Genc POLLO: Shumë zhurmë e pak mister për monitoruesit ndërkombëtarë!
Fabula e fundit e propagandës së Ramës në çështjen Reforma në Drejtësi: Vëzhguesit ndërkombëtarë (VN) duhet të kenë funksion ekzekutiv ne vetingun (verifikimin) e kandidatëve për organet e reja të gjyqësorit por e bllokon PD!! Dhe PD u konfrontuaka me BE&ShBA për këte gjë.
Se kush e propozon që VN të ketë rol ekzekutiv e vendimmarrës mbetet mister.
PD ka dalë publikisht hapur kundra dhe e ka shpjeguar pse.
BE ka dalë publikisht kundra.
ShBA nuk e ka propozuar zyrtarisht dhe siç mësova as në takimin e së djelës kjo ide nuk është mbështetur.
PS nuk thotë se çfarë don dhe a është pro apo kundra këtij roli. Rama, shumë poshtë nivelit të përgjegjësisë të një kryeministri, bën vetëm propagandë partiake me metafora tingëlluese por pa thelb, për ta paraqitur se PD ka kundër ShBA&BE duke tentuar të nxjerrë dhjamë nga pleshti i politikës së ditës.
Por ai vetë meazallah se pozicionohet! Pasi në çdo rast i zbulohet bllofi.
Ndërkohë shumica stërmadhe e medias masive, në menyre akritike dhe pa hulumtim, përsërit në kor se kontradikta e madhe është për funksionin ekzekutiv vs. monitorues të VN.
Do mjaftonte të shihnit në faqen 92 të broshurës, tashmë të famshme, të shpërndarë në Kuvend të enjten e shkuar, se edhe Komisioni i Posaçëm me kryetar z. Xhafa nuk i njeh VN një rol vendimmarrës apo ekzekutiv.