Odise Kote: PREJA
Ia rrëmbejnë kohën dhe durimin, e shtrijnë mbi rërë me kujdes,
duart i vendosin gjoksit, s’kanë kurajë që t’i mbyllin sytë.
Mbetur trup pa shpirt, i pakundshoq, tokë e shkretë, tmerr,
krahëkëputur, mbi krye krokojnë korba mbi pezullitë.
Zëprerë, përhumbur, mbytur në pendesë të paqëllimtë e pikëllim,
prej të perënduarit, në sa hëna josh kotsëkoti pyjet për shëtitje.
Kumb’ vaji mbështjellë trup të hirnosur që e ngroh me pak frymë,
flutura fantazie që vijnë rrotull, t’i zgjasin agonitë dhe pritjet…
Ia shkulin edhe çastin fluturues mbi hon të gabimit e mërzisë,
u duhet i gjithi, me rrënjët e paepura, të fshehura, me urrejtjet.
Përskaj i shkon vdekjes pa ditur që bujarisht paska falur lirinë,
kanë frikë se në thëllim të stuhisë, zgjohet dhe dëbon vetveten…