“Fantazma e Kievit”, piloti që po tmerron rusët
Teksa Rusia tanimë ka hyrë në ditën e saj të tretë të pushtimit të Ukrainës, në Twitter po qarkullon me shpejtësi një “legjendë urbane”, që ka të bëjë me historinë e një piloti ukrainas të aeroplanit luftarak, që deri më tani ka arritur të rrëzojë gjashtë aeroplanë rusë. Piloti ka marrë nofkën “Fantazma e Kievit”, por deri më tani nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar për identitetin e tij. Ndërkohë janë publikuar fotografitë e aeroplanit që fluturon mbi qytetet ukrainase dhe po shkatërron aeroplanët e armikut. Heroi i Ukrainës tani është një “legjendë urbane”, pasi ka pak pilotë të aeroplanëve luftarak që kanë arritur të shkatërrojnë një numër kaq të madh të fluturakeve të armikut. Megjithatë, për “Fantazmën e Kievit” që fluturon me MiG-29 po flitet shumë, ai të enjten rrëzoi gjashtë aeroplanë rusë – duke u bërë “asi fluturues” i shekullit XXI. “Asi fluturues” konsiderohen pilotët që kanë rrëzuar pesë apo më shumë aeroplanë të armikut gjatë luftimeve – që është një mision tejet i vështirë. “Fantazma e Kievit” deri më tani ka rrëzuar dy aeroplanë Su-35, një Su-27, një MiG-29 dhe dy Su-25. Rreth orës 4:20 të mëngjesit të enjtes në pjesën qendrore të Kievit janë parë copat e aeroplanëve nëpër lagje të ndryshme, e Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka konfirmuar se janë shkatërruar fluturaket ruse. Dikush ka publikuar një video të “Fantazmës së Kievit” dhe shkruan se dëshiron që kjo legjendë të jetë e vërtetë. “Ju lutem, lëreni ‘Fantazmën e Kievit’ të jetë i vërtetë”, shkruan një përdorues i rrjeteve sociale.
.