Kirby: Identiteti i Qurayshit u përcaktua në bazë të gjurmëve të gishtërinjve dhe ADN-së
Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, John Kirby, tha se gjurmët e gishtërinjve dhe testi i ADN-së kanë identifikuar Ibrahim Al-Hashimi Al-Qurayshi, liderin e organizatës terroriste DAESH, i cili u vra në një sulm në Sirinë veriperëndimore.
Duke komentuar sulmin në konferencën e tij të përditshme për shtyp, Kirby tha se në fillim të sulmit, Qurayshi vrau veten me një mjet shpërthyes, ndërsa gruaja dhe dy fëmijët e tij ishin me të në katin e tretë të ndërtesës.
Në katin e dytë të ndërtesës, zëvendësi i Qurayshit dhe gruaja e tij hapën zjarr ndaj forcave amerikane, tha Kirby, duke shtuar se zëvendësi i Qurayshit dhe gruaja e zëvendësit, si dhe një fëmijë, u vranë.
Kirby tha se për momentin, ata kanë përcaktuar se 4 civilë, përfshirë 3 fëmijë, janë vrarë dhe ky numër mund të ndryshojë.
Ai bëri të ditur gjithashtu se 10 civilë, përfshirë fëmijë, ishin larguar nga ndërtesa.
Zëdhënësi tha se civilët që u larguan nga ndërtesa nuk u morën nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa nuk dha informata për fatin e tyre.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje se si ata e identifikuan Qurayshin, Kirby tha: “Ne e identifikuam trupin e tij përmes gjurmëve të gishtërinjve dhe testit të ADN-së. Ne ishim në gjendje të analizojmë gjurmët e gishtërinjve në vend dhe analizën e ADN-së pas një kohe,” tha ai.
Kirby tha se operacioni ishte planifikuar muaj më parë, duke shtuar se nevojiteshin informata të forta të inteligjencës për të kryer një operacion të tillë.
Në fund të operacionit një grup i përshkruar si “armiqësor” nga forcat amerikane, iu afrua shtëpisë dhe ndaj grupit u qëllua me armë zjarri, tha Kirby, duke shtuar se nga këto të shtëna u vranë dy persona.
Ndërkohë, komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) Kenneth McKenzie tha se operacioni në Sirinë veriperëndimore, ku u vra kreu i organizatës terroriste DAESH, Ibrahim Al-Hashimi Al-Qurayshi, ishte “shumë i qartë”.
“Misioni ishte kapja e tij,” tha ai.
McKenzie informoi një natë më parë në “Konferencën Vjetore të MEI-CENTCOM” të Institutit të Lindjes së Mesme në lidhje me operacionin e forcave speciale të SHBA-së kundër liderit të DAESH-it Qurayshi në Idlib.
Operacioni u krye me një bastisje me helikopter me rreze të gjatë, tha McKenzie.
“Qëllimi ishte kapja e udhëheqësit të DAESH-it, ky ishte qëllimi i operacionit, por operacioni i planifikuar dhe i ekzekutuar me mjeshtëri rezultoi në vdekjen e pasardhësit të Abu Bakr Al-Bagdadit”, tha ai.
McKenzie vuri në dukje se Qurayshi nuk është aq i njohur sa Bagdadi.
“Unë mund t’ju siguroj se ai ishte po aq i keq dhe i vendosur sa ishte Bagdadi për sulmet ndaj Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve tanë”, tha ai.
Komandanti i CENTCOM-it theksoi se Qurayshi u vra gjatë operacionit nga një shpërthim i madh në katin e 3-të të ndërtesës.
“Qurayshi nuk u përgjigj. Edhe pse ne e thirrëm që të dorëzohej dhe i ofruam një mënyrë për të mbijetuar, ai vrau veten dhe familjen e tij të afërt pa luftë”, tha ai.
Ekipet e Mbrojtjes Civile që punojnë në rrënojat pasi forcat speciale amerikane të CENTCOM kryen një operacion kundër liderit të DAESH-it në Idlib natën e kaluar raportuan se 13 persona, përfshirë 6 fëmijë dhe 4 gra, u vranë në bastisje.
Elementët e sigurisë lokale thanë se trupat amerikane morën të gjallë një nga personat nga shtëpia dhe e morën me vete.