Silvi BARDHI: E bukura Vlorë, nuk më krenon më
Është e trishtë të përballesh me dëshpërimin e thellë të perlës së jugut. Vlora, e cila është pikturuar e skalitur me kujdes nga Perëndia, po ç’nderohet nga njeriu. As qetësia e Jonit në këto ditë përvëluese, nuk mund të zbusë zemërimin e bregdetarëve, se si kjo mrekulli e Shqipërisë po dhunohet pa mëshirë. Kjo fundjavë, ishte më e zbehtë se të tjerat. Pasi kalova 2 orë udhëtim, vapës përvëluese iu shtua afshi i betonit të rrugës kryesore. Palmat e thara të Sheshit të Flamurit po ngordhnin për një pikë ujë, ndërsa dyqanet varg po dremisnin e s’bëhej xhap. Fatmirësisht udhëtimi i shkurtër krahasuar me atë të viteve 2005, më dërgoi më shpejt se ç’e mendoja tek vendi i njohur i udhëtarëve “Xhamia”.
Teksa merr drejtimin për nga Porti, të zë syri mjerimin dhe copëtimin që po i bëhet zemrës së turizmit shqiptar. Vërtetë ambientet kerkojnë të të lënë shkëlqimin e kristaleve të llampadarëve, veshjeve e markave të shtrenjta, por në dyert e tyre në të shumtën e rasteve sheh shitëset në prag të derës, me një duhan në dorë, të cilat shtyjnë kohën, sepse dyqani është bosh nga njerëzit. Më tutje, shumë pranë shkëlqimit “firmato”, ndodhet tregu i fruta perimeve. E adhuroj atë treg. Gjithmonë gjen fruta e perime të freskëta. Sidomos prodhimet e Kaninës, janë të mrekullueshme. Aroma tipike e erëzave, mendoj ia tejkalon orientit. Mbushem me ajrin që i mungon aq shumë Tiranës, teksa shijoj prodhimet bio te vendit tim. Por kënaqësia zgjat shumë pak, pasi çmimet nuk kënaqin aspak klientët, më shumë vlonjatët, të cilët i kam paragjykuar, duke menduar se do të lavdëronin çdo qeveri socialiste që do të vinte në pushtet.
Në këtë pikë, u zhgënjeva. Nuk kisha dëgjuar më parë të kritikohej një socialist, në mes të Vlorës. E kjo më bënte habi. E kanë të gjithë me Edi Ramën vallë? Disa edhe me Shpëtim Gjikën, por inatin më të madh me atë atje në qeveri thonë. Po pse, u them unë? Ai është deputeti juaj. Po ç’deputet moj bijë, më thanë, me tonin e zërit që nuk u lëviz asnjë tingull krenarie. Shife ç’i ka bërë Vlorës, e shkatërroi këtë vend moj bijë thonë. Po mirë, mora guximin të kuptoj më shumë. Përse e votuat? Po ja, më thanë. Na gënjeu. I dhimbshëm ky dialog, në tregun e ushqimeve ku luftohet të ulet qoftë një 50 lekësh i vjetër, sepse vlonjatët nuk kanë më me ç’të shtyjnë ditët, jo më muajin. Përtej varfërisë së shtrirë gjatë e gjërë, automjetet luksoze bënin rrokopujën e zakonshme të pasdites.
Si për çudi, asnjë polic nuk shihej në horizont. Ndërsa ecja më tutje, guximi për t’iu drejtuar zonës së Ujit të Ftohtë, do të pëfundonte në një dështim. Qindra makina të gozhduara në rrugën e famshme të Lungomares, të pjekura e të përcëlluara në asfaltin e përvëluar. Rrotondo, e vetmja gjë e gjelbër që të zinte syri në fillim të sheshit “Pavarësia”, më pas beton, beton, beton… Ç’kishte prekur njeriu, ishte e shëmtuar, ç’ishte e natyrës, të jepte jetën. Sheshi Pavarësia në Skelë, shesh tërësisht i betonizuar, pa asnjë pemë të mbjellë, me shatërvanë që nuk nxjerrin ujë, po ziente nga temperaturat e larta. Asnjë këmbë njeriu nuk shihej, pasi prisnin rënien e diellit për të shijuar një shëtitje.
Pak më tutje niste Lungomare, në një rrugë të ngushtë me 2 korsi, smok, tymnajë makinash me marmita të shkatërruara, zhurmë, kalimtarë të pakujdesshëm, lodhje, rraskapitje, pritje… Një tjetër shesh disa metrash katrorë, tërësisht i betonizuar kishte përbri kanalin e ujërave të zeza. Një grykëdalje në det, lehtësisht e dallueshme jo vetëm për nga pamja, por edhe aroma e tmerrshme që kundërmonte. Fillimi i Lungomares, ndahet si thikë me detin, një zonë ku ka filluar të shërbejë si shëtitore për banorët e zonës dhe turistët. Shoh nëna të shqetësuara për të vegjlit e tyre kur i afrohen detit. Nuk ka asnjë mbrojtëse, asnjë rrethim për të shmangur një tragjedi. Bisedoj një prej ditëve të fundjavës me një nënë të re. U shqetësove, e pyeta, pasi vrapoi e tmerruar pas të voglit.
Kam frikë tha se ajo pjesë nuk është e mbrojtur aspak, kam fëmijët e vegjël. Të njëjtën ndjenjë kisha provuar edhe unë për fëmijët e mi, një javë më parë, ku e tmerruar mendova se si mund të shkojë kaq larg papërgjegjshmëria. Me djalin e vogël në krahë, mendova të bëj një xhiro në këtë shesh-beton, si e vetmja mundësi për shëtitje. Befas më drejtohet një banor, rreth të 60-ave. Me zë kritik më thotë. Ku nxirret fëmija në këtë vend që ka vetëm fekale, se na e shkatërruan Vlorën. As mos e nxirr për ajër këtej tha. Eh, ke kaq shumë të drejtë, i thash, dhe u largova për nga fusha e betonit, mes shumë prindërve me fëmijë.