Albspirit

Media/News/Publishing

Frank SHKRELI: Kris Hill diplomati që hapi ambasadën e parë Amerikane në Tiranë

Një tetori 1991 është data e hapjes së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ndonëse marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosën disa muaj më parë më 15 mars, 1991 gjatë një ceremonie në Uashington. Ambasadën e hapi i Ngarkuari i Përkohshëm me Punë, Kris Hill, i cili u pasua nga ambasadori i parë fuqiplotë i Amerikës në Tiranë, Uilliam Rajërson, pas një ndërprerjeje prej 51 vitesh të marrëdhënieve zyrtare midis dy vendeve.

Kris Hill, i cili tani është dekan i Institutit “Xhosef Korbel” për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Denver të shtetit Kolorado ka qenë në krye të shumë nismave diplomatike amerikane për pothuaj 30-vjet. Ka shërbyer në disa nga vendet më të vështira në botë dhe gjatë karrierës së tij, ai është marrë me disa prej problemeve dhe sfidave më të mëdha të politikës së jashtme amerikane, përfshirë Irakun, Korenë e Veriut, dhe Kosovën. Emërimi i tij për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Irak më 2009-n qe kundërshtuar nga disa senatorë, të cilët thanë në atë kohë se ai nuk kishte përvojë në Lindjen e Mesme, por shumica ishin të bindur se ai kishte përvojën e nevojshme dhe më në fund u aprovua emërimi i tij nga Senati. Më kujtohet në atë kohë, një mbrojtës i tij qe cituar në njërën prej gazetave të Uashingtonit të ketë thënë se, përvoja e ambasadorit Hill në Ballkan e kishte përgatitur atë për çdo sfidë diplomatike kudo në botë, përfshirë Irakun.

Gjatë karrierës së tij diplomatike 30-vjeçare, ambasadori Kris Hill ka marrë pjesë në shumë përpjekje dhe në negociata për arritjen e disa marrëveshjeve dhe traktateve për paqe, si përfaqësues i Shteteve të Bashkuara. Në një intervistë me revistën ‘Bowdoin’ para disa vitesh, z.Hill nënvizoi filozofinë e tij për negociata me kundërshtarët, duke thënë se, “që të zhvillosh bisedime ose negociata me një shtet, nuk do të thotë se medoemos  duhet të jemi dakord me politikën e atij vendi”. Por sipas tij, bisedimet  me një palë kundërshtare janë një mjet për të arritur diçka”, dhe si të tilla duhet t’u jepet mundësia të dalin me sukses.  Ai njihej si një diplomat me reputacion, por sipas një artikulli në gazetën Uashington Post të vitit 2009, thuhet se, ai ndonjëherë i tejkalonte udhëzimet e marra nga Uashingtoni për negociata dhe nganjëherë shkelte edhe rregullat për të realizuar objektivin e misionit të tij. Por ish-Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton e pati mbrojtur në atë kohë ambasadorin Hill dhe punën e tij diplomatike, duke thënë se: “nga pikëpamja ime, Ambasadori Hill ka bërë limonadë duke shtrydhur disa limona shumë të këqinj”. Kris Hill ishte shumë i afërt dhe punoi ngushtë me ish-ambasadorin dhe negociatorin e njohur amerikan Riçard Holbruk, sidomos gjatë krizës në Kosovë. Holbruk, në librin e tij e ka cilësuar ambasadorin Kris Hill si, “mendjemprehtë, i pafrikë dhe argumentues”.

Por, para se të njihej dhe të bëhej i famshëm në arenën ndërkombëtare, ambasadori Hill kishte shërbyer në Ballkan ku  22 vjet më parë hapi zyrtarisht Ambasadën Amerikane në Tiranë, më 1 Tetor, 1991 duke fituar përvojën e tij diplomatike në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni, përvojë kjo që më vonë ai do e përdorte në rajone të tjera të botës, përfshirë Irakun dhe si kryenegociator i Amerikës në bisedimet për çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut.

Ambasadori Kris Hill në të vërtetë, ishte njëri prej atyre diplomatëve amerikanë, i cili vuri gur themelin e marrëdhënieve amerikano-shqiptare dhe më vonë luajti një rol kyç përpara dhe gjatë luftës në Kosovë, ku ai shërbeu si përfaqësues i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Kosovën gjatë viteve 1998-1990 dhe si bashkëpunëtor i ngushtë i ish-ambasadorit Riçard Holbruk. Gjatë kohës që e kam njohur, Kris Hill ishte serioz dhe i përkushtuar në punën e tij. Por, ai e shihte  me optimizëm  të ardhmen e Shqipërisë dhe të Kosovës. Më kujtohet qëndrimi i tij, megjithëse, në rrethana shumë të vështira pune kishte hapur ambasadën në Tiranë – kur e vizitova në zyrën e tij, në një barake të përkohshme dërrasash në truallin e Ambasadës Amerikane. Pyetjes sime se si po kalonte dhe si i dukeshin punët, ai m’u përgjigj: (“Look, it’s going to be hard. But this country has a lot of potential. Albania is going to make it. And we will build an embassy that is worthy of this country”). Shiko, do të jetë vështirë. Por ky vend ka një potencial të madh. Shqipëria do t’ia dalë.  Dhe ne do të ndërtojmë një ambasadë që është e denjë e këtij vendi”,- më tha ai.

Si përfaqësues amerikan gjatë krizës në Kosovë, ambasadori Hill u dallua për punën e tij të palodhur dhe diplomacinë ecejake, Shkup, Prishtinë-Beograd dhe për rolin e tij në bisedimet e Rambujesë. Për këtë ai u dekorua me çmimin prestigjioz të Departamentit Amerikan të Shtetit për Negociata Paqësore, “Robert S. Frasure”. Dy vjet më parë, ambasadori Hill u kthye në Ballkan – dhjetë vjet pasi ishte larguar së andejmi- me një vizitë në Kosovë, i ftuar nga Fondi Amerikan për Arsim i Kosovës. Me atë rast  ambasadori Kris Hill mbajti një fjalim, ku shfaqi optimizmin e tij edhe për të ardhmen e Republikës së Kosovës.  Ai tha se, Kosova kishte bërë përparim të mrekullueshëm gjatë dekadës së kaluar, duke shtuar se, “Kosova duhet të jetë e durueshme, por të vazhdojë të shpresojë se ka një të ardhme të shkëlqyer, bazuar në një sistem të mbarë arsimi dhe të shkojë përpara me vendosmëri dhe politika të drejta”.

Ambasadori Kris Hill, në këtë përvjetor të hapjes zyrtarisht të Ambasadës Amerikane në Tiranë në tetor 1991 dhe shërbimit të tij diplomatik në Shqipëri, por edhe rolit që ai luajti për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, duket si diplomati i “harruar” nga koha, por në të vërtetë, Kris Hill ishte personi që së bashku me ambasadorin e parë amerikan, Uilliam Rajërson filluan nga asgjëja veprimtarinë diplomatike amerikane në kryeqytetin shqiptar, si dhe fillimin e rivendosjes së marrëdhënieve të ngushta  midis Uashingtonit dhe Tiranës, nën rrethana shumë të vështira pune në Shqipërinë e vitit 1991. Kontributi dhe influenca e ambasadorit Kris Hill në marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-amerikane si dhe në zhvillimet, që më në fund çuan në krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës, e që sot janë ndër marrëdhëniet më të ngushta shtet me shtet në botë, janë të konsiderueshme dhe meritojnë vlerësimin e duhur.

4 tetor 2013.

Please follow and like us: