Brukseli dhe Boris Johnson – Jo love affair
Kthesë e çuditshme: Britania e Madhe ka si ministër të Jashtëm një figurë që ishte katalizator i shkëputjes së vendit nga BE. Boris Johnson nuk është i preferuar në BE.
Boris-Brexiti bëhet ministër i Jashtëm, pikërisht ai! Këtë psherëtimë mund ta dëgjosh në korridoret e Këshillit të BE-së, edhe pse nuk ka asnjë prononcim zyrtar. Në këshill mblidhen çdo katër javë ministrat e Jashtëm, një instancë që vendos për politikën e jashtme të BE-së, për ligje të rëndësishme, dhe tema që trajtohen nga krerët e shteteve dhe qeverive. Tani në këtë post qëndron për Britaninë e Madhe një mendjelehtë, një mashtrues që në BE e mendonin si figurë të djegur.
Lëvizje taktike e Theresa May
Boris Johnson vetëm para pak ditësh tha se nuk është i përshtatshmi për ta jetësuar vendimin për Brexitit. Tani ministër i Jashtëm! Një lëvizje taktike e kryeministres së re për të qetësuar përkrahësit konservatorë për daljen nga BE. Ajo ia jep atij detyrën për ta kontrolluar më mirë.
Në BE po hiqen takëmet e holla të porcelanit, që kur të hyjë një elefant si Johnsoni të mos prishë shumë gjëra. Fillimisht vetëinskenuesi Johnson nuk do të ketë shumë të bëjë me negociatat e Brexit. Por për kohën më pas, për marrëdhëniet BE-Britani e Madhe ai do të ishte përgjegjës. Sa kohë ky vend të jetë ende anëtar, politikani i qejfit, Johnson ka të të drejtën e votës në Këshill. Ai mund të bllokojë ingranazhet e makinerisë politike të urryer të Brukselit. Disa korrespondentë me përvojë në Bruksel dhe nëpunës e kujtojnë të riun Boris Johnson, që punonte për “Daily Telepgraph”, se si i kombinonte historitë gjysmë të vërteta. Një thërrime të vërtete kishte gjithmonë brenda tyre, por vetë Johnson vite më vonë mburrej me përrallat e fryra nga Brukseli, me të cilat kishte arritur të krijonte vërtet atmosferë kundër Europës. Po të shikosh në arkiva e kupton se që atëherë tek Johnson sundonte qëndrimi: BE është i keq dhe Britania e Madhe viktimë.
Seriozitet për politikën?
Me këtë budallallëk të thjeshtë ai udhëhoqi edhe fushatën “Leave”. Pse të mos e ndjekë ai një model të tillë edhe tani si ministër i Jashtëm? Apo nuk i merr ai këto gjëra seriozisht? Mos e shikon ai politikën si lojë, një shou për të nxjerrë veten në krye? Një skenë të tillë do t’ia ofronte politika e jashtme. Ai mund të udhëtojë tani nëpër botë, të rrëfejë barcoletat e tij nëpër pallate e të dalë në kamera me të fuqishmit e kësaj bote. Ndoshta nuk i interesojnë malet me dokumente në sallat e konferencave të BE-së. Nga ndërtesa e këshillit atij mund t’i thërrasin: “Bëj qejf nëpër botë, por na lër të qetë.”
Të hënën e ardhshme e ka shansin e parë: Ai mund të takojë Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, që merr pjesë rregulisht në mbledhjet e Këshillit si i ftuar. Johnson do t’i kujtojë John Kerryt, Donald Trumpin jo vetëm me modelin e flokëve bjondë. Johnson, ashtu si kandidati republikan, ka qëndrime të çuditshme, është llafazan, ka një marrëdhënie të çuditshme me faktet dhe një sukses të habitshëm. Për fat të keq!