Albspirit

Media/News/Publishing

Ukrainë, shenjtëroret e botës mobilizohen për paqen

Nga Lurdë në Loreto, shtohen lutjet për t’i kërkuar Hyjit të Gjithëpushtetshëm fundin e dhunës dhe arritjen e paqes në Ukrainë. Në fillim të Krezhmëve, shtegtarët ftohen të luten e të agjërojnë, duke iu përgjigjur thirrjes së Papës. Meshë e lutje edhe në trevat shqiptare

R.SH. – Vatikan

Ndërsa, erërat e luftës vijojnë të fryjnë furishëm jo vetëm mbi Ukrainë, por rrezikojne të zgjerohet edhe mbi gjithë botën, në këtë të Mërkurë të Përhime, me të cilën fillon Krezhmët, besimtarë e jo besimtarë i përgjigjen thirrjes së Papës Françesku për t’u lutur që Zoti i Gjithëpushtetshëm të sjellë paqen. Atë paqe, që duket sikur largohet gjithnjë e më tepër, pasi trupat ruse pushtojnë Kherson në jug të Ukrainës, shkaktojnë dhjetra viktima në Kharkiv, pas sulmeve ajrore kundër pallateve të qeverisë e pas shtyrjes së raundit të dytë të bisedimeve ruso-ukrainase. Presidenti ukrainas Zelensky deklaron se nga fillimi i luftës janë vrarë 6 mijë ushtarë rusë, ndërsa OKB-ja denoncon se nga e enjtja e kaluar, kanë humbur jetën në Ukrainë së paku 136 civilë. Ministri i jashtëm rus Lavrov kërcënon: “Lufta III Botërore do të jetë bërthamore”.

Arma e besimtarit: lutja

Në këtë situatë, shenjtëroret e botës, Kishat e çdo kënd, ku besimtari ngre një altar, qoftë edhe në zemër të vet, kthehen në vendin për t’iu përgjëruar Hyjit për paqen. Sot, në të gjitha Kishat e edhe në trevat shqiptare, nga veriu në jug, besimtarët luten për fundin e luftës në Ukrainë dhe për shpirtin e viktimave të Covid-19. Në Lurdë,  në Shenjtëroren kushtuar Zojës së Papërlyer, shtegtarët mblidhen rreth shpellës ku u duk shën Maria, për të thënë Rruzaren. “Që kur filluan bombardimet – pohon rektori, imzot Oliver Ribadeau Dumas – çdo të shtunë mbrëma, themi një Rruzare të veçantë së bashku me famullinë greko-katolike ukrainase, që ndodhet pikërisht në Lurdë. Marisë Virgjër i lutemi për paqen në zemra e ndërmjet shteteve”. “Agjërimi – thekson rektori – është shkollë lirie për të rigjetur dashurinë në shpirtin tonë, dashurinë dhuruar nga Zoti e dashurinë, që Zoti na kërkon t’ia dhurojmë të tjerëve”.

Loreto i lutet Zojës

Edhe shenjtërorja e Loretos mobilizohet për paqen në Ukrainë. Imzot Fabio Dal Cin, kryeipeshkvi prelat i Loretos dhe delegat papnor për shenjtëroren, tregon se që nga e shtuna e kaluar lutjet e meshët ndjekin njëra-tjetrën për të kërkuar dhuratën e paqes. Sot, nga ora 7 deri në orën 22, brenda shtëpisë së Zojës, – dëshmi e mishërimit të Birit të Zotit, princit të paqes – është ekspozuar i Shenjtnueshmi Sakrament për t’u dhënë mundësi të gjithëve të ndalen në lutje e adhurim.

Në shenjtëroren e Zojës së Pompeit, ndihma për Ukrainën

Jo vetëm lutje, por edhe solidaritet. Në shenjtëroren e Zojës së Pompeit, gjithnjë në Itali, është ngritur një qendër për mbledhjen e ndihmave humanitare. Është hapur të hënën, të martën e të mërkurën, nga ora 9 deri në 20. Më pas, ndihmat i dorëzohen bashkësisë ukrainase të Pompeit, e cila sot, është mbledhur bashkë me atë italiane në lutje para shën Marisë.

Lutje në shenjtëroret ukrainase në SHBA

Ndërsa ushtarët rusë, që sulmojnë të afërmit e tyre, janë larg mijëra kilometra, ukrainasit e SHBA-ve mblidhen në kishat e tyre, duke iu përgjigjur ftesës së Papës për lutje. Këto ditë, çdo thirrje e tyre për ndihmë drejtuar botës përfundon me kërkesën për lutje. E kështu po ndodh në shenjtëroren greko-katolike ukrainase të Pokrovës, në Parma të SHBA-ve; në katedralen katoliko-ukrainase të Shën Kollit në Çikago, ku të dielën kremtoi meshën kardinali Blase Cupich e ku 54 mijë vetë janë me origjinë ukrainase. E me duar të bashkuara janë mbledhur edhe në kishën katolike të shën Gjergjit në Nju Jork, ku ukrainasit i dhanë mirëseardhjen kardinalit Timothy Dolan, në lutje bashkë me ta për paqen. Kujtojmë se në Nju Jork jeton bashkësia më e madhe e ukrainasve në vend, rreth 130 mijë vetë. “Në kohë si këto – pohoi imzot Paul Chomnyscky, eparku katoliko-ukrainas i Stamford – shihen miqtë e vërtetë”. Edhe në Pitsburg, në kishën ortodokse ukrainase të Shën Pjetrit e të Shën Palit, një parrullë i fton besimtarët të luten për paqen, në një qytet me rreth 20 mijë emigrantë nga Ukraina.

Impenjimi i Karitasit në Ukrainë e në vendet përreth

Konflikti në Ukrainë mobilizon gjithë rrjetin ndërkombëtar Karitasit. Veçanërisht në Ukrainë, vijojnë veprimtaritë në 19 qendra, në të gjithë vendin, ku shpërndahen ushqime, veshje, mjete higjienike, por edhe jepet mbështetje psiko-sociale e shërbime transporti. Kujdes i madh u kushtohet fëmijëve të strehuar në 22 shtëpi-familje, ose të mbledhur në jetimoret publike. Rrjeti i Karitasit ka krijuar 5 Hapësira Miqësore për Fëmijët në Ukrainë, në perëndim të vendit, për të mirëpritur, për t’u kujdesur dhe për të edukuar të miturit, që ikin nga lufta. Veprimtaria e Karitasit është intensive edhe në vendet fqinje. Karitasi i Polonisë, Moldavisë dhe Rumanisë organizojnë mikpritjen e refugjatëve. Flukset përbëhen kryesisht nga gra, fëmijë dhe të moshuar. Në Poloni, Karitasi ka vënë në dispozicion 2500 shtretër dhe ka aktivizuar vullnetarë për të ndihmuar familjet në qendrat e ngritura nga autoritetet. Në Moldavi, Karitasi ka hapur 3 qendra me 500 shtretër për strehimin e refugjatëve. E gjithë bota po mbledh ndihma, në garën për t’i çuar sa më parë në kufi me Ukrainën, për të mbështetur të ikurit nga bombat vdekjeprurëse.

Please follow and like us: