Albspirit

Media/News/Publishing

DW: Kancelari Olaf Scholz takon Presidentin Putin

Olaf Scholzi po zhvillon vizitën e tij prezantuese si kancelar i ri gjerman në Moskë. Ai është takuar me presidentin rus Vladimir Putin. Kriza në kufirin Rusi-Ukrainë është në qendër të bisedimeve. “Gjëja më e rëndësishme është që ne i menaxhojmë marrëdhëniet mes vendeve me diskutime të mira me njëri-tjetrin”, tha Scholzi gjatë takimit me Putinin, duke shtuar se ishte i kënaqur që të dy udhëheqësit mundën të takoheshin ballë për ballë. Ai vlerësoi gjithashtu “marrëdhëniet tregtare shumë të rregullta” midis dy vendeve, ndërsa pranoi “situatën e vështirë” për paqen dhe sigurinë në Evropë. Para bisedimeve, Putini tha se bashkëpunimi ruso-gjerman për energjinë ishte një prioritet për Moskën. Në fjalën e tij të hapjes, Putini theksoi lidhjet ekonomike, ndërsa vuri në dukje “diskutimet e nxehta” rreth Ukrainës. “Fatkeqësisht, ne do t’i kushtojmë një pjesë të konsiderueshme të kohës tonë çështjeve që lidhen me situatën në Evropë dhe sigurinë”, tha Putini.

Marrëdhëniet e Berlinit me Moskën

Gjermania u gjend në një situatë të vështirë përballë kërcënimit të një pushtimi rus të Ukrainës. Ajo është edhe anëtare e NATO-s edhe një partnere e rëndësishme tregtare e Rusisë. Scholzi udhëtoi për në Moskë nga Kievi, ku takoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy për të forcuar mbështetjen e Berlinit përballë agresionit rus. Berlini ka deklaruar vazhdimisht mbështetjen e tij për sovranitetin ukrainas, por ka qenë më pak entuziast për kërcënimet për të braktisur gazsjellësin e diskutueshëm Nord Stream 2, i cili do të sillte gazin rus direkt në Gjermani. Gjermania është kritikuar gjithashtu për refuzimin për t’i shitur armë Kievit, pasi rajoni është një zonë konflikti aktive.

Megjithatë, Gjermanisë nuk i janë kursyer problemet nga partnerët e saj rusë. Kremlini e ndaloi Deutsche Welle-n të transmetonte në Rusi pasi kanali rus i mbështetur nga shteti RT nuk mori një licencë të ligjshme transmetimi në Gjermani.

Lidhjet ekonomike në rrezik

Të martën, Rusia tregoi gjithashtu se ishte e hapur për diskutime të mëtejshme për të shmangur konfliktin e hapur ushtarak, duke njoftuar se disa ushtarë që kishin marrë pjesë në stërvitjet ushtarake pranë Ukrainës janë kthyer në bazat e tyre. Megjithatë, Gjermania iu bashkua një nmuri shtetesh të tjera të dielën, duke u bërë thirrje qytetarëve të saj në Ukrainë që të largohen menjëherë nga vendi, nga frika e një pushtimi të afërt të Ukrainës nga Rusia. Udhëtimi i Scholzit është një “përpjekje e minutës së fundit… për të shmangur luftën”, por “i takon Putinit të dërgojë sinjale të deeskalimit tani”, tha për DW deputeti konservator gjerman Thomas Silberhorn. Lidhur me planin e veprimit për sanksionet, Silberhorni paralajmëroi se ato do të shkojnë “shumë përtej sanksioneve ekonomike”, duke u vënë pikëpyetje “të gjithë marrëdhëniet midis Rusisë dhe vendeve perëndimore”. I pyetur për qëndrimin e Gjermanisë për NordStream 2, Silberhorni tha se “Gjermania është e gatshme të përfshijë gazsjellësin Nord Stream 2 në një sërë sanksionesh nga vendet perëndimore”, por si pjesë e një pakete dënimesh më të gjera.

Please follow and like us: