BE: Serbia të harmonizojë politikat e saj me Europën
Bashkimi Evropian pret që të gjitha vendet që aspirojnë integrimin në këtë bllok, të harmonizojnë politikat e tyre me vendimet e BE-së, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.
Shumica e udhëheqësve të Ballkanit dënuan vendimin e Rusisë për të njohur dy rajone separatiste në Ukrainën lindore, përveç Serbisë.
Zëdhënësi Bashkimit Evropian, Peter Stano, i tha programit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, se vendet që janë në procesin e anëtarësimit pritet të respektojnë vendimet e BE-së.
“Serbia është vend kandidat dhe për këtë pritet të harmonizohet me vendimet e BE-së në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë”, tha ai.
“Serbia është në rrugën e saj evropiane. Serbia ka mbështetur gjithmonë integritetin e Ukrainës, por në anën tjetër, rreth 85 për qind e serbëve, çfarëdo që të ndodhë, do të jenë në anën e Rusisë”, tha presidenti serb Aleksandër Vuçiç.
Të martën ai tha se “do ta dënonte njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste në lindje të Ukrainës nga Rusia, nëse presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, do të dënojë bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999”, duke iu përgjigjur një deklarate të ambasadorit të Ukrainës në Serbi, Oleksandr Alexandrovich, i cili tha se populli ukrainas pret që Serbia të dënojë veprimin rus.
Serbia akuzon NATO-n për “agresion” për shkak të bombardimeve të pranverës së vitit 1999, që u dhanë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë. Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë që vazhdon të kundërshtohet nga Serbia.
Ndonëse zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, udhëheqja populiste e Serbisë ka forcuar më tej lidhjet e ngushta politike dhe ushtarake me aleaten sllave Rusinë, si dhe me Kinën.
Serbia është zotuar të qëndrojë jashtë NATO-s dhe ka refuzuar t’u bashkohet në të kaluarën sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të politikave të saj në Ukrainë.