Publikohen datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2022, prezantohet edhe rregullorja
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi prezantoi sot Rregulloren e Maturës Shtetërore 2022, gjatë një takimi me maturantë nga gjimnaze të ndryshme të vendit.
Ministrja Kushi gjatë fjalës së saj ka theksuar se në bashkëpunim me të gjitha institucionet e varësisë do të merren të gjitha masat për mbarëvajtjen e të gjithë procesit të Maturës Shtetërore.
Prioritet në maturën e këtij viti do të jetë rritja e mëtejshme e cilësisë që nga hartimi i testit, administrimi i procesit dhe vlerësimi i provimit të maturës. Një vëmendje të veçantë do të ketë trajnimi i mësuesve të përfshirë në proces, hartuesit, administruesit, vlerësuesit, si dhe të gjithë mësuesit e angazhuar në gjimnaze për të përgatitur maturantët.
Datat e provimeve do të jenë 9 Qershor për Gjuhën e Huaj, 11 qershor për Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, 17 qershor për Matematikën dhe 24 qershor për lëndët me zgjedhje.
Maturanti do të jetë kalues nëse merr minimumi 25 % të pikëve të testit. Vlerësimet e testeve do të bëhen brenda një kohe shumë të shkurtër për t’i dhënë mundësinë edhe maturantëve që duan të studiojnë jashtë të kenë diplomat në duar në ditët e para të korrikut.
Të pranishëm në këtë prezantim ishin gjithashtu edhe Zv. ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Nina Guga, Drejtoresha e Përgjithshme e Politikave, Znj. Zamira Gjini dhe drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore Znj. Aurora Balliu.