Luftë nervash, edhe BE me deklaratë kundër PD-së: Monitorimin do ta kemi ne
Bashkimi Europian ka dale me një deklaratë të fortë kundër Partisë Demokratike dhe qëndrimit të saj për propozimin e fundit amerikan për reformën në drejtësi. Në një deklaratë me shkrim ku shpreh keqardhjen që lidershipi i Partisë Demokratike e refuzoi propozimin për kompromis, BE thotë se besueshmëria e reformës në drejtësi varet përgjithësisht nga besueshmëria e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas saj për ta garantuar këtë, një rol i kufizuar specifik i komunitetit ndërkombëtar përmes Operacionit Ndërkombëtar Monitorues është thelbësor.
“Propozimi aktual për kompromis reflekton pozicionin tonë të qartë që komuniteti ndërkombëtar duhet të sigurojë monitorim të fuqishëm për të garantuar besueshmërinë e procesit, përfshirë pre-vetingun e anëtarëve të organeve të vetingut, duke dhënë, sipas rastit, rekomandime negative. Komuniteti ndërkombëtar nuk ka sugjeruar kurrë pasjen e ndonjë pushteti ekzekutiv, meqë është thelbësore që autoritetet shqiptare të ruajnë zotërimin e plotë”-theksohet në deklaratën e Bashkimit Evropian.
Në këto kushte BE ka rritur presionin mbi opozitën, duke theksuar se tani negociatat duhet të mbërrijnë në një konkluzion pozitiv dhe se do të diskutohet nga Zëvendës Sekretaria e Përgjithshme e Shërbimit Evropian të Aksionit të Jashtëm Helga Schmid gjatë vizitës së saj në Shqipëri sot dhe nesër.