Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim KADRIU: MISIONI RUS (8)

25.

Ardhja e mysafirit të papritur, madje edhe të panjohur, Sherif  Begun sikur e nxori në mal, në ambient të pashkelur. Ashtu siç ishte Valentin Sergejeviç misterioz, sidomos në fillim të njohjes me të, njësoj ishte edhe ky mysafir.  Nuk e dinte qëllimin e ardhjes së tij. Ardhja e tij ngjante në ardhjen e të tjerëve, të vendosur në atë odë. Ata të tjerët, sidomos ata të huajt, prezantoheshin përmes profesionit që kryenin, si gazetarë, për shembull, ose udhëtarë të rastit, pse jo edhe aventurierë. Në këtë kohë pështjellimesh luftarake, të lëvizjeve të shumta të njerëzve me uniforma, në odën e tij kishte ndodhur të bënte gjumë edhe ndonjë oficerë. Ardhja e të panjohurit dukej si e rastësishme. Por paraqitja e tij në emër të tjetërkujt, krijonte dyshim dhe ai dyshim më shumë mund të mbështetej te porositësi që ky njeri të vendosej në odën e tij. Mund ta merrte me mend se nuk ishte rastësi, por a ishte rastësi edhe gjetja e dyerve të shtëpisë, trokitja në derën e tij, a ishte rastësi? Po mirë, Valentin Sergejeviç ka mundur t’ia tregonte me saktësi adresën, meqë mysafiri i papritur e përmendte si mik, si udhëzues; si njeri që ia kishte lënë  porosi vazhdimin e aktiviteteve që kishin të bënin me afrimin e shqiptarëve nga rusët. Në këto aktivitete Sherif Begu ishte i regjistruar si bashkëpunëtor, pa e ditur se a ishte ky i vetmi aktivitet. Për këtë as dyshonte. Falë këtyre aktiviteteve, nuk keqtrajtohej. Gëzonte të drejta të lirisë së lëvizjes dhe të ruajtjes të pasurisë familjare, një pasuri të trashëguar nga tradita e bejlerëve, të cilëve u takonte. Bashkëpunimi për këto favore që i gëzonte shikohej me dyshim nga bashkëvendësit. Sherif Begu e hetonte ftohjen e tyre. Jo vetëm ai, por edhe anëtarët e tjerë të familjes, gruaja Qefsere, djemtë Bejtullahu dhe Selatini, si dhe e bija Zahidja kishin ndjenjën e të huajve në qytetin e tyre. Këta, dy djemtë dhe e bija e Sherif Begut, ishin sikur në pozitën e të izoluarve, derisa moshatarët ua kthenin shpinën. Kjo gjendje krijonte shqetësime, sidomos në fillim të qëndrimit të Valentin Sergejeviçit në odën e tij, kur nuk merrej vesh, siç thoshte populli, “sa shitej tershana!”; kur largimi i turqve dhe ardhja e serbëve në vend të tyre ishte me prapaskena të hidhura.

Ato ditë, domethënë ditëve të para të zëvendësimit të turqve me serbë, kishin ndodhur aq shumë ngjarje tragjike, që ishin reflektuar edhe në familjen e Sherif Begut, Futja e xhandarëve serbë në oborrin e tij dhe kërcënimi me vdekje i të gjithë anëtarëve të familjes po qe se nuk do të dorëzonte një sasi lirash për nevoja, siç thoshin, të shtetit serb, e kishte goditur rëndë Sherifin. Gjatë atij rasti dramatik, nga i cili nuk e mendonte daljen shëndosh, në oborr bashkë me xhandarët serbë paska hyrë edhe Valentin Sergejkeviç. Ai  paska ndërhyrë dhe i paska bindur serbët se ai njeri i duhej për bashkëpunim. Sherif Begu e kishte çmuar gjestin e tij dhe ia kishte shtrirë dorën për një miqësi më të thellë, duke i ofruar edhe strehë të përhershme për aq kohë sa do të qëndronte në Vushtrri. Gjatë asaj kohe të qëndrimit Valentin Sergejeviç kishte kryer punë, për çka edhe kishte qenë i angazhuar. Kishte arritur të krijonte besueshmëri te banorët e atyshëm. Një numër i mirë i tyre kishin pranuar ofertën të shkonin në Rusi për punë. Bashkëpunimi i Sergejeviçit me Sherif Begun ishte i suksesshëm, deri te refuzimi e Sherifit për t’i futur në atë listë edhe dy të bijtë e tij, Bejtullahin dhe Selatinin, të cilëve që më parë ua kishte caktuar rrugën e ardhmërisë së tyre, duke e menduar shkollimin ushtarak në Stamboll. Insistimin e Sergejeviçit për bijt e kishte kundërshtuar Sherif  Begu, duke mos i treguar për arsyet e vërteta, por duke ngulur këmbë se nuk i dinte rrethanat në Rusi. Me atë rast i kishte lindur ideja Valentin Sergejeviçit që t’i mundësohej shkuarja në Rusi që të bindej edhe vetë me rrethanat e atjeshme. Sherif Begu nuk ishte pajtuar me këtë ide, por nuk e kishte shprehur hapur.

Pas largimit të Sergejeviçit, Ruslan Nikollai i kishte zbritur si prej qiellit, duke aktualizuar idenë që Sherif Begu të vizitonte Rusinë. Për Sherifin ishte i papritur propozimi i Nikollait, i cili i tha troç se kjo ide ishte e bashkëveprimtarit dhe bashkëvendësit të tij,  Sergejeviç. Sherifi nuk deshi ta kundërshtonte. Megjithëkëtë, Sherif Begu, me përvojën e njeriut që kishte përjetuar trysni të ndryshme, kur e ftoi Ruslan Nikollain të hynte brenda, e kishte parasysh se duhej të bënte kujdes. Kur e dëgjoi nga goja e tij të thoshte për Sergejeviçin “bashkëveprimtar e bashkëvendës” e kuptoi punën misionare të tij, duke u bindur se misionarë të tillë nga Rusia kishte në shumë qendra shqiptare. Iu kujtua propozimi që të bëhej shembull i mirë duke i nisur dy djemtë e tij drejt Rusisë. Propozimin e Ruslan Nikollait e kuptoi si vazhdimësi e kërkesës që bijtë e tij t’i lejonte të shkonin në Rusi, por ata tashmë i kishte përcjellë në Turqi. I kishte vendosur në Stamboll, ku ishin regjistruar në Akademi Ushtarake. Në bisedë me Ruslan Nikollain do të jetë shumë i kujdesshëm. Nuk do t’i tregonte për regjistrimin e tyre në Akademi Ushtarake. Nuk do t’i tregonte as për të bijën, Zahidenë, e cila kishte pësuar trauma psikike dhe, në aso gjendje të pashpresë, rrinte e ngujuar brenda shtëpisë, gjithnjë në përkujdesje të nënës së saj, Qefseres.

Zahideja rrinte e mbyllur në dhomë, në të shumtën e kohës e ulur afër dritares dhe me shikim nga rruga, ku e kishte parë vrasjen e të fejuarit. Atë ditë që kishte ndodhur vrasja e tij dhe e shumë vrasjeve të tjera, Zahideja bashkë me nënën kishin qenë në oborr. Xhandarët serbë hynin thuaja në çdo shtëpi dhe i nxirrin njerëzit me dhunë, i detyronin të largoheshin, të iknin drejt Turqisë, apo ku të donin tjetër veç në Vushtrri të mos rrinin. Kërkonin çelësat e shtëpive dhe pasuritë e tyre. Në atë kolonë njerëzish, që rriheshin me shkopinj të gjatë, ishte edhe i fejuari i Zahidesë. Ajo, me nënën e vet, atë ditë kur babai i saj Sherif Begu dhe Sergejeviç ishin jashtë Vushtrrisë, me të dëgjuar britmat e njerëzve në kolonë dhe të shtëna të herëpashershme, ishin afruar te dyert e oborrit dhe kishin përgjuar përmes vrimave që ishin mes dërrasave të dyerve. Kishin parë mjaft fytyra të njohura, në mesin e tyre Zahideja e kishte parë edhe Adnan Durën, djaloshin me të cilin kishte qenë e fejuar. Ajo kishte dashur ta thërriste, t’i tregonte se e shihte, por nuk kishte guxim. Nga ana tjetër, derisa andej kapërcente kolona, Adnan Dura e mbante kokën kthyer në drejtim të dyerve të shtëpisë së saj, veç që nuk e shihte Zahidenë, por Zahideja fort mirë e shihte. Në një moment Zahidesë i vjen një vullnet ta thërriste, së paku të përshëndetej, ose të shkonte edhe ajo me të. E shikon nënën Qefsere, e cila ia kupton dëshirën, sepse Zahideja ia bën me dorë drejt  Adnan Durës. Qefserja e kundërshton, duke vënë gishtin te goja. Ia bën me dije se nuk guxonte të bëzante, sepse si edhe ata që ishin në kolonë do të pësonin. Në një moment Adnan Dura del nga kolona, me qëllim të takohej edhe njëherë me Zahidenë, ose që ta luste të shoqërohej  me të në atë rrugëtim. Por ai nuk arriti t’i bëjë as katër hapa larg nga kolona. Xhandari i parë, ai që ishte në afër, ia drejtoi pushkën dhe e qëlloi në shpinë. Ai plumb i depërtoi në anën tjetër, nga gjoksi. Adnan Dura ra pa frymë, i vdekur. Nga ana e brendshme e dyerve, dëgjohet një piskamë e shkurtër. Zahideja e trishtuar nga skena që pa, derisa me dorën në gojë përpiqej të mos lëshonte zë, përballë edhe nënës që e përbente të heshtte, bie e alivanosur në tokë. Skena e trishtuar, i fejuari i vrarë përtej dyerve, kurse e fejuara e alivanosur brenda dyerve, nuk zgjati shumë. Të vrarin menjëherë e ngarkuan në një qerre, ku kishte edhe të vrarë të tjerë, kurse Zahidenë nëna Qefsere me mundim e futi në dhomë Pasi ia lag sytë, ajo çelë sytë, dhe u duk sikur e mori veten, por nuk ishte ashtu. Që nga ajo ditë Zahideja nuk mundi të fliste më, as ka provuar të dalë nga dhoma. Tërë kohën rri e ulur afër dritares, me shikim andej përtej dyerve.

Kjo dramë familjare nuk mbeti e heshtur.

Me këto veprime të serbëve Valentin Sergejeviç humbte besimin që e kishte krijuar ndër shqiptarët, sidomos te Sherif Begu. Kur kishte marrë vesh çfarë kishte ndodhur, menjëherë kishte vajtur te pushtetarët serbë, në shtabin e ushtrisë së tyre, dhe kishte kërkuar nga ata që të ndalnin dhunën. Atyre ua kishte shpjeguar rolin e misionit të tij, e kush e di tjetër çfarë mund t’u kishte thënë. Falë angazhimit të tij  ishte ndalë përzënia e shqiptarëve në mënyrë brutale. Ishin gjetur forma tjera për shpërngulje, forma e blerjes së tokave dhe shtëpive të turqve, siç thoshin pushtetarët serbë. Shqiptarëve myslimanë ata u thoshin turq.

Sherif Begu kurrë nuk kishte arritur të kuptonte me saktësi misionin e tij, por duke u nisur nga dyshimi, e kishte parasysh se misioni i Sergejeviçit, mbase edhe i rusëve të tjerë, për të cilët dëgjonte në pëshpëritje nga njerëz, se ishin të shpërndarë edhe në qendra të tjera dhe në mesin e ushtarëve serbë, apo në shtabet e tyre. Nga Valentin Sergejeviç e kuptonte vetëm angazhimin e sigurimit të punëtorëve që do të merrnin rrugën drejt Rusisë. Duke qenë i preokupuar me dilemat rreth angazhimit të misionarëve të tillë, ardhjen e Ruslan Nikollait gjithashtu e shihte me dyshim.

 

Mëngjesi i ditës në vijim ishte krejtësisht tjetër nga pasditja e djeshme, kur nga shiu i madh, një shi me rrebesh, që zgjati, i la rrugët e zbrazura të qytetit, veç me vërshimet e ujit. Të gjitha rrugët e trotuaret ngjasonin në lumenj. Ishte një mëngjes i ndritshëm, me qiell pa re, me një rrezatim të diellit që reflektohej nga ujët e puseve, aty-këtu rrugëve, të mbetur nga dita e djeshme. Megjithëkëtë, pak njerëz kishte rrugëve, shkaku i frikës nga dhuna; nga ndjekjet e serbëve, të cilët krekëzoheshin para çdo kalimtari që e ndalnin për identifikim. Pavarësisht se ekzistonte një marrëveshje midis  rusit Sergejeviç dhe pushtetarëve, prapëseprapë individët serbë, qoftë nga radhët e xhandarëve apo të ushtarëve, i ndalnin rrugës kalimtarët, ua merrnin paratë,  gjësendet e vlefshme që i kishin me vete, duke u premtuar se pastaj do t’i lenin të qetë dhe do t’i mbronin. Të tillët hynin edhe nëpër shtëpia. Prandaj njerëzit qëndronin larg rrugëve e trotuareve, domethënë larg takimit me xhandarë e ushtarë serbë.

Ruslan Nikollai, i gjendur ende në odë duke pritur të zotin e shtëpisë, e vërente ndryshimin e kohës nga dita e djeshme. Nga dritaret e odës, derisa e vështronte oborrin nga të gjitha anët, shihte se koha ishte e mrekullueshme, pa shi e me diell, rrezet e të cilit përmes atyre dritareve të vogla kishin depërtuar në pjesën ballore të murit mbi oxhak. Ruslan Nikollai mezi priste të dilte jashtë, njësoj si edhe i zoti i shtëpisë, Sherif Begu, i cili mezi priste të bisedonte me të dhe të merrte vesh sa e kishte ndërmend të rrinte dhe çfarë ndihme do të mund t’i ofronte këtij miku të mikut më të hershëm.

Duke iu afrua derës së odës, Sherifi e vërejti fytyrën e Nikollait përtej xhamit. E vërejti buzëqeshjen e tij. E përshëndeti duke e ftuar me lëvizje të dorës. Ruslan Nikolla menjëherë çeli derën dhe doli jashtë. I shtriu dy duart të shprehte kënaqësinë për kohën e mrekullueshme.

-Sot bën kohë e mirë! – tha.

-Është e kuptueshme se pas shiut, kur tretën vranësirat, dielli e merr pushtetin.

-Kjo domethënë se çdo e keqe e ka të mirën pas, – tha Ruslan, duke potencuar më zëshëm përfundimin e kësaj fjalie “të mirën pas!”.

-Jo gjithherë, sidomos këtu te ne: krejt është keq. Ishte keq dhe vazhdon të jetë keq. Se kur do të përfundojë, një zot e di. Por, ta lëmë këtë muhabet. Ke ndonjë kërkesë? Dëshiron ta shohësh qytetin?

-Me gjithë dëshirë. Ai miku im më ka thënë se është qytet i mirë, me gjurmë të lashtësisë.

-Po. Vushtrria ka çfarë të tregojë. Në qendër të qytetit e ka kalanë, pastaj ka urën e njohur, e cila sot ka mbetur vetëm përmendore, meqë uji që para shumë shekujsh ka kaluar nën të, ka ndërruar shtratin.

-Qenka atraktive. Lumenjtë janë si njerëzit, gjithherë në lëvizje, duke ndërruar shtretërit.

-Sidomos njerëzit tanë, që janë në lëvizje, por dallojnë nga lumenjtë. Lumenjtë e kanë stacionin e fundit. Në lëvizje të vazhdueshme arrijnë detet, oqeanet… dhe shkrihen atje. Dallimi i njerëzve nga lumenjtë është se njerëzit tanë nuk e dinë cakun… kurse shkrirjen e kanë të domosdoshme, kudo që arrijnë.

Ruslan Nikollait këto mendime të Sherif Begut i vlerësoi si interesante, mbase me kuptim filozofik. Efekti i shkrirjes së një popullate ishte i nënvizuar edhe në tekstin programor të punëve misionare. Sipas atij teksti referohej shkrirja, apo tretja e popullatës shqiptare, e cila me trendin e shtrirje së vazhdueshme rrezikonte tërë Ballkanin apo, siç thuhej atje, ua zinte frymën popujve ortodoksë, të cilët do të mbeteshin pakicë. Studiues rusë të demografisë alarmonin natalitetin shqiptar, i cili do t’i bëhet digë çdo projekti mbi shtrirjen e popullatës ortodokse në viset pjellore të populluar nga shqiptarët. Ruslan Nikollai, si edhe misionarët e tjerë të vendit të tij, e kishte udhërrëfyes programor tekstin që iu kujtua kur Sherif Begu përmendi largimin e lumit nga shtrati, duke e krahasuar fenomenin natyror me lëvizjet e shqiptarëve, me shpërnguljet e tyre në drejtim të shkrirjes, pa cak.

-Më intereson ta shoh urën që ka mbetur pa lumë.

-Ani. E shohim, por njëherë të shkojmë te kalaja e, pastaj shikojmë edhe tjetër kund.

-Janë larg këto objekte?

-Jo. Nuk ka nevojë të marrësh kalin. Lëre aty ku është.

-Pikërisht për këtë pyeta.

Dolën përtej dyerve të oborrit. Ruslan i përcillte me shikim kalimtarët. Në fytyrat e tyre vërente shqetësim, ecnin me droje, me koka të gërmuqura e me shikim mbi gurtë e kalldrëmit.

-I njeh këta njerëz? – e pyeti Ruslan Sherif Begun.

-Po more, shumicën i njoh. Vushtrria nuk është qytet i madh. Njihemi mes veti…

-A flisni? Dua të them, a përshëndeteni?

-Po, kur jemi vetëm. Por sot po të shohin ty të panjohur, sigurisht mendjen e kanë te Sergejeviç…

-Ku e dinë se ai është miku im?

-E dinë për mua se i kam bërë shërbim atij, prandaj kanë një lloj rezerve ndaj meje.

-E çuditshme. Domethënë prania jonë si të huaj shkakton urrejtjen ndaj teje?

-Ashtu disi, – tha.

-Unë nuk do të rri gjatë. Nuk do të bëhem shkaktar i keqkuptimit ndaj teje.

Arif Begut i erdhi rasti të kuptonte më shtruar punën e mysafirit, përkatësisht kohën e qëndrimit të tij. Meqë Ruslan e tha vetë se nuk do të rrinte gjatë, Sherifi mezi priti të vazhdonte:

-Aq shpejt do t’i kryeni punët?

– Thuaja se punët i kam të kryera në saje të angazhimit të Sergejeviçit.

-Ai, besa, i ka kryer punët. Ka bërë një listë të gjatë të të rinjve, të cilët e pëlqejnë shkuarjen në Rusi. Pos njëqindeshtatëdhjetë vetave, të cilët kanë vajtur në Rusi dhe nuk janë lajmëruar kurrë më, është edhe grupi tjetër prej njëqindenjëzetepesë vetave të cilët, sapo të marrin ndonjë lajm nga ata që kanë arritur atje, do nisen andej.

-Me sa kam kuptuar, ka edhe femra që kanë shprehur gatishmëri.

-Ishte një mësuese në Prishtinë, quhej Tatjana Vollovna, e cila merrej me femrat. Po e them këtë, siç më pat thënë Sergejeviç. Ajo dyherësh ishte edhe në Vushtrri. Pata dëgjuar se asaj i interesonin femrat, të cilat do të pranonin të bëheshin banore të Rusisë, atje ku edhe do të martoheshin. Pas largimit të Sergejeviçit ajo nuk erdhi kurrë më në Vushtrri. Nuk di gjë për të, as për punët e saj nuk kam ndonjë njohuri.

“As unë”,  tha me vete Ruslan Nikollai. E mendoi zhdukjen e saj në Shkodër, sikur ta kishte lëshuar toka.

-Ndoshta është në Prishtinë ajo mësuese! – tha zëshëm Nikollai.

-Ndoshta… por ti këtë mund ta vërtetosh,  – ia ktheu Sherif Begu.

-As më duhet, ani pse edhe ajo është nga Rusia. I kemi punët të ndara..

Që të dy heshtën. Në heshtje vazhduan hapat, duke zgjedhur rrugën pa ujë, shpesh duke shkelur me maja të këmbëve mbi gurët e kalldrëmta. Arritën te kalaja, te ajo ngrehinë me mure të gjera gurësh, vende-vende të shkapërderdhura. U ndalën përball objektit. Sherif Begu i tha se, sipas pak hulumtimeve, thuhet se kalaja është ndërtuar në kohën antike iliro-dardane, por kjo kala shumë herë ka pësuar, është shkatërruar. Në çdo luftë kalaja ka qenë qendër e sulmeve…

-Ju thatë se kalaja është ndërtuar në kohën iliro-dardane. Këso shpjegimesh kam dëgjuar edhe për qendra të tjera arkeologjike. Ju shqiptarët çdo gjë antike e lidhni me ilirët dhe Ilirinë. Keni ndonjë arsye të fortë?

-Po qe se e dini historinë e Ballkanit, atëherë sigurisht e dini se shteti i Ilirisë kishte shtrirje të madhe, ndërsa pasardhës të tyre të drejtpërdrejtë jemi ne shqiptarët. Këtë e thonë studiuesit e huaj. Kështu kam dëgjuar.

-Po, e di se kështu thonë.

-Prandaj po them, duke u bazuar jo vetëm në studimet e tyre, por edhe në dëshmitë materiale që janë gjetur në formë reliktesh, të shkrimeve në gurë, etj. Dëshmi për autorësinë iliro-dardane të kalasë deri vonë ka qenë gurët të quajtur çifti piramidal, me mbishkrime të kohës ilire. Fatkeqësisht këta gurë nuk janë më. Janë tretur pa gjurmë… Thashë se kalaja është prishur shumë herë nga pushtuesit. Kësaj të vërtete i ndihmon edhe udhëpërshkruesi turk Evlia Çelebia, që ka jetuar në shekullin XVII. Në udhëpërshkrimet për Kosovën, kishte shkruar: “Pasi e kishte pushtuar Vushtrrinë, Sulltan Murati i parë e kishte shkatërruar kalanë, mirëpo ajo u rindërtua disa herë dhe ka mbijetuar deri më sot…”  Gjithherë më ka interesuar historia e kësaj kalaje dhe kam mësuar se në kohën antike kalaja kishte shërbyer si strehimore për pushimin e karvanëve tregtare. Gjatë sundimit osman kjo kala një kohë kishte shërbyer si burg, pastaj si depo armësh… Kalaja e vjetër është ndërtuar nga gurët e lidhur me gëlqere. Sipas shënimeve që i kam të sistemuara për kalanë, sipërfaqja e saj është 1100 metra katrorë. Muret e kalasë janë të larta 10-12 metra, kurse trashësia e tyre është 3-4 metra. Kalaja ka vjetërsi të madhe, por themelet e vjetra ishin zbuluar në vitin  1881, kur edhe fillojnë punët restauruese. Gjatë gërmimeve është vërtetuar se kalaja kishte edhe gypat e kanalizimit. Diametri i tyre ishte afër 40 cm. Ndërsa brenda kalasë gjendet një zgafellë që, sipas legjendës, në rast rreziku do të shërbente për të dalë në lumin Sitnica.

-Po më befason me këtë njohuri. A më thua çka keni të kryer prej shkolle?

-Kam kryer gjimnazin në Stamboll dhe, në të njëjtën kohë, kam vijuar mësimet edhe në një shkollë tregtare.

-Në gjuhën turke, sigurisht.

-Po, po, në gjuhën turke kam kryer edhe shkollimin fillor, këtu në Vushtrri, sepse shkollimin në gjuhën shqipe nuk e kanë lejuar turqit.

-Unë e di se në kohën e Turqisë serbët kanë kryer shkollat e tyre në gjuhën serbe.

-Po, serbëve u kanë lejuar, kurse shqiptarëve nuk u kanë lejuar shkollim në gjuhën amtare.

-E çuditshme. Si duket, kur e keni pranuar fenë prej turqve, i keni humbur të drejtat tjera, sepse turqit kanë dashur që të keni identitetin e tyre. E çuditshme!

-Kjo është e vërtetë, kanë dëshiruar të mos e kemi identitetin burimor, atë të traditës sonë, ndonëse, pos fesë, asgjë tjetër nuk kemi të përbashkët me turqit.

-Megjithëkëtë ju quajnë turq.

-Kështu na quajnë ata që dëshirojnë të na shkulin me rrënjë nga trojet tona.

-Serbët?

-Jo veç serbët.

Ruslan Nikollai  u gjet ngushtë. Më me dëshirë nuk do të vazhdonte  bisedën më tutje. Si me bisht të syrit e shikoi Sherif Begun. Vërejti seriozitetin e tij në fytyrë, mbase edhe shpjegimet i kishte shumë serioze, me njohuri të plota, siç ishin njohuritë për historikun e kalasë.

-E ura? Ku gjendet ajo urë pa lumë?

-Vazhdojmë tutje, – i tha Sherifi. – Është në pjesën periferike të qytetit, atje ku ishte edhe lumi Sitnica, por që tash ai lumë është larguar. Shkojmë atje.

Pas një kohe të shkurtër arritën në afërsi të urës. I dolën në pjesën prej ku i shiheshin të gjitha harqet. Nikollai mbet si i ngrirë:

-Po kjo vërtet qenka urë interesante, urë e veçantë. Sigurisht edhe për këtë urë, sikur për kalanë, ke shpjegime.

– I thonë Ura e Gurit, ose Ura pa lumë. Kjo urë mendohet se është ndërtuar në antikën e vonë dhe gjatë mesjetës. Është e gjatë rreth 135 metra dhe e gjerë rreth gjashtë metra. Shiko harqet, sa të bukura i ka.

-Menjëherë i numërova, gjithsejtë nëntë harqe.

-I numërove vetëm harqet që po i sheh. Ka edhe harqe të tjera, që janë mbuluar me dhe. Thuhet se si tërësi kjo urë fillimisht i kishte dymbëdhjetë harqe.

-E si ka mbetur kështu, pa ujë?

-Në shekujt e hershëm uji i lumit Sitnica, kështu quhet lumi ynë, ka kaluar këndej dhe mbi shtratin e tij është ngritur kjo urë. Me kohë uji i këtij lumi, për shkak të përbërjes pedologjike, e ka ndërruar shtratin e rrjedhës për disa  dhjetëra metra në perëndim. Tash, si po e sheh, ura ka mbetur si përmendore; një dëshmi e hershme, atraksion për vizitorët.

-Sigurisht rreth kësaj ure ka edhe legjenda. Unë jam adhurues i legjendave. Më ka bërë përshtypje legjenda për ndërtimin e Kalasë së Shkodrës, për Rozafën..

-Është e vërtetë se ekzistojnë legjendat, sikur ajo për bashkëshortët e rinj dhe të dashuruarit pasi ishte krijuar bindja dhe miti se prekja e gurëve të kësaj ure krijon shëndet e fortësi si forca e gurëve, ndërsa harmonia e gurëve të vendosur në urë simbolizon harmoninëp e bashkëshortëve në jetë.

-A dihet kur është ngritur kjo urë?

-Nuk kam hasur shënime për kohën e ngritjes, por derisa isha në Stamboll, pata shfletuar një libër historik mbi qytetet e Kosovës. Pata gjetur shënime se udhërrëfyesi francez  Filip Difren Kame, më 1573, e kishte vizituar Vushtrrinë dhe e përmend urën e madhe të gurit.

-Por sigurisht mund të dihet se kur i është larguar uji i lumit?

-Nuk dihet saktësisht se kur lumi Sitnica ka ndërruar rrjedhën e vet dhe nuk kalon nën Urën e Gurit në qytetin e Vushtrrisë, por dihet se ka së paku 200 vjet që Ura e Gurit ka mbetur pa lumin e saj dhe si i tillë bëhet rast thuajse i pashembullt  në botë, si urë pa lumë.

Në orët e pasdites u kthyen në shtëpi ku, në odë, e gjetën sofrën e shtruar dhe mbi të ushqimi i drekës, tepsinë e mbushur me patate të fërguara me një pulë, në mes të tepsisë, të skuqure mirë. Rreth asaj tepsie zonja e shtëpisë kishte vënë dy pjata, njëra me kos, kurse tjetra me speca e domate turshi të shoqëruar me një copë djathi. Në një tepsi tjetër ishte pogaçja dhe kënata me ujë. Pamja e sofrës së mbushur e befasoi Ruslanin, i cili me të hyrë në dhomë u ndal me sy të ngulitur mbi sofër. Mandej e shikoi Sherif Begun:

-Ç’është kjo?

-Sofër me bukë, është kohë e drekës. Nuk ke uri?

-Uri po, por kjo më befason.

-Në çdo shtëpi shqiptare e ke kështu. Nuk ke qenë kurrë në ndonjë shtëpi shqiptare?

Ruslan Nikollai ia drejtoi shikimin në fytyrë, duke mos u përgjigjur menjëherë. Në të vërtetë, në atë moment, ishte në dilemë, t’i thoshte se vitet e fundit kishte banuar dhe ushqyer në shtëpitë shqiptare në vendbanime të ndryshme në Shqipëri, apo të mos i thoshte.

-Hë, fol ore burrë, ti po e flet shqipen mirë. Sigurisht se ke njohuri për mikpritjen shqiptare.

-Ç’të them? Kjo sofër po më duket e veçantë… – tha duke pasur parasysh se ato vende ku kishte banuar dhe ushqyer, ishin katunde, katunde shumë të varfra ku njerëzit mezi siguronin bukën.

-Kjo sofër është shumë e begatë, prandaj u befasova.

-Sofër për mysafir!

Befasia e tij ishte edhe për shkak se asnjëherë nuk pa edhe ndonjë tjetër të kësaj shtëpie. Kjo i dha shkas ta nxiste në mënyrë indirekte kreun e shtëpisë të fliste për adetet, ndërkaq Sherif Begu i shpjegoi për traditën e familjeve myslimane shqiptare. I tha se grave nuk iu lejohej të hyjnë në odën e burrave, as të flasin me njerëz të huaj, ndonëse të gjitha ushqimet i bëjnë ato. Tradita e mbylljes së femrave na ka mbetur si një flamë e keqe, nga osmanët. Se, ndryshe, ajo që mund të quhet traditë e njëmendtë shqiptare, respekton edhe të drejtën e femrave; edhe ato bashkërisht me burrat presin mysafirët. Te shqiptarët mysafiri është i shenjtë.

-Kam dëgjuar, por edhe kam lexuar për traditën e mikpritjes shqiptare, – tha Nikollai duke menduar kohën e qëndrimit të tij në viset e Mirditës dhe në pjesë të tjera të Shqipërisë.

Gjatë drekës vazhduan bisedën me insistim të Ruslan Nikollait për vazhdimin e bashkëpunimit. Interesimi i Nikollait ishte që fillimisht të punohet në afrimin e atyre njëqindenjëzetepesë vetave, të cilët ishin në regjistër dhe prisnin shkuarjen në Rusi. Këtë obligim, siç kërkonte Ruslan, do ta kryente Sherif Begu.  e mbante regjistrin. Por Sherif Begu nuk ishte i interesuar ta realizonte gjer në fund programin, pa u siguruar se do të ktheheshin ata të tjerët, që kishin vajtur më herët dhe kurrë më nuk ishte dëgjuar zëri i tyre. Këtë edhe ia tha Nikollait, duke shprehur në mënyrë të tërthortë dyshimin. Nikollai, prandaj, insistonte, ashtu sikur e kishte porosinë nga pararendësi i tij Sergejeviç, që Sherif Begu ta realizonte udhëtimin turistik në Rusi, ku do të njihej më për së afërmi me atë botë, e cila, në të ardhmen, do të ishte vendstrehim, pse jo edhe vendqëndrim i përhershëm për shqiptarët.

Në një mënyrë, nga bisedat e shumta që i kishin rreth kësaj teme, Sherif Begu thuaja se ishte bindur të merrte atë rrugë. Të vetmen brengë e kishte të bijën e traumatizuar, e mbetur në dhomë dhe që, vazhdimisht, mbante shikimin përmes xhamave të dritares, drejt përtej dyerve të oborrit. Për udhëtimin drejt Rusisë kishte biseduar disa herë edhe me bashkëshorten, Qefseren. Edhe ajo ishte pajtuar, madje i kishte thënë se mund të udhëtonin lirisht  pa u merakosur për të bijën Zahidenë, sepse “unë vazhdimisht do ta shoqëroj dhe do i bëj shërbim për kurim të saj”, – e kishte bindur.

-Nesër do të tregoj, – i tha Sherifi Nikollait, kur e përfunduan drekën.

Sherif Begu të gjitha enët e zbrazur, që i kishte për shërbim të drekës, i mblodhi, i vendosi mbi sofër dhe, pasi e hapi derën e odës, e nxori sofrën jashtë. E lëshoi në tokë dhe u kthye të mbyllte derën.

-Mik i nderuar, tani pusho.

Nikollait iu kujtua ta shkruante raportin për qëndrimin në Vushtrri, për Qendrën e Misionit në Shën Petersburg.

Raporti në vazhdim:

Kaloi një kohë pa u lajmëruar, por kjo kohë e kaluar më ndihmoi të njihem me rrethanat e krijuara në Kosovë pas largimit të osmanëve. Kam arritur në Vushtrri, aty ku kishte shërbyer misionari ynë Valentin Sergejeviç. Gjeta përkrahjen e një bashkëpunëtori të Sergejeviçit, i cili në mënyrë indirekte u bë edhe bashkëpunëtor imi. Sigurisht emrin e tij e keni të arkivuar në bazë të raporteve të Valentin Sergejeviçit. Pra, fjala është për Sherif Begun, një burrë inteligjent, i autoritetshëm. Ai vazhdon të jetë në shërbim tonin, por ka paqartësi. Kërkon shpjegime për grupin e të rinjve shqiptarë që, tashmë, gjendet në Rusi. Dëshiron të di për fatin e tyre tij në mënyrë që të vazhdojë rekrutimin e të tjerëve. Në listën e atyre që do të duhej të niseshin drejt Rusisë tash janë njëqindenjëzetepesë veta, por ata, me sa kam mundur të kuptoj nga biseda me Sherif Begun, nuk do të nisen pa e ditur saktë fatin e grupit të mëparshëm, për të cilin unë nuk di gjë, derisa Sherif Begu vazhdon të kërkojë shpjegim.

T’ju them se aktiviteti ynë, në kuadër të misionit, këtu është i vështirë; më i vështirë sesa mendohet, shkaku i sjelljeve të pushtetarëve të rinj. I kam parasysh programet e sajuara në Qendrën Misionare, të hartuara nga historianë e akademikë që merren me çështjet e demografisë dhe të lëvizjeve të popullatave në kushte luftash dhe pas tyre. E kam parasysh diskrecionin, siç i kam parasysh edhe intencat programore që sugjerojnë shpërnguljen e popullatës vendore për t’ua lëshuar vendin banorëve të tjerë, atyre që do ta kolonizojnë këtë tokë aq të pëlleshme të Kosovës. Pas pushtimit të Kosovës, nga ana e serbëve, menjëherë janë ndërmarrë masat kolonizuese, duke i sjellë serbët nga viset e tjera të Serbisë, Malit të Zi, nga Lika e Bosnja. Për informim të Qendrës Misionare, po i nis shënimet e angazhimeve të deritashme me qëllim të ndërrimit të përkatësisë nacionale të atyre që do të jetojnë në Kosovë. Në fillim të shënimeve teksti i referohet dokumentit numër 1248, të përpiluar më 12 prill 1914, ku, sipas muajve, jepen  shifrat e shënuar më poshtë:  Në nëntor të vitit 1912 u shpërngulën 8866 shqiptarë, domethënë menjëherë pasi u futën forcat serbe në Kosovë; në dhjetor  numri i të shpërngulurve u rrit në 11493. Gjatë janarit të vitit që e lamë pas, më 1913, u shpërngulen 12087 shqiptarë; gjatë shkurtit 1288, gjatë marsit 7553 veta, gjatë prillit 6723, gjatë majit 12813, ndërkaq gjatë qershorit 9386 shpërngulje. Më tutje, gjatë muajve në vazhdim, numri i të shpërngulurve rritet:  në korrik u shpërngulen 21041 shqiptarë, në gusht 29312, në shtator  13380, në tetor 14764, në nëntor 17318, në dhjetor 15502. Gjatë janarit të këtij viti në të cilin gjendemi drejt Turqisë u shpërngulen 10182 shqiptarë; në majin shkurt numri arrin në 25060 të shpërngulur, gjithashtu drejt Turqisë, kurse gjatë marsit u shpërngulën 12346 shqiptarë. Kjo është ajo pasqyra e cila tregon se programi i hartuar po realizohet në mënyrë të suksesshme. Mirëpo, e kam për obligim të dëshmoj se, deri tash, këto shpërngulje janë bërë në mënyrën më të dhunshme, ndërkaq, siç dihet, është thënë që nuk duhet dhënë shkas se po përdoret dhuna. Është thënë, së paku neve misionarëve na është thënë, se bota nuk duhet të kuptojë se shpërnguljet e shqiptarëve bëhen duke i detyruar. Duhet bindur se shpërnguljet bëhen vullnetarisht, prandaj siç e di, bota duhet të kuptojë se shteti i Serbisë i blen tokat e turqve dhe ua jep serbëve. Duhet ndërmarrë diçka konkrete në mënyrë që në shënime, të ndryshohet përkatësia e të shpërngulurve. Të mos thuhet se po shpërngulen shqiptarët, por turqit. Këtu në Vushtrri me angazhimin tim personal janë hequr masat represive, që pushtetarët e rinj serbë i ushtronin mbi banorët autoktonë për të nxitur shpërnguljet. Për meset tjera nuk di, por sipas fjalëve të bashkëpunëtorit tonë Sherif Begut, në çdo ambient, në çdo qytet e katund, forcat militare, paramilitare e xhandarët serbë kanë vrarë e masakruar. Me veprime të tilla të serbëve, ky popull autoktonë gjithmonë do të jetë urrejtës. Po e them këtë duke u bazuar në disponimin e popullatës, gjithandej nga kam kryer misionet, duke filluar nga Prizreni  e në vazhdim nëpër Mirditë, Lezhë, Shkodër e vise të tjera. Janë bërë krime të mëdha. Edhe nëse i fshehim ne, gazetarët përditë po i mbushin faqet e gazetave të tyre me rrëfime nga krimet serbe mbi shqiptarët. Këtu ku jam duke banuar, pronari i shtëpisë, për të cilin thashë se është bashkëpunëtor yni, më ofroi shumë gazeta të huaja në të cilat hasa në aq shumë shkrime ku bëhet fjalë për masakrat serbe mbi shqiptarët. Shkrimet janë të tmerrshme, akuzuese.

Në raportin që e kam adresuar nga Cetina ju kam shkruar se misionarja jonë Tatjana Vollovna është zhdukur. Edhe tash asgjë nuk di për të.

Misionari ynë Valentin Sergejeviç i kishte bërë ftesë bashkëpunëtorit tonë Sherif Begut që ta vizitojë Rusinë. Ai, në një mënyrë, ka pranuar, kurse ne duhet t’ia mundësojmë të takohet me njerëzit e tij, për të cilët i kemi thënë se do t’u sigurohet punë në Rusi. Unë me Sherif Begun mendoj të nisemi drejt Rusisë nga fundi i javës. Më mban shpresa se do të arrij t’ia mbaj, ose t’ia përforcoj bindjen për këtë rrugëtim. Besoj se Qendra Misionare do t’ia bëjë një program qëndrimi, përmes të cilit Sherif Begu do t’i vizitonte vendet më interesante në Rusi, pra edhe qendrën e shkollimit të kuadrove për misione në vende të tjera, në të cilat synohet ndikimi rus.  

 

27.

Të gjithë kujdesin e kishte përqendruar të ruhej nga shpëlarja e trurit. Sherif Begu, i ngarkuar me gjithë ato dilema, ushtronte  memorien. Kishte siklet nga presionet që i bëheshin tërthorazi. I peshonte ato mirë, si të dala nga errësira e panjohur dhe e frikshme.  Nga të gjitha ato favore të ofruara në Shën Petersburg, druante se do të harronte prej nga kishte ardhur. Rrugëtimin e propozuar nga Valentin Sergejeviç, e më pas edhe nga Ruslan Nikollai, e pranoi me rezervë të pashprehur me fjalë, ose qoftë bile me lëvizje të kokës, që do të ishte lëvizje kundërshtuese. Ruslan Nikollai i kishte besuar mendimit që thotë se heshtja është pranim, prandaj as e kishte pritur qëndrimin e tij zëshëm. Në ditën e caktuar për rrugëtim drejt Rusisë, në të vërtetë një natë përpara se të merrnin rrugë, ia kishte treguar orën e saktë kur do të niseshin. Dhe ishin nisur pa farë ceremonie, pasi që Sherif Begu ishte përshëndetur me bashkëshorten Qefseren dhe, ashtu i heshtur, veç me përqafim, ishte ndarë nga e bija Zahide, e cila kishte vazhduar të mbante shikimin përtej perdeve dhe xhamave të dritares, përtej mureve dhe dyerve të oborrit. Sherif Begu zorshëm ia kishte kthyer shpinën, duke u përtypur dhe shtrënguar buzët të mos qante. Pa dalë nga korridori i katit të dytë drejt shkallëve, edhe njëherë e kishte kthyer kokën nga dera e hapur e dhomës, përmes së cilës mund të shihte të bijën, me bindje se ajo, në atë rast, ndoshta do të shikonte babanë në largim. Por jo. Qëndrimi i saj ishte i njëjtë, me shikim andej dhe dukej shumë mospërfillëse. Ai kishte zbritur shkallëve të drunjta, që i mbështeteshin shtëpisë nga ana e përparme, por që në krye të tyre ishte vendosur një lloj pushimoreje, gjithashtu me dërrasa dhe me mbulojë. Kur ra në fund të shkallëve ktheu kokën nga kreu i tyre, për pak çaste i mbeti shikimi në fytyrën e bashkëshortes e cila, me duar të kryqëzuara para gjoksit, qëndronte e mbështetur në njërën nga shtyllat që mbanin çatinë e asaj pushimoreje. Ai kryqëzim shikimesh ishte domethënës si nga ana e Qefseres, po ashtu edhe nga ana e Sherif Begut. Mund të mendohet se që të dy, nga frika e dhembja, atë kryqëzim shikimesh mund ta mendonin, ose thënë më shtruar, e mendonin si të fundit. Në të njëjtën kohë që të dy ishin të ngarkuar me dhembjen ndaj Zahidesë. Ajo dhembje mund të ishte më e madhe për Sherif Begun, sepse ai nuk mund të dinte se kur do të kthehej, ose nuk do të kthehej fare, varësisht nga situatat në të cilat do të gjendej. Në atë botë të huaj, krejtësisht të huaj, do të ndjehej i humbur, krejtësisht i humbur. Këtë e kishte marrë me mend edhe pa shkelur ende në atë tokë të panjohur, mes njerëzve gjithashtu të panjohur, me shpresë se do të takohej me njerëzit e tij  që i kishte nisur andej, për fatin e të cilëve nuk dinte, por ndjehej fajtor. Ajo fajësi iu duk edhe më e madhe kur në Shën Petersburg nuk iu sigurua takimi me Valentin Sergejeviçin, me arsyetim se ai ishte në një rrugëtim të gjatë. Këtë ia tha Ruslan Nikollai, i cili i tha se, gjatë qëndrimit në Rusi, do të ketë një shoqërues tjetër, sepse edhe ai do të duhej të shkonte në një rrugëtim. Ruslan Nikollai e siguroi se shoqëruesin do ta ketë njeriun që dinte të fliste shqip, ndërkaq, sipas tij, ishte përpiluar një program i qëndrimit që do të zgjaste një muaj. Duke pasur parasysh programin njëmujor, Sherif Begu shpresonte se brenda asaj kohe qëndrimi, që i dukej shumë e gjatë, do të takonte ndokënd nga ata njëqindeshtatëdhjetë të rinj shqiptarë të vendosur atje edhe me insistimin e tij. Por shoqëruesi i ri, njëfarë tartari, të cilit nuk ia mbante në mend as emrin, pyetjeve të shumta të Sherifit se ku mund të takohej me ndonjë nga shqiptarët, ai ia kishte humbur të gjitha shpresat me shpjegimin se, jo vetëm ata, por edhe shumë të tjerë, që i kishin sjellë nga viset e Ballkanit, i kishin përcjellë drejt Siberisë. I kishte thënë shkurt se atje nuk mund të shkohet. I kishte folur për detyrën e vet, për obligimin që e kishte që t’i bënte shoqëri drejt disa vendeve interesante, dhe se në ato vende që do të vizitonin ishte edhe qendra e madhe shkollore për përgatitjen e kuadrove të ndryshme, që do të punësoheshin jashtë Rusisë.

Këto shpjegime ia thanë në një separe të restorantit “…”  në katin e katërt të të cilit e kishte të siguruar dhomën e fjetjes. Në atë kënd të restorantit shoqëruesi kishte ardhur bashkë me shefin e tij, njëfarë Evgenije Saratllov, një oficer sigurimi që u prezantua profesor i historisë. Ai kënd restoranti kishte vetëm dy tavolina, njëra ishte e zbrazur, kurse në tjetrën ishte vetëm Sherifi me Saratllovin. Fillimisht ishte edhe tartari, por ai nuk qëndroi gjatë. U ngrit nga karrigia, buzëqeshi artificialisht, tha se kishte një obligim dhe doli jashtë. Sherifi e kishte hetuar Saratllovin kur ia bëri tartarit me shenjë, me lëvizje të lehtë të kokës, një lëvizje gati të pahetuar. Kuptoi se ajo lëvizje ishte urdhër për tartarin. Prandaj ai iku shpejt, kurse në të dalë prej dere ktheu edhe njëherë kokën dhe qeshi. Gjatë kohës së mungesës së tij, te ajo tavolinë mbretëronte heshtje. Evgenije Saratllov dhe Sherif Begu sikur merreshin vesh vetëm me shikime dhe buzëqeshje, sepse asnjëri nuk e dinte gjuhën e njëri-tjetrit. E pritnin tartarin t’u përkthente.  Evgenije Saratllovit kishte një buzëqeshje karakteristike, me tërheqjen e skajeve të buzëve, duke e shndërruar fytyrën rrumbullake në formë kungulli, kur kungulli vendoset në ndonjë kunj për t’i trembur shpezët. Koka e tij ishte karakteristike edhe me pjesën e mbiballit, tërësisht pa flokë, kurse pjesa tjetër e kokës, ajo mbi veshë dhe nga shpina, mbuloheshin me fije flokësh, me fije të gjata flokësh me ngjyrë kafeje. Dukej se flokët i kishte të ngjyrosur. Këtë bindje e kishte Sherif Begu, që e shikonte me vëmendje dhe trishtohej, sidomos kur Evgenije Saratllov e hapte gojën dhe i dukej errësirë në pjesët anësore ku i kishte dhëmbët e rënë. Ndeja me të Sherif Begut ishte me siklet, andaj u gëzua kur e pa të hynte brenda tartari, që tani i dukej shumë i afërt. Ai kishte sjellë me vete një lloj pakoje me madhësi mesatare. Atë pako ia lëshoi përpara Evgenije Saratllovit, i cili i dha shenjë me dorë drejt karriges, që të ulej. Në  të njëjtën kohë, me dorën tjetër, i dha shenjë kamerierit për shërbim. Atë e thirri edhe zëshëm dhe kërkoi nga tartari ta pyeste mysafirin se çfarë dëshironte të pinte dhe të hante. Fill pasi e mori porosinë kamerieri dhe u largua, Evgenije Saratllov e hapi pakon dhe nxori nga aty një llullë qelibari, një kuti duhani, gjithashtu prej qelibari, dhe një komplet stolish për femra, të cilat Evgenije Saratllov i lëshoi një nga një mbi tavolinë. Ishte një qafore, dy byzylikë  dhe një brosh filigrani në formë shqiponje. I tha tartarit t’i tregonte se ato ishin dhurata dhe me to nderohej për bashkëpunimin me rusët. Evgenije nxori edhe një zarf të mbyllur, e cila dukej paksa e fryrë. Zarfin ia lëshoi në dorë Sherif Begut, kurse tartarit i tha t’i thoshte se munda ta hapte. Brenda kishte një sasi kartëmonedhash, një shumë e madhe rublash. I thuaj zotërisë se këto para janë për punën e deritashme, ndërkaq të tjerat për çdo muaj ia dërgojmë në vendlindjen e tij përmes përfaqësive tona. Pas çdo përkthimi që bënte tartari, Evgenije qeshte, duke mos e larguar shikimin nga Sherif Begu, i cili neveritej.

Gjatë drekës në restorant, Evgenije Saratllov ia përshkroi të gjitha obligimet me të cilat ngarkohej, edhe pa shprehur gatishmërinë. Në një moment deshi ta pyeste për grepin e shqiptarëve, për të cilët ndehej fajtor, por tartari, në momentin kur Sherifi u shpreh shqip se i interesonte fati i tyre, ai e ndërpreu. I tha se bashkëbiseduesi ishte shef, dhe se ai nuk merrej me imtësi. Sherifi reagoi shpejt, duke ia bërë me dije se humbja pa gjurmë, apo tretja drejt Siberisë të atyre njëqindeshtatëdhjetë të rinjve shqiptarë, nuk mund të quhej imtësi. Evgenije vazhdonte me qeshje, duke e mbajtur fytyrën e ngrirë, ndërsa tartari i tha se mysafiri është shumë i kënaqur. Nuk ia përktheu reagimin e Sherifit për shqiptarët e dërguar në Siberi. Por i tha Sherifit se, në këso biseda miqsh, me gjithë këtë nderim që ia bënte shefi i tij, nuk ishte mirë të prishte disponimin e mikpritësit, aq më tepër kur mikpritësi ka përgatitur edhe befasi të tjera për të, për t’ia bërë qëndrimin në Rusi sa më të këndshëm. Befasitë të presin lart, i tha, duke ia bërë me gisht drejt dhomës ku ishte vendosur.

Në dhomë vërtet e pritën befasitë. Brenda ishte një çantë e madhe, me rroba të ndryshme: dy kat tesha, disa këmisha, një xhemper punëdore dhe një pelerinë. I nxori të gjitha dhe i vuri mbi shtrat. I shikoi një nga një. I pëlqyen, por mbeti i zhgënjyer, pasi e dinte se të gjitha ato dhurata ishin për bashkëpunimin e tij, i cili, sipas udhëzimeve që ia dha Evgenije Saratllov, duhej të vazhdonte. U dridh, pastaj një e djersitur ia përshkoi trupin. Ndjente se i ishin nxehur veshët. I preku laprat, vërtet  ishin të nxehta. U zhvesh të bënte një dush. Mori peshqirin që ishte mbi shtrat, e hodhi rreth qafe dhe u nis drejt banjës. E çeli derën. Mbeti i trishtuar në derë kur pa në vaskë të mbushur me ujë një trup femre lakuriq, një bukuroshe, e cila ia bëri me dorë të afrohej. Sherif Begu me të shpejt hoqi peshqirin nga qafa dhe e mbështolli rreth belit, i turpëruar tej mase. Me të shpejt u tërhoq dhe mbylli derën, duke e lënë femrën në vaskën me ujë. Mendoi se e kishte ndërruar dhomën. U vesh shpejt e shpejt me qëllim që të zbriste te recepsioni, por në moment iu kujtua çanta me rroba. E shikoi numrin e gravuar të çelësit, ishte tamam ai numër që i thanë në recepsion. Në këtë situatë e dëshironte tartarin, të kuptonte më mirë nga ai se çfarë po ndodhte.  E kishte lënë të takohej me të në orët e mbrëmjes, në kohën e darkës, pas së cilës, siç ishin marrë vesh, do të shëtisnin në qytet. Deri në atë kohë, domethënë deri në darkë, do të pushonte, ose të flinte, kurse situata në të cilën u gjend ia ndryshonte krejtësisht planin. Derisa mundohej t’i gjente vetit rehati në atë pasdite, nga banja doli ajo femër, të cilën pak më parë e pa në ujin e vaskës. Ajo e kishte lidhur peshqirin rreth belit, kurse gjinjtë i kishte në fushë, pa mbrojtje; do gjinj të rrumbullakët dhe që i rrinin të ngrehur. Ajo iu afrua. Deshi t’i hidhej në përqafim, kurse Sherifi e shtyu. I tha shqip: – vishu dhe ik! Ajo provoi edhe njëherë. Sherif Begu u largu shpejt drejt dritares, mbi të cilën varej një perde. Shikoi tutje xhamave. Iu kujtua e bija, të cilën e kishte lënë afër dritares. Kjo që e paftuar i kishte hyrë në dhomë, mund të thuhej se ishte e të njëjtës moshë me të bijën. E ktheu kokën shpejt nga dhoma. E pa të qëndronte afër  shtratit. Në momentin kur Sherif Begu e shikoi, ajo hoqi peshqirin që e kishte të lidhur rreth belit dhe u shfaq e tëra lakuriq. Sherifi mbylli sytë dhe ia bëri me gisht drejt derës, duke nxjerrë një piskamë, të cilën ajo fare nuk e kuptonte: Ik, – i tha, – ik sa më shpejt nga dhoma ime. Këtë ia tha shqip, por gishti i drejtuar nga dera e bënte vajzën të kuptonte se duhej të largohej menjëherë. Dhe ajo u vesh e u largua nga dhoma.

Tartari ishte ende në hotel. Ishte te recepcioni, duke pritur çfarë kishte ndodhur në dhomën e katit të katërt, ku ishte i vendosur Sherif Begu. E pa femrën që zbriste rrufeshëm shkallëve. I doli përpara, kurse ajo, në shenjë revolte, nuk deshi të ndalej. Tartari me ngritje zëri e ftoi të ndalej. Ajo ngritje zëri asaj iu duk kërcënim. U ndal para tartarit, e nevrikosur. I shpjegoi, duke vlerësuar Sherif Begun si të marrë, sepse asaj kurrë nuk i kishte ndodhur të nxirrej nga banja ku ishte lakuriq, dhe nga dhoma të largohej e ofenduar. Edhe për tartarin ishte e çuditshme. Ishte rast i vetëm që kishte përfunduar asisoj. Tartari kishte përvojë në këso punësh; kishte gostitur në mënyrë të njëjtë edhe sa e sa të tjerë, bashkëpunëtorë misionesh, por asnjëri nuk kishte vepruar si Sherif Begu. Për këtë ndodhi, pastaj, foli edhe me shefin, Evgenije Saratllovin. Ky i fundit e këshilloi ta linte rehat mysafirin, mbase, siç i tha ai, nuk kemi njohuri për karakterin e tij. Evgenie e këshilloi t’i kërkojë falje, po qe se mysafiri do të kërkonte përgjigje për rastin. Do t’i thoshte se kishte qenë gabim, se ajo femër e kishte ndërruar dhomën, se kishte pritur dikë tjetër.

Ky farë tartari, të cilit Sherif Begu nuk mund t’ia mbante në mend emrin, dallonte nga dy rusët e parë që i kishte njohur në Vushtrri, jo vetëm për nga pamja. Kishte fytyrë aziatike, me përngjasim të mongolëve, por edhe përnga mënyra e komunikimit dallonte. Fliste shumë. Dukej se i pëlqente të ishte në qendër të vëmendjes. Në fytyrën e tij të imtë, sytë i kishte gjithnjë në lëvizje të shpejtë, që i përshtateshin lëvizjeve të duarve të tij. Si duket tartari nuk mund të fliste pa i lëvizure duart, sidomos kur nuk arrinte të shqipëronte mirë ndonjë fjalë shqipe. Arsyetohej se njohuritë e shqipes që i kishte fituar gjatë studimeve nuk kishte arritur t’i zgjeronte edhe me përvojën komunikuese, sepse nuk kishte pasur rast të fliste gjatë me ndonjë shqiptar. Takimin me Sherif Begun, sikundër edhe shoqërimin njëmujor me të, i konsideronte me vlerë, si rast të mirëpritur që do t’i ndihmonte avancimit të komunikimit shqip. Përmes komunikimit shqip mendonte se do të arrihej mirëbesimi i ndërsjellë. Kjo do t’i ndihmonte të siguronte të dhëna për vendin prej nga kishte ardhur Sherif Begu. Të dhënat do t’i sistemonte dhe, përmes tyre, do t’i mbërrinte shkallët e dëshiruara për avancim në kuadër të shërbimit misionar. Duke llogaritur avancimin ky farë tartari e dëshironte  bashkëbiseduesin të fliste pa rezervë, domethënë hapur, pa fshehur asgjë. Rasti i femrës në dhomën e Sherif Begut ishte bërë pa i vlerësuar mirë qëndrimin dhe prirjet e mysafirit. Ky rast i papëlqyeshëm krijonte mosbesim te Sherif Begu, mosbesim ndaj krejt atij programi, siç i thoshte tartari, njëmujor. Edhe pa u gjendur në këtë situatë, Sherif Begu kishte hetuar një lloj mashtrimi, kur i fshihej e vërteta mbi shqiptarët e emigruar në Rusi. Edhe për tartarin tashti  nuk ishte krejt njësoj, si atëherë kur u takuan për herë të parë. Nëse ngjarjen e ndodhur Sherif Begu do ta kuptonte si provokim, tartari do ta kishte vështir ta kthejë miqësinë me të.

Sherif Begu kishte një natyrë tjetër nga tartari, më shumë i përdorte sytë sesa gojën. Para tartarit thoshte se më shumë kishte dëshirë të dëgjonte dhe se kishte ardhur në Rusi të shihte realitetin, të njihej me vendin a, njerëzit… Përballë tij tartari përpiqej të ndërronte shprehinë e të folurit shumë, sidomos tash kur Sherif Begu ishte në tension. Tartari, kur në mbrëmje dolën në shëtitje shesheve të Shën Petersburgut, dëshironte t’i jepte mundësinë mysafirit të  kishte përparësinë në bisedë. Për habinë e tij mysafiri vazhdonte të ishte i rezervuar, madje nuk i tha asgjë për rastin e ndodhur në dhomën e tij, pos që ia përmendi çantën me rroba. E pyeti se mos ishte ajo dhomë e ndokujt tjetër, meqë, siç i tha, dikush i kishte harruar rrobat.  Tartarit i erdhi mirë që mysafiri nuk foli për femrën dhe u bë sikur nuk kishte ndodhur gjë. Për rroba i tha se ishte në traditën e misionit që mysafirit t’i dhurohen rroba, varësisht nga kohëzgjatja e qëndrimit në Rusi. Nëse do të qëndronte mysafiri edhe më gjatë se një muaj, rrobat do t’i shtoheshin si dhuratë. Pas këtij shpjegimi Sherif Begut i shkoi buza në gaz. E unë që nuk e kam ndërmend të rri një muaj, e besa as një javë, nuk kam nevojë për rroba. Tartari heshti. Nuk dinte çfarë t’i thoshte. Druante se mund ta hidhëronte, kurse porosinë nga shefi e kishte që të ishte sa më i kujdesshëm. Duke menduar mënyrën e bisedës me të, gjatë asaj shëtitjeje,  i kujtohej një nga ligjëratat në studimet për misionar kur, ligjëruesi, thoshte se në raste bisedash me të huajt, nga të cilët do të duhej të përfitonit, ia vlen të paraqiteni  të mjerë, pse jo edhe të ndjekur, dhe në shënjestër të pushtetit. Tartari, duke u mbështetur në këtë këshillë teorike, dhe duke e ditur se shqiptarët gjendeshin në situatë të keqe, të injoruar, e vuri edhe vetën në atë pozitë, duke thënë se edhe tartarët me shqiptarët i kishin të njëjtat halle. Përmendi Krimenë, shpërnguljen me zor të tartarëve dhe vendosjen e tyre në Krime, për ta pakësuar numrin e tyre në Tartaristan.  Kjo mënyrë e trajtimit të tartarëve nga ana e rusëve, përngjante me trajtimin e shqiptarëve nga ana e serbëve. Duke i dhënë forcë shpjegimit për këtë analogji, tartari i tha Sherif Begut se tartarët dhe shqiptarët tradicionalisht ishin kuptuar mirë, sepse edhe jetesën e kishin të përbashkët. Për Sherif Begun ishte e pashpjegueshme si ishte e mundur që tartarët e gjendur diku në Azinë qendrore të kishin afërsi me shqiptarët? E pyeti, ku e bazonte atë afërsi? Tartari i tha se afërsinë e kishin krijuar në Krime, sepse në atë vend të bukur të bregut të Detit të Zi, kur kishin ardhur tartarët aty i kishin gjetur shqiptarët. Për ta bindur Sherif Begun me këtë të dhënë, tartari përmendi qytetin bregdetar Gurzuf, një qytet turistik ku pushonin njerëzit më autoritarë rusë.  Në atë qytet, shpjegoi tartari, mbi nëntëdhjetë për qind kanë qenë shqiptarë, por që janë asimiluar. Ata në Gurzuf ishin të pranishëm që nga shekulli gjashtëmbëdhjetë, kur e kishin filluar migrimin e parë, për të vazhduar atë migrim deri në shekullin tetëmbëdhjetë. Për të qenë sa më bindës tartari përmendi udhërrëfyesin francez Markiz Delin, i cili, në shekullin tetëmbëdhjetë kishte qëndruar në Gurzuf. Ai kishte shkruar se kishte qenë i mirëpritur nga shqiptarët, të cilët i kishin shpjeguar se aty kishin jetuar gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre. Udhërrëfyesi francez kishte thënë se ata shqiptarë kishin qenë myslimanë, por që me pamje kishin dalluar nga tartarët. Megjithëkëtë, siç i shpjegonte tartari, hallet i kishin të përbashkëta, prandaj edhe mirëkuptoheshin dhe kishin mbajtur miqësi mes vete, miqësi që kishte vazhduar pa ndërprerë.

I erdhi një psherëtimë Sherif Begut. E dëgjoi edhe tartari, i cili e shikoi dhe deshi ta pyeste se a kishte ndonjë brengë? Nuk e pyeti, derisa Sherifi vërtet kishte shumë brenga. Mendjen e kishte te vajza që e kishte lënë afër asaj dritareje, mendonte për bashkëshorten, bijtë në Stamboll, të cilët kaherë nuk i kishte parë, mandej edhe për ata shqiptarë të humbur diku në Siberi, për të cilët ndjehej fajtor. Brengën e kishte edhe për gjithë atë numër shqiptarësh të qytetit Gurzuf, tani të asimiluar, njësoj edhe për shqiptarë të tjerë të shpërndarë nëpër botë, për atë numër aq të madh të tyre të shtrënguar ta lëshonin Kosovën. Psherëtima e tij ishte shumë domethënëse, kurse tartari nuk ishte në gjendje ta kuptonte, sado që kishte parasysh insistimin e Sherifit që të shkurtonte vizitën, meqë nuk i mundësohej të shihej me shqiptarët, të cilët vetë i kishte yshtur të merrnin rrugën drejt Rusisë. Ai do të kthehej menjëherë, po qe se do të gjente mirëkuptim nga përcjellësi, i cili vazhdonte t’i thoshte se e kishte për detyrë ta realizonte programin e vizitës së tij. Por  ai program nuk ishte në përputhshje me dëshirën e tij, prandaj i tha shkurt: Po më vjen keq, por kam edhe unë do plane të mija, prandaj nga të gjitha pikat programore mund ta realizojmë vizitën qendrës shkollore, që thua se ekzistuaka për përgatitje të kuadrove që do të shërbenin në shtetet ballkanike dhe më gjerë. Refuzimi në mënyrë kategorike për shkurtimin e programit ndikoi që tartari të bisedonte  me shefin e tij Evgenije Saratllovin, nga i cili mori pëlqimin për shkurtimin e programit. Ai, domethënë Evgenije, i tha tartarit që ta pyeste nëse mysafiri kishte ndonjë dëshirë, pos asaj të takimit me shqiptarët e shpërngulur nga Kosova. Dëshirat e tij duhet të plotësohen.

Nga Shën Petersburgu e deri te qyteti Penza, që i thanë se në afërsi të atij qyteti gjendej shkolla, ishte rrugë e gjatë, që do të kalohej me tren. Këtë ia tha tartari Sherif Begut: rrugëtimi do të zgjat pesë ditë, një rrugëtim i lodhshëm. Do të niseshin të hënën, kurse arritja do të jetë të premten në orët e pasditës, po qe se gjatë rrugëtimit nuk do të ndodhte ndonjë e papritur, siç i tha. Sherif Begut i erdhi mirë, por shprehja “e papritur” e merakosi. Nuk i dinte rrethanat politike dhe shoqërore të atij shteti të madh dhe as që u besonte të papriturave, kur i kishte parasysh angazhimet e shërbimeve ruse në shtete të tjera, siç ishte angazhimi i dy misionarëve që i njihte fort mirë, të cilët qenë vendosur në shtëpinë e tij. Nëse ndodhnin të papriturat, mendonte me vete, më mirë do të ishte që shërbimet e ndryshme të tyre t’i përkushtoheshin rrethanave të shtetit të tyre, e jo të degdisin nëpër botë. Deshi ta pyeste tartarin se çfarë domethënie kishte shprehja ‘e papritura’ gjatë rrugëtimit me tren. Mendoi bukur gjatë dhe më në fund hoq dorë ta pyeste, nga shkaku se ai, tartari, mund ta keqkuptonte. Interesimin e tij mund ta merrte për provokim. Iu drejtua: Udhëtimi zgjatë pesë ditëve, pa i llogaritur netët? Tartari qeshi. Njëzetekatërorëshi llogaritet një ditë. E pra, meqë të intereson saktësia, i llogarisim pesë herë njëzetekatër dhe na del koha e shpenzuar në rrugëtim. Sipas kësaj llogarie del se njëqindenjëzet orë do të jemi në tren.

Arritën në stacionin e trenit. Për Sherif Begun ishte diçka e papërjetuar deri në atë moment, që nga objekti i stacionit, që ishte si qytet në vete, si nga pamja e jashtme po ashtu edhe nga brendia, me aq shumë hapësira në formë sallash, e ngarkuar me zhurmën e njerëzve të shumtë. I dukej sikur të ishte vendosur gjithë Vushtrria në atë stacion. Në atë shumësi njerëzish e ndjente veten të humbur, pa shpresë se do të kthehej ndonjëherë në qytetin e tij, pranë familjes. Tartarin tash e konsideronte për shpëtimtar. E shihte tek vraponte holeve të mëdha të stacionit për t’u informuar se prej cilit peron do të nisej treni ynë, në të cilin do të qëndronim njëqindenjëzet orë. Vraponin edhe të tjerët në kahe të ndryshme. Edhe kur treni i atij rrugëtimi të gjatë u nis nga stacioni i Shën Petersburgut në orën shtatë e pesëmbëdhjetë minuta, tollovia mbeti me njerëz në lëvizje, por edhe me të tjerë që i pa të ulur, ose edhe të shtrirë në dysheme skaj mureve. Për të shtrirët e merrte me mend se trenat u vonoheshin, por kishte prej tyre që edhe flinin. Kur e pyeti tartarin se a ishte ajo tollovi edhe ditëve të tjera, mori shpjegimin se ka prej tyre të cilët kurrë nuk udhëtojnë. Të tillët rrinë dhe flenë në stacion, sepse nuk kanë shtëpi. Këto pamje i hasi edhe në stacione të tjera kur treni ndalte shpejtësinë; edhe në Novogord, Moskë, Kolomna, Dedinovo, bile edhe në Penza ku, pas njëqind e njëzet orëve, zbritën.  Nga Penza vazhduan edhe më tutje rrugëtimin. Kësaj radhe me kuaj, me dy kuaj, që tartari i kishte siguruar, siç tha, nga Seksioni i Zyrës Misionare në Penza. Qendra shkollore që ishte planifikuar ta vizitonte Sherif Begu ishte në pjesën malore mes Penzes dhe Vozrozhdenit. Për të arritur atje u duhej të kalonin një rruge zigzage, e shtruar me gurë, anësh të cilës kishte drurë, trupa drurësh me degë të zgjeruara vende-vende edhe mbi rrugë, që zgjatej një lugaje. Aty ku ishte e mbuluar nga degët e shtrira, rruga përngjante në tunel, por jo si tuneli që ishte diku në thellësi të malit dhe që duhej të kapërcehej. Tuneli nuk ishte i gjatë, por ishte i errët dhe, sigurisht nga errësira, lente përshtypjen se ishte i gjatë. Në dalje të tunelit ishin dy veta, që ruanin, me uniformë të gjelbër, që i përshtatej natyrës, të cilët u kërkuan tatarit dhe Sherif Begut të zbrisnin  nga kuajt. Tartari, që e dinte fort mirë atë rrugë, dhe kontrollin që bëhej në atë pjesë të rrugës, në dalje të tunelit ia bëri me krye Sherifit për t’ia bërë me dije se ai kontroll ishte punë rutine. Për Sherifin ishte pak e çuditshme, sepse më e logjikshme do ishte sikur ai kontroll të bëhej në fillim të tunelit, sesa në fund.  “Çështje e sigurisë më të mirë!” shpjegoi tartari, kur Sherifi i tha shqip: “Pse këtu, e jo atje?”, bëri me gisht nga pjesa tjetër e tunelit. Më vonë kuptoi se edhe në atë pjesën tjetër kishte rojtarë, por ata ishin të padukshëm. Ata përcjellin situatën dhe, në rast se ndokush i paidentifikuar do të provonte të dilte dhe do të ishte i shtrënguar të kthehej dhunshëm, rojtarët e hyrjes në tunel do t’ia zinin rrugën dhe do t’i përdornin të gjitha mjetet e metodat për të mësuar për ndonjë diversion. Tuneli, pra, ishte një lloj enigme, por menjëherë pas daljes nga tuneli binte në sy një hapësirë e rrafshët, e rrethuar me male të larta dhe të dendura, e cila mund të shihej vetëm nga qielli.  Hapësira e rrethuar nga malet ishte e mbuluar me ndërtesa, dhjetë ndërtesa katërkatëshe, të renditura simetrikisht nga pesë ndërtesa përballë njëra tjetrës. Anësh ndërtesave kishte edhe fusha sporti; një ambient i llogaritur e planifikuar mirë për jetë studentësh. Në atë ambient Sherif Begu ndjehej i humbur, sepse fillimisht asgjë nuk kuptonte, pos që e dinte se ishte qendër shkollore, studimore;  qendër për përgatitjen e kuadrove, siç i kishte thënë tartari. Vërtet atë funksion e kishte, për përgatitjen e kuadrove nga ai numër aq i madh shkollarësh, që i pa në fushat sportive, përskaj ndërtesave e korridoreve dhe sallave të objekteve, ku mbaheshin ligjëratat. Aty ndenji dy ditë  e dy net të plota, i vendosur në një dhomë internati, ndaras nga tartari. Kjo i pëlqeu, sepse kishte dëshirë të ishte vetëm për të pushuar i qetë, pa pasur nevojë të fliste me kënd. Gjatë kohës që qëndroi  të qëndrimit në atë mes shkollarësh, pati mundësi të mësonte shumëçka, pos për numrin e saktë të shkollarëve. Këtë askush nuk ia tregoi, e as tartari, të cilin e pyeti kinse rastësisht. Tartari ia tërhoqi vërejtjen, i tha se nuk ishte e lejueshme të dinte për numrin e shkollarëve e as për angazhimin e tyre pas kryerjes së shkollimit. Me këtë shpjegim Sherif Begu u bind se ajo shkollë mund të ishte sekrete, ndërkaq habitej pse i ishte lejuar atij ta vizitonte këtë qendër. Tartari i tha se vizita e tij në këtë qendër bëhej në kuadër të programit misionar, si i besueshëm, meqë kishte pranuar obligimin bashkëpunues dhe se, siç i tha ai, besueshmëria ende do të verifikohej. Nëse me veprime konkrete do të bindte Qendrën Misionare me besueshmëri të plotë, do t’i mundësohej të dinte çdo gjë që binte në kompetencat e misionarëve. Shi për këtë Sherif Begu ia kishte vënë vetes detyrë të ishte indiferent, të mos pyeste askënd për asgjë. Në ndërkohë, gjatë ditës së dytë, tartari i tha se kishte mundësi të takohej me studentët që kishin mësuar shqip dhe përgatiteshin për angazhime në tokat ku flitej shqipja. Ishte një grup studentësh gjashtëdhjetepesë vetash, të cilët i kishin futur në një klasë. Para tyre u gjend Sherif Begu, tartari dhe një nga profesorët e tyre, që ligjëronte lëndën e gjuhës shqipe. Ata flisnin bukur shqip. Interesoheshin për gjendjen në terrenet shqiptare ku bëhej luftë. Sherfi Begu fillimisht mendonte se të gjithë ata ishin shqiptarë. Më vonë, duke biseduar, i dëgjoi emrat e tyre gjatë prezantimit. Të gjithë ishin rusë, ndërkaq përgatiteshin për hoxhallarë dhe shërbime të tjera civile dhe ushtarake. Mori vesh edhe për grupe të tjera studentësh, të cilët ishin konviktorë të asaj qendre shkollore. Sipas gjuhëve që i mësonin kuptoi se ata do të jenë në shërbim në shtete të ndryshme. Ishin grupe që mësonin arabisht, turqisht, greqisht, serbisht, gjermanisht, italisht, anglisht… Ishin edhe grupet që mësonin kinezisht, indisht.  Duke i dëgjuar tek flisnin, Sherif Begu mendjen e kishte te  Ruslan Nikollai dhe te Valentin Sergejeviçin e, besa, edhe te tartari. Mendonte se këta tre shkollimin mund ta kishin kryer pikërisht në këtë qendër shkollore ku, siç kuptoi, mësonin edhe femra. Në grupin e studentëve që mësonin shqipen, ishin edhe shtatë femra.

Ai mes, i çuditshëm për të, ia shtonte kureshtjen të kishte sa më shumë të dhëna, por a nuk i  kishte thënë tartari se nuk ishte mençuri të bënte shumë pyetje. Në mbrëmjen e natës së dytë të qëndrimit në atë qendër, Sherif Begu vendosi të ndërpriste programin, në bazë të të cilit duhej të vizitonte Moskën, pastaj prapë të kthehej në Shën Petersburg. E ftoi tartarin në dhomën e tij. E pyeti edhe njëherë se a ekzistonte ndonjë mundësi e takimit me shqiptarët që i kishte përcjellë nga Vushtrria drejt Rusisë. Tartari i tha: Jo, kurrsesi jo! E, pra, – e shprehu Sherifi vendimin e tij, – unë po kthehem. Për mua përfundoi programi i vizitës.

Nuk kishte arsye për kurrfarë bindjeje, meqë vendimi i Sherif Begut ishte i prerë. Këtë e kuptoi edhe tartari, që u zotua të fliste me Qendrën në Shën Petersburg, që të merrte mendimin e autoriteteve misionare. Për sigurimin e atij mendimi tartari tha se duhej kohë, prandaj e zgjati qëndrimin në atë mes shkollor edhe për një ditë e natë. Duke shprehur vendimin e tij për t’u kthyer, Sherif Begu e përmendi vajzën e sëmurë, mandej i përmendi edhe të bijtë  Bejtullahun dhe Selatinin, që i kishte në Stamboll. Bile, kur i përmendi të bijtë, nuk e fshehu interesimin që të kthehej përmes Stambollit, që të shfrytëzonte rastin të takohej me ata që nuk i kishte parë shumë gjatë. Tartari e kishte parasysh edhe këtë interesim të tij dhe, kur arriti të siguronte lidhjen me Qendrën Misionare në Shën Petersburg, ua shpjegoi të gjitha, bile edhe interesimin për kthim përmes Stambollit. Në orët e mëngjesit të së nesërmes i erdhi mesazhi nga Qendra. Mori pëlqimin që Sherif Begut t’i mundësohej kthimi përmes Stambollit.

Ditën e tretë të qëndrimit te ajo qendër shkollore, tartari me Sherif Begun kapërcyen të njëjtin tunel dhe vazhduan rrugëtimin drejt stacionit të trenit në Penza. Tartari i shikoi të gjitha lidhjet në drejtim të Turqisë. E gjeti një lidhje, e cila iu duk më e përshtatshme. Pasi u konsultua në drejtorinë e transporteve hekurudhore, mori shpjegimin se më së miri do të ishte sikur rrugëtimi i mysafirit të bëhej nga Penza deri në Tuapse, në atë qytet që ndodhej në bregun e Detit të Zi. Ata të drejtorisë të transporteve ia dhanë edhe orarin e anijeve që e lidhnin Tuapsen me qytetin Trabzon, gjithashtu në bregun e Detit të Zi nga ana e Turqisë. Prej Trabzonit mund të gjente lidhje qoftë me tren, apo edhe me anije, për të arritur në Stamboll.

Në ditën e tretë, pra, Sherif Begu në stacionin e trenit në Penza u përshëndet me tartarin. Zuri vend në një kupe dhe, me entuziazmin se do të takohej me të bijtë në Stamboll, vazhdoi rrugëtimin.

 

28.

Stambolli ishte tmerrues. Kur kishte qenë për herë të parë, para ndoshta njëzet vjetësh, në kohën kur ishte i ri, e shihte një realitet ndryshe. Kishte një ndjenjë tjetër, pa ngarkesa shpirtërore mbi të keqen, përbuzjet dhe mashtrimet, siç e ndjente veten të mashtruar. Mosha e atëhershme i diktonte shëtitje, dëfrim. Me dallim nga ajo kohë, tash pas njëzet vjetësh, kur zbriti nga anija në mol, sikur iu zu fryma nga era e peshqve që shpërndahej, bashkë me një tis mjegulle, e cila pengonte shikimin të shihej qyteti. Një grup peshkatarësh i kishin afruar barkat e tyre në breg, i nxirrnin peshqit dhe mbushnin me ta shportat e drunjta, ndërkaq afër tyre pritnin qerret me kuajt me të cilat do t’i nxirrnin në treg. Vëmendjen ia tërhoqën peshkatarët shkaku i erës së peshqve, që e kishte zët. Por ishte edhe mjegulla që ia lëndonte mendjen e mirë që e kishte për Stambollin, për rrugët e rrugicat e kalldrëmta, për dyqanet, kafenetë; për çirakët në dyer të dyqaneve që thërritnin e thërritnin, duke lavdëruar mallin. I bënin përshtypje shtëpitë prej drurit, prej dërrasave të ngjitura njëra mbi tjetrën; shtëpitë njëkatëshe, dykatëshe e besa edhe trekatëshe. Çuditej se si mbaheshin pa u prishur, ose pa u djegur. Në sytë e Sherifit këto shtëpi dukeshin të pasigurta. Nuk ia merrte mendja se do të mund të bënte ndonjë sy gjumi në shtëpi të tilla, nga frika se do të rrëzoheshin.

U largua nga bregu i detit, nga moli ku kishte zbritur, duke i lënë mbrapa peshkatarët dhe peshqit, edhe erën e peshqve, për t’u përballur me erëra tjera, të qofteve, mishit të pjekur e të vajit të djegur. Këto erëra i erdhën derisa, i hipur në një çeze, kalonte rrugës së kalldrëmtë drejt lagjes Arnavutkoy, ku ishin të vendosur dy bijtë e tij, në afërsi të Merkezi Cami, që konsiderohej si xhami shqiptare. Derisa ishte në çeze, i lodhur nga udhëtimi i gjatë e tash nga zhurma e troku i kalit, që tërhiqte çezen, nga rrapëllimat e patkonjve ndërsa preknin gurët e kalldrëmtës,  mendjen e kishte te ajo xhami, te Merkezi Cami, në drejtim të së cilës adresohej shtëpia ku i banonin të bijtë. Derisa e kishte mendjen te xhamia, iu kujtua imami në xhaminë “Sinan Pasha” në Prizren, për të cilin i kishin treguar se emrin e vërtetë e kishte pasur Kazimir Olenko, ndërkaq njëzet vjet kishte shërbyer me emrin Mulla Adnani dhe askush nuk e kishte ditur deri në verën e vitit 1912, kur në Prizren kishin arritur forcat serbe.

Duke ia treguar adresën arabaxhiut, emrin e xhamisë në Arnavutkoi, iu kujtua qendra shkollore afër Penzas, aty ku përgatiteshin edhe hoxhallarët për shërbim në rajone jashtë Rusisë. I lindi dyshimi se nga të përgatiturit për hoxhallarë në atë qendër, mund të ketë edhe ndonjë imam në xhamitë e Stambollit, apo edhe në qendra të tjera. Njësoj sikur në xhaminë e Prizrenit edhe në xhamitë e tjera të Kosovës mund të kenë shërbyer hoxhallarë rusë. Me vete u zotua që, posa të kthehej në Kosovë, të kontaktonte me hoxhallarë të xhamive të Kosovës për të kuptuar origjinën e tyre. U zotua gjithashtu që, sapo të kthehet, t’iu tregojë atyre njëqindedyzet shqiptarëve të rinj, të përgatitur të shkonin në Rusi, se puna e udhëtimit të tyre ishte mashtrim. Me vete u zotua se do t’i bëjë publike angazhimet misionare  ruse jashtë Rusisë. Me atë dyshim, të punëve misionare, e shikonte edhe emrin Markezi Cami, që e kishte të shënuar si adresë, përkatësisht e shikonte xhaminë që e kishte aty afër me të gjitha ato kupola dhe minaret. Në ecje, gjithnjë me shqetësimin që i shkaktonin rrapëllimat e  patkonjve të kalit mbi kalldrëme, të gjithë njerëzit që i shihte në atë rrugë, sidomos njerëzit e veshur mirë dhe me uniforma administratorësh, hoxhallarësh e ushtarakësh, i dukeshin të dyshimtë. Të gjithë i shihte si të dalë nga ajo qendër shkollore në Rusi, prandaj vendosi të takohej me ndonjë administrator të lartë shtetëror, para të cilit do të rrëfehej çfarë kishte parë në Rusi dhe për hoxhën e xhamisë “Sinan Pasha” të Prizrenit.

Për të arritur në lagjen Arnavutkoy, arabaxhiu u largua nga rruga e kalldrëmtë dhe vazhdoi një rruge të pashtruar, rrugë me pluhur, që shkonte përmes malit. Arabaxhiu shpjegoi se duhej kaluar ajo pjesë kodrinore, prej nga shihej detit; një pamje e jashtëzakonshme që dukej fort mirë, meqë ajo shtresë mjegulle, që u vërejt në mol, tashmë ishte shkrirë. Ishte krijuar mundësia të shihej ajo pamje në gjerësi dhe gjatësi. Jo vetëm që e shihte detin, por ai nga ajo rrafshnaltë shihte edhe lagje të tëra të shtrira bregut të detit. Shihte edhe aq shumë minare, duke dyshuar se mund të kishte xhematë të mjaftueshëm për të gjitha xhamitë. Duke lënë pas shpine rrafshnaltën, një teposhtëze e lehtë çonte nga një hapësirë e gjerë, pa drunj të lartë, veç me kaçuba të rralla aty-këtu. Ajo hapësirë ishte e mbushur me qerre të mbuluara, me lloje shatorësh të vjetër, të dalë nga përdorimi nga ushtria. Mes atyre qerreve dhe shatorëve kishte edhe dele, lopë, kuaj… Një pamje rrëqethëse e njerëzve të mbetur rrugëve. Se ishin pa rrugëdalje u pa kur aty afër arriti çezja me arabaxhiun dhe Sherif Begun, i cili i tha arabaxhiut të ndalej. Zbriti aty dhe ndjeu të flitej shqip. Pasi mori njoftimet prej njeriut të parë që e takoi në atë kamp, kuptoi se gjithë ajo masë njerëzish të të gjitha moshave, kishin ardhur nga Kosova dhe pritnin nga shteti turk t’i sistemonte, të fitonin të drejtën e vendosjes. Ata e kishin të siguruar nënshtetësinë turke, pasi e kishin paguar nga shitja e tokave të tyre në Kosovë, të atyre që kishin mundur t’i shitnin. Por atë nënshtetësi turke e kishin shpërblim nga shteti i Serbisë, i cili propagandonte kushte të mira jete në tokat e Turqisë. Kishte tre muaj që kishin arritur aty, ndërsa askush nuk iu thoshte se sa do të rrinin nën qiellin e hapur. Një numër i madh i tyre, që kishin arritur muajve të mëhershëm, ishin përcjellë drejt Anadollit. Shteti turk u kishte dhënë toka dhe mundësi kredituese për të ngritur shtëpitë në katunde shumë larg qyteteve. Por numri i refugjatëve ishte aq i madh, një numër i paparaparë, sa që ishte e pamundur të sistemoheshin të gjithë menjëherë. Shumë prej refugjatëve, duke mos pritur zgjidhjen, kishin vazhduar  drejt Jugut, kishin arritur edhe në Adana, por edhe në shtetin e Sirisë, në Halep e Damask. Nga kjo pamje dhe nga shpjegimet që ia thanë refugjatët, që përshkruan torturat derisa kishin arritur në atë vend, Sherif Aga u shqetësua keq. I dolën lotët, që i fshiu me mëngë të dorës. Arabaxhiu, një turk aziatik, u habit kur ia pa lotët Sherif Begut. I tha të vazhdonin rrugën. Sherif Begu pranoi, duke i kërkuar falje për vonesën. Vazhduan. Arritën te Markezi Cami dhe hynë në rrugicën nga ana e djathtë përskaj xhamisë. Ecën edhe pak dhe, arabaxhiu zbriti nga çezja duke e mbajtur letrën me adresë në dorë. U ndal para një shtëpie pa oborr, me dalje në rrugë. – Ja, kjo është shtëpia që e kërkoje, – i tha Sherifit, i cili e pagoi dhe u përshëndet me të.

Për fat te dy djemtë i gjeti në shtëpi. Të përmallur dy djemtë i rrinin varë në përqafim, kurse Sherif Begu nuk mund t’i frenonte lotët, pa e ditur bijtë e tij se a ishin lot gëzimi apo hidhërimi. Ndërkaq shkaktarët për lotët i kishte në brendinë e tij, në brendinë shpirtërore të mbushur me dhembje. Gjatë kohës së udhëtimit kishte kuptuar realitetin e hidhur, ku edhe vetën e shihte një ndër arkitektët e atij realiteti të ngufatur nga dhuna, vrasjet, mashtrimet.

Derisa merrej me kujtesën e takimit me misionarët rus Valentin Sergejeviçin në fillim e më pastaj edhe me Ruslan Nikollain si dhe te bashkëpunimi me ata, pastaj kur e mendonte tretjen  e pagjurmë të njëqind e shtatëdhjetë vetave, të djemve të rinj të Kosovës, i vinte të bërtiste. Ata të humbur  të cilët kushedi se ku kishin mbetur në Rusi, i krahasonte me dy bijtë e tij, që i mbante në përqafim. Djemtë Bejtullahu dhe Selatini u çmallën, por u mërziten shumë kur morën vesh për motrën, për të fejuarin e vrarë të saj. Për pak çaste ndenjën kokulur, në heshtje, pastaj Bejtullahu iu drejtua babait:

– Më nuk mund të durohet kështu, baba. Ne  edhe pesë muaj i përfundojmë mësimet; bëhemi ushtarak me grada.

–Jam krenar që ju kam, bij të mi! – tha Sherif Begu, si me belbëzim.

– Por ne do të kthehemi në Kosovë, baba, – ndërhyri Selatini. – Nuk mund të shërbejmë në ushtrinë turke, derisa atje ndodh ashtu siç po ndodhin vrasjet, ndjekjet, ikjet e popullatës. E ke parë qendrën e refugjatëve që kanë ardhur nga Kosova? Me mija veta janë aty dhe nuk dinë asgjë për fatin e tyre. Janë bërë si lecka në mëshirën e erërave, që i bartin dhe i hedhin ndokund. Këso farë qendrash refugjatësh të pashpresë ka në shumë vende rreth Stambollit. Për çdo ditë arrijnë, me anije nga Selaniku, por edhe në këmbë, me qerre me kuaj e qe.

Sherif Begu i dëgjonte të bijtë ndërsa flisnin, krenar me mendimet e tyre prej burrash. Nuk ishin më të vegjël, siç i kishte menduar. Ata ishin burrëruar jo vetëm me shtat, por edhe me mendje. Qëndrimi i të bijve edhe më shumë i jepte forcë kurajë për të zhbërë atë që kishte bërë, duke iu bindur misionarëve rusë se do t’u ndihmonte në avancimin e qëllimeve të tyre që kishin të bënin me sigurimin e hapësirave për ortodoksët dhe zvogëlimin e mundësive të shqiptarëve për jetesë në tokat e tyre, duke e vënë në jetë qëllimin final: konvertimin në ortodoksë, ose shpërnguljen nga trojet e tyre për t’iu lëshuar vend kolonëve, sipas programeve të projektuara nga kokat akademike sllave. Sherifit në Shën Petersburg, në qendrën e misionarëve, gjatë bisedave me një nga eprorët e asaj qendre që ishte caktuar të fliste  me të, njëfarë Evgenije Saratllov, ia kishte dhënë edhe një lloj libreze me të cilën dëshmohej se punonte për interesat e Qendrës. Kjo librezë ishte për mbrojtjen e tij nga sulmet e rastësishme të serbëve. Ishte dëshmi që të kishte të drejtën e jetës në vendlindjen e tij, në Vushtrri, dhe të mbrojtjes të pasurive. Mendimet e bijve, të shprehura gjatë atij takimi, i ndihmonin ta zhvesh lëkurën e bashkëpunëtorit, që e kishte përqafuar  pa i menduar mirë pasojat e atij bashkëpunimi.  “Librezën do ta mbaj, mendoi, se më duhet për jetë të lirë, kurse angazhimin do ta kam tjetër.”

U tha të bijve se ishte i interesuar të takonte ndonjë autoritet turk, ndonjë pushtetar, për një bisedë. Ata ia sugjeruan një oficer të lartë,  që kishte lidhje me pushtetarët civilë, por që ishte edhe profesor i tyre, Irfan Doglu. Sherif Begut i pëlqeu ky propozim dhe kërkoi nga ata që, pas dy ditësh, pasi të ketë pushuar mirë nga ai udhëtim i largët, t’i organizohej takimi me të. Bejtullahu dhe Selatini që të dy shkuan te profesori, te ai oficer i lartë dhe i treguan për babën e tyre dhe i thanë se ai vinte nga Rusia. Oficeri i lartë,  Irfan Doglu, e kishte caktuar takimin në Aksaray, pikërisht te parku i Murat Pashës, për një bisedë të lirshme. Takimi ndodhi te ai park, prej ku  ishin ulur në një karrige parku, dukej xhamia që mbante të njëjtin emër, emrin e Murat Pashës. Caktimi i atij vendi nga oficeri ishte bërë ngase aty kishte qetësi, ndërsa në kafen aty afër nuk do të mund të bisedonin nga zhurma, kurse çaji do t’u vinte edhe aty ku ishin ulur. Për habinë e Sherifit edhe kafeneja e mbante emrin e Murat Pashës, por ishte vështirë të kuptohej se kush ishte trashëgimtar i parë i këtij emri: xhamia, parku apo kafeneja. Këtë pyetje ia bëri oficerit Irfan Doglu, i cili qeshi, duke e kuptuar qëllimin e burrit që kishte kërkuar takim me të. U mor vesh se vjetërsia e xhamisë, që kishte moshë disa shekujsh, e kishte bërë emrin e Murat Pashës për vete, pastaj parku dhe në fund edhe kafeneja e pëlqyen këtë emër të jetë identifikues. Irfan Doglu foli për xhamitë që mbajnë emra sulltanësh, vezirësh dhe autoritetesh tjera historike.

-Sigurisht se edhe te ju në Kosovë xhamitë i kanë emrat e tyre, – i tha oficeri Sherif Begut.

-Po, të gjitha xhamitë kanë emra të ndonjë autoriteti të kohës, apo të ndonjërit që ka mundur të investojë ndërtimin. Unë, – vazhdoi Sherif Begu, – u besoj atyre që i kanë ngritur, dhe atyre të tjerëve emrat e të cilëve i mbajnë xhamitë, por kam humbur besimin te ata që sot qëndrojnë në krye të xhamive, imamëve.

Oficeri u bë, siç i thonë një fjale, sy e veshë. Nuk e kuptonte çfarë thoshte mysafiri, i cili kishte bërë atë rrugëtim në Rusi. E shikonte dhe e dëgjonte me vëmendje, me bindje se ky njeri mund të ishte kundër fesë.

-Feja nuk është e detyrueshme. Ajo i përket atij që është i bindur se feja paraqet orientimin nga Allahu, të cilit i falemi dhe kërkojmë mëshirimin. – Ia ktheu me seriozitet, duke mbajtur kokën dhe shikimin nga ai e duke pritur përgjigje, apo shpjegim të mëtutjeshëm të asaj çfarë do të thoshte.

-Nuk desha të them se kam humbur besimin ndaj fesë, por ndaj imamëve. T’ju them se unë jam nga Kosova. Në një xhami të atjeshme, më saktë në njërën nga xhamitë e Prizrenit, më kanë thënë se aty e paska kryer detyrën e imamit një rus, me emër e mbiemër rus, Kazimir Olenko. Ai qenka fshehur pas emrit Mulla Adnani. Njëzet vjet rresht kishte shërbyer në atë xhami, kishte predikuar ashtu siç ka dashur vetë, dhe ishte larguar në ditën kur në Prizren kishin arritur forcat pushtuese serbe. Kishte dalë para xhematit dhe kishte thënë: – Unë deri këtu e kisha, mbetshi mirë!

Oficeri Irfan Dogllu u mërrol. Nga ajo gjendje siç ishte me humor të mirë, u shndërrua në një njeri të egër, i gatshëm të ndërmerrte ndonjë sulm si ushtarak i mirë.

-Nuk po kuptoj, – tha me një ton kërcënues.

-I nderuar, – vazhdoi Sherif Begu, – është vështirë të kuptoni pa qenë nën lëkurën time, pa pasur përvojën time, atë të rrugëtimit në Rusi.

-Thuaje më kuptueshëm, të lutem! – ndërhyri Irfan Dogllu.

– Kam kuptuar se në vendet e krizës, në Ballkan, kryejnë punën e tyre misionarë të ardhur nga Rusia, me programe të caktuara, që kanë për bazë gjenocidin ndaj myslimanëve të mbetur atje, pas largimit të ushtrive osmane. Ti e di se në Ballkan populli shqiptar mysliman përbën shumicën e banorëve të atjeshëm, por atyre u kanoset rreziku i shkrirjes, i largimit të përgjithshëm, sepse mbi ta bëhet gjenocid nga serbët, të ndihmuar edhe nga popujt e tjerë ortodoksë. Rezultat i atij gjenocidi janë edhe refugjatët që kërkojnë shpëtimin këtu në Turqi. Këtë e shihni edhe vetë, qendrat me refugjatë vazhdojnë të zgjerohen. Por unë fjalën e kisha te imamët, dhe jo vetëm te ata. Më është mbushur mendja se imamët e shumicës së xhamive në Ballkan janë rusë e që doktrinën e myslimanizmit e ligjërojnë sipas interesave të tyre. Kujtoj se edhe këtu në Turqi mund të ketë imamë me përkatësi ruse, madje edhe administratorë të ndryshëm, e pse jo edhe ushtarakë, eprorë ushtarakësh…

-Çfarë janë këto fjalë, ore njeri? A di ti se çfarë po thua?

-Jam i vetëdijshëm për ç’them, janë edhe dëshmitë, siç e përmenda rastin në Prizren. Unë pata rastin të vizitoj një qendër shkollore të madhe në Rusi, ku ekskluzivisht përgatiteshin kuadro për shërbime në shtete tjera, kuadro fetarë, administratorësh , por edhe ushtarakësh. Ndjekësit e mësimeve ishin rusë, por ata fillimisht po i mësonin gjuhët e huaja, arabisht, turqisht, greqisht, anglisht, shqip, frëngjisht, por edhe kinezisht. E kisha përcjellësin, i cili për nga përkatësia ishte tartar, por ai fliste shkëlqyeshëm gjuhën shqipe, që e kishte mësuar pikërisht në atë qendër arsimore. Pas diplomimit të tyre, nga ajo qendër marrin detyrat në shtete të caktuara, sigurisht në mënyrë konspirative. Unë do të kthehem në Kosovë dhe do t’i vizitoj të gjitha xhamitë. Unë nuk kam ndonjë forcë shtetërore për t’i marrë në pyetje, sepse atje, e dini ju fort mirë, janë pushtuesit, serbët. Do të provoj të mësoj se a janë të bërë synet. Kam përshtypje se as synet nuk janë të bërë.

-Kësaj i thonë diversion, – tha me nervozizëm oficeri Irfan Dogllu.

-Unë nuk di se si i thonë, por tash po dyshoj në çdo njeri. Kam përshtypjen se përveç atyre që kanë mundur të infiltrohen drejtpërdrejt në punët fetare, shtetërore dhe ushtarake të një shteti apo tjetri, edhe shumë misionarë vazhdojnë të jenë të pranishëm në meset ku planifikojnë ta kenë ndikimin për interesa të tyre.

-Nëse ka të vërteta nga kjo që thoni, ju mund të konsideroheni shpëtimtar të kombeve, zotëri. Kjo është një çështje për të cilën nuk mund të debatohet në park, por në zyrat e atyre me përgjegjësi të larta të vendit.

-Ajo ju mbetët juve ta thoni dhe të kërkoni që shteti të mbroj identitetin nacional, fetar, shoqëror e ushtarak. Unë vetëm këtë e kisha t’ia thosha ndonjë të besuari. Meqë bijtë e mi ju zgjodhën juve, ju mund të vazhdoni, kurse unë do të kthehem në Kosovë, atje e kam gruan dhe vajzën e lënduar keq, shkaku i serbëve vrastarë, të cilët ia vranë të fejuarin. Si familje jemi ndarë në dy pjesë, djemtë me një anë, këtu në shkollën ushtarake, dhe unë gruaja dhe bija jonë në anën tjetër, domethënë në Kosovë, ku përpiqemi ta ruajmë identitetin e bashkë me identitetin dhe pronat që i kemi, duke pritur ditë më të mira. Kaq kisha, i nderuari oficer Irfan Dogllu.

P ë r f u n d i m

Irfan Dogllu kishte raportuar atje ku duhej të raportohej dhe ishin formuar komisionet kontrolluese dhe ekzekutuese të vendimeve, që kishin të bënin me identifikimin e njerëzve të huaj , më saktë – rusë, të infiltruar në shërbime të ndryshme shtetërore e civile. Metoda kontrolluese, ajo e para, ishte sipas mendimit të Sherif Begut, verifikimi i synetit. Por ishin edhe metoda tjera, të cilat u vunë në zbatim dhe, për një kohë jo shumë të gjatë, u zbuluan shumë hoxhallarë, punëtorë të shërbimeve publike dhe shtetërore, si edhe ushtarakë, edhe atë ushtarakë me grada të larta, që ishin rusë. U kërkua Sherif Begu, të cilit i sigurohej një post i lartë në hierarkinë shtetërore turke, por atij i kishte ndodhur e papritura.

Pasi ishte ndarë prej të bijve, të cilët vazhdonin shkollimin në Stamboll, kishte arritur në shtëpi, në Vushtrri. Vajza nuk ishte në atë gjendje, siç e kishte lënë. Nuk e gjeti te ajo dritare duke shikuar tej xhamave drejt përtej dyerve të oborrit. E gjeti para derës me krahë të hapur; ajo kishte ardhur në vete, ishte liruar nga makthi i traumave. U gëzua aq shumë dhe, në përqafim me babanë u fut në shtëpi, në dhomën ku ishte nëna e saj, bashkëshortja e Sherifit. Bënë një ndejë të hareshme mbrëmjeje, derisa Sherif Begu u tregonte për udhëtimin, për takimin me të bijtë në Stamboll. U tregoi për mashtrimet që i ishin bërë nga ata që i kishte pritur si mysafirë në shtëpi, në odën e tij; u tregoi për Valetin Sergejeviçin dhe Ruslan Nikollain, të cilët në Rusi ishin larguar prej tij, me gjasë me dyshim se e kishte kuptuar mashtrimin. Gjatë rrugëtimit në Rusi e kishte përshtypjen se përcjellësi, që fliste shqip, ai tartari, shumë shpesh ndahej prej tij dhe bisedonte me ndokënd. Iu tha se kishte përshtypjen se rusët e kishin kuptuar pendimin e tij si bashkëpunëtor, madje edhe kur ia kishin dhënë librezën dëshmuese për bashkëpunim, kishin shprehur rezervë dhe ia kishin bërë me dije se çdo tradhti ndëshkohej. Për ata tradhti ishte nëse do të kuptohej mashtrimi. Ma merr mendja se ata e kishin kuptuar mashtrimin, – tha Sherifi. – Bile kam përshtypjen se edhe në Turqi më kanë përcjellë.

Sherif Begu kishte filluar të frikësohej, sepse bërja publike të punëve misionare të rusëve, ishte me rrezik të madh. Në një mënyrë e kishte bërë publike në Turqi, derisa i kishte treguar oficerit Irfan Dogllu në Aksaraj te parku i Murat Pashës. Por për këtë nuk dëshironte të fliste përpara vajzës dhe të shoqes.

Deri në gjysmë të natës ndenjën duke biseduar të lumtur, ndërkaq në orët e hershme të mëngjesit, kur ishin në gjumë të thellë, shtëpinë e tyre e kaploi një zjarr i përnjëhershëm dhe, për pak kohë, çdo gjë u shndërrua në tym e flakë. Të parët që arritën te shtëpia e djegur ishin xhandarët dhe ushtarët serbë. Aty ishin edhe Valetin Sergejeviçi dhe Ruslan Nikollai. Ky i fundit i tha Valentin Sergejeviçit:

– Më duhet të largohem. Raportin për gjendjen në Kosovë ende nuk e kam përfunduar.

 

Post Scriptum: Ndalohet rreptësisht riprodhimi la lejen e autorit.

Please follow and like us: