Albspirit

Media/News/Publishing

IBRAHIM KADRIU: MISIONI RUS (5)

12.

Rruga çonte përpjetes, mes lisave, drunjve të bungut me degët e zgjeruara mbi rrugën  e dëmtuar nga rrjedha e ujit pas shirave të mëdha. Nëpër atë rrugë, duke u ikur përroskave, Sebastiani tërhiqte kapistrën e kalit mbi të cilin Emine Brajari mbante qëndrimin kryelartë. Vazhdonin rrugën drejt Gurorit, Sebastiani  krejtësisht i humbur, mbase edhe i shqetësuar së pari nga vrazhdësia e ushtarëve dhe xhandarëve serbë, prej të cilëve priste vrasjen e sigurt, dhe nga inati me veten që nuk dinte se kënd e përcillte, çerkezën Emine Brajarin, apo rusen Tatjana Vollovnen. Dy personalitete në një figurë femre. Ec e merre vesh cila ishte realja, apo, siç mendonte me vete Sebebastiani, mund të ishte ndonjë e tretë. Duke menduar për identitetin e kësaj femre, të cilën tash rrallë e më rrallë e shikonte në fytyrë, i vete mendja edhe te ai mashkull, të cilin e kërkonte kjo femër, te Ruslan Nikollai, me emrin shtesë  Zef Kristi. Marrëveshjen që e kishte bërë në Prizren për përcjellje, e quante fatkeqësi. Me vete e mallkonte atë rast. Në atë gjendje, krejtësisht i humbur, i pëlqente të kthehej duke e lënë në rrugë femrën, me propozim që të gjente ndonjë përcjellës tjetër. I kishte humbur vullneti edhe për paratë, që do t’i merrte si shpërblim, derisa ajo, por edhe ai, për të cilin e kishin marrë këtë rrugë të rrezikshëm, ishin plot mistere.  Ndoshta nuk ishin të tillë, por Sebastiani i konsideronte të mistershëm, mbase edhe të rrezikshëm derisa fshihen me emra të tjerë. Mandej i dukej kërkesa e saj, që të shkonin në Guror, krejtësisht e çuditshme.

Gurori nuk ishte ndonjë vendbanim interesant, as kishte shumë shtëpi e banorë; ishte një vend i zakonshëm i varfanjakëve, të cilët mezi e siguronin bukën. Sebastiani nuk e dinte se pikërisht në Guror ishte ai farë burri me disa emra, Ruslan e Zef, se aty e kishte strehën më të mirë. Aty mund të rrinte me vite pa u hetuar si i huaj. Aty i kishte gjetur njerëzit që i ndihmonin të lëvizte në çdo drejtim që i duhej. Nuk e dinte gjithashtu se Ruslan Nikollai mbante lidhje të  vazhdueshme me eprorët ushtarakë serbë, që kishin shtrirë autoritetin e tyre në shumë mjedise të veriut të Shqipërisë, madje edhe në Krujë, Durrës, Elbasan… Nga gjitha këto dyshime, që ia turbullonin mendjen dhe ia humbnin vullnetin të kryente detyrën e përcjellësit, ndjente edhe lodhje. Por, megjithëkëtë, vazhdonte ecjen, duke iu drejtua herë-herë kalit me “Ec Balo, ec..!”

Mbylljen e tij në vete e kishte hetuar Emine Brajari, apo Tatjana Vollovna. Fillimisht mendonte se ajo tërheqje e Sebastianit ishte nga shkaku se i qe rrezikuar jeta, se ushtarët dhe xhandarët serbë, me veprimet dhe piskamat e tyre, ia kishin futur frikën në palcë. Në një mënyrë edhe e arsyetonte heshtjen e tij, sado që në raste i kujtohej se para ushtarëve dhe xhandarëve serbë ajo, në një mënyrë, e kishte zbuluar veten, duke u shpjeguar atyre se ishte ruse, se kishte ardhur me detyrë të posaçme të takohej me rusin Ruslan Nikollaj. Për këtë arsye ajo e shihte të nevojshme të fliste me Sebastianin. E thirri:

-Çfarë po ndodh me ty? Pse nuk flet? Të erdhi keq që të shpëtova nga vdekja e sigurt? – e pyeti.

Sebastiani e ktheu kokën. E shikoi seriozisht. Prapë vazhdoi pa folur.

Ajo në vete i përsëriti shpjegimet që ua kishte thënë ushtarëve dhe xhandarëve serbë, shpjegimet në bazë të të cilave ata ishin bërë të mëshirshëm ndaj saj, por jo edhe ndaj Sebastianit. Mirëpo, ato shpjegime e kishin definuar portretin e saj real, kurse Sebastianie shihte veten të tradhtuar, të gënjyer…

-Unë para atyre nuk kisha rrugëdalje tjetër, prandaj i gënjeva se isha ruse, se e kërkoja rusin, bashkëshortin tim. Serbët janë të ndjeshëm ndaj rusëve. E shfrytëzova atë ndjeshmëri të tyre dhe, a u binde? Menjëherë u dorëzuan dhe më liruan mua. Unë nuk do të largohesha pa të liruar edhe ty. Isha e bindur se do të lironin, por… erdhën shqiptarët me maska. U gëzova kur erdhën… Fol, pse e ke mbyllur gojën?

– Më fal, – tha ai, pa e shikuar. – Jam shqetësuar së tepërmi.

-Por tash je i lirë?

-Jo, jo! Jam i ngarkuar me detyrën e përcjellësit. Nuk mund ta quaj veten të lirë  derisa jemi në kërkim të bashkëshortit të juaj.

E tha këtë mendim sa për ta ndërprerë bisedën, ndërkaq po të ishte në situatë tjetër do ta pyeste hapur se cila ishte ajo. Duke qenë në pamundësi të njohjes së saj, kishte edhe frikë nga ajo. Ndryshe, do të kthehej; do ta linte në rrugë. I ngarkuar me dilema, nuk mund të merrte vendim të prerë. Ecte kokulur para kalit, duke mbajtur kërpeshin të cilin herë-herë e tërhiqte me atë shprehjen e vazhdueshme “Ec Balo, ec…!”

Në breg hasen shtëpitë e para të Gurorit, në largësi njëra prej tjetrës.

Ato ishin tri shtëpi, të rrethuar me gardhiqe dhe me dyer trinash. Përveç këtyre tri shtëpive, ishin edhe të tjerat të shpërndara, gjithashtu në largësi njëra me tjetrën. Rruga që shkonte përmes, ishte e zbrazur. Nuk dukej njeri, por dëgjoheshin të lehura qensh. Sebastiani e ndali kalin dhe e shikoi Emine Brajarin, sikur priste urdhrin e saj që të vazhdonin, apo të kërkonin ndonjë njeri që do t’i udhëzonte.

Emine Brajari e dinte se Ruslan Nikollai në atë mes njihej si Zef Kristi. I tha Sebastianit te shkonte te ndonjë shtëpi dhe të pyeste për Zefin.

Ajo ishte e bindure se Ruslan Nikollai rrinte pikërisht në atë katund, prej nga e kishte marrë mesazhin e fundit, përmes postës ushtarake. me të cilën merreshin korrierët. Herën e fundit e kishte marrë letrën në të cilën i shkruante se ku gjendej dhe çfarë kishte arritur me angazhimin e tij në kuadër të misionit. Me muaj të tërë kishte shëtitur prej një vendi në tjetër, duke krijuar një rreth bashkëpunëtorësh, një pjesë e të cilëve ishin rekrutuar me obligimet që i kishin pranuar. Të tillët mezi prisnin të shkonin në Rusi, në kurset e posaçme, siç iu thoshte Ruslan Nikollai, ku do të paguheshin mirë. Në letër i shkruante gjithashtu se, në ambiente myslimane paraqitej me emrin Faruk Myftia, ndërkaq i kishte shkruar edhe për profesorin, i cili në Moskë ua mësonte gjuhën shqipe, për Edmond Sarollin, të cilin e çmonte për bashkëpunëtor të shkëlqyeshëm. Kishte shkruar edhe për katër klerikë myslimanë, hoxhallarë, që kishin ardhur nga Rusia, por që ishin integruar për mrekulli brenda komunitetit mysliman shqiptar, pa u zbuluar se ishin rusë. Me atë letër e thërriste Tatjana Vollovnën t’i ndihmonte për t’i bindur femrat shqiptare që, edhe ato, të përcilleshin drejt Rusisë.

-Mirë, – i tha Sebastiani Emine Brajarit, duke ia lëshuar në dorë kapistrën e kalit. – Ti rri këtu. Unë do të shkoj prej dere në derë, do t’i pyes, ndoshta kanë dëgjuar për Zef Kristin, siç e quan ti.

E tha këtë mendim, meqë iu kujtuan fjalët e saj para xhandarëve dhe ushtarëve serbë, kur fliste për njeriun e quajtur Ruslan Nikollaj, për rusin.

-Dëgjo Sebastian, ti nuk ke dëgjuar asgjë çfarë kam folur me xhandarët dhe ushtarët serbë. Të thashë, pyet a e njohin Zefin, nëse e dinë ku është. Po të them edhe njëherë, ti asgjë nuk ke dëgjuar, as je i interesuar të dëgjosh, more vesh? – tha ajo si me kërcënim.

-E di, e di!

-E, pra?! Çka të intereson ty se si e quaj unë ndokënd?

-Jo, jo, asgjë nuk më intereson, pos obligimit tim të përcjellësit. Asgjë tjetër, sepse asgjë nuk po kuptoj, madje as jam i interesuar të kuptoj.

-Pikërisht ashtu të dëshiroj, përndryshe hija jote do të më mundojë dhe do ta vlerësoj si të tepërt. Kuptove?

-Po, e nderuara çerkeze Emine Brajari.

-E, pra, të tillë të dëshiroj, ec tash, po të pres këtu.

Edhe pse rruga nëpër katund ishte e zbrazur, meqë njerëzit më me ëndje rrinin nëpër shtëpia, nga të lehurat e qenve merrej vesh se katundi Guror kishte njerëz. Për habinë e tij Gurori ishte ruajtur, nuk ishte shkatërruar nga serbët. Nuk kishte pasur dëme, ndonëse edhe nëpër atë katund kishin kaluar kolona ushtarësh serbë, me qerret e tyre të ngarkuara me armë e ushqime.

U ndal te dyert e shtëpisë së parë, do dyer dy krahësh prej thuprave, që ishin të lidhur për gardhin rrethues të oborrit. Gardhi ishte i mbuluar me therra dhe ishte i forcuar edhe me shtylla anësh. Përmes hapësirave mes thuprave shihej oborri me dy mullarë sane. Tutje ishte vatha, që lidhej me një shtrungë, ndërsa në anën tjetër të oborrit një kosh i mbushur me misër. Tutje koshit një hambar, para të cilit ishte një qenë i lidhur. Sapo deshi të thërriste, nuk pat nevojë. E lehura e qenit nxori në derë të shtëpisë një mashkull me moshë mesatare, i veshur me rroba zhguni, kurse kokën e kishte të lidhur me shami. Në shikim të parë u duk si ata të maskuarit, me të cilët ishte ndeshur më herët, kur ishte rrezikuar nga ushtarët dhe xhandarët serbë.

-Kush është! – ngriti zërin ai, derisa shikonte nga dera dhe e shihte të huajin.

-Jam një udhëtar, desha të të pyes diçka nëse mund të më ndihmosh.

Mashkulli me shami të lidhur në kokë u nis drejt dyerve, pasi i bërtiti qenit që vazhdonte lehjen: “Mjaft më, mej tash!

E tërhoqi njërin krah të dyerve prej thuprave, ia zgjati dorën Sebastianit:

-Urdhëro, o mik! Hyni brenda! – e luti.

-Faleminderit! Veç desha të të pyes?

Njeriu me shami të lidhur në kokë shikoi më tutje. E pa kalin e mbi të femrën.

-Nuk qenke vetëm?

-Jo. Jam përcjellës i asaj fisnikeje që po e sheh. Është gruaja e njërit, i cili është i strehuar në ndonjë shtëpi të këtij katundit. Desha të pyes, a dini për ndonjë mysafir të strehuar në këtë katundin?

-Për Zef Kristin e keni fjalën?

-Pikërisht.

-Të gjithë e njohim. Ai është mbrojtësi ynë. Ai na ka shpëtuar, sepse kishte miqësi me ushtarët dhe xhandarët serbë. Sikur të mos ishte ai, edhe katundi ynë do të digjej.

-Bukur shumë. Ku rri ai?

-E di se shëtit shumë, por ndejën, sa herë kthehet në Guror, e ka te shtëpia e Ndout, e sheh atje? – bëri me dorë nga bregu ku ishin dy shtëpi, njëra pas tjetrës, gjithashtu të rrethuara me gjerdhe.

-Faleminderit! – i tha.

-Me nder qofsh, o mik, por po më lë si keq. Keni ardhur te shtëpia ime dhe nuk hyni për një kafe, apo për një tas ujë?

-Ardhshim për të mirë tjetër herë, se tash jemi shumë për ngut!

Ia zgjati dorën. U përshëndetën dhe, me hapa të shpejtë, u kthye t’i tregonte Emine Brajarit. Ajo e dëgjoi bisedën e tyre, mandej e mori vesh edhe për shtëpinë, derisa ia shihte dorën, përkatësisht gishtin e njeriut me shami të lidhur në kokë të shtrirë në atë drejtim. U nisën andej. Emine Brajari ishte e sigurt se në atë shtëpi do ta gjenin Nikollain.

 

13.

Ruslan Nikollai tashmë kishte një kohë të gjatë që po qëndronte  në tokën shqiptare, ku kishte siguruar bashkëpunëtorë në veprimtarinë e tij konspirative. Asnjëherë nuk kishte lënë përshtypjen e njeriut me mision të dyshimtë r dhe me përkatësi ruse. Emrin Zef Kristi e kishte për përdorim lokal. Ai njerëzve u kishte thënë se kishte lindur në Karadak dhe se, për të siguruar jetën, i ishte dashur të shëtiste dhe të punonte në vende të ndryshme. Kishte arritur admirimin nga vendorët, të cilët ndaj tij shprehnin besim të madh, edhe i ndihmonin sa herë që e kërkonte ndihmën.  Zef Kristit ia çelnin derën, i bënin konak, e nderonin si mik që ua donte të mirën, dhe e dëgjonin kur ai fliste, kur ua përmendte dhembjet, ndërsa ata që e dëgjonin ishin tejet të ndjeshëm. Zef Kristi u fliste për historinë, për interesat kombëtare dhe për mënyrën se si duhej të vepronin që ta ruanin veten. Kur fliste për historinë si vlerë që ua kishte mbajtur frymën gjallë, kur ndodhej në mesin e familjarëve katolikë i madhëronte ata që kishin arritur ta ruanin fenë duke e duruar dhunën e vazhdueshme të otomanëve që kërkonin konvertimin e tyre. Madhëronte shoqërimin rreth kryqit, afrinë e vazhdueshme të njerëzve të tillë, të cilët e kishin Jezu Krishtin paraprijës. I shenjti Jezu, siç iu thoshte, u takon të gjithë atyre të cilët sakrificën e kanë për shpirt, pavarësisht a janë katolikë apo ortodoksë. Të gjithë janë njësoj, dhe duhet të jenë të bashkuar jo vetëm shpirtërisht, por edhe fizikisht, u thoshte. Duhet të mbroni njëri tjetrin dhe të shqelmoni ata, që nuk e përfillin fenë tonë, u thoshte. Armiqtë e kryqit janë myslimanët. Ata bëjnë çmos për zhdukjen e njerëzve të Krishtit, për ndjekjen e tyre. Ata nuk njohin tjetër pos Muhamedit, sidomos  kalifin Omar Ibn al-Khattab, nga mësimet e të cilit u inspirua e gjithë ajo që u ndodhi të krishterëve të pushtuar nga turqit osmanlinj. Ky kalif ishte pasardhësi i dytë mbas vdekjes së Muhamedit. Kushtet që ai i kishte shkruar kishin të bënin për të gjithë jomyslimanët. Sipas atyre kushteve të krishterët duhej të deklaroheshin se nuk do të ndërtojnë shtëpitë ku jetojnë myslimanët, as në afërsi të tyre, as manastire, as kisha, as kuvende, as qela për priftërinj, shpjegonte. Të krishterët duhej të deklaroheshin se nuk do të shfaqnin botërisht besimin në Krisht. Sipas atyre urdhrave, të krishterët duhej të tregonin respekt për myslimanët,  të ngriheshin nga vendi që t’ua lironin kur ata të shfaqeshin, nëse do të donin të uleshin. Të krishterët duhet të deklaroheshin se nuk do të shfaqnin nëpër lagjet myslimane as kryqet, as librat e tyre fetarë, kurse kambanave urdhëronin t’u mëshonin shumë lehtë. Gjithashtu nuk do të varrosnin të vdekurit në afërsi të varreve të myslimanëve dhe se nuk do të guxonin të krishterët të ndërtonin shtëpitë e tyre të banimit atje ku ka të krishterë.

Në katundet e krishtera Zef Kristi predikonte një patriotizëm tjetërfare nga ai që ishte tradicional; krijonte një mjegullnajë nga e cila nuk mund të dilej aq lehtë. Ai priste rezultatet konkrete pas bisedave që i bënte nëpër familje të katundeve edhe përtej Gurorit, në vise më të izoluara të Mirditës.

Gjatë kohës sa kryente misionin e gjetjes të një gjuhe të përbashkët mes kryqit katolik dhe atij ortodoks, e kishte parasysh edhe frontin tjetër, atë luftarak, që ishte ngjallur me hyrjen e forcave serbe në territoret shqiptare. Duke qenë gjithherë afër autoriteteve ushtarake dhe në bashkëpunim me ta, arrinte t’i shmangte konfliktet mes katolikëve dhe serbëve. Kishte kërkuar nga forcat serbe t’i anashkalonin vendbanimet e katolikëve nga plani i tyre i dhunës, i vrasjeve dhe djegieve. Për këtë aktivitet ai vazhdimisht, e njoftonte qendrën e misionarëve në Shën Petersburg, prej nga merrte udhëzime që t’u afrohej edhe myslimanëve. Këtë e bënte duke u prezantuar me emrin Faruk Myftiu. Si përkrahës i myslimanëve, bënte regjistrimin e meshkujve që do të shkonin në Rusi, ku do t’i  priste puna dhe jeta më e mirë. Ai i siguronte se, po qe se do të kishin interesim, do të mund të ndiqnin shkollat fetare, që ishin të hapura atje ku dominonin myslimanët rusë. Në Krujë dhe Durrës, po ashtu edhe në Tiranë e Elbasan, andej nga autoritetet serbe kishin shtrirë pushtetin e frikës, sidomos në Krujë, ku i nxirrnin njerëzit nga shtëpitë e tyre dhe i pushkatonin, Ruslan Nikollaj, gjithnjë me emrin e tretë Faruk Myftiu, e merrte përsipër ndaljen e dhunës. Këtë e bënte në marrëveshje me ushtarët dhe xhandarët serbë. Kështu e shtrinte ndikimin e vet. Hynte në xhamia, i bashkohej xhematit. Ai, derisa vepronte në mjediset myslimane, ndërronte edhe pamjen. Mbante mjekër, vishte shallvare dhe vinte fes të kuq. Ende kishte njerëz që besonin se turqit do të rikthehen nëpër kazerma e zyra si përpara në shekuj. Varësisht se ku qëndronte dhe përpiqej të kishte ndikimin, fliste shqip, por edhe turqisht me mangësi.

Si Faruk Myftiu, ai mbante tespihe, ndërsa i kapërcyer nëpër gishta rruazat e qelibartë, që i kishte sjellë nga Shën Petesburgu. Aty ku kishte myslimanë,  sillej rrugëve dhe rrugicave përskaj xhamive ku, zakonisht, u jepte lëmoshë lypsarëve, të cilët pritnin daljen e xhematit nga xhamia. Kështu, ky fitonte simpatinë e njerëzve, mbase edhe hoxhallarëve, që u jepte ndonjë dhuratë. Tërë ditën mbante kontakte me njerëz myslimanë. I ftonte të pinin çaj në lokale, por ua shtronte edhe ndonjë drekë a darkë. Mbrëmjeve largohej. Askush nuk e dinte se ku banonte. Kur ishte larg Gurorit, ku e kishte qëndrimin e përhershëm, mbrëmjeve gjente strehim mes ushtarëve serbë, te eprorët e tyre, të cilët ishin vendosur në objektet që i kishin liruar turqit. Ata  në mënyrë të organizuar ishin larguar dhe largoheshin vazhdimisht nga Ballkani, pra edhe nga Shqipëria.

Ruslan Nikollai kishte disa ditë pa  lëvizur nga shtëpia në Guror. Duke qenë gjithnjë i angazhuar terreneve, nuk kishte pasur kohë t’i sistemonte shënimet, të cilat, në formë raportesh, ia e dërgonte Qendrës Misionare në Shën Petersburg. Rrethanat konfliktuoze nuk i jepnin hapësirë kohore  të kryente këtë obligim, prandaj  i dha vetit pushim të qëndronte brenda në shtëpi dhe të merrej me punët e pakryera. Duke u përpjekur të ishte sa më i saktë, iu përmbajt një kronologjie të ngjarjeve të ndodhura, të cilat i shënoi radhazi, e që do t’i hynin në punë për kompletimin e raporteve.

Në vazhdim ia vlen të shfletohen shënimet e tilla:

Shënimi i parë:

Siç më njofton konsulli i Francës në Shkup, z. P. Karlie, natën e 31 majit (1912) shqiptarët kanë sulmuar Pejën. Luftimi ka vazhduar tërë natën.

Të shtunën, më 1 qershor, gjatë ditës ka pasur ndeshje më të vogla, por nga ora 9 e mbrëmjes, rreth 20 000 shqiptarë, gjysma e të cilëve ishin të armatosur me “mauxere” (ndër shqiptarët u thoshin “Manxerre”) dhe pjesa tjetër me revole, sulmuan garnizonin e Pejës dhe depërtuan deri në Bellopojë… Nga miku im, konsulli i Francës në Shkup, por edhe nga informatat që i mora nga kolonel Mokorpi, atashe ushtarak në Ambasadën e Francës në Stamboll, Bompar, marr vesh se  kolonat e komanduara nga Isa Boletini, Idriz Seferir, Riza Beu dhe Bajram Curri, që kishin 12.000 burra të armatosur me pushkë të mira, hyn në Shkup më 13 e 14 gusht.

Më datën 14, në ora 4 pasdite, shqiptarët hapën burgun e madh dhe  i liruan 1.200 të burgosur shqiptarë… Çdo ditë vijnë çeta të tjera, këmbë ose me tren. Dje erdhën me tren nga Ferizaj Marka Gjoni, kryetar i mirditorëve, dhe Ibrahim bej Toptani, kryetar i bejlerëve të Tiranës. Shoqëroheshin nga 200 burra të armatosur…

Shënimi i dytë:

Më duhet të njoftoj se aleati ynë, Mali i Zi, do të ketë probleme me një nga figurat eminente për çështje kombëtare shqiptare. Ai është Dedë Gjo’ Luli. Ai është një personalitet i rryer, i cili politikën dhe diplomacinë ndërkombëtare i kishte mësuar në Shkodër, ku kishte kaluar një pjesë të rëndësishme të jetës së tij. Asnjë kuvend kombëtar në Shkodër nuk bëhej pa pjesëmarrjen e Dede Gjo’Lulit. Shqipëria dhe Kosova e kishin kuptuar se ky është një prijës i vërtetë. Njeri qe nuk ishte korruptuar nga shpërblimet dhe titujt e huaj. Tërë jetën e kishte kaluar në male të Hotit pa bërë asnjë kompromis. Dedë Gjo’ Luli me djemtë e Hotit e kishin ngritur Flamurin e Skënderbeut, shumë më herët se sa në Vlorë. Madje në fund të marsit – fillim të prillit, ai gatit për ta shpalosur për të dytën herë mbi Deçiq. Palokë Traboini, njofton se që më 1911 ishin sjellë tre flamuj prej Vjene, një e kishte marrë Dedë Gjo Luli, të dytin Ujka i Grudës ,e të tretin Prel Luca i Trieshit. Një pjesëmarrës në ngritjen e flamurit më tha: “Ditën e diel, më 6 prill 1912, u mblodh popull i madh te kisha e Traboinit. Kol Ded Gjoni me urdhër t’et, Dedë Gjo’ Lulit, e hapi flamurin kuq e zi. U bë një rreth i madh njerëzish e Kola tha: “Shiko popull! Njeky asht flamuri i Shqipnisë, i kuq me shqipe të zezë me dy krena”. Të gjithë ndenjën pa zë. Mandej u bë një batare pushkësh e ushtuan malet përreth. Hare më të madhe s’ishte parë ndonjëherë ndër Hot…”

Shtesa për shënimet e mësipërme:

Meqë  po angazhohem t’u bëj me dije mbi figurat më eminente dhe më të rebeluara, një bashkëpunëtor imi më ka shkruar:  “Kur bajraktarët e Llapit dhe të Shalës, në fund të majit 1912, propozuan që në kufirin me Serbinë të renditet numër më i madh i kryengritësve, Isa Boletini iu tha; “ Nga Serbia nuk duhet pasur frikë. Unë serbët i konsideroj vëllezër”.  Një bisedë e tillë kishte ndodhur edhe në shtëpinë e  Sadik Ramës,  në praninë e Hasan Prishtinës dhe të tjerëve, siç më shkruan më 17 maj. Isa fliste: “Nëse nuk pajtohem me pushtetarët, fjalën e kishte  për turqit,  unë kërkoj që Serbisë t’i jepen tokat deri në Drin…”

Ruslan Nikollaj për të gjitha të ndodhurat në terrenet shqiptare dërgonte raporte në Qendrën e Misionit, në Shën Petersburg. Ai në një raport shkruante për pështjellimet e mëdha që ndodhnin. E përshkruante Vlorën, atmosferën e shpalljes së pavarësisë, kur brohoritej me të madhe, pavarësisht se në pjesët tjera, që nga Janina e deri në malet e veriut, ishin të pushtuara nga ushtritë e huaja, të cilat në planet e tyre e kishin copëtimin sipas interesave të tyre e jo të shqiptarëve. Invaduesit i shihte pengesë në misionin e tij, që kryekëput bazohej  në sigurimin e depërtimit të serbëve dhe malazezëve në det. Ky depërtim nuk mund të realizohej derisa kryqëzoheshin interesat e shteteve të tjera me ushtritë e tyre, që kishin zënë kazermat e liruara nga ushtritë turke. Por në atë kohë, për shembull, në Shkodër ende mbahej në këmbë një armatë e tërë, e përbërë nga ushtarë turq dhe rezervistë shqiptarë. Raportet që i kishte dërguar në Shën Petersburg e dëshmonin më së miri gjendjen në terren, ku synohej pushtimi i Shkodrës nga malazezët. Shi për këtë malazezët bëjnë një gjest të papritur, i shpallin luftë Turqisë, në mënyrë që ta sulmonin Shkodrën për ta futur brenda kufirit të tyre.

Raporti i parë për gjendjen në Shkodër, i dërguar në Qendrën Misionare në Shën Petersburg

…Rrethimi i Shkodrës po ndodh; kam informata të sakta se ushtria malazeze është forcuar shumë si për nga numri, ashtu edhe për nga armatimi. Përveç malazezëve në radhët e ushtrisë të Kral Nikollës ka edhe vullnetarë rusë e të tjerë, madje nga ata të tjerët më informuan se ka edhe nga Meksika e largët. Ushtria turke, bashkërisht me rezervistët shqiptarë, i mban sytë nga kufijtë verior dhe nuk denjojnë të dorëzohen. Kjo ushtri, sipas informatave të sigurta, është fortifikuar në periferi të Shkodrës, që nga Taraboshi e Kraja e deri në fushat e Shtojit. Të fortifikuarit po presin sulmet e ushtarëve të Kral Nikollës, të cilët janë shumë entuziastë dhe të bindur se ka ardhur koha që Shkodra të jetë e tyre. Forcat ushtarake, që gjenden përballë njëra-tjetrës, kanë këtë përbërje: forcat osmane kanë 15 mijë ushtarë, prej tyre 5 mijë janë aktivë, kurse dhjetë mijë janë rezervistë shqiptarë, kryesisht nga zonat e Shqipërisë së mesme dhe të rrethit të Shkodrës; ushtria malazeze ka 25 mijë ushtarë, kurse në jug të Shkodrës deri në afërsi të Tiranës dhe Elbasanit veprojnë forcat serbe me 30 mijë ushtarë. Është e natyrshme se në momentin e duhur edhe këto forca do t’u bashkëngjiten sivëllezërve të tyre, malazezëve. Po punojmë në këtë drejtim.

Raporti i dytë, i adresuar me shënimin se është me interes të madh:

Më 8 tetor 1912, duket e çuditshme, ama është e vërtetë. Mali i Zi i shpalli luftë Turqisë. Kjo shpallje e luftës konfirmohet me fillimin e djegieve të fshatrave shqiptare, që ishin në zonën kufitare. Kjo ishte shenjë për të treguar se malazezët do të jenë të pamëshirshëm. Sulmet në fshatra, djegia e tyre, bëhet sipas një strategjie, e cila ndihmon krijimin e atmosferës dorëzuese, por ju bëj me dije se ushtarët malazezë u befasuan kur hasën në kundërshtim të banorëve vendës, të katundeve të cilave malazezët ua vënë zjarrin. Rezistenca e tyre, ani pse e vogël, bën me dije se shqiptarët nuk rrinë duarkryq. Megjithëkëtë, një pjesë e banorëve të këtyre fshatrave ia kanë mësyrë Shkodrës, për të gjetur strehim, për të shpëtuar nga agresiviteti malazez.

Raporti i tretë:

Shkodra vazhdon të jetë e rrethuar, ndërkaq sulmet malazeze bëhen gjithnjë e më të furishme. Qyteti i Shkodrës, sidomos qyteti i vjetër, është dyfishuar me banorë, menjëherë pasi malazezët, më 11 tetor, ia mësyn qytetit me të gjitha forcat që i kishin në dispozicion. Është pika strategjike në Tarabosh që synohet të merret, kurse në këto sulme që po zgjatë gjashtë muaj, përkatësisht 183 ditë, është arritur një bilanc tragjik me të vrarët. Thuhet se janë vrarë mbi tetëqind malazezë, ndërsa të vrarët turq e shqiptarë janë shumë më pak. Kryekomandanti i forcave turko-shqiptare, që po u reziston të gjitha sulmeve malazeze, është Hasan Riza Pasha, i lindur më 1871 në Bagdad. Ai ka një biografi interesante, por pa shpjegime pse është aq këmbëngulës në mbrojtje të Shkodrës. Ky kryekomandant ka një biografi të ngjeshur, si djalë i valiut të Bagdadit, Namik Pashës. U shkollua në Stamboll. Në moshën 28 vjeçe e arriti gradën e nënkolonelit. Studimet ushtarake i kreu në Gjermani. Në Shkodër erdhi më 1911 si komandant divizioni, derisa në mars të vitit 1912 ishte emëruar vali i Shkodrës, guverner dhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë në Vilajetin e Shkodrës.

Raporti i katërt:

Në raportin paraprak më duket se kam lënë mangu disa shënime, të cilat e plotësojnë portretin e valisë dhe komandantit të përgjithshëm të ushtrisë në Vilajetin e Shkodrës. Ai ishte tip shumë karakteristik. Ishte kundërshtar i xhonturqve dhe i përfshirjes së ushtarakëve në politikë. Kishte autoritet të madh si vali, por ai kishte edhe marrëdhënie të mira me patriotët shqiptarë, andaj edhe gëzonte përkrahjen te shqiptarët, jo vetëm në Shkodër. Ai e dinte se lufta me malazezët, e ndihmuar nga të gjitha anët, ishte e pabarabartë, por në asnjë mënyrë nuk dëshironte të dorëzohej, sado që në nëntor të 1912-es kishin mbetur pa fije shprese, sepse rrethi i mbajtjes së Shkodrës në ethe ishte ngushtuar shumë.

Shpalljen e pavarësisë në Vlorë, Nikollaj e kishte përjetuar keq. Nuk kishte pritur të ndodhte aq shpejt, ndonëse i dinte fort mirë reagimet dhe refuzimet e njerëzve ndaj atij akti, që ishte përgatitur të ndodhte dhe ndodhi tre muaj pasi që Ruslan Nikollaj kishte hyrë në Prizren dhe kishte vazhduar në Shqipëri, në vendbanimet e asaj popullate, e cila nuk dinte shumë nga politika. Ai priste një shpallje të pavarësisë, e kishte parasysh Esad Toptanin me të cilin ishte takuar dhe ndaj tij ishte paraqitur si inspektor ushtarak serb. I falënderohej për mikpritje, që i kishte lejuar ushtrisë serbe të kapërcente nëpër Shqipëri.

Shënime shtesë, një:

E ndjej obligim t’ju informoj se shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, është bërë në kushte jashtëzakonisht të vështira, sepse atë akt të shqiptarëve e kanë kundërshtuar jo vetëm turqit, por edhe serbët, të cilët i kishin zënë arteriet kryesore të rrugëve. Fillimisht është menduar të shpallet në Durrës, por është penguar nga Esat Pasha, për interesa personale. Reagimi i Esat Pashës ishte dhe mbetet në përputhshje me interesat serbe, mbase edhe interesat tona në Ballkan, përkatësisht në Shqipëri. Me këtë njeri me autoritet feudali, bregdeti shqiptar do të jetë edhe yni edhe i serbëve. Autoriteti i njohur i Perandorisë Osmane, Ismail Qemali arriti të valëvit flamurin e pavarësisë në Vlorë, por ajo pavarësi është shumë e brishtë. Për këtë prej 1 e deri më 4 mars në Trieste është mbajtur Kongresi për Shqipërinë. Sigurisht atje i kemi njerëzit tanë dhe ata, besoj, kanë bërë raportet e gjera mbi punën e atij kongresi, që ishte mbështetur nga austriakët. Në kongres kanë marrë pjesë emra autoritetesh shqiptare nga gjithë bota, kurse është udhëhequr nga Faik bej Konica, një intelektual i madh. Në atë kongres kleriku Fan Noli ka thënë: Kjo Shqipëri e shpallur si shtet nuk është e plotë. Shqipëria do të formohet nga vilajetet e Shkodrës, Janinës, Kosovës dhe Manastirit. Vetëm me bashkimin e këtyre vilajeteve mbyllet çështja kufitare e Shqipërisë. Për katër ditë rresht folën shumë figura të njohur shqiptare. Njëri prej tyre, njëfarë Bajram Daklani ka thënë para kongresistëve: grekët, malazezët, e sidomos serbët, kanë rrënuar shtëpitë dhe tokat tona; kanë bërë kërdi në pleq, plaka dhe fëmijë… Ju bëj be, o trima, sa do të mundem me këtë fuqi që e kam, Kosovën do ta bëj varr për serbët. Mesazhet e Kongresit janë shumë të rrezikshme. Propozoj të merremi seriozisht me njerëzit që u deklaruan në Kongres. 

Shënime shtesë, dy:

Kam raportuar për ngjarjet në Vlorë. Më duhet t’ju bëj me dije se ajo që ndodhi në Vlorë është nisma për ngjarje të tjera që, në vitet në vazhdim, po që se ne nuk do të angazhoheshim me seriozitet, në viset e banuara me shqiptarë nuk do ketë qetësi. Ne duhet të jemi sa më afër serbëve dhe malazezëve, t’i kurajojmë ata për pastrimin e terreneve, duke gjetur mundësi më të përshtatshme për shpërnguljen e shqiptarëve. Serbët kanë planet e tyre, duke i joshur njerëzit më me autoritet të parisë shqiptare. T’ju them se Serbia po tenton me të gjitha mjetet të bëjë për vete parinë shqiptare të Kosovës (Isa Boletinin, Hasan Prishtinën, Riza beg Crnoglaviqin, Bajram Currin, e tj.). Ministria e Punëve të Jashtme dërgoi emisarin e saj special, i cili “mori me vete një sasi të konsiderueshme parash” për dy të parët. Isës, përmes pobratimit të tij, pop Angjellko Neshiqit, ia dorëzoi 12.000 napoleona… Ju njoftoj se Bajram Curri ka lidhje të vazhdueshme me Beogradin përmes Simo Garmës, konfident i Nikolla Pashiqit, përndryshe pronar i një hoteli në Shkup, ku vendoseshin dhe mbanin mbledhje prijatarët e Kosovës. Në fund të korrikut Nikolla Pashiqi urdhëroi që Hasan Prishtinës, Isa Boletinit dhe Bajram Currit t’u paguhen nga dhjetë mijë dinarë, që është një shumë e madhe. Simo Gërma pat sukses t’ua dorëzonte vetëm Riza Begut dhe Bajram Currit.Hasan Prishtina ka refuzuar. Ndoshta jeni të informuar përmes lidhjeve diplomatike, por unë ndjej obligim t’ju informoj se në mes të gushtit, konsulli serb në Prishtinë, Millan Millojeviqi, dhe kapiteni Rosiq, u takuan fshehur me Riza beg Kryeziun dhe Bajram Currin dhe me atë rast deklaruan se Serbia dëshiron bashkëpunim… Ata propozuan që paria shqiptare për çdo hap të konsultohet me Serbinë… Iu premtuan armë shqiptarëve… Kam informacion se Bajram Curri vetë shkonte në Prokuple dhe i merrte armët…Kërkesa e Nikolla Pashiqit ishte që shqiptarët ta pengonin depërtimin e Austro-Hungarisë…

Më duhet të shtoj edhe diçka, edhe një ide, e cila mori nismën nga Haxhi Zeka, por që u kundërshtua nga autoritete të parisë. Duhet të gjejmë mënyrë  t’i afrohemi ati njeriu. Haxhi Zeka e pati hedhur idenë se të gjithë krerët duhet të japin myhyrë, si përfaqësues të krahinave përkatëse dhe t’ia dërgojmë Anglisë që të na pranonte nën protektoratin e saj dhe kështu do të shpëtonim nga kafshimet e fqinjëve, ka thënë ai. Mandej, e arsyeton idenë e tij se, pasi të arrihej mëkëmbja shqiptare, Anglia do ta shpallte pavarësinë e shqiptarëve dhe, kësisoj, mendon ai – do të formohej shteti shqiptar. Mendoj se ky propozim i tij ka diçkadjallëzore, e mbi të gjitha refuzimin e çdo përpjekje serbe që të zotërojë mbi tokat e pëlleshme dhe mbi bregdetin…

Raporti i pestë:

Me rastin e luftës së pandërprerë për mposhtjen e Shkodrës, u pa se puna ime me katolikët shqiptarë ka dhënë frutat e veta. Në të vërtetë, katolikët edhe pa shpjegimet e mia mbi ruajtjen e kryqit dhe mbi afrinë e kryqit katolik me atë ortodoks, i kishin parasysh ekspeditat ndëshkuese, të cilat i kishte bërë Shefqet Turgut Pasha nja dy vite më herët, ekspedita këto të cilat ndikonin që katolikët ta shihnin Perandorinë Osmane si armik shekullor e fetar, madje edhe kulturor e politik. Ata ishin zënë, siç thuhet, në mes të dy zjarreve, prandaj gjatë rrethimit të Shkodrës ata ishin pasivë, ndoshta pikërisht pse në krye të ushtrisë ishte turku Hasan Riza Pasha. Një numër i tyre, siç merret vesh, ka kaluar në anën e malazezëve dhe luftojnë për ta mposhtur Shkodrën. I gjendur në këtë situatë, ka të dhëna  se valia i Shkodrës, Hasan Riza Pasha, po bën negociata me krerët katolikë, duke kërkuar prej tyre që të rreshtohen në anën e mbrojtësve të Shkodrës, por krerët katolikë afrinë e tyre e kanë kushtëzuar me ngritjen e flamurit shqiptar mbi kështjellën e Rozafës.

Raporti i gjashtë:

Riza Pasha shpenzoi shumë mund për t’i bindur krerët katolikë. Ata ishin të gatshëm dhe ky qëndrim u mor vesh pas bisedës me argjipeshkvin e Shkodrës me ç’rast u bë me dije gatishmëria që e gjithë popullata katolike të hidhej në kryengritje të përgjithshme antimalazeze, por që sulmi për këtë kryengritje të nisej nga Zadrima, më saktë nga fshati Nënshat, dhe paraprakisht mbi kështjellë do të valojë flamuri dykrerësh.

Më duhet të informoj se në mbrojtjen e Shkodrës del në skenë feudali i njohur Esat Pashë Toptani, që njëherësh ishte komandant i xhandarmërisë dhe zëvendës i Hasan Rizait, me të cilin, me shtëpitë e tyre në Fushë-Çelë, ishin në afërsi. Ju shkrova në raportin e mëhershëm se ky feudal është aleat i serbëve. Për mbrojtjen e Shkodrës, siç mund të kuptohet, është angazhuar që të fitojë përkrahjen e shqiptarëve për të qenë i pari i Shqipërisë. Siç thashë, me Rizanë kishte afërsi. Këtë e dëshmonte me luftën e përbashkët për mbrojtjen e Shkodrës. Por ndodhi tragjedia pikërisht atë ditë kur te dy ishin bashkë dhe bisedonin mbi planet e luftës. Në orën 18.45, kur Hasan Riza Pasha kthehej nga shtëpia e Esat Pashës drejt shtëpisë së vet, në errësirë dalin tre të panjohur dhe e vrasin, kur i kishte mbushur 42 vjet. Nuk merret vesh se kush e qëlloi dhe për çfarë arsyeje. A ishte vrasja e porositur nga Esat Pasha, apo nga ndokush tjetër, nuk dihet dhe sigurisht nuk do të dihet as në të ardhshmen.

Raporti i shtatë:

Ishte i kotë mendimi se, pas vrasjes së Hasan Rizait, do përfundonte edhe mbrojtja e Shkodrës. Hasan Riza Pashën edhe zyrtarisht e zëvendësoi Esat Pasha, i cili vazhdoi qëndresën, pavarësisht se ky njeri i zhvillonte edhe bisedat për dorëzimin e qytetit, që të ruhej sado pak nga shkatërrimi i tërësishëm. U bë një marrëveshje që të largohej ushtria osmane nga Shkodra. Më 25 prill të vitit 1913, Shkodra ra në duar të malazezëve. Në të vërtetë atë ditë princi Danillo u ngjit në kështjellën e Rozafës dhe mbi muret e saj vuri flamurin malazez. Kur kihet parasysh data 25 prill kujtohet edhe një ditë e hidhur, e ndodhur shumë shekuj më parë. Në realitet, po në këtë datë kur princi Danillo ngriti flamurin mbi kështjellë ( por në vitin e largët 1479), pushtuesit otoman me në krye Mehmet Fatihun e ngulën flamurin e tyre mbi  muret e vjetra të kështjellës Rozafa.

Raporti i tetë:

Ne kishim arsye të krenoheshim, ne që fitoren e malazezëve e shihnim edhe si fitore tonën, të ortodoksizmit. Por kjo nuk zgjati shumë. Me këtë fitore u alarmuan shtetet e Evropës, e sidomos Austro-Hungaria, e cila me dekada përpiqet të mbajë mbikëqyrjen mbi tokat e Ballkanit, e posaçërisht mbi tokat shqiptare, për të pasur në nivel ndikimin e vet. Vjena kërkoi largimin e të gjitha forcave ushtarake serbe dhe malazeze nga territori shqiptar, për çka Serbia u pajtua. Nuk di se në çfarë shkalle është ndikimi ynë me këtë rast dhe a ka pasur konsulta me ne. Unë jam në pamundësi të di për këtë, por pas ultimatumit të Vjenës ndodhi ashtu siç nuk pritej nga patriotët serbë e malazezë. Derisa serbët filluan tërheqjen, malazezët  këmbëngulën disi më gjatë. Megjithëkëtë knjazi u gjunjëzua. Vetëm dy javë malazezët qëndruan në Shkodër, derisa më 22 mars në Londër u vendos që Shkodra t’u mbetej shqiptarëve, kurse në të njëjtën kohë autoritetet politike evropiane vendosin që Mali i Zi të marrë Pejën dhe Gjakovën. Të them edhe këtë: Kral Nikolla, para se të jepte urdhrin e tërheqjes së ushtrisë së tij nga Shkodra, kërkoi nga ndërkombëtarët që forcat evropiane të bënin një sulm direkt kundër Malit të Zi, në mënyrë që, thoshte ai “ ta kishim një tërheqje të ndershme!”

Raporti i nëntë:

Meqenëse deri më sot në raportet e mija jam kujdesur të regjistroj gjendjen reale të rrethimit dhe luftës për Shkodrën, po ju informoj se më 14 maj  forcat e jashtme të fuqive të mëdha evropiane kanë zbarkuar në Shkodër. Tashti në kalanë e  Shkodrës valojnë 25 flamuj të fuqive të mëdha. Ardhja e tyre e liroi Shkodrën nga  sundimi pesëqind vjeçar i osmanëve dhe sundimi dyjavor i malazezëve.

Raporti shtesë një:

Kur malazezët hynë në Shkodër më 25 prill 1913, të udhëhequr nga princi Danillo, e gjetën qytetin thuaja të zbrazur. Gjatë ditëve të para malazezët u sollën shumë mirë, lenin përshtypjen e njerëzve mirëdashës, por më vonë ndodhi ajo që pritej: nisen plaçkitjen nëpër qytet. Ushtarët vidhnin çdo gjë, edhe në mes të ditës; zbrazeshin ato dyqane të cilave u kishte mbetur edhe pak mall. Kur arriti lajmi me të cilin konfirmohej se qyteti do t’u dorëzohej fuqive të mëdha, ushtarët malazezë u hynë mbarë dyqaneve të pazarit dhe i zbrazën. Më pastaj ua vunë zjarrin. Pavarësisht ultimatumeve nga Vjena që të lirohej Shkodra pa kushtëzime, gjatë gjithë kohës ushtria serbe ka qëndruar në Lezhë, në pritje që t’u shkonte në ndihmë malazezëve, kurse një pjesë tjetër e ushtrisë serbe priste nga ana e Malit të Zi. Në luftërat e vitit 1912, të organizuara kundër Turqisë, dhe vazhdimi gjatë vitit 1913, sidomos gjatë qershorit dhe korrikut, fituesi më i madh i territoreve ishte Serbia, e cila ia bashkoi shtetit të vet Luginën e Vardarit, bashkë me Ohrin, Manastirin, Kosovën, Shtipin, pastaj gjysmën lindore të sanxhakut të Pazarit, që turqit i thoshin Jeni Pazar. Hapësira tokësore serbe është rritur nga 48.300 km. katror, në 87.780 km. katror.

Raporti shtesë dy:

Ushtarët malazezë shkatërruan dhe dogjën çdo dyqan që u përkiste myslimanëve, gjithandej nga kalonin duke lënë shkreti. Në anën tjetër, nga Kosova vijnë lajme trishtuese; malazezët që kishin marrë të drejtën ta sundonin Pejën dhe Gjakovën, i detyronin shqiptarët të bëhen ortodoksë. Për këtë informuan famullitarët e Dukagjinit, të cilët thonë se ata që nuk pranonin konvertimin pushkatoheshin. Brenda disa ditësh u masakruan qindra e mija të tillë. Në këtë aksion të tmerrshëm të forcave malazeze, të prirë edhe nga krerët fetarë ortodoksë, mbi 850 familje katolike të frikësuar nga tmerri i kasaphanës, që bëhej mbi popullatën e Dukagjinit, u bënë ortodoksë.

Raporti shtesë tre:

Jo vetëm malazezët, por edhe serbët bënë çfarë dëshiruan mbi popullatën. Një kryefamiljar nga Bushati tregoi se ndërsa po mbronin gratë, serbët vranë 32 burra, katolikë. Nuk lejuan as varrimin e tyre deri sa nuk erdhi vetë Imzot Koleci, ipeshkëv i Sapës, i cili organizoi varrosjen. Serbët dogjën të gjitha shtëpitë e Bushatit.

Raporti shtesë katër:

Një sugjerim për bashkëpunëtorin e misionit tonë në Vjenë. Një gazetar beogradas, për të cilin me sa më kujtohet kam informuar në një nga raportet e mija, të dërguara më herët, me emrin Grigor Reziq, është shumë i dyshimtë. Atë e kam takuar ditën kur forcat serbe kanë hyrë në Prizren, kur gazetari ishte në shërbim ushtarak, por që kishte një pikëpamje krejtësisht tjetër nga programet ushtarake dhe motivet për luftë si dhe depërtim në tokat shqiptare. Pata shkruar se ai ishte kundër pushtimit të tokave shqiptare dhe, disi, më shikonte me dyshim, sepse nuk mund ta dinte arsyen e pjesëmarrjes sime në atë marrshim të ushtrisë serbe. Ai, e kuptoja, interesohej ku isha unë dhe çfarë detyre kisha që i rrija afër gjeneral Jankoviqit. Meqë për hir të obligimeve ndaj qendrës sonë të misioneve isha i obliguar të udhëtoja shpesh, edhe nga disa ditë të mos isha afër gjeneral Jankoviqit, Grigor Reziqi pyeste të tjerët për mungesën time. E kam parë se ishte i rrezikshëm. Këtë e kam vërtetuar edhe pas ardhjes së tij për së dyti, si rezervist, në viset shqiptare ku operonin forcat ushtarake serbe dhe xhandarët e tyre. Po rrëfej më gjerësisht për të, mbase ai është shumë i dyshimtë, e sidomos tash kur ka ikur. Sipas informatave që i kam nga të besueshmit e mi, ai ishte vendosur në kullën e Gani Likës, që ishte një bashkëpunëtor i serbëve, i cili u gjendej pranë serbëve sa herë që ishte nevoja. Te ajo kullë ka ndodhur një tragjedi e madhe. Kryengritësi shqiptarë, të cilët veten e quajnë patriotë dhe kinse luftojnë për çlirimin e tokave të tyre, pikërisht te kulla e Gani Likës kanë vrarë eprorin serb Jozhe Galiq me një tog ushtarësh, që ishte në lëvizje. Ata kanë vrarë edhe pronarin e kullës, Gani Likën, dhe është e çuditshme se si nga ajo masakër dhe djegie e kullës, ka shpëtuar gazetari Grigor Reziq. Shpëtimi i tij lë të kuptohet se ka qenë bashkëpunëtor i kryengritësve, të cilët vrasin serbët kudo që i hasin, e sidomos ushtarët dhe xhandarët serbë. Grigor Reziq, siç jam i informuar, ka ikur nga vendi i ngjarjes, por ka ikur edhe nga dy policët ushtarakë, të cilët e kishin zënë në trenin që qarkullonte Shkup-Beograd.  Reziqi i ka mashtruar te dy ushtarët dhe ka ikur edhe nga treni. Më shkurt, ai ka arritur në Vjenë, atje ku e kishte mikun Leo Frojdlih, të cilin e furnizonte me shënime nga fronti. Austriaku Leo ka botuar një libër mbi masakrat serbe mbi shqiptarët. Grigor Reziq kishte mbajtur shënime ditari për të gjitha ngjarjet, ku kishte qenë dëshmitar. Kam marrë vesh se ai tash, në saje të ndihmës që ia ka bërë Leo Frojdlih, gjendet i strehuar në Vjenë. Kujtoj se ia vlen të informoni njeriun tonë atje dhe të merret me të.

Raporti shtesë pesë:

Jam në kontakt të përhershëm, përmes letrave, me Tatjana Vollovnën. Ajo është gjetur mirë në Prishtinë; është paraqitur si çerkeze dhe është pranuar shumë mirë nga vendoret, të cilat, siç më shkruan ajo, i bëjnë shoqëri. Sigurisht keni marrë raportet e punës edhe nga ajo. Mua më erdhi mirë që ka arritur të organizojë grupin e parë të femrave që, tashmë, kanë arritur në Rusi. Duke e njohur mentalitetin e femrave të Ballkanit, kujtoj se atyre femrave që kanë mbërri në Rusi duhet t’u kushtohet një rëndësi e madhe, një mirësjellje, sepse ato do të jenë nxitëset për të tjerat. Sigurisht i mbani kontaktet me Tatjana Vollovnën. Ajo më së mirë ju tregon për mentalitetin e këtushëm. Grupi i femrave të ardhura atje vlen për yshtjen e të tjerave të cilat, jam i sigurt, do të pranojnë të vijnë në Rusi, mbase edhe të mbesin atje. Kujtoj se Tatjana ka bërë një përvojë të mirë në këtë drejtim dhe do të vazhdojë me aktivitetet. E kam ftuar Tatjanën të vijë në Shqipëri për një kohë. Besoj se, edhe këtu, do të sigurojë një numër femrash që do të pranojnë ardhjen në Rusi. Me Tatjana Vollovnën kemi gjuhë të përbashkët. Jemi të maskuar me emra lokalë, por edhe me veshje autoktone. Njerëzit e këtushëm e kanë të vështir të na kuptojnë se jemi të huaj. Unë mbaj takime të vazhdueshme me njerëz të konfesioneve të ndryshme, si me katolikë, me ortodoksë, por edhe me myslimanë. Që të gjithë më konsiderojnë të tyre, meqë me emrat që i mbaj dhe me gjuhën e tyre që e flas, nuk dyshojnë. Kam informata se edhe Tatjana Vollovna ka arritur të bëhet e dashur për mesin ku jeton në Prishtinë. Njoftimi i saj se do të arrijë në Guror, ku jam i stacionuar, do të na jep mundësi të veprojmë bashkërisht.

Raporti shtesë gjashtë:

Ndjehem i obliguar t’ju njoftoj se operacionet serbe drejt depërtimit në thellësi të tokave shqiptare, shpesh hasin në pengesa nga grupe formacionesh, për të cilat kam shkruar në raportet e mëparshme. Lidhur me këtë e keni raportin shtesë me numër katër. Për çdo eventualitet mund ta keni parasysh. Kam përshtypjen se nuk kam dhënë shpjegime të duhura për grupet të cilët serbët i quajnë terroristë. Kam rrëfyer për një operacion të tyre, për vrasjen e eprorit serb Jozhe Galiq me të gjithë ushtarët, me të cilët kishte arritur te kulla e një shqiptari, që quhej Gani Lika dhe që ishte, në një mënyrë, përkrahës i forcave serbe. Ju tregova më herët se kryengritësit e vranë edhe atë. Kryengritësit paraqesin formacione të mistershme. Lëvizin të armatosur në grupe. Shfaqen befas. Janë të guximshëm dhe të shpejtë. Grupet e tyre shpesh quhen grupe kaçakësh. Emri kaçak vjen nga turqishtja, me kuptimin duket-zhduket. Lëvizja kaçake paraqet formën e rezistencës ndaj pushtuesve të huaj, siç thonë. Por ka prej tyre që merren vetëm me plaçkitje hajni. Kjo lëvizje sidomos u aktivizua pas shuarjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u mbajt në pjesën e dytë të shekullit të kaluar, por që pati një shtrirje të madhe kundër Perandorisë Osmane, sidomos gjatë viteve 1908-1912. Pas largimit të forcave osmane dhe zëvendësimi i tyre me forcat serbe, kjo lëvizje kryengritësish po vazhdon të bëjë rezistencë. Lëvizja kaçake ka ndikim të madh në popull, të cilin gjithnjë e më shumë e tërheq në rezistencë. Kjo u pa edhe në Lumë, kur e tërë Luma u ngrit kundër Divizionit I të Shumadisë. Nga çetat e vogla kaçakësh u bë një ushtri prej dy mijë vetash, e cila veproi deri në fillim të dhjetorit të vitit 1912, kur u mposhtën nga serbët, që kishin armatim të rëndë. Ata u detyruan t’i dorëzonin armët.

Do të përpiqem të mbaj shënime të rregullta, por postimet e shënimeve në adresën e Qendrës Misionare mund të jenë më të rralla, për shkak të pengesave të ndryshme që ndodhin këndej. Ju njoftoj se e kam ndërmend të ndërroj adresë; mendjen e kam te Shkodra dhe Cetina. Do shkoj andej, por jo i maskuar. Andej, dua të them në Cetinë, ku e kemi edhe konsullatën, do të paraqitem me emrin e vërtetë Ruslan Nikollai.

 

14.

Pas takimit me njeriun, që doli nga shtëpia e tij dhe iu afrua dyerve ku e priste Sebastian Kola, dihej saktë se në dyert e cilës shtëpi do të duhej të trokisnin që të takoheshin me Ruslan Nikollain. Ai burrë, që iu la përshtypje me shaminë e lidhur rreth kokës, nuk e njihte njeriun që e kërkonin, edhe pse të gjithë familjarët në Guror njiheshin. Por atë mysafir të katundit të tyre rrallë e shihnin, ndonëse nuk mund të thuhej se nuk ishin kureshtarë për të, sado që sa për ta larguar kureshtjen kur ishte vendosur para disa muajsh Ruslan Nikollai në atë katund, thuhej se merrej me regjistrimin e popullatës dhe se ishte i caktuar nga evropianët. Kohëve të fundit çdo udhëtar që kapërcente andej dhe që nuk e njihnin, e quanin evropian, sepse vendi i tyre ishte mbushur me të tillë, të cilët e përcjellin largimin e turqve. Për të huajin e vendosur në Guror, për Ruslan Nikollain e paraqitur me emrin Zef Kristi, thoshin se ishte shqiptar, por që i kishte kryer shkollat në Evropë dhe nga atje kishte ardhur me shërbim që të bënte regjistrimin e popullatës. Ai fillimisht ishte zënë rob nga shqiptarët, bashkërisht me shumë ushtarë serbë, por kishte arritur t’i bind se nuk i takonte ushtarëve serbë, se serbët e kishin marrë me dhunë, se përkatësia e tij ishte shqiptare. Mandej kishte qenë i lirë. Kur kishte arritur në Guror, punën e parë e kishte pasur të mblidhte shënime, sa shtëpi i kishte Gurori dhe sa ishte numri i përgjithshëm i banorëve. Për çdo njërin e kishte shënuar edhe përkatësinë fetare.

Sebastian Kola mezi priste ta takonte atë njeri, për të cilin shumë pak kishte folur bashkudhëtarja e tij. Sidomos pas paraqitjes së saj para xhandarëve dhe ushtarëve serbë, dhe dilte se prezantimi i saj në Prizren ishte ndryshe. Ai kishte kuptuar mashtrimin, por ec e merre vesh për çfarë arsyeje ishte ai mashtrim. Shqetësimin e kishte edhe më të madh pas kërcënimit të Tatjana Vollovna që i tha se nuk guxonte të fliste me askënd lidhur me bisedën e saj me ushtarët serbë. Sado që ndërhyrjen e saj para ushtarëve dhe xhandarëve serbë me të dhëna të tjera mbi biografitë, jo vetëm të saj, por edhe të individit te i cili shkonin, ia largonin nga mendja përkatësinë e tyre çerkeze, siç ishte prezantuar fillimisht Tatjana Vollovna. Tash ishte në siklet edhe më të madh, duke dyshuar se mund ta kishin ndonjë biografi të tretë. Ndërkaq, sikur e kishte të ndaluar të kërkonte shpjegime se cili ishte portreti i tyre real, e aq më pak mund të merrte vesh për punët që i bënin. Duke qenë në këso situate të mundimshme, mezi priste ta takonin atë njeri dhe, menjëherë, të kthehej nëpër të njëjtën rrugë drejt Prizrenit.

Gjatë kapërcimit nëpër rrugën e katundit, të dëmtuar nga shirat e që, vende-vende, më shumë i përngjante ndonjë përroske se sa rrugës, shikoi drejt asaj shtëpie të cilën ua tregoi me gisht burri, që mbante shaminë e mbështjellë rreth kokës. Ishte shtëpi dykatëshe, që dallonte nga shtëpitë e tjera, të cilat, të shumtën, përngjanin në kasolle. Kjo shtëpi e shënjuar, që gjithashtu ishte e rrethuar njësoj si të gjitha shtëpitë e tjera, dhe që e kishte një oborr të gjerë, nga larg mund të shihej ahumë mirë. Atë oborr sikur e ndanin për gjysmë rrasa gurësh që i ishin vënë përmes, në formë kalldrëmesh. Pamja e jashtme e shtëpisë dhe e oborrit cilësohej me dy stoqe me sanë, me një hambar thuprash dhe, ngjitur nga ana e mbrapse e shtëpisë, një ahur të madh. Ishte edhe një rrethojë brenda oborrit, në afërsi të ahurit. Duhej të ishte rrethoja për mbajtjen e deleve, vatha. Shtëpia i kishte katër dritare të vogla në pjesën e përparshme, dy në katin e parë dhe dy në katin e dytë. Secila nga dritaret kishte të vendosura vertikalisht shufra të metalta, sigurisht për mbrojtje më të sigurt. Në oborr nuk lëvizte askush. Sebastian Kola, në bazë të pamjes të oborrit, që dukej krejtësisht i zbrazur, nisi të mendojë se ndoshta as në shtëpi nuk kishte njeri. U merakos pak, sepse e mendonte kthimin sa më të shpejtë. Nëse i kërkuari nga Tatjana Vollovna nuk gjendej aty, u duhej të humbnin kohë duke e kërkuar në ndonjë shtëpi tjetër, apo katund tjetër.

-A je e sigurt se është në këtë katund? – e pyeti.

-Pse po dyshon? – ia ktheu ajo.

-Nuk po dyshoj në asgjë, veç po më brengos që nuk e kemi adresën e saktë, – ia ktheu.

-Katundi ku jemi është adresa e saktë, kurse ai burri me shami të lidhur rreth kokës, mjaft mirë na tregoi. Dyshon në të?

-Jo, jo, veç thashë… – u pendua pse e nisi kësisoj këtë bisedë me Eminën, me të cilën, në pjesën më të madhe të rrugës, pas shqetësimit që i ndodhi me ushtarët dhe xhandarët serbë, nuk fliste. Përmendja e dyshimit nga ajo, kuptohej si një refleks i mosbesimit të saj ndaj tij. Këtë e kuptonte Sebastian Kola, prandaj e ndjente veten me siklet.

-Më fal! – ia ktheu, me ç’rast u pendua menjëherë duke i bërë pyetje vetes në heshtje, se pse i duhej të kërkonte falje. – Fola veç sa për të thënë diçka, sepse po na kalon rrugëtimi në heshtje, – e përmbylli mendimin.

-Mos unë jam fajtore për këtë?

-Jo, assesi!

-E, pra?

Vazhdoi rrugën pa vazhduar fjalët. Arritën te dyert e shtëpisë, që ishin dyer dërrasash, dykanatësh. Ngjit me dyert e mëdha ishte edhe dera tjetër, më mirë të thuhet deriçka, e cila në mes e kishte një copë llamarine të prerë me kujdes në formë të rrumbullakët, kurse mbi të, një copë metalike në formë çekani, që shërbente për trokitje, për ata të cilët nuk ia dinin emrin të zotit të shtëpisë.

U ndalën para dyerve.

-Po trokasim në këtë derë? – pyeti Sebastiani, duke e shikuar dhe pritur reagimin e Emine Brajarit, që e kishte edhe emrin tjetër, Tatjana Vollovna, siç e kuptoi nga biseda me ushtarët dhe xhandarët serbë. Tatjana Vollovna mbante një qëndrim mospërfillës, si e mërzitur.

-Nëse ti nuk mundesh, po trokas unë, – ia ktheu me ironi.

Pa e vazhduar më tutje bisedën, Sebastian Kola zgjati dorën. Rrëmbeu atë pjesë të metaltë, e cila, siç u tha më sipër, e kishte formën e një çekani të vogël. E shtrëngoi mirë me dy gishta disa herë, e lëshoi rreptë mbi atë teneqe, nga e cila u krijua një tingull jo aq i përshtatshëm, një tingull i hollë. Priti pak, por askush nuk u lajmërua. Pastaj prapë i mëshoi teneqesë dhe e tërhoqi dorën. Kësaj radhe tingulli arriti atje ku duhej, brenda asaj shtëpie, në derën e së cilën doli një grua në moshë, e cila, duke e bërë dorën strehë mbi vetull, dhe duke u kërrusur deri në një masë, lëshoi një zë të thekshëm:

-Ka njeri te dyert? – pyeti, pa lëvizur nga pragu i derës.

-Oj zonjë, – ia ktheu Tatjana Vollovna, – po vijmë nga larg.

-Ardhshi me të mira dhe për të mirë, oj fisnike. Ja tash ua çeli derën, – tha ajo dhe, me hapa më të shpejtë se zakonisht, kapërceu nëpër mes të oborrit dhe e çeli derën.

-Mirë se ju ka pru Zoti! Urdhëroni hyni brenda! –u tha, pasi u përshëndet me shtrëngim dore.

-Ne do të hynim, sikur ta dinim se në këtë shtëpi është edhe njeriu ynë! – ia ktheu Eminja. Kësaj radhe, para zonjës së shtëpisë u prezantua realisht:

– Më thonë Tatjana Vollovna.

-Kurse mua më thonë Dila.

Sebastian Kola e shikoi me seriozitet.

-Po e kërkojmë një mikun tonë, na thanë se banuaka në këtë shtëpi.

-Për Zef Kristin e keni fjalën?

-Po, – ia ktheu Tatjana Vollovna.

Ajo e  dinte fort mirë se në atë anë ai kryente punët e tij me këtë emër.

Hynë në oborr. Sebastiani e lidhi kalin në një shtyllë, duke e pyetur Dilën se a mund ta linte kalin.

-Unë do të kthehem, prandaj po e lë kalin këtu, – i tha.

Tatjan e shikoi me nervozizëm:

-Si mendon të kthehesh pa u takuar me bashkëshortin tim?

-Bashkëshort e keni mysafirin tim? – pyeti Dila me entuziazëm.

Tatjana Vollovna me buzëqeshje dhe me lëvizje koke pohoi, pastaj ktheu shikimin kah Sebastian Kola.

-Unë e lidha kalin për pak kohë, që të takohem me zotriun, – ia ktheu Sebastiani. – Por ti e di se unë duhet të kthehem. Më duket se e kryem kontratën.

– Për kontratë kemi kohë të flasim. A po?

Nga dritarja e katit të dytë të shtëpisë, nga ajo dritare e vogël, e cila në ato orë të mbrëmjes dukej si e errët, shikonte Ruslan Nikollai. Këtë vizitë e kishte të paralajmëruar, siç i kishin edhe planet e aktiviteteve të debatuara përmes mesazheve, të përcjella përmes postierëve të xhandarmërisë dhe të ushtrisë serbe. Me Tatjanën ai ishte marrë vesh edhe për qëndrim më të gjatë të përbashkët në ato vise. Sipas marrëveshjes ajo e vizitonte bashkëshortin, në sy të të tjerëve, njësoj siç e kishte të qartë edhe Ruslan Nikollai se e priste bashkëshorten. Natyrisht Sebastian Kola nuk dinte asgjë nga ato programe të tyre të punës, as me se merreshin. Zbriti shkallët e drunjta dhe doli te dera e shtëpisë.

-Nuk ma ka marrë mendja se do të vini aq shpejtë. Rrugët këndej janë të gjata, sepse kalohen me vështirësi. Prandaj mendoja se ardhja e juaj do të ndodhte nesër, e jo sonte, – tha dhe hapi dy krahët duke ecur drejt Tatjanës. E qafoi dhe e shtrëngoi fort.

Dila dhe Sebastian Kola qëndruan me kokë ulur, derisa Ruslan Nikollai iu afrua Sebastianit:

-Angazhimi juaj në këto ditë të vështira është për çdo lëvdatë. Të hyjmë brenda tash, – iu tha duke bërë me dorë nga  dera e shtëpisë.

-Sigurisht, – ndërhyri Dila. – Të hymë brenda. Unë i rregulloj dhomat.

-Për mua nuk ka nevojë. Më duhet të kthehem, këtë ia thashë edhe zonjës, drejtoi gishtin nga Tatjana.

-Por unë nuk e miratova kërkesën tënde, – i tha ajo.

-E sheh? – tha Ruslan Nikollai. – Sonte do të rrish këtu, kurse nesër shikojmë, dita e re nafaka e re, siç thonë në këto anë.

-Unë mund t’ju falënderoj për këtë mikpritje, por i kam detyrimet tjera, nga të cilat jam ndarë për t’iu gjendur në shërbim zonjës, – tha pa ia përmendur emrin, sepse deri në atë moment e thërriste Emine Brajari, kurse tashti prezantohej si Tatjana Vollovna. Nuk dinte cili ishte emri i saj i vërtetë, prandaj e quante vetëm zonjë, ndonjëherë në vend se ta  thërrasë i drejtohej vetëm me gisht.

-Në rregull, në rregull, por… – e shikoi Ruslan Nikollain pak si i nevrikosur. – Të hymë brenda e mandej shohim e bëjmë!

Në oxhakun e dhomës së katit të parë, që e kishte bërë si kuzhinë, digjeshin disa copa drurësh. Mbi flakë qëndronte e varur një kusi bakri, pjesa e jashtme e së cilës ishte nxirë e tëra. Dila me të shpejtë mori xhezven, vuri në të një lugë të vogël kafe dhe sheqer përnjëherë  dhe e lëshoi mbi prush.

-Shpejt bëhet, – tha, sikur të dëshironte t’ia bënte me dije mysafirit se ajo nuk do të ishte pengesë e kthimit të tij të menjëhershëm.

-Shërbeje me kafe mikun, kurse unë me Tatjanën e kemi një bisedë. Kthehemi pas pak dhe, edhe ne, do të pimë kafet, – tha Ruslan Nikollai, i cili bashkë me Tatjanën u ngjitën shkallëve që merrnin përpjetën nga kuzhina, menjëherë pas derës së hyrjes.

Sebastian Kola mbeti me Dilën. Ajo ishte shumë kureshtare të mësonte për jetën në Prizren, për qytetin që e pëlqente shumë nga fjalët e të tjerëve, të mysafirëve të shpeshtë që kthenin andej. Dila jetonte veç me bashkëshortin, prejse e vetmja bijë e sajë, Serafina, ishte martuar në Lezhë dhe shumë rrallë vinte, për shkak të situatës së  ngatërruar, të luftimeve që ndodhnin vazhdimisht mes kryengritësve dhe ushtarëve e xhandarëve serbë. Ajo i tregoi Sebastianit se bashkëshorti i saj para dy ditësh kishte vajtur në Durrës për tregti. Nuk i tregoi se merrej me kontrabandë të duhanit. Veç i tha se banuesi që ishte vendosur në shtëpinë e saj i ndihmonte shumë.

Në katin e sipërm Ruslan Nikollai dhe Tatjana Vollovna mbetën më gjatë. Kjo sepse Tatjana po i tregonte për të gjitha sfidat e rrugëtimit, për rastin e vrasjes së eprorit ushtarak Jozhe Galiq dhe ushtarëve të tij te kulla e Gani Likës nga kryengritësit, për të cilën Ruslan Nikollai kishte marr vesh. Ajo i tha se kryengritësit nuk e kishin kursyer as pronarin e kullës, por as kullën, të cilës ia kishin vënë flakën. I tregoi edhe rastin  kur u tha xhandarëve serbë se kush ishte, duke hequr maskën para përcjellësit i cili, siç u tha në rreshtat e mësipërm, e njihte për tjetër. Rrëfimi i saj ishte shqetësues për Ruslan Nikollain, aq shqetësues sa e shihte misionin e tyre të zbuluar tërësisht, që domethënë se Sebastian Kola e kishte vënë në pikëpyetje konspiracionin e tyre.

-Atë njeri tash po e shoh me lëkurë gjarpri, – tha Ruslan Nikollai i nevrikosur tej mase.  – Ai duhet të jetë shumë i kënaqur që ka arritur të na zbulojë, por nuk e kam të qartë pse ke vepruar në atë mënyrë? A nuk ke mundur t’i anashkalosh ushtarët dhe xhandarët serbë? Pse u tregove atyre se kush jemi ne?

-Por unë e dija se ata na njohin në bazë të emrave. Ti nuk ke ardhur këndej në mision, pa e ditur serbët. A është kështu?

-E saktë, por për misionin tonë dinë vetëm shtabet, udhëheqësit e shtabeve, gjeneralët dhe kryexhandarët.

-Po më vjen keq!

-Nuk je treguar vigjilente.

-Sinqerisht po më vjen keq, por sikur të mos u tregoja ushtarëve dhe xhandarëve serbë, ata e vrisnin përcjellësin tim. Edhe unë do të rrezikohesha. Ky ishte shkaku. Do të mbetesha në rrugë, në mes të malit, pa ndihmën e askujt. Vetëm kur iu thashë se kush isha dhe në ç’drejtim më çonte rruga me ndihmën e përcjellësit, që e mbanin të lidhur, e liruan dhe ne vazhduam.

-Shumë keq! Duhet të ndërmarrim diçka që do të na lirojë nga kjo zezonë.

Për pak çaste asnjëri nuk foli. Qëndronin me kokë të ulur, me shikim mbi sipërfaqen e cergës, që mbulonte dyshemenë. Që të dy në mënyrën e vet e mendonin daljen nga kjo situatë. Derisa Tatjana Vollovna mendonte se do t’ia vlente të fliste me Sebastian Kolën për ta bindur që ta ruante sekretin, ashtu siç i kishte thënë edhe rrugës “Asgjë nuk ke dëgjuar, asgjë nuk guxon të flasësh”, Ruslan Nikollai e mendonte krejtësisht një plan tjetër nga shkëputja prej tij. Herë-herë, derisa merrej me atë plan, e shikonte Tatjanën, por kishte dilemë t’ia thoshte se çka mendonte. Në momentin kur nga kati i mëposhtëm u dëgjua zëri i Dilës, e cila i thërriste duke iu thënë zëshëm se kafet ftoheshin, Ruslan u ngrit trembshëm.

-Të shkojmë. Harroje çka folëm. Ti mos u merr me këtë punë! – i tha.

Kërkuan falje për vonesë. U ulën dhe pinë kafetë, gati në heshtje. Dikur Sebastian Kola u ngrit në këmbë:

– Më duhet të kthehem…

-Të kthehesh natën? – ndërhyri Dila.

-Punët e mia të përcjellësit i bëj edhe gjatë natës. Nuk e kam të vështirë.

Pas këtij qëndrimi të prerë të Sebastian Kolës, edhe Ruslan Nikollai, por edhe Tatjana, nuk ndërhynë për ta penguar.

-Ti e di, – i tha Ruslan Nikollai. – Ne të thamë se më mirë do të ishte të rrish sonte këtu, e nesër kur të duash mund të kthehesh. Ne e kishim edhe një plan, atë për të angazhuar edhe më tutje, edhe ditëve të tjera, por… – e shikoi Tatjanën, derisa ajo heshtte, – por po bindemi se ti nuk je i interesuar. Prandaj vendos vetë, po deshe rri, po deshe, ec.

-E, pra, – zgjati dorën Sebastian Kola drejt Ruslan Nikollait, – të përshëndetemi.

-Përshëndetu me zonjën e shtëpisë dhe me Tatjanën. Unë po të përcjell deri në dalje të katundit.

E morën kalin dhe dolën përtej dyerve të oborrit, në rrugën që nga ajo shtëpi zbriste drejt malit. Shkaku i Ruslan Nikollait, që e përcillte, Sebastiani nuk i hipi kalit. Ecte bashkërisht me Ruslanin, duke e tërhequr kalin, herë-herë duke e kthyer kokën nga Ruslani që mbante shikimin drejt tokës dhe nuk fliste fare. Ecja ishte e ngadalshme, nëpër atë rrugicë ku nuk kapërcente njeri. Ndoshta kjo ndodhte për shkak se afrohej mbrëmja, ndërsa njerëzve iu pëlqente të rrinin brenda në atë kohë, sepse nuk i dihej. Kishin frikë nga të papriturat, nga njerëzit e panjohur, që kapërcenin andej, të tillë edhe me uniforma ushtarake, shenjat e të cilave nuk i njihnin. Ato ndryshonin varësisht nga formacionet dhe prej nga vinin. Kishte edhe të maskuar që sulmonin katundin, të tillë që plaçkitsnin bagëtinë, por edhe plaçkitës të shtëpive, sidomos në orët e mbrëmjes.

Kur kapërcyen katundin, Sebastian Kola edhe njëherë ia zgjati dorën:

-Ktheu! Unë e di rrugën. Pse të lodhesh?

-Për mua mos ke dert. I di unë punët e mia; do të përcjell edhe më tutje, bile deri te mali.

Ai mal që dukej shpatit përmes të cilit kapërcente rruga, ishte me drurë gështenje, jo shumë të lartë. Një pjesë e atij mali përshkohej nga kaçubat, të ngarkuar me ferra. Ruslan e njihte mirë atë ambient, sigurisht edhe më mirë se Sebastiani.

-Përtej këtij mali rruga është e drejtë, pa kthesa të mëdha… – tha Ruslan Nikollai, sa për ta thyer monotoninë e heshtjes.

-E di, – ia ktheu Sebastian Kola. – Andej kemi ardhur me Tatjana Vollovnen.

U futën në rrugën përmes malit, që lëshohej me një rënie të lehtë. Më poshtë atij shpati ishte përroi, një përrua i thellë, që mbetej anësh, pa pasur nevojë të kapërcehej, veç nëse ndodhte ndonjë sulm i papritur kaçakësh. Sebastiani nuk frikësohej nga ata, sepse kishte një lidhje si të fshehtë me disa nga krerët e kaçakëve, të cilët i kishin dhënë liri të plotë lëvizjeje, duke e ditur se ishte përcjellës i njerëzve me nevoja. Ruslan Nikollai e kishte parasysh atë përrua, si një terren i fshehtë nga i cili vështir dilej. Ai mbështillte diçka në atë kokën e tij, që e mbante të lëshuar, me shikim nga toka.

Ishte pasdite e vonë, për të mos thënë mbrëmje. Dielli ende nuk kishte ikur, flakëronte prej pjesës së perëndimit. Sikur po fshihej pas kodrave që si kurorë zinin vend pak si më larg, por që ishin të larta. Falë atyre kodrave Gurori më shpejt se katundet e tjera takohej me mbrëmjen edhe me errësirën. Se mbrëmja ishte afër tregonte edhe skuqja e qiellit, mandej edhe ata pak barinj që kthenin bagëtinë në shtëpi, me zhurmën e kambanave të tyre.  Sipas zhurmës mund të përfundohej se çdo lopë, apo dele, mbante në qafë kambanë. Gurorët ishin në siklet nga hajnat, prandaj mendonin se me kambana do t’i trembnin. Zërat e kambanave ishin të ndryshëm, herë kumbues, herë me tinguj të dobët, varësisht nga  metalet me të cilat i kishin mbaruar kovaçët. Disa nga barinjtë ktheheshin pikërisht asaj rruge përmes së cilës largohej Sebastian Kola, që përcillej nga Ruslan Nikollai, i cili, si duket, nuk e kishte ndërmend të kthehej shpejt. Vazhdimi i tij si përcjellës e vinte në siklet Sebastianin, ndërsa nuk ishte në gjendje ta kuptonte se a e bënte përcjelljen për miqësi, apo për ndonjë qëllim tjetër? Do ta kuptonte lehtë sikur të fliste Ruslan Nikollai, por ai heshtte, vazhdimisht heshtte. E, pra, kur u takuan më herët te shtëpia e Diles, ishte krejtësisht tjetër; ishte me humor. Kur u takuan në oborrin e shtëpisë, para se të shkonte në dhomë me Tatjanën, portretin e të cilës tashti, pas takimit me xhandarët dhe ushtarakët serbë, e kishte krejtësisht të mjegulluar. Ndryshimi i qëndrimit të Ruslan Nikollait, për të cilin tashmë ishte i bindur se ajo femër  ishte e tij, qoftë si dashnore apo si grua e martuar me të, e shqetësonte. I ngarkuar me pakuptimësinë ndaj saj, i vajti mendja te ajo lendinë e sherrit, kur ishin të shtrirë dhe ky, në mënyrë si të fshehur, ia kishte shikuar gjinjtë e fryrë. Mendonte se ndoshta ajo, për humor, mund t’i kishte treguar Ruslan Nikollait, kurse ai ka mundur të dyshojë. Ndoshta ai dyshim e nxiste të mbante qëndrim indiferent ndaj tij, ndonëse ai qëndrim më parë mund të kuptohej si injorim.

-Po më vjen keq se bëre një rrugë bukur të gjatë duke më përcjellë. Faleminderit për mundin e bërë, mund të ktheheni, kurse unë do t’i hipja kalit dhe do të shpejtoja, – i tha duke e kthyer kokën nga ai.

-Po të pengoj? – u shpreh ngutshëm Ruslan Nikollai.

-Jo, përkundrazi. Do ta ndjeja veten të nderuar sikur të më përcillni edhe deri në Prizren, por hallin e kisha te lodhja jote, mandej zonja Tatjana mund të bëhet merak për vonesën.

– Sa për zonjën mos ke gajle. Ajo nuk përzihet në punët e mia…

Vazhduan nëpër pjesën rrugore që kalonte nëpër pyll më të dendur. Dendësi e lisave errësonte edhe më shumë rrugën, edhe pse dielli ende dukej, por krejtësisht i skuqur, rrezet e të cilit mezi depërtonin përmes drurëve. Tashmë edhe kambanat kishin pushuar, që ishte shenjë se barinjtë i kishin futur bagëtinë në stalla dhe ishin strehuar në shtëpitë e tyre.

Arritën te një kthesë rruge, nga e cila ndahej një rrugicë që dukej se nuk ishte e shfrytëzuar shumë. Ishte rrugicë, të cilën e shfrytëzonin vetëm barinjtë. Këtë rrugicë e propozoi Ruslan  Nikollai:

-Hyn kësaj rrugice, e cila të nxjerr më shpejt përtej bregut, – i tha.

Sebastian Kola nuk iu përgjigj, ndonëse e shikoi si me mosbesim:

-Unë e di këtë terren, prandaj po të propozoj. Kur arrijmë te fundi i kësaj rrugice mund të ndahemi, – shpjegoi Ruslani.

Kur arritën te ai fund, që i tha ai, Sebastian Kola nuk shihte vazhdimin e asaj rrugice, as ndonjë rrugë tjetër. Shikoi anësh, por nuk pa ndonjë shteg  për të kapërcyer, për të vazhduar rrugën. E kaploi një shqetësim. Në aso gjendje, e ktheu shpejt kokën mbrapa ta pyeste Ruslan Nikollain  se nga duhej të shkohej, dhe e pyeti:

-Nga, tash?

Sikur i mbet fjala në fyt kur e pa Ruslan Nikollain me revole në dorë:

-Rruga jote përfundon në këtë vend, sepse di më shumë sesa duhej të dish… – i tha Ruslan dhe e qëlloi në ballë.

-Tash nuk do të kesh mundësi të tregosh se kush jemi ne, unë dhe Tatjana.

15.

Kaluan shumë muaj e Tatjana Vollovna nuk mori vesh për Sebastian Kolën, në të vërtetë nuk i besoi Ruslan Nikollait kur i tha se e kishte përcjellë deri në dalje të katundit dhe ishte përshëndetur me të. Për të qenë më bindës, ai i kishte thënë Tatjanës se e pëlqeu Sebastianin dhe se, në ndonjë rast tjetër, do ta angazhonin përsëri. Tatjanës i dukej i mjegullt Ruslan Nikollai. Ai shqetësohej, sapo e dëgjonte emrin e tij, kur Tatjana ia përshkruante gjestet e burrërisë. Nevrikosej, sepse Tatjana vazhdimisht e përmendte, bile edhe në çastet më intime, kur Ruslan ia përkëdhelte çdo pjesë të trupit dhe i thoshte se prania e saj e stimulonte për punë. E vërteta, mes tyre kishte ndodhur një keqkuptim: Tatjanës i kishte prekur këmba te këndi i shtratit, për pak ishte rrëzuar. Ruslan e kishte mbajtur, mandej e kishte shtrënguar për beli, duke e ngritur shuplakën e dorës trupit të saj. Ia kishte shtrënguar gjinjtë, pikërisht atëherë kur Tatjana kishte provuar të lirohej nga shtrëngimi i tij. Por ai, i mërdhezur, e kishte shtyrë drejt shtratit. Kishte kërkuar nga ajo në mënyrën urdhërore të mos kundërshtonte. Ajo nuk e kishte pritur këtë sulm epshor, ashtu  papandehur.

Tashmë nuk u duheshin emrat e dyfishtë, sepse kishin kryer punët në ambientin shqiptar; kishin vjelë ç’ju duhej dhe kishin përfunduar misionin për çfarë kishin qenë të porositur. Kthimin nga Gurori drejt Prizrenit e kishin anuluar pas pështjellimit të krijuar nga ikja e ushtrisë serbe drejt Korfuzit. Ata  nuk kishin pasur forcë të përballeshin me sulmet austro-hungareze  dhe të bullgarëve. Serbia faktikisht ishte zhbërë dhe do të mbetet në gjendje kaotike, derisa rusët dhe francezët do të ndërmerrnin aksionin e shpëtimit të tyre.

Rusllan  dhe Tatjana do të vazhdonin misionin në ambiente dhe rrethana tjera. Tatjana Vollovna në kushte më të volitshme, pas këtij udhëtimi të gjatë, do të kthehej në Prishtinë, ku thoshte se kryente detyrën e mësueses. Ajo, para se të arrinte në Guror të takohej me Ruslan Nikollain, me të cilin e lidhte vetëm  njohja nga ditët e shkollimit në Shën Peterburg, por nuk kishte farë lidhjeje emotive. Më saktë, aso kohe Tatjana as kishte ndonjë simpati për të; e shikonte me nënçmim, kurse tashti në rrethanat në të cilat u gjend, e shihte të egër, me karakter të humbur. Ajo, në një mënyrë, edhe ndjehej e penduar që ndodhej në shoqërinë e tij. E kishte krijuar rrethin e të njohurve në Prishtinë. Kishte arritur të impononte vullnetin e saj për dërgimin e femrave shqiptare në Rusi, në kuadër të misionit që e kishte. Grupin e parë prej katërmbëdhjetë femrave e kishte përcjellë dhe nga ato, sipas marrëveshjes, priste ndikimin te të tjerat, që do të niseshin në të njëjtën rrugë. Misioni i saj dytësor, përveç detyrës së mësuese së rusishtes në shkollën serbe të Prishtinës, i ishte caktuar në Shën Petersburg, para se të nisej drejt Prishtinës, që në të vërtetë ishte misioni i parë, por duhej të kamuflohej. Asaj i kishin thënë në Shën Petersburg se duke i bindur shqiptaret, me angazhim rreth bindjeve të shqiptareve se do të kishin një jetë solide në Rusi, do të arrinte dy efekte: pakësimin e mundësive për lindjen e shumë fëmijëve në Kosovë dhe shtimin e natalitetit në Rusi. Sipas studimeve të bëra rreth kësaj teme, me mbështetje në gjendjen faktike të lindshmërisë në Kosovë, femrat shqiptare do të pranonin ofertën nga Tatjana Vollovna.

Kur ishte nisur nga Prishtina të takohej me Nikollain, ajo nuk e kishte menduar qëndrimin në Shqipëri për një kohë të gjatë, për shkak të rrethanave të krijuara pas marshimit të serbëve në tokat shqiptare  ku, gjithandej kishin lënë veç zjarre dhe kufoma… Nuk kishte besuar në brutalitetin serb, sado që edhe gjatë studimeve mbi mentalitetin e popullatës, në Ballkan ndryshe nuk mund të veprohej, pos me vrasje  e asgjësim. Duke e pasur parasysh terrenin e rrezikshëm të Mirditës, kthimin drejt Prishtinës nëpër të njëjtën rrugë e vlerësonte si të rrezikshëm, edhe të pamundur. Prandaj ishte pajtuar që, bashkë me Ruslan Nikollain, i cili gjithashtu ndjehej me siklet kur mendonte se mund të ishte zbuluar se kush ishte në realitet, të vazhdonin drejt Shkodrës dhe Malit të Zi. Për kahën e rrugëtimit të mëtutjeshëm Rusllan Nikollai kishte menduar edhe më herët, por nuk i kishte treguar Tatjanës. Rusllan ishte me plot dyshime, andaj me rrugëtim e mendonte humbjen e gjurmëve.  Edhe pse e kishte vrarë Sebastian Kolën, që kishte marrë vesh për identitetin e vërtetë të Tatjanës dhe Rusllanit,  dyshonte se  në momentin kur ai, Sebastiani, kishte mbetur vetëm me zonjën e shtëpisë, mund t’i ketë treguar asaj për përkatësinë ruse të tyre. Prandaj, në vete kishte vendosur të largohej nga Gurori bashkërisht me Tatjanën, duke zgjedhur rrugën e largimit jo drejt Lumes, por drejt Fushë-Arzës për të kaluar në Lezhë dhe tutje drejt Shkodrës, për të mbërri në Cetinë, ku ishte qetësi.

Ai kishte informata të sakta se jo vetëm në Lezhë, por edhe në Shëngjin ushtria serbe ishte kryesorja. I kishte shënimet se si nga mesi i nëntorit ushtria malazeze, e udhëhequr nga princi Danillo dhe  Mitar Martinoviqi, kishte hyrë në Shëngjin, pastaj kishte vazhduar drejt Lezhës, me qëllim që ta pushtonte edhe Lezhën. Por nga ana tjetër Lezha ishte sulmuar nga serbët të cilët u takuan me ushtrinë e malazezëve dhe kërkuan nga ata t’ua linin Lezhën. Ajo marrëveshje e kreut ushtarak serb me kreun ushtarak malazez ishte e dhunshme; serbët e tradhtuan Kral Nikollën, njësoj siç e kishin tradhtuar me Prizrenin. Synimi kryesor i malazezëve ka qenë Prizreni, të cilin e ëndërronin për kryeqytet. Kral Nikolla e kishte ëndërr, prandaj në çdo përgatitje të malazezëve për t’u futur në luftë kundër ushtrisë turke, e këndonin njëfarë himn me tekst “Drejt Prizrenit…” Serbët me një marrëveshje të heshtur iu premtuan malazezëve se do t’u ndihmonin ta merrnin Shkodrën, si kompensim për heqjen dorë nga Prizreni.

Të gjitha këto të dhëna i kishte të shënuara në notesin e tij Ruslan Nikollai, bile këtë përmbajtje në formë raporti e kishte dërguar edhe në Qendrën Misionare në Shën Petersburg, njësoj siç i kishte dërguar edhe shënimet shtesë se në kohë më të hershme serbët kanë qenë sundimtarë të Shkodrës, pra serbët e jo malazezët. Këto fakte i kishte shënuar me data të sakta: Serbët për herë të parë ishin sundimtarë të Shkodrës nga viti 1050 e deri më 1080, deri atëherë kur nga sulmet e Bizantit kanë qenë të shtrënguar të largoheheshin nga Shkodra. Përsëri, pas një kohe, serbët e morën Shkodrën që e sunduan pastaj deri më 1310, plot 210 vjet.

I rrëfeu edhe Tatjanës për të kaluarën e hershme të atyre viseve, për kapërcimin andej të shumë ushtrive.

-Kam lexuar shumë. Më është dashur të njihem mirë me historinë e këtyre viseve dhe të popullit të kësaj ane. Ndryshe nuk do të mund të fitoja besimin e popullatës, – i tha Ruslan Nikollai Tatjanës, derisa i afroheshin Lezhës, të hipur në kuaj nën përkujdesjen e një përcjellësi.

Flisnin rusisht që të mos kuptonte përcjellësi. Tashmë ishin të siguruar se nuk do të pësonin gjatë rrugëtimit sepse do të ishin nën mbrojtjen e ushtarëve serbë, që kishin zënë pozicionet në Lezhë, Shëngjin, por edhe rrugëve. Ajo ushtri e kishte të ndaluar t’i afrohej Shkodrës, prandaj mbante pozicionet në rajonin e Lezhës.

Përcjellësi, një burrë dyzetvjeçar, ishte i veshur me rroba zhguni. Kishte mustaqe dhe flokët paksa më të gjata mbrapa, skajet e të cilave i dilnin nën shami, me të cilin e kishte të mbështjellë kokën. Në të vërtetë shamia zëvendësonte shallin e zakonshëm. Një pjesë të shamisë e kishte mbështjellë si shall, kurse një pjesë gati mbulonte edhe pjesën e sipërme të kokës. Kjo mënyrë e veshjes nuk jepte të kuptohej se ishte shqiptar. Ishte një lloj maskimi, që të kryente më lehtë punën e përcjellësit. Po të kishte plisin e bardhë mund të merrej në shënjestër nga ndonjë ushtar serb. Kishin ndodhur shumë raste kur, nga largësia, ishin qëlluar me plumba shqiptarët, që gjendeshin në rrugëtim. Pas të shtënave serbët arsyetoheshin se, kësisoj, i provonin pushkët. Nga ana tjetër përcjellësin e kishte siguruar edhe Nikollai, kur ishte marrë vesh për çmim. I kishte thënë se, derisa të ishte në shoqëri me të, serbët dhe malazezët nuk do ta vrisnin. Përcjellësi iu bind fjalëve të tij, sapo u gjend në rrugicën që çonte drejt qendrës së Lezhës, ku takuan ushtarë serbë, të cilët Ruslan Nikollai i përshëndeti njëherë serbisht e pastaj edhe rusisht.

Rrugëve të qytezës së Lezhës shiheshin vetëm ushtarë serbë, thuajse nuk kishte asnjë banor tjetër. Ndoshta edhe kishin ikur nga qyteza, sepse dinin për bizaritetin e ushtrisë serbe. Gjithandej nga kishin kaluar serbët viseve të Mirditës, prapa kishin lënë vetëm kufoma dhe shtëpi të djegura. Rrugëtimi tutje Lezhës ishte si në ndonjë ëndërr të keqe, nga e cila nuk mund të ikësh.

Përcjellësi e kishte më së vështiri: asgjë nuk merrte vesh. Ecte kokulur para kuajve, sikur duke dashur ta hapte rrugën, e cila ishte e shkatërruar nga kapërcimet e qerreve të shumta, të atyre që tërhiqnin edhe topa. Rruga kishte ndërruar pamjen e rrafshët, që e kishte pasur. Këtë rrugëtim të zorshëm, sidomos për përcjellësin, i cili nuk e kishte të sigurt asnjë hap, e bënin vetëm gjatë ditës. Me rënien e muzgut kërkonin ndonjë bujtinë, ose trokisnin në derë të ndonjë shtëpie përskaj rrugës, ku nuk mungonte mikpritja. Meqë përcjellësit i takonte të kërkonte strehë, Ruslanin dhe Tatjanën  në shtëpitë ku gjenin strehim i prezantonte me emrat shqiptarë, ashtu siç i kishte thënë Ruslan para se të merrnin atë rrugë drejt Shkodrës. Në raste të tjera kur iu rastiste të gjendeshin para ushtarakëve serbë,  Ruslan prezantohej vetë, si njeri i autoritetshëm dhe me ndikim në qarqet e caktuara ushtarake e shtetërore të Serbisë dhe të Malit të Zi. Kështu ndodhi edhe në të dalë nga Lezha, aty ku, përskaj bregores nga ane perëndimit të rrugës, ishin pozicionuar forca serbe me armatim të rëndë, që e kishin bartur gjer aty duke pritur lajmet nga Shkodra, për t’iu shkuar në ndihmë malazezëve. Kishte kaluar një kohë e gjatë në pritje, ndërkaq ishin të shtrënguar nga forcat ndërkombëtare të mos bënin kurrfarë lëvizjeje drejt Shkodrës.

Në javën e katërt të prillit, kur pritej gjelbërimi i natyrës, mbante një kohë e ethshme; një i ftohtë thuajse ishte bartur nga dimri, i përcjellë me mjegullnajë, sidomos në pjesët kodrinore. Ajo mjegull pritej të zbriste edhe në fushë, përmes së cilës gjarpëronte rruga drejt Shkodrës. Ruslanit dhe Tatjanës u ngutej të arrinin sa më shpejt, aq më tepër kur, tashti, i kishin lajmet e plota mbi pushtimin e Shkodrës nga ana e malazezëve, përkatësisht shndërrimi i rrethimit në pushtim. Kishin kaluar mbi 180 ditë rrethim me pjesëmarrje të një ushtrie të madhe nga te dy anët, nga ajo shqiptare, që mbrohej, dhe nga ajo malazeze, e cila edhe numerikisht ishte më e madhe; ai numër arrinte deri në 25 000 trupa me armatim të plotë, bile edhe me aq shumë topa, që i kishin dhuratë ruse, njësoj siç i kishin edhe pushkët e tyre. Nga ana tjetër, shqiptarët kishin bërë përpjekje t’u revanshoheshin atyre trupave: nga Shqipëria e mesme, të udhëhequr nga gjeneral Esat Toptani, në mbrojtje të Shkodrës kishin arritur dhjetë mijë trupa. Mbi dymijë matjanë, në krye me shtatëmbëdhjetëvjeçarin Ahmet Zogollin të nisur drejt Shkodrës, shpartallohen nga forcat serbe në afërsi të Lezhës. Edhe një forcë ushtarake numerikisht e madhe, forca turke të udhëhequr nga  Mahmud Hajret Jella ishte nisur nga Berati, por ishin ndalur të gozhduar në fushën e Myzeqesë nga sulmet e përbashkëta serbe-bullgare. Në këso gjendje, të asaj lufte përballë forcave të pabarabarta, përkundër mbajtjes në rrethim për afro shtatë muaj dhe mbas hedhjes mbi Shkodër të 36 000 gjyleve nga topat malazeze, Esat Pasha lajmëroi dorëzimin, duke u marrë vesh më 19 prill, për largimin e vullnetarëve shqiptarë dhe atyre forcave turke, që ishin në mbrojtje. Sipas marrëveshjes vullnetarët duhej të largoheshin nga Shkodra bashkë me armët e tyre me një ceremoni ushtarake, e cila simbolizonte armëpushimin e jo humbjen. Deri në ditën e dorëzimit, që ishte e mërkure më 23 prill, në orën 3 të mëngjesit, kishin mbetur mbi 3500 të vrarë, ndërkaq gjashtëdhjetë për qind e qytetit ishte shkatërruar nga bombardimet dhe ishte plaçkitur tërësisht nga ushtarët malazezë, që marshuan deri te kështjella e Rozafës, mbi të cilën vunë flamurin malazez.

Kjo ishte gjendja faktike kur Nikollai e Tatjana kapërcenin përskaj ushtarëve serbë, të cilët, sapo e dëgjuan përshëndetjen e Nikollait rusisht, ia kthyen me ovacione. Nga ajo zhurmë e krijuar befas, përcjellësi u frikësua. I shikoi fytyrat e tyre, shumë nga ato ishin të parruara. U tremb. Ovacionet i përngjanin klithmave, para akteve të krimeve që i bënin mbi popullatën shqiptare. I dukej se i shihte me thika në dorë, ashtu siç i kishte parë në një rast në afërsi të Pukës, kur njerëzve të lidhur u futnin bajoneta trupit dhe i përcillnin reagimet e tyre nga dhembjet. I dilte parasysh djaloshi njëzet vjeç, apo njëzetedy vjeç, i cili, pasi ishte prerë me bajoneta trupit, dridhej si purteka në ujë. Vrasësi me bajonetë e imitonte me të dridhur, e imitonte dhe qeshte me të madhe, derisa fatziu jepte shpirt. Ishte i dëshpëruar nga ato pamje, e sidomos kur ushtarët serbë, një numër i madh i tyre, iu afruan kuajve mbi të cilët qëndronin Nikollaj dhe Tatjana. Ata bënë një rreth dhe nisën të këndonin një këngë ruse. Në ndërkohë, rrugës që vinte prej Shkodrës, shumë larg asaj rruge, vëreheshin lëvizjet të cilat, me kalimin e çasteve, fiksoheshin më mirë. Dukej se nga andej drejt Lezhës arrinin grupe njerëzish, për të cilët, njëri nga oficerët serbë, që ia zgjati Nikollait dhe Tatjanës dorën e përshëndetjes, u tha:

-Janë ata që e dorëzuan Shkodrën.

Ishte e vërtetë. Ishin vullnetarët e Esat Toptanit, të detyruar t’ia dorëzonin Shkodrën malazezëve. Me mija vetë të rraskapitur, i afroheshin Lezhës. Kishte edhe shumë refugjatë, me gjësende të ngarkuara në qerret e tyre që tërhiqeshin nga qe e kuaj. Ruslan iu tha ushtarëve serbë të lironin rrugën, të largoheshin tutje rrugës ku i kishin barakat. Ata e dëgjuan atë, por e kishin edhe urdhrin nga eprorët të mos i provokonin të larguarit nga Shkodra. Megjithëkëtë, ushtarët vazhdonin të këndonin këngën ruse, derisa rrugës kokulur dhe të rraskapitur kapërcenin vullnetarët e Esat Pashës dhe refugjatët. Kapërcimi i asaj kolone të gjatë mori kohë, prandaj Nikollai dhe Tatjana e shihnin të pamundur që të vazhdonin rrugën, sepse tashmë afrohej nata. Përcjellësi priste urdhrin e tyre, priste dhe i shikonte vullnetarët e rraskapitur, të kërrusur e të lodhur, me pushkët e lëshuara me tyta teposhtë. Ata që nuk kishin pushkë, mbanin bastunë, apo shkopinj, që i përdornin për t’u mbajtur. Përcjellësit i dukeshin si fantazma, me shikime të përvuajtura. Ecnin të heshtur, pa zë, dëgjohej veç zhurma e hapave të tyre të lodhur. Një tis i pluhurit që ngrihej nga ecja e tyre, përhapej tutje rrugës, duke krijuar kështu si një mjegullnajë që tretej fushës. Kjo pamje e tillë do t’i mbetej në kujtesë përcjellësit, si diçka jo reale, por që në të vërtetë paraqiste rrëfimin e përfundimit tragjik të mbrojtjes së Shkodrës, të cilën vullnetarët dhe refugjatët, më mirë të quheshin mundimtarët, e kishin lënë të mbështjellë me tym. Kolona e gjatë e të larguarve nga Shkodra sikur ishte në pambarim, aq e gjatë sa s’i shihej fundi.

Ruslan Nikollai, duke mosgjetur ndonjë rrugë tjetër, që çonte drejt Shkodrës, dhe duke e parë të vështirë rrugëtimin e tij në anën e kundërt të kolonës, që domethënë se ishte e pamundur, pranoi ofertën e ushtarëve serbë që të kalonte natën në Lezhë. Prej tyre mori edhe premtimin se, të nesërmen, do të gjenin një makinë, me të cilën do ta përcillnin deri në Shkodër, apo edhe deri në Cetinë, sepse ky u kishte thënë se e kishin ndërmend të shkonin në atje. E miratoi kërkesën e tyre, kurse përcjellësit i tha të kthehej, sepse nuk kishin nevojë më për të.

Përcjellësi tërhoqi kuajt një rruge përmes arave që çonte nga verilindja. Në të vërtetë ajo rrugë arrinte në Troshan. Atë vend e njihte mirë dhe ishte më i sigurt. Në anën e lindjes të Troshanit e kishte parasysh rrugën kodrinore, një rrugë me shumë kthesa, e cila çonte në Gjobardhaj, aty ku i kishte dajallarët. Një burrë me moshë mesatare, krejt i leckosur, që ishte vullnetar për mbrojtjen e Shkodrës, e thirri përcjellësin, derisa ai i hipur në njërin kalë dhe, duke e tërhequr kalin tjetër, vazhdonte asaj rruge të ngushtë mes arave:

-O mik, ku kështu?

Përcjellësi e ktheu kokën, pastaj kur u bind se me të e kishte, u ndal:

-Urdhëroni?

-Të pyeta ku po shkon?

-Njëherë në Troshan, e pastaj do vazhdoj…

-Më pranoni në shoqëri?

Përcjellësi mezi priste, aq më tepër kur ia pa pushkën. Në atë mbrëmje, si në çdo mbrëmje e net të asaj kohe të ngatërruar me uniforma ushtarësh të ndryshëm, nuk mund të dihej çfarë mund të ndodhte rrugës.

-Po, more, si jo?!

Vullnetari që kishte shkuar ta mbronte Shkodrën dhe tashti me gjithë ata mija veta kthehej, pasi e kishin humbur qytetin, ose siç thoshin – pasi Esat Pasha ia kishte dorëzuar çelësat e qytetit Kral Nikollës, përkatësisht princit Danillo, mezi priste të gjente ndonjë strehë për të ardhur në vete, apo ndonjë mundësi për çlodhje. Kali rezervë, të cilin e tërhiqte përcjellësi, për vullnetarin ishte si i rënë nga qielli, si i porositur nga Zoti. U nda nga kolona dhe iu afrua përcjellësit:

-Zoti të ruajt, më shpëtove. E përmendët Rrëshenin…

-Po, e përmenda sepse do të kalojmë andej dhe do të arrijmë në Ndërfushë…

– Ndërfusha është katundi im. Më thonë Mark Sharra.

-Rrofsh, or burrë! Mund të udhëtojmë bashkë? Unë jam Sheremeti… nga Bruçi. E di ku është?

-E paskëshim të njëjtin drejtim, por unë, ashtu siç të thashë, kam vendosur ta bëj natën te dajallarët, sepse natës nuk i zihet besë…

-Ore as ditës nuk i zihet besë, në këtë pështjellim, ku jeta e njeriut nuk vlen as për pesë para.

-Fat që e kam edhe një kalë me vete dhe nuk do të ecësh këmbë, – i tha Mark Sharra.

-Fat i madh që të gjeta ty, e sa për kalë, është mrekulli tjetër.

Me ndihmën e Markut, Sheremeti zuri vend mbi shpinë të kalit. Vazhduan rrugën dhe, natyrisht, edhe bisedën. Sheremeti i fliste për Shkodrën, për qëndrimin e tij gjatë shtatë muajve në qytetin që bombardohej, i përballur me aq shumë kufoma. Ai i thoshte se ishte e pamundur të mbrohej qyteti, sepse forcat shqiptare që po mbronin Shkodrën, pengoheshin nga forcat serbe, të cilët pritnin momentin t’u shkonin në ndihmë malazezëve. Nga ana tjetër, forcat malazeze ishin të armatosur si është më mirë. Kishin armatim të rëndë lufte. Gjithashtu, në forcat e tyre, kishte edhe pjesëmarrës të nacionaliteteve tjera, bile edhe shqiptarë të mashtruar.

-A dihet numri i të vrarëve?

-Tash është vështirë të dihet ai numër, sepse qyteti është i rrënuar, kurse nën gërmadha ka kufoma. Por dihet se qytetit i është marrë edhe pasuria. Ushtarët malazezë, kur hynë në qytet, punën e parë e kishin plaçkitjen dhe djegien e lagjeve të qytetit. Ata i vazhduan vjedhjet edhe nëpër katunde. Gjatë këtyre muajve të rrethimit, ngjarjet luftarake janë vëzhguar edhe nga shumë të huaj, humanitarë e gazetarë, por edhe diplomatë.

Një gazetare e kishte vënë re edhe këtë ngjarje, të cilën e kishte përshkruar kësisoj: …Kur ushtria malazeze hyri në fshatin Mazrek, rrëmbeu bagëtinë dhe plaçkiti kishën. Malësorët katolikë hapën zjarr. Vranë dhe plagosën shtatëmbëdhjetë malazezë. Malazezët u alarmuan dhe, nga frika, se mund të sulmoheshin nga çdo anë, ua paguan të gjitha dëmet. Banorët mazdrekas morën menjëherë paratë dhe thanë: “Në të ardhmen, edhe në qoftë se vetëm një pulë do të vidhet, do qëllojmë me armë!”

Marku e shikoi, siç thuhet, me bisht të syrit, dhe qeshi si me vete, me përpjekje që të mos hetohej nga Sheremeti. Kjo trimëri e rrëfyer nuk zbuste tragjedinë e ndodhur në qytetin e Shkodrës dhe në rrethinë. Marku atë e dinte, prandaj e kishte mendjen te vrasjet e shumta, te granatimet e qytetit dhe djegia e shtëpive gjatë shtatë muajve. Nuk e kishte pritur një rrëfim të ngjashëm nga pjesëmarrësi i drejtpërdrejt në ato ngjarje luftarake. E shikoi seriozisht:

-Si thua, i morën dëmshpërblimet?

-Edhe mua më është dukur rrëfim i zmadhuar, por ishte rrëfyer nga i huaji.

-Po të ishte kjo e vërtetë nuk mund të ndodhte dorëzimi i çelësave të Shkodrës, ashtu siç i dorëzoi Esati.

-Nuk e di burrë. Mund të them se në Shkodër ishte pështjellim; një pështjellim i madh. Koordinatat për luftën kanë ardhur nga qarqe jashtë Shkodrës, kurse vrasjet kanë ndodhur brenda dhe në periferi të Shkodrës, në Tarabosh, e vise të tjera. Lufta është dirigjuar nga jashtë…

-Nga Austro-Hungaria, për shembull., – tha Marku.

-Edhe nga Rusia, Franca, Anglia… Nuk di vëlla, – vazhdoi Sheremeti, – unë nuk merrem vesh, por ne, siç thuhet, ishim me veshë në krahë, duke dëgjuar urdhrat.

-A ishe prej fillimit atje?

-Prej ditës së parë, prej 11 tetorit kur filloi mësymja e parë e malazezëve, të cilët synonin ta pushtonin Taraboshin, atë pikë strategjike prej nga do t’i hidhnin granatat drejt qytetit. Taraboshi paraqet pikën më të përshtatshme për sulm, sepse pamja nga Taraboshi dominon mbi qytetin dhe liqenin. Qëllimi ynë mbrojtës ishte ta ruanim Taraboshin, të kishim mbikëqyrje edhe mbi pika të tjera dominonte. Prandaj tre batalione, një kompani mitraljerësh dhe një bateri e artilerisë malore nën komandën e majorit Sadedin Beu, kaluan matanë Bunës mbi lundra për t’u përballur me armikun. I përmenda lundrat, sepse, për fat të keq, ura mbi Bunë veç sa kishte nisur të punohet, ishte në ndërtim e sipër, por u ndërpre ndërtimi.

Nata tashmë kishte pushtet të plotë. Ata ecnin kaluar rrugës përpjetave prej nga në largësi dukej, prapa shpinës së tyre, ndonjë dritë e zbehtë. U ndalën për një pushim të vogël, me shikim nga ato drita, që ishin të Troshanit.

-Ende është larg Gjobardhaj, ku do të ndalemi, – tha Marku.

-Meqë jemi bashkë, nuk po mërzitem fort, – ia ktheu Sheremeti.

-Ku e lamë bisedën? Si the, luftëtarët tanë kapërcyen Bunën? E Taraboshi si pikë strategjike, që thua ti?

-Të them se në Tarabosh kishte qenë një kasaphane e vërtetë. Malazezët kishin arritur të ngjiteshin, përkundër sulmit të vazhdueshëm të tanëve që ishin në maje. Por, ndodhi depërtimi i malazezëve dhe, siç thoshin, armët i lanë anësh. U përleshën për jetë a vdekje trup më trup. Më pastaj, sipas propagandës sonë, thuhet se aty mbetën të vrarë tetëqind malazezë dhe, siç thanë, vetëm 27 ushtarë tanë.

-Nuk  besoj! – ndërhyri Marku.

-As unë nuk e besoj, por kështu thanë dhe kështu u përhapën të dhënat zyrtare nga ana jonë. Ajo që mund të besohet janë pamjet që unë i kam parë rrugëve të Shkodrës, kufomat e njerëzve të vdekur jo veç nga plumbat e granatimet, por edhe nga uria. Merre me mend, njerëzit hanin bari, rrënjë, mishin e kuajve të ngordhur…Ishte tmerr t’i shikoje si të përgjumur. Ata përballeshin me urinë, vdekjen nga plumbat, edhe nga të ftohtit. Shkodra ishte varr për të gjithë, për ushtarët gjithsesi, por sidomos për banorët shkodranë, edhe për shumë të tjerë që ishin futur në qytet për shpëtim…

Pas kësaj bisede në ecje, nëpër atë rrugë kodrinore, thuaja në errësirë të plotë, qetësinë e të cilës e prishte ndonjë e lehur qensh në largësi, Marku dhe Sheremeti ranë në heshtje. Me ritmin e trokut të kuajve, nga të shkelurat e të cilëve nganjëherë rrokullisej ndonjë gurë, shpërfaqnin edhe kujtesën, ëndrrat, besa edhe frikën se do të ndeshnin njerëz, të cilët u gëzoheshin netëve qoftë për të vjedhur ose për të vrarë më lirshëm.. Prandaj njerëzit u shmangeshin udhëtimeve natën. Veç nga zori i madh, që përputhej me situatën e Markut dhe të Sheremetit, njerëzit merrnin rrugët natën. Ndryshe, strukeshin në ato shtëpitë e tyre malore, në ato kasolle me dritare të vogla, si të ndrydhura në faj ose në gjak. Vështir denjonin të dilnin nga ato kasolle, bile nganjëherë edhe kur ndokush i rastit u trokiste në derë, ata bëheshin si të vdekur. Nuk bënin zë. Ruheshin nga të papriturat që mund t’u ndodhnin. Jeta ishte e pasigurt, sidomos natën. Në heshtje të plotë,  dhe në ecje, te dy ndjenin frikë, por asnjëri nuk e shfaqte, për shkak të krenarisë. Frika ishte e pranishme edhe kur, në anën e djathtë të asaj rrugice malore, pak në brendi të kaçubave, të cilat natën dukeshin si të mbuluara me guna të zeza, dëgjuan një zë, si gjëmim. Një zë i pakuptuar, që herë-herë vinte si ofshamë. Marku dhe Sheremeti u ndalën, të dëgjonin më mirë. Zbritën nga kuajt, derisa Marku bëri edhe dy hapa tutje drejt atij zëri të shndërruar në psherëtimë. I shtyrë nga frika, sigurisht, kishte dyshim. Mendonte se mund të ishte farë provokimi, farë gracke. Iu drejtua Sheremetit si me pëshpëritje:

– Mund të jetë farë kurthi?

-Nuk e besoj, – ia ktheu ai, gjithashtu me pëshpëritje. – Të shikojmë…

-Po shikoj unë, – tha Marku. – Ti ruaji kuajt dhe prit.

-Prit njëherë, mos u fut brenda kaçubave, – ia ktheu Sheremeti.

-Psherëtima nuk po ndalet. Mund të jetë ndokush me halle, po i afrohem! – tha Marku, i vendosur t’i afrohej vendit prej nga dëgjohej ai zë si ofshamë, ajo psherëtimë.

-Heeej! – ngriti zërin Sheremeti.

Pas kësaj thirrjeje u ndal gjëma. Nuk dëgjohej zë.

-Ka njeri këndej? – mori guxim të rriste zërin edhe më tepër Sheremeti.

Prapë heshtje.

Sheremeti i foli me ngadalë Markut:

-Duhet të jetë ndonjë hallexhi, ndryshe do të lajmërohej. Edhe ai mund të ketë frikë nga ne, sikur ne që kemi frikë nga ai zë, që tash humbi. Humbja e zërit do të thotë se ai i psherëtimave dëshiron të jetë i fshehur.

-Pikërisht për këtë shkak duhet ta gjejmë, – ndërhyri Marku, që e luti Sheremetin t’i ruante kuajt. – Të lutem, prit këtu. Po shikoj kush është, nëse është ndokush. Po qe se rrezikohem, të thërras.

-Mos shko duarthatë. Merre pushkën time, – e luti Sheremeti.

 

-Nuk di ta përdor pushkën. E kam një thikë, për çdo eventualitet, e mbaj brenda xhupit. Ja ku e kam… – e hapi xhupin dhe ia tregoi.

-Mirë, – i tha Sheremeti. – Edhe thika kryen punë, nëse ajo përdoret në moment të përshtatshëm. Ec ngadalë, po të pres.

U fut mes kaçubave dhe duke hapur shtegun me të shtyrë të degëve që ia zinin rrugën, Marku depërtoi afro pesë hapa tutje rrugës. U ndal të dëgjonte. Prapë asgjë, kurse brenda kaçubave ishte edhe më terr. Nuk dukej asgjë. Ajo errësirë e dendur vinte jo vetëm nga kaçubat e shpeshta, por edhe nga dendësia e vranësirave, të cilat nuk lejonin depërtimin e dritës së hënës, e cila në pjesën e perëndimit ishte e zbehtë, sa mezi depërtonte përmes një shtrese të hollë vranësire.

Dëgjoi me vëmendje. Asgjë nuk pipëtinte. Eci edhe dy hapa. U ndal.

-Kushdo qofsh lajmërohu! – tha Marku.

-Ah, mjerë unë! – u dëgjua zëri nga pjesa e pasme e kaçubës.

Marku pa hezituar doli në anën tjetër të kaçubës.

-Kush je ti? – pyeti dhe iu afrua trupit të njeriut të strukur, që mezi dukej.

Nga ai trup u dëgjua dënesja, një psherëtimë e thellë që, pak më vonë, u shndërrua në vaj zëshëm.

-Mjerë unë, o! – përsëriti kukamën.

Marku zbriti në gjunjë. Shtrini duart nga ai. Ia preku krahun, pastaj ngriti dorën dhe, me gishta, ia preku kokën e mbështjellë.

-Kush je ti, ore burrë! – iu drejtua kur, me të prekur, e mori vesh se ai njeri me psherëtimë dhe dënesje ishte mashkull.

– O, jam një fatkeq i vetmuar. Kam plagë, kam mbetur të vdes në këtë vend.

-Çka të ka ndodhur, ore? A mund të më tregosh?

-Mark! – thirri Sheremeti. – Ç’po ndodh atje?

-Është një hallexhi… Tash po vij. Prit dhe ruaji kuajt, – i tha Sheremetit dhe vazhdoi me njeriun që qante, ofshante… – Çka të ka degdisur këndej në këtë natë të errët? Prej nga je dhe çka të ka ndodhur?

-O shpëtimi im! – i tha ai që ishte i strukur skaj kaçube, – jam nga Rrësheni. Në të vërtetë isha nga Rrësheni. Tash nuk di prej nga jam, e ku do të shkoj… Të them se jam në rrugë të vdekjes, sepse as di pse jetoj…

-Eja me mua, – Marku ia futi dy duart mes krahëve. – Jepi e ngrihu, të dalim në rrugë. Atje është edhe një miku im.

-Më lërë, të lutem. Më lërë ta përfundoj jetën, sepse gati e kam të përfunduar. Nuk dua të jetoj.

-Eja tani, ngrihu! – e luti Marku duke e tërhequr.

-O mik, jam i plagosur në këmbë. Nuk mund të ec. Më lërë këtu!

-Do të ecësh, do të ecësh! – e shtrëngoi mirë, duke e kapur për beli. – Mund ta lëvizësh njërën këmbë?

Mezi arritën në rrugë, ku i priste Sheremeti.

-Hë, çka ka ndodhur? Kush je ti, ore burrë? – iu drejtua Sheremeti.

-Jam nga Rrësheni. Më thonë Viktor Tuna, mos qofsha!

-A na tregon çfarë të ka ndodhur?

-Ezezëdita! Serbët ma kanë kallë shtëpinë. Ma kanë vrarë djalin tim nëntëmbëdhjetë vjeç dhe gruan ma kanë prerë në fyt dhe e kanë djegur brenda shtëpisë. Unë arrita të ik bashkë me Elzën time, me vajzën shtatëmbëdhjetë vjeçe. Menduam se shpëtuam, por ata më kishin hetuar. Na ndoqën dhe, nga larg, më qëlluan në këmbë, dhe më lanë. Me siguri kanë menduar se më kishin vrarë, ndërkaq Elzën time, e cila ikte malit, e kanë zënë. Nuk di çka ka ndodhur me të. Sigurisht e kanë vrarë. Mjerë unë! Çka më duhet jeta?

-O mik, na ke neve. Qetësohu, – i tha Marku.

-Tashti nuk të lëmë vetëm. Mos kij merak. Sonte do të kalojmë natën në Gjobardhaj, nuk është larg nga këtu. Nesër vazhdojmë. Të përcjellim deri në Rrëshen, kurse ne shkojmë tutje.

-Qofshi të nderuar, por për mua nuk ka jetë. Jam krejtësisht i vetmuar, pa më të afërmit, që m’i vranë serbët. Çfarë të bëj më tutje? Se si nuk më rroku ai plumb në zemër, të kisha përfunduar… Kështu, gjallë e për gazepi, i plagosur, pa mundësi shërimi, shpëtimi për mua është fatkeqësi.

Vazhduan.

Please follow and like us: