TikTok me pronësi kineze pezullon postimet e videove në Rusi
Aplikacioni i videove, TikTok tha se ka pezulluar postimet e videove të reja dhe transmetimin e drejtpërdrejtë në Rusi, në mënyrë që të mbajë të sigurt punonjësit dhe përdoruesit e saj dhe të respektojë rregullat e reja ruse për “lajmet e rreme”. “Në dritë të ligjit të ri të Rusisë për ‘lajmet e rreme’, ne nuk kemi zgjidhje tjetër përpos që të pezullojmë transmetimet e drejtpërdrejta dhe përmbajtjen e re në shërbimin tonë të videove, teksa ne rishikojmë implikimet e sigurisë të këtij ligji të ri”, tha kompania më 6 mars. TikTok tha se shërbimi i mesazheve, që është një veçori e aplikacionit, nuk do të preket nga ky vendim. Aplikacioni mjaft popullor TikTok është në pronësi të kompanisë kineze të teknologjisë, ByteDance. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka nënshkruar dekretin për ligjin e ri që dënon deri në 15 vjet burgim të gjithë personat që shpërndajnë “lajmet të rreme” lidhur me aktivitetet e forcave të armatosura ruse. Rusia e quan “operacion të posaçëm ushtarak” pushtimin e Ukrainës. Edhe transmetues të tjerë të rëndësishëm, përfshirë Radion Evropa e Lirë, BBC-në, CNN-në, ZDF e të tjera, kanë pezulluar raportimin nga Rusia për shkak të këtij ligji.