Reformimi i policisë në qytetin Ferguson
Vrasjet e dy afrikano-amerikanëve nga policia javën e kaluar në Baton Rouge të Luizianës dhe në Falcon Heights të Minesotas kanë rikthyer vëmendjen tek proçedurat e policisë në mbarë vendin. Dy vite më parë, protestat tronditën qytetin Ferguson të Mizurit, pas vrasjes së një afrikano-amerikani të paarmatosur nga një polic i bardhë. Rreth dy vjet më pas, komuniteti në Ferguson ende po përpiqet të shërojë plagët dhe të zgjidhë problemet e trashëguara prej kohësh.
Protestat masive pas vrasjes së dy afrikano-amerikanëve nga policia ngjasojnë me demonstratat që shpërthyen ndaj policisë dy vjet më parë në qytetin Ferguson të Mizurit.
“Lagja dhe komuniteti në të cilin kam jetuar prej 18 vitesh ngjasonte me një skenë nga Iraku.”
Dhuna filloi pasi oficeri Darren Wilson i policisë së qytetit Ferguson, qëlloi për vdekje të paarmatosurin Michael Brown pas një konfrontimi në rrugë.
Trazirat u shtuan pasi oficeri i policisë nuk u akuzua penalisht. E jëma e Michael Brown ende nuk mundet t’i pranojë veprimet e policit.
“Veprimi i tij turpëroi njerëzit që nderojnë uniformën e policisë. Ai rrezikoi jo vetëm qytetin, por edhe të tjerë oficerë të policisë.”
Ngjarja ushqeu krijimin e lëvizjes “Black Lives Matter”, si dhe një debat mbarëkombëtar për brutalitetin e policisë dhe reformimin e sistemit të drejtësisë. Zbuloi gjithashtu vite të tëra veprimesh të parregullta të policisë.
“Ndërmjet individëve dhe policisë ende ka tension dhe pasiguri, si dhe vetëndërgjegjësim se kjo nuk ndodh vetëm në Ferguson.”
Një hetim federal zbuloi se Departamenti i Policisë së Fergusonit, me përgjithësisht policë të bardhë, kishte ushtruar rregullisht dallime raciale dhe përdorim të tepruar të forcës.
“Po punojmë shumë të ndryshojmë perceptimin për praktikat policore në Ferguson.”
Zoti Seewood është menaxher i qytetit.
“Problemet disavjeçare nuk mund të ndreqen menjëherë. Do të jetë një proçes i gjatë. Do të duhet ngulmim dhe zbatim i rregullave dhe proçedurave që po miratojmë.”
Tashmë aty ka një shef policie afrikano-amerikan, si dhe kritere të reja për trajnimin e oficerëve. Shumë njerëz në komunitet janë skeptikë.
“Janë po ata policë dhe nuk janë trajnuar. Nuk e kuptojnë rolin e policisë në komunitet.”
“Qytetarët duhet të sigurohen që rregullat e reja do të zbatohen dhe ne mund ta bëjmë këtë duke protestuar dhe duke nxjerrë dritë gjërat e mbuluara.”
Të gjithë bien dakord se do të duhet kohë për reformimin e Departamentit të Policisë së Fergusonit. Afrikano-amerikanët e këtushëm thonë se reformimi fillon duke i shërbyer komunitetit me respekt dhe paanshmëri.