Çerçiz Loloçi: Politikanët legenë shqiptarë
Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga seanca parlamentare e 21 korrikut 2016, kur mendohet se do të diskutohet ligji për Reformën në Drejtësi dhe ndryshimet kushtetuese, zbulohet dokumenti i shkruar që partitë kryesore nuk duan të kontrollohen nga ndërkombëtarët (nga ekspertë të SHBA dhe BE), por nga vetvetja.
Një parti sugjeron që kontrolli të bëhet me të zgjedhur nga maxhoranca aktuale, partia tjetër kërkon bashkëkontroll, duke treguar fare qartë se janë të zhytur në m… dhe zullume, të lidhur me qindra fije me krimin e organizuar. Varianti i parë do të thotë asgjë më shumë se sa gjueti shtrigash ndaj opozitës. Varianti i dytë nënkupton që dy partitë kryesore në pozitë të ruajnë zullumqarët e tyre dhe të bëjnë disa koka turku alla Shukri, Shyqyri, Tabakëri, callcentëri, fasoneri, etj
Një logjikë fare e thjeshtë do të thoshte që si pozita dhe opozita, nëse janë të pastër, mund të kontrolloheshin nga kushdo, nga amerikanë apo europianë, apo nga kushdo tjetër vend aleat i klubit euroatlantik.
Por ngaqë nuk janë të tillë dhe që pjesa më e madhe e tyre nuk është në gjendje të vërtetojë se si e ka krijuar pasurinë në këto 25 vjet për vete, për gruan, fëmijtë, për të dashurat dhe farefisin, fshihen si struci dhe gjejnë njëmijë e një arsye që kjo gjë të mos ndodhë asnjëherë.
Ja pra nga kush drejtohemi ne në Kuvend, në Qeveri, në institucione të varura dhe të pavarura, në drejtësi dhe në të gjitha strukturat e tjera që janë shndërruar në koorporata krimi. Në këto kushte një referendum popullor për të gjitha ndryshimet kushtetuese dhe sidomos për kontrollin e politikanëve nga ndërkombëtarët do të jepte një përfundim plebishitar dhe një zgjidhje shteruese.