Çapajev Gjokutaj: Mbi takimin Macron-Putin
Kjo foto, e shkrepur pardje gjatë takimit Putin – Macron në Moskë, u bë virale në rjet. Arsyet e popullaritetit ngjan të jenë të shumta.
Rëndësia e ngjarjes, mund të thoshje. Macron shkoi në Moskë për të shmangur një konflikt të mundshëm ushtarak në Ukrainë, problem i mprehtë që po mban peshë vëmendjen e botës.
Gjithsesi popullariteti i fotos lidhet në radhë të parë me vet foton, buron sidomos nga pesha metaforike e saj. Nuk është imazhi i një takimi të zakonshëm.
Ishte folur për një takim kokë më kokë, por fotoja e vë theksin tek distanca. Mikpritësit e kanë një justifikim: kohë pandemie, duhet ruajtur distanca.
Por shikuesi mendon se rusët kanë përdorur distancën fizike Macron – Putin për të nxjerrë në pah tensionet dhe mbase edhe për të theksuar domosdonë e respektimit të kufijve. Nëse Ukraina hyn në NATO, citohet të ketë thenë Putini, automatikisht vendet e BE hyjnë në luftë me ne.
Sa këllqe ka Rusia të përballet në front kaq të gjerë është tjetër gjë, por metaforika e fotos i takon rrafshit të propagandës. Jo rastësisht dikush kishte hequr dy nga këmbët e tavolinës së stërgjatë dhe, ashtu me një këmbë, e kishte kthyer në kolovajzë, ku Putini dhe Makroni uleshin e ngriheshin si kalamajtë në lodrat e parkut.
Jo me parimin e ngjajshmërisë, por me atë të kontrastit, fotoja më solli në mend ‘Scorpionsit’, që tri dekada më parë këndonin e thoshnin: bota po bëhet një; a të kishte shkuar në mend se do të ishim kaq pranë? Dhe pastaj përmendnin fëmijtë që flinin e ëndërronin në atë natë moskovite mbushur me optimizëm.
Shumë nga foshnjat që përmendnin ‘Scorpionsit’, sot mund të jenë në kufirin me Ukrainën, jo duke u këndellur ‘në magjinë e momentit’, siç thoshte kënga, po duke u dredhur në ngricat e dimrit, me frikën se nga çasti në çast mund të bëhen ‘mish për top’.
Dhe s’di ta shpjegosh pse optimizmi dhe ëndrrat e tri dekadave të shkuara janë kthyer sot në pesimizëm dhe vringëllimë armësh. Ç’i bën ëndërrat, të mirën, të dobishmen, të bukurën aq të përkohshme; kurse të keqen, urrejtjen dhe prirjen për luftë e shkatërrim kaq të fortë dhe kërcënuese?
Please follow and like us: