe, dele, derra, pula, të cilat i hanin duke i hedhur mbetjet tej. «Neve nuk na duhet mishi. Sa e sa herë u kemi shkruar atyre në Beograd të mos na dërgojnë mish, por ata e bëjnë këtë sipas disa rregullave». Kështu qëndrojnë gjërat kur shikohen nga afër. Mishi po prishet, si mishi i njerëzve, ashtu edhe i kafshëve, fshatrat janë bërë shkrumb e hi, njerëzit po dëbohen, «njerëzit mbi 12 vjeç»… të gjithë janë bërë barbarë, duke humbur fytyrën e tyre njerëzore…Lufta po del në sipërfaqe si kryesorja dhe më e rëndësishmja, do t’i shihni krimet nëse shpalosni pak perden, e cila rri varur para veprave të «trimërisë» së ushtarëve…”

Vërtet nuk di se si do të reagojë gjenerali im pasi ta ketë lexuar këtë reportazh të Trockit? Me siguri do të shtojë mbikëqyrjen ndaj meje, ose do të caktojë ndokënd nga të besueshmit e tij, të më rri afër.

4,                                

Derisa rrija veç me vetveten, për dy meshkujt dhe femrën që ishin në kupe, mund të isha ndonjë i huaj dhe i pavullnetshëm për bisedë, derisa qetësinë e kupesë e thyenterrapëllima e rrotave të trenit mbi binarë, rrapëllimë me ritëm të njëjtë, që krijonte monotoni…E vërteta, femra ishte e huaj dhe këtë e kuptova gjatë bisedës së tyre. Ata sigurisht mendonin, apo edhe ishin të bindur, se unë bëja gjumë, kurse unë në rolin e detektivit amator synoja të kuptoja se kush ishin, prej nga vinin dhe ku shkonin. Sigurisht se me këtë interesim timin do të mund të ndërhyja në bisedën e tyre. E kuptova, siç thashë, se femra ishte e huaj, më saktë ishte ruse. Sapo kuptova përkatësinë e saj, kur njëri prej meshkujve në kupe e pyeti, kurse ajo i tha troç se ishte ruse. Edhe sikur të mos tregonte, në bazë të bisedës, apo intonacionit të theksimit të fjalëve, mund të merrej vesh. Por ajo tha se ishte ruse dhe se, në atë rrugëtim, do të arrinte në Prishtinë, ku ishte e caktuar të kryente detyrën e mësueses së rusishtes. Ajo fliste serbisht, por vërehej se nuk e njihte mirë. Duke i hetuar çalimet e saj në të folur, njëri nga meshkujt disi pa fije konsiderate e pyeti se si do t’i mësonte fëmijët rusisht kur nuk e njihte gjuhën? Ajo u shpreh: “Jam e parapërgatitur. Kam mësuar në kurset apostafat që organizohen në Shën Petersburg për mësuesit që do të punonin në viset e tjera sllave. Unë kam mësuar aq sa për komunikim, kurse gjatë mbajtjes së mësimit nga nxënësit do e mësoj gjuhën serbe edhe më mirë. Kësaj i thonë mësim i dyanshëm, unë nxënësit i mësoj rusisht, kurse ata do të më mësojnë mua serbisht. Kësisoj kujtoj se më së miri do të përvetësohej mësimi i gjuhës…”

Derisae dëgjoja tek fliste, nuk isha i vëmendshëm. Në kujtesën time zuri vend oficeri Ruslan Nikollai, angazhimi i tij në frontin e luftës përkrah gjeneralit tonë Bozhidar Jankoviq. Ne nuk e dinim se çfarë roli kishte, por sipas sjelljeve që bënte, lirisht mund të thuhej se ishte autoriteti i dytë në Armatën e Tretë Serbe. Kisha dëgjuar për praninë e rusëve, në detyra të ndryshme, që dihej ku angazhoheshin, por kishte edhe të tjerë të cilëve nuk u dihej adresa e saktë dhe nuk mund të kuptohej arsyeja e pranisë së tyre në mesin tonë. Vërtet, si gazetar, dija për sferat e interesit të shteteve të mëdha; e dija se Austro-Hungaria e kishte interesin në Kosovë, madje ishte edhe shumë aktive, pasi që në Kosovë kishte hyrë me luftë, por fjalën e kisha te rusët. Edhe ata ishin të pranishëm, madje pata dëgjuar se pjesa e Karadakut ishte nën mbikëqyrjen ruse, kurse pjesa e Vushtrrisë nën mbikëqyrjen e Austro-Hungarisë. Bile këta të fundit, siç flisnin, i kishin zënë disa rusë në territorin që e mbikëqyrnin austro-hungarezët dhe i kishin burgosur në një kamp ku i mbanin spiunët e jashtëm dhe rebelët. Ai kamp faktikisht ishte një lloj burgu. Për mua ka qenë shumë e çuditshme se si, ata rusë të izoluar, qenkan liruar nga Azem Bejta, një kaçak i çuditshëm. Ai, sipas mediave tona, kishte një biografi kundërthënëse të cilën nuk e kuptoja. Siç thuhej, herë ishte me ne serbët, herë kundër nesh. E dija në bazë të mediave të Beogradit, se ai në një kohë kishte krijuar një lloj shteti në shtet; mbante një territor në Drenicë, të cilin e mbikëqyrte, mbase edhe e shfrytëzonte për interesa personale. Po Azemi nuk ishte vetëm. Ne që jemi caktuar të qëndrojmë në ato vise, ua kemi frikën kaçakëve, sepse janë të paparaparë,  janë të befasishëm dhe të pamëshirshëm, sidomos ndaj nesh. Ata nuk na çmojnë si çlirimtarë, por si pushtues. Na thonë se jemi ndërruar me osmanët dhe se jemi më të këqij se osmanët. Ndoshta këtë e thonë për shkak të fesë. Shqiptarët kanë pranuar fenë islame, dikush thotë me vullnet, dikush tjetër me dhunë. Unë këtë nuk e di, vështir se do ta di edhe në të ardhmen, kurse tash po bëj përpjekje të flija, por… dreq o punë, këta tipa që i kam në kupe, këta dy meshkuj, si shumë janë liruar me femrën ruse. Flasin zëshëm. Tani jam bërë temë e tyre, meqë mbaj sytë të mbyllur, madje po e luaj rolin e gjumashit, edhe duke e bërë frymëmarrjen si të zorshme, duket se e binda rusen se unë flija. Në bisedën e tyre fillimisht si shushuritje, e pastaj edhe më zëshëm, shprehet interesimi të mësonin se kush isha, çfarë rruge bëja dhe pse fare nuk i kisha dhënë rëndësi pranisë së tyre dhe as që kisha kërkuar njoftim.

-Ky sigurisht është i huaj, farë spiuni! – tha njëri, ai që e kishte zërin më të trashë dhe fliste më rrallë, kurse tjetri, që ishte më aktiv në bisedë, shprehi dyshim se mund të isha njeri i policisë dhe se, sipas tij, sigurisht isha me detyrë të posaçme.

– Po më frikëson! tha tjetri,-  kurse rusja qeshi duke iu drejtuar:

-Aq frikacakë jeni!

-Nuk është punë frike, por po më duket shumë misterioz. Po habitem se si mund të fle në këtë zhurmë nga rrapëllima e trenit…

-Kush e di, – vazhdoi ai me zë të trashë, – ndoshta pikërisht kjo zhurmë ia shton gjumin…

-U bënë më tepër se pesë orë udhëtim, kurse ky tipi merret me gjumin. – Ndërhyri rusja.

Nga biseda e mëtutjeshme e tyre mësova se ai që fliste me zë të trashë, ishte mjek. Ishte caktuar me detyrë të shkonte në Dibër, atje ku i kishim repartet tona ushtarake. Tha se atje do të qëndronte tre muaj, edhe pse fare nuk ishte i gëzuar që e kishin caktuar. Ua kishte frikën vendorëve të atjeshëm. Për të dytin e mora vesh se ishte tyxhar gjedhesh dhe se, siç e kishte pranuar edhe ai, kur i tregonte doktorit dhe mësueses ruse, në vendet e çliruara vendorët i shitnin lirë gjedhet. Kuptohej se atë rrugëtim e bënte privatisht. Unë e dija ndryshe. Vendorët nuk i shitnin gjedhet e tyre, por ato u merreshin. Ua merrnin xhandarët, të cilët, pastaj, ua shisnin tyxharëve. Për këtë kishte shkruar edhe Trocki, ai që më së miri e kishte kuptuar situatën në vendet e pushtuara nga serbët.

Nuk munda të duroj më tepër. Më vinte të qeshem, derisa në mendjet e tyre isha aq misterioz. I çela sytë dhe tashmë nuk rrija i mbështetur. I shikova. Edhe ata më shikuan habitshëm, pastaj e shikuan njëri-tjetrin ashtu në heshtje, por me fytyra të mrrolur, sidomos mësuesja ruse. Ajo dukej më e shqetësuara. E ndërpreva heshtjen:

-Hë, ku e latë? Vazhdoni! – iu thashë.

Ata vazhdonin të qëndroni në heshtje, sikur të kishin bërë ndonjë faj të madh.

-Ju, zonja apo zonjusha mësuese, si t’ju them?

-Unë jam zonjusha Tatjana, më saktë Tatjana Volovna… – tha ajo, duke shikuar para vetes.

-Mua më thonë Grigor, – ia ktheu. – E ju doktor? Çfarë doktori jeni?

-Otorinolaringolog, – u përgjigj ai.

-Mirë shumë, – i them. – Jeni i nevojshëm atje ku shkoni, sepse nga krismat e armëve ushtarët shurdhohen.

-Nuk më kanë thënë se do t‘u shërbej vetëm ushtarëve.

-Ashtu? Interesant se si nuk ju kanë treguar. E kënd tjetër duhet ta shëroni? A mos, ndoshta, arnautët?

-Mua nuk më kanë thënë se kënd duhet të shëroj…

-Më falni, doktor. Bëra shaka, sepse Betimi i Hipokratit nuk ju lejon të bëni dallime të njerëzve. A po?

-Kështu duhet të jetë, por…

-Sigurisht atje ju tregojnë se kënd duhet ta shëroni. E ju, ore tyxhar?

-Unë?

-A the se je tyxhar, se po shkoni për të blerë gjedhe…?

-O zotëri, kush jeni ju që ishit fshehur pas gjumit? Ne mendonim se ishit fjetur…

-E di, e di çka keni menduar për mua, por nuk ia keni qëlluar…

-Domethënë ju nuk keni qenë i fjetur? –tha doktori.

-Sytë mashtrojnë. Edhe kur janë të mbyllur, mendja është e zgjuar. Po, është e vërtetë. Unë isha i zgjuar dhe ju dëgjoja…

Doktori qeshi:

– E sheh se ia paskim qëlluar. Se kush tha prej nesh se ju mund të ishit farë spiuni…

Mësuesja ruse qeshi zëshëm.

-Ashtu po i bie, por t’ju them të vërtetën, unë jam gazetar. Mirëpo, tash nuk e kam rolin e gazetarit. E kam një detyrë tjetër, në të vërtetë një obligim tjetër që më është caktuar. Kjo rrugë më çon në ushtrime ushtarake; është rrugë e gjatë, paksa e mërzitshme, por kjo është e vërteta. Ç’të them tjetër? Jam në shërbim të atdheut, që t’i siguroj tyxharit tregti fitimprurëse. E di çfarë tregtie është ajo…

-Si çdo tregti, – ma ktheu ai.

-Jo, jo. Kjo tregti është e veçantë. Tregti me gjedhet e arnautëve, të cilat xhandarët ua marrin me dhunë dhe ua shesin juve.

-Unë nuk e them kështu, si thoni ju.

-Ju nuk e thoni, ama e shfrytëzoni këtë mundësi e cila është bërë praktikë e keqe pas luftës çlirimtare…

Mësuesja ruse mori qëndrim. U bë serioze derisa ma drejtoi shikimin. Tha:

-Ju keni qenë përpara atje ku po shkojmë tash?

-Kam qenë. Kam luftuar, kurse tash prapë më duhet të shkoj, siç më kanë thënë, në ushtrime ushtarake.

-Si është atje? A ka rrezik, sepse mua më kanë thënë se pas çlirimit krejt është në rregull.

-Sigurisht, krejt është në rregull. Në të vërtetë ka mjaft të tillë që nuk janë pajtuar me luftën çlirimtare tonën. Por shteti ynë me gjithë aparatin e vet ushtarak e policor është aty që të mos lejojë rebelim. Ne kemi shumë ushtarë e xhandarë atje, të sistemuar në të gjitha viset e çliruara nga osmanët…

-Më falni, mos po e teproj që po shpreh interesim të mësoj për kushtet e jetës atje, në Kosovë, përkatësisht në Prishtinë. ku më kanë caktuar. Unë shumë pak kam njohuri, – tha mësuesja ruse.

-Ti mendon se ne i njohim ato rajone ku po shkojmë? – tha doktori. – Edhe për ne krejt është e panjohur. Atje njerëzit janë tjerë, janë të fesë myslimane. Shumë dallojnë nga ne: gjuhën e kanë ndryshe, traditën; janë krejtësisht njerëz që s’përkojnë me ne, pastaj, ashtu siç më kanë thënë…

-Se janë njerëz të egjër, a po? – qesha unë, sepse e dija atë mentalitet njerëzish që flasin gjithçka për arnautët.

-Pikërisht. Kështu më kanë thënë, se i kanë shtëpitë të rrethuar me mure të larta, se femrat e tyre nuk guxojnë të dalin nga oborri, ndryshe do t’i vrasin, siç i vrasin edhe ata që provojnë t’u prekin në nder, mandej…

-O mik. Krejt çka thua ti janë fjalë që thuhen, por unë që kam qëndruar në mesin e tyre, arnautët i njoh ndryshe. I njoh si njerëz patriarkalë, që i japin rëndësi ruajtjes së familjes. Njerëz me moral dhe të besës.

-Por ata janë kundër nesh, – tha tyxhari.

-Kundër nesh, sepse ne ua kemi prishur rehatinë. Ta lëmë këtë muhabet, ju lutem. Do të bindeni vetë se çfarë njerëzish janë, meqë edhe ju do të gjendeni në mesin e tyre.

Bisedën na e ndërpreu fishkëllima e thekshme e trenit. Shikuam drejt dritareve, jashtë ishte errësirë e madhe. Na bëhej sikur kapërcenim nëpër ndonjë tunel. Nuk dukej asgjë tutje dritareve, veç errësirë. Hapa dritaren sall pak. Nga jashtë u fut ajër i dendur, bashkë me erën e tymit. Ndërkaq, rrotat e trenit nxirrnin një zhurmë të thekshme, që dilte nga frenimi. Fishkëllima dhe krisja e rrotave mbi binarë krijonin një zhurmë të padurueshme, mbase edhe të frikshme. Pas pak, u ngadalësua shpejtësia e trenit, pastaj treni u ndal fare. Nuk dinim çka po ndodh, as në çfarë vendi ishim. Në bazë të kohës së kaluar, mund të merrnim me mend se ndodheshim diku në viset e çliruara, por pa adresë të saktë. Hamendeshim se mos kishte ndonjë prishje të lokomotivës. Nuk mund të siguronim ndonjë informim se çfarë kishte ndodhur, pos që, sipas pamjeve që i kishim nga dritaret, e kuptonim se ishte ndalur në vendin pa stacion, mbase edhe pa vendbanime… Mezi pritnim të vinte ndokush nga përgjegjësit që të na tregonte se çfarë ndodhte dhe sa duhej të prisnim në atë vend në natë të errët.

Nga korridori u dëgjua një zhurmë e përzier me piskamë. Dukej se ndodhte ndonjë grindje, por nuk kuptohej gjë pse ndodhte grindja, dhe aq më pak mund të kuptonim se kush grindej dhe për çfarë arsyeje. Në atë gjendje të frikës, u hap dera e kupesë sonë. Në kuadratin e derës u pa një burrë i fuqishëm, i veshur me rroba që unë i njihja, e dija kujt i përkisnin ato rroba zhgunash. Ai kishte edhe qeleshen e bardhë, të mbështjellë me një shami. E kishte edhe armën në dorë, një pushkë të gjatë me një thikë të vënë në tytën e pushkës. Derisa ai rrinte në derë dhe na shikonte herë njërin, herë tjetrin, sikur duke dashur të kuptonte se kush ishim ne, nga pjesa e derës së hapur shihnim të lëviznin korridorit  edhe të tjerë si ai, që bënin zhurmë, piskasnin, kërcënonin… Ai që na e kishte zënë derën na tha të mos lëviznim. Kërkoi të nxirrnim të gjitha gjërat e vlefshme: paratë, armët, unazat. Doktorit i thanë t’i hiqte edhe rrobat. Ai i kishte rrobat e reja. Mësueses ruse i thanë të hapte çantën dhe të zhvishte një xhup të lëkurës, ngjyrë kafe, që në vend të jakës e kishte bishtin e dhelprës. Ne i nxorëm të gjitha, kurse mësuesja Tatjana Vollovna lutej të mos ia merrnin xhupin. Derisa ai burrë që na urdhëroi dhe rrinte në derë dukej se do të pajtohej t’ia linte xhupin, tjetri që po ashtu ishte i veshur njësoj me rroba zhguni, qeleshe e shami të lidhur përskaj saj, hyri shpejt brenda në kupe dhe e rrëmbeu për krahu mësuesen. Piskama e saj dhe lutjet që ta linin rehat, nuk bënë punë, bile edhe kur iu tha të merrnin xhupin, ai që hyri shpejt e tërhoqi dhe e nxori në korridor. Nga britmat e saj ishte e qartë se e futi në kupenë tjetër, menjëherë afër nesh. Kuptuam se po e dhunonte. Kjo merrej vesh nga lutjet e saj. I thoshte të merrte krejt çka kishte, kurse nga zëri i tij i vrazhdët dhe gjëmimi merrej vesh se po e dhunonte. Ai që vazhdonte të qëndronte te dera e kupesë sonë bëri shaka, tha: – Fat që ju nuk jeni femra dhe unë nuk kam pretendime ndaj meshkujve, se do t’ju ndodhte edhe juve si asaj. Që të mos komplikohet puna edhe më shumë, nxirrni krejt çka keni, sepse tash ju kontrollojmë. Nëse nuk i keni nxjerrë gjithëçka keni të vlefshme, mund t’ju shpërblejmë me nga një plumb në kokë, – tha duke e treguar armën që e mbante.

-Ngrihuni në këmbë të shoh se a i keni nxjerrë të gjitha, – tha.

Hyri brenda në kupe, duke e mbyllur prapa derën. Çoni duart përpjetë! – na urdhëroi, duke e mbështetur pushkën te dera. Ne i ngritëm duart. Ai nisi ta kontrollonte tyxharin, sepse atë e kishte më së afërmi. Në një moment më erdhi ideja ta sulmoja, por nuk isha i sigurt se a do të ndihmohesha nga dy bashkudhëtarët, nga doktori dhe tyxhari. Pa menduar gjatë, derisa ai i kishte duart e zëna duke i futur në xhepat e tyxharit, me dy grushtet dhe me gjithë fuqinë që e kisha, ia mëshova në pjesën e prapme të kokës dhe ai ra në gjunjë. Në të njëjtën kohë i ra edhe qeleshja nga koka, kurse doktori ia kapi krahun dhe ia dredhoi mirë. Gjithashtu edhe tyxhari ia mori shaminë që e kishte të mbështjellë në kokë dhe ia lidhi gojën. Ia lidhëm edhe duart e këmbët dhe e lëshuam në dysheme. Në ndërkohë e mbyllëm derën nga brenda.

Nëpër korridor dhe në kupe të tjera ende kishte zhurmë, por asaj zhurme më pas iu shtuan edhe krisma armësh, derisa në kupenë tjetër dëgjohej kukama e Tatjanës… Me qëllim që të mësonim se kush ishte ai sulmues dhe prej nga ishte, ia futa dorën në xhep dhe ia nxora dokumentet. Sipas veshjes dukej se ishte arnaut, kurse sipas dokumenteve e kuptova se ishte serb. “I poshtër!” – i thashë duke e pështyrë. “Do ta paguash shtrenjtë këtë mënyrë maskimi.

Pas nja gjysmë ore arritën xhandarët. Ata i zunë dhe i lidhën disa prej sulmuesve të trenit, bile edhe dhunuesin e mësueses ruse. Xhandarët erdhën edhe në kupenë tonë. Kur e panë të shtririn në dysheme me duar e këmbë të lidhur, na uruan për guximin tonë që ishim përballur me të edhe fizikisht. Ua dhashë dokumentet e tij që mbaja në dorë, kurse ata na thanë se të gjithë ishin serbë. Të lidhurit xhandarët i nxorën nga treni, kurse ne vazhduam duke u përpjekur ta qetësonim mësuesen ruse e cila dukej aq e mjerë, e pa shpresë për jetë, krejtësisht e traumatizuar.

Treni vazhdoi rrugën.

-E shihni se çfarë ndodh? –fola që ta ndërprerë heshtjen. – Ju thashë se do të gjendeni në mesin e shqiptarëve dhe do të bindeni edhe vetë për karakterin e tyre. Ne jemi popull i çuditshëm… E keni parasysh se fajësimet u bëhen arnautëve në faqet e shtypit. Jam i bindur se të njëjtat gazeta që krijojnë urrejtje ndaj arnautëve këtë ngjarje, që ne vetë jemi dëshmitarë të saj, fare nuk do ta shënojnë, apo do të shkruajnë se arnautët sulmuan trenin dhe i vodhën udhëtarët…

Asnjëri nuk fliste. Mësuesja ruse, shumë e shqetësuar, sikurse edhedy bashkudhëtarët e tjerë, tyxhari dhe doktori, vazhdonin të ishin nën presionin e asaj dhune. Herë-herë si fshehtas e shikonin Tatjanën, kurse ajo qëndronte kokulur. Nga sytë i dilnin pika loti që i rrëshqisninfaqeve deri te mjekra. Edhe ne ishim të trishtuar. Nuk gjenim fjalë ngushëlluese për të. Në bazë të përvojës ngalufta e ushtrisë sonë në këto vise, i përmenda disa raste, të cilat dëshmojnë se, pavarësisht se ne e quanim veten çlirimtarë dhe se shteti ynë bënte përpjekje që në botë të dukeshimsi çlirimtarë, se ktheheshim në tokat tona, në të vërtetë ishim pushtues klasikë. Megjithëkëtë, shumë organizata joqeveritare në botë dhe asociacione për të drejtat dhe liritë njerëzore, bënin vërejtje. Dëshmonindhunën tonë ndaj vendorëve,  e cila mohohejnga shteti ynë. Ky sulm në tren më së miri bind se kush jemi. Nëse nuk keni dëgjuar, – vazhdova të flas, – po ju tregoj edhe diçka, që i vjen erë e keqe shtetit tonë.

…Pasi forcat tona çliruan tokat, që i takonin mbretërisë të para shtatëqind vjetësh, u bënë shumë krime mbi vendorët. Ne i fshihnim krimet, por sipas propagandës së jashtme, bota merrte  vesh për krimet dhe, shi për këtë, shteti ynë kërcënohej se, nëse vazhdonte me krime të tilla, nuk do ta kishte përkrahjen e shteteve tjera, dhe se mund të izolohej. Shteti ynë fliste për egërsinë e vendorëve. Mesazhet që shkonin nga shteti ynë në adresa gjegjëse të shteteve tjera, vendorët i përshkruanin si primitivë, jo civilizues; si njerëz të egër, të cilët sulmonin vazhdimisht dhe nuk pranonin rrethanat e reja të krijuara pas luftërave ballkanike. Që të bindnin opinionin se vendorët ishin njerëz të egër, në Beograd u hartua një program që do t’iu ofrohej të gjithë korrespondentëve të huaj,  në bazë të të cilit do të kishin mundësi të bindeshin vetë se kush ishin shqiptarët. Qeveria organizonte vizita të tyre në Kosovë që të bindeshin vetë për gjendjen aktuale të njerëzve të pacivilizuar. Në datën e caktuar korrespodentët arritën në stacionin e trenit i cili, nga Beogradi çonte drejt Kosovës, duke kaluar nëpër Kralevë, Rashkë… Programi ishte bërë asisoj që, arritja në Kosovë  të ndodhte para dite, e jo natën. Korrespodentët do të kishin mundësi ta shihnin edhe natyrën e asaj pjese të Kosovës. Në orët e mëngjesit treni kishte kaluar Rashkën, ndërkaq shoqëruesit  e korrespodentëve e kishin për detyrë t’ua tregonin gjeografinë dhe historinë e Kosovës; gjeografinë e shihnin drejtpërdrejt duke kaluar treni nëpër atë ambient, që për ta ishte i jashtëzakonshëm, kurse historinë ua rrëfenin në mënyrën e vet, duke e cilësuar Kosovën si territor serb, si djep serb, e tj. Pasi kaluan Leposaviqin, kur korrespodentët, shumica e tyre, po vështronin natyrën nëpërdritaret e trenit, qe sulmuar treni nga të gjitha anët me gurë e krisma. Sulmuesit, që shiheshin nga dritaret e trenit, të gjithë ishin me rroba shqiptare, me plisa të bardhë e tirq. Kishte edhe të hipur mbi kuaj, që vraponin përskaj trenit dhe gjuanin me gurë drejt trenit, por kishte që shtinin edhe me armë. Në një moment treni qe ndalur, kurse sulmuesit përnjëherë qenë tretur. Përcjellësit e korrespodentëve lajmëruan se është urdhri të ktheheshin, sepse nuk kishin siguri. ”Mund të sulmohemi edhe kur zbresim prej trenit. Siç po shihni edhe vetë, – iu thanë përcjellësit korrespondentëve. – Janë njerëz të egër. Prej tyre gjithçka e rrezikshme mund të pritet. Ne jemi të obliguar t’ua ruajmë kokat juve, prandaj po kthehemi.

Dhe treni qe kthyer. Shkrimet e korrespodentëve, nga ai rrugëtim i organizuar, ishin me ngjyrimenegative, duke i quajtur vendorët të egër, ashtu sikur u kishinthënë organizatorët në Beograd.

-E tmerrshme! – tha doktori.

Mësuesja ruse, Tatjana Vollovna edhe më tutje qëndronte e heshtur, kokulur. Herë-herë duke ofsha, shikonte drejt dritares, kush e di se nga tretej me kujtime, në këtë rast pendese që kishte pranuar ofertën e detyrës së mësuese në tokën, siç e quanin, e egër. Ne nuk e dinim se çfarë kishte ndodhur në kupenë tjetër. Nga piskama e saj, mund të kuptohej, sidomos kur ia pamë një pjesë të fustanit të shqyer, të cilën e mbulonte me njërën shuplakë të dorës, kurse me gishtat e dorës tjetër përpiqej t’i fshinte lotët, që s’i ndaleshin. U krijua një atmosferë tejet e  rëndë, duke na lënë neve në një situatë pa shpjegim. Meqë u mor vesh se kush ishin sulmuesit, humbi edhe mundësia e tyxharit të fliste keq e me përbuzje për arnautët, ashtu siç e kishte qëllimin. Po e përmend tyxharin, e jo doktorin, sepse ai vërtet ishte një burrë i ndershëm e fisnik, i dhënë pas profesionit, të cilin e çmonte sipas Betimit të Hipokratit. Më pëlqente doktori, edhe për shkak se fatkeqësinë e mësueses ruse e merrte si të tijën. Kjo shihej nga qëndrimi i përvuajtur derisa, , e shikonte. Dukej se i dhembsej kur nga sytë e saj rridhnin lotët. Kjo gjendje zgjati. Tyxhari duke dashur të thyente heshtjen e trishtueshme, që të harronim atë, ta quaj, stuhi, atë pamje të egër të njerëzve me armë në dorë, tha:

-Uh, sa keq! Krejt ishte e tmerrshme. Megjithëkëtë shpëtuam, si thuhet, pa një therë në këmbë!

Mësuesja ruse, Tatjan Vollovna, e shikoi vëngër. Atë shikim të saj e çmova si kundërshtim të mendimit të tyxharit, të cilin e shikova i mërrolur dhe i  thashë:

-Çka po flet pa lidhje!

E pashë doktorin i cili, me lëvizje të kokës, më përkrahte.

-Si thua ashtu? Shpëtuam pa një therrë në këmbë! Unë them se nuk shpëtuam. Trishtimi ishte i madh, i të gjithëve…

Me shprehjen “të gjithëve” i dilja krah mësueses ruse, e cila më shikoi miqësisht.

-Sigurisht, – tha doktori. – Kjo që na ndodhi gjithmonë do të jetë ngarkesë në kujtesën tonë, që domethënë se gjithmonë do të vuajmë, meqë kjo plagë nuk do të shërohet lehtë. Nuk është e thënë se vetëm lëndimi fizik është peshë për njeriun. Më i rëndë është lëndimi shpirtëror. Ne sonte jemi lënduar shumë keq. Në botën e civilizuar me lëndime të tilla, si këto që i kemi përjetuar sonte, do të merreshin psikiatrit, do të përcaktonin peshën dhe ta çonin në gjykatë , ,. Dikush do të jepte llogari penale e materiale qofshin sulmuesit, ose ndërmarrja hekurudhore. Ne kur jemi nisur nga Beogradi, përgjegjësinë e sigurimit do të duhej ta merrte drejtoria e hekurudhave, varësisht prej lëndimeve që kanë pësuar udhëtarët. Më falni se e zgjata, por edhe unë mendoj se nuk kemi shpëtuar, siç thotë ky miku, pa një therë në këmbë. Therën e kemi në shpirt…

-Zonjusha Tatjana Vollovna, – iu drejtova doktorit, por mendjen e kisha te mësuesja. – Pajtohem plotësisht me shpjegimin e doktorit. Unë kujtoj se është mirë t’ia dërgojmë një ankesë drejtorisë së hekurudhave në emër të mësueses Tatjana Vollovna.

Ajo u befasua nga ky propozim imi. E ktheu kokën shpejt nga unë, por pa bë zë. Nuk munda ta kuptoja a e mirëpriste këtë propozim, apo e mendonte të kundërtën. I thashë:

-Zonjusha Tatjana, me gjithë mend e kam. Ti je e huaj. Ke ardhur me qëllime të mira, kurse kjo që na ndodhi është shumë më e rëndë për ty se sa për ne. Fundja, ne jemi mësuar me këso ngjarje…

Ajo psherëtiu thellë, mandej na shikoi çdo njërin në sy.

Tyxhari uli kokën. Ndjehej i prekur nga fjalët që i tha, por e dija se e kishte thënë pa qëllim të keq.

Tatjana e vërejti keqardhjen e bashkudhëtarit. E shikoi më gjatë, pastaj e lëshoi dorën mbi gju të tij, që e kishte para vetes. Foli:

-Mik i nderuar, të kuptoj plotësisht. Asgjë nuk ke thënë ofenduese. Të kuptoj mirë, ti shprehe mllefin tënd dhe fatbardhësinë që nuk ndodhi më e keqja. Ka mundur të vritet ndonjë prej nesh. Kjo do të ishte edhe më keq se ç’më ndodhi në kupe… – ndërhyri ajo pa e zgjatur më tutje.

Tash ishim të sigurt për atë që i kishte ndodhur në kupe.

-E sa për ankesë, për dëmshpërblim… nuk di. Unë do të lajmërohem  në konsullatën tonë, ruse. Do ta shkruaj një raport dhe në të do t’i them të gjitha. Do të këshillohem në konsullatë, pastaj do të veproj… Për çdo eventualitet… – u ndal ajo. Sigurisht deshi të thoshte diçka për atë që i kishte ndodhurnë kupe.

-Në rregull, – i thashë me qëllim që të mos tregonte se çfarë i kishte ndodhur. – Në rregull është. Bën si ta merr mendja. Ne na ke dëshmitarë, po që se kërkohet prej nesh që të dëshmojmë.

-Edhe unë pajtohem. – Tha doktori. -Edhe unë jam me ju, i gatshëm për çdo gjë që kërkohet prej meje për rastin.

Tatjana lëvizi me kokë në shenjë falënderimi. Prapë e uli kokën dhe e përqendroi shikimin në një pikë para këmbëve të saj.

Please follow and like us: