Mentor Kikia: “Drejtësia”, tani është radha e popullit për referendum
Përfundimisht reforma në drejtësi ka mbetur tek një pikë e vetme. PD (me sakte Berisha dhe Basha) nuk pranon që ndërkombëtaret të kenë rol në zbatimin e saj, konkretisht në zgjedhjen e anëtarëve të komisionin e vettnigut, strukturës që do të bëjë vlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve. Ndërkombëtarët, shkurt amerikanët, kanë parashikuar të kenë rol vendimarrës në zgjedhjen e tyre, pra mund të refuzojnë kandidatura nesemendojne se nuk jane te pershtatshem. PD këtë e cilëson si shkelje sovraniteti, dhe nuk është dakord. Kjo është edhe zemra e reformës, pasi ka të bëjë pikërisht me komisionin qe do te zgjedhe njerëzit që do të bëjnë drejtësinë. Dhe këtu është edhe kriza tashmë.
Pyetja është shumë e qartë tani: A duhet të kenë rol amerikanët në zbatimin e reformës në drejtësi apo jo?
Nëse mendon si nënshtetas i një shteti normal, përgjigja është Jo. Nuk kanë pse ekspertë të një vendi të kenë rol vendimarrës në një vend tjetër.
Nëse mendon si shqiptar, një shtetas i nëpërkëmbur nga shteti i tij, i zhgënjyer deri në palcë nga politika e tij, nga drejtësia e tij, ku drejtësia është palë në të gjitha hajdutëritë e politikës, mbrojtësja më e madhe e korrupsionit, ku emërimet e gjykatësve më të lartë bëhen garant i paprekshmërisë se politikaneve, pra po të mendosh si shqiptar, atëherë përgjigja është PO, dhe madje duhet të kenë shumë më shumë rol se kaq. I kemi para emërimet e meparshme te drejtësisë që ka sjellë deri tani “konsensusi” PD-PS-LSI. Një konsensus hajdutësh.
Kur nuk merren vesh mes tyre, politikanët tanë kërkojnë ndërmjetës të huaj, sepse i shikojnë si garanci. Kur nuk i interesojnë, i shikojnë si shkelës të pavarësisë. Miratimi në mënyrë të njëanshmë i reformës do të prodhojë një sherrnajë politike që do të na neverisë jetëm edhe ne më atdhetarëve, që nuk e kemi braktisur ende këtë vend.
Ndaj unë mendoj se nëse reforma ngec në këtë pikë, atëherë, meqë bëhet fjalë edhe për cështjen e “pavarësisë”, i takon popullit të vendosë.
Jeni apo jo dakord që ndërkombëtarët te kenë rol në zbatimin e reformës në drejtësi? Kësaj pyetje duhet ti përgjithet populli tani. Reformën në tërësi, me dhjetra ligje e qindra nene, nuk mund ta marrë vesh populli, por kaq po, e merr. E merr vesh dhe mund të vendosë.