Teatrit i ri Kombëtar do të kushtojë mbi 4 miliardë lekë
Vitin e ardhshëm do të nis ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar, për të cilin qeveria ka parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2022 një pjesë të fondit.
Parashikohet se ndërtimi i teatrit do të kap vlerën prej 4.8 miliardë lekësh të rinj ose thënë ndryshe afro 46 milionë dollarë. Mësohet se kjo shumë do të ndahet në më shumë se tre vite buxhetore.
Për vitin e ardhshëm të vërë në dispozicion të këtij projekti një shumë prej 900 milionë lekësh, ndërkohë që ky fond do të rritet në vitin 2023 kur dhe janë parashikuar për t’u lëvruar afro 1.5 miliard lekë. Ndërkohë që 1 miliard të tjera janë parashikuar të alokohen në vitin 2024, ndërsa 900 milionë të tjera do të paguhet më pas, por pa përcaktuar vitin konkret buxhetor.
Në planin e investimeve ka një mospërputhje prej 500 milionë lekësh mes vlerës totale të realizimit të projektit dhe shumave të parashikuar në çdo vit, por duket se kemi të bëjmë me një vlerë e cila i është paguar tashmë Bashkisë së Tiranës për studimin, hartimin e projektit të teatrit të ri dhe shërbimet e tjera përgatitore.
Fondi megjithëse është parashikuar te pjesa e që i përket investimeve të Ministrisë së Kulturës, ai i është përcaktuar që t’i jepet Bashkisë së Tiranës. Në muajin qershor Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen për ndërtimin e godinës së re të Teatrit, projekti i të cilit është realizuar nga studioja ndërkombëtare e arkitekturës, ‘Bjarke Ingels Group’ me qendër në Danimarkë.
Projekti ofron një godinë të arkitekturës me dizajn modern dhe që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për zhvillimin e talentit të aktrimit, ashtu edhe për vetë publikun.