Kush është ku në kabinetin e ri britanik?
Kryeministrja e re e Britanisë së Madhe, Theresa May, ka emëruar Boris Johnsonin si sekretar të jashtëm në qeverinë e saj. Johnson, ish-kryetar i Londrës, ka udhëhequr fushatën për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, që tashmë njihet me termin Brexit.
Philip Hammond, i cili deri më tash ka qenë sekretar për punë të jashtme, është bërë kancelar. Ish-sekretarja e energjisë, Amber Rudd, ka marrë postin e sekretares së brendshme, ndërsa euroskeptiku David Davis është bërë sekretar i Brexit-it. Michael Fallon vazhdon si sekretar i mbrojtjes.
Zonja May është zotuar se do të udhëheqë një qeveri që punon për të gjithë dhe “jo vetëm për disa të privilegjuar”.
Megjithatë, emërimi i Johnsonit ka bërë që shumëkush t’i ngrejë vetullat.
Bjond, me flokë të shprishura, Johnson njihet nga britanikët vetëm si “Boris” dhe shihet si zgjedhje kontroverse për kryerjen e diplomacisë së ndjeshme me liderët botërorë.
I pyetur nëse si sekretar i jashtëm do t’i kërkojë falje presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, për të cilin ka thënë se si president “gjysmëkenian”, ai është pjesërisht kundër Britanisë, për shkak të një “antipatie stërgjyshore të perandorisë britanike”, Johnson ka thënë se “SHBA do të jetë në krye të radhës”.
Përgjigjja ishte referencë ndaj një komenti të Obamës, i cili ka thënë se Britania do të mbetet në fund të radhës për marrëvshje tregtare me Shtetet e Bashkuara, nëse voton për të lënë Bashkimin Evropian.
Johnson po ashtu ka shkaktuar shtangie në Evropë, duke krahasuar qëllimet e Bashkimit Evropian me ato të Adolf Hitlerit dhe të Napoleonit.
Emërimi i tij ka bërë që gazetat dhe politikanët në gjithë botën të reagojnë. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner, ka thënë se Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të punojnë me Britaninë e Madhe për shkak të “marrëdhënies speciale” mes dy vendeve. “Kjo është një marrëdhënie që shkon përtej personaliteteve”, ka thënë Toner.
Ish-kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, ka shkruar në Twitter se do të dontë që emërimi i Johnsonit “të ishte shaka”.
Kryeministrja May ka qenë kundër daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian, por tani ka thënë se nuk ka kthim prapa.
Këtë e ka përsëritur edhe gjatë një bisede telefonike që ka zhvilluar të mërkurën mbrëma me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe presidentin e Francës, Francois Hollande.
“Kryeministrja u ka shpjeguar se do të na duhet ca kohë për t’u përgatitur për negociatat (e largimit) dhe ka shfaqur shpresën se një gjë e tillë mund të bëhet në frymë konstruktive dhe pozitive”, ka thënë një zëdhënëse e zonjës May.
May, në detyrën e re, pason David Cameronin, i cili ka paralajmëruar dorëheqjen prejse Britania, në referendumin e 23 qershorit, ka vendosur të braktisë Bashkimin Evropian.