Ilir Kaduku: Shkëlqimi dhe rënia e bolshevikut Cani
Nga mediat lëçita që miku im i “ngushtë” për së gjati dhe për së gjëri, Shoku Shkëlqim Cani refuzon të paraqitet në prokurori për çështjen e serverit të tatimeve. Mediat citojnë vartësit e “mikut” tim, që shprehen: “Në lidhje me këtë çështje ka dijeni vetëm titullari Cani”. Me sa duket plebejtë e patricit Cani nuk e kanë njohur mirë patricin e tyre dhe nuk e njohin mirë psikologjinë e “inoçentit” Cani. Për ta njohur Canin, këta të varurit duhet të kishin marrë mundimin dhe të kishin njohur të paktën psikologjinë e “eminencës gri” të tij, shqipfolësit Alias Spiridon Brumbullis. Duke e pasur “të madh” fatin që ta njoh dhe ta dashuroj emocionalisht dibranin Cani, “liderin” historik të sistemit financiar të Shqipërisë komuniste e postkomuniste, në mënyrë instiktive më vjen në kujtesë personazhi i Jarosllav Hashekut, Shvejku i famshëm. Shvejku i Hashekut është në memorien e njerëzimit për inoçensën e famshme “ç’më duhet mua, se ç’bëj unë”. Si kronikan dhe biograf personal i Canit (Shvejkut të Shqipërisë), konstatoj se “beniamini” im Cani gjithmonë pa dashur është ndodhur në vendin dhe kohën e “gabuar”. Meqenëse me Canin më lidh një “miqësi” e vjetër dhe e pathyeshme, kam marrë përgjegjësinë që të jem biografi dhe kronikani i tij deri në frymën e fundit të tij. Kronika e “inoçensës” së Shvejkut tim kalon mes luftërash dhe peripecish që kanë vlera historike për popullin “largpamës” shqiptar. Si bashkëluftëtar, bashkëfajtor dhe si bashkëvuajtës i të vetëshkarkuarit Cani, kronologjikisht do të mundohem të lëçis jetën e këtij heroi “të heshtur” të Shqipërisë komuniste dhe postkomuniste. Paraprakisht kërkoj kompromis për një pikë: heroin Cani ta konvertoj “me qetësi dhe dashuri” në Shvejk. Më lejoni që të vazhdoj në mënyrë telegrafike shkëlqimin dhe rënien e Shkëlqim Zylo Cani:
Shvejkun shqiptar e kam njohur që në embrionin e legjendës së tij, që përkon me studimet në Fakultetin Ekonomik. Pata “ç’nderin” ta kem sekretar rinie. Miqësia jonë u farkëtua në bankat e fakultetit dhe profesionalisht u kurorëzua kur Shvejku filloi të militojë në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë pranë Bankës së Shqipërisë. Ndjeva një ngazëllim të madh kur “miku” im u bë pionier i bursës shqiptare. Pikërisht atëherë, në periudhën e kulmit të “parajsës së artë” të komunizmit të Shqipërisë, Shvejku im së bashku me bashkëluftëtarët Dhimitër Gazhga & Co të dirigjuar nga Toger Lukashi & Co (lexo Qiriako Mihali, Haki Toska), u integruan me “dinjitet” në bursën europiane. Fillimisht Shvejku & Co, për “të madhin” fat të shqiptarëve patën një sukses të paparë. Fituan 18 milion dollarë. Gazetat më prestigjioze të asaj kohe, si “Zëri i Popullit”, “Jeta e Re”, “Financial Times”, “The Guardian”, “The Neë York Herald Tribune” e komentuan këtë lajm si një “rilindje” e komunizmit politik dhe ekonomik të Shqipërisë. Kuptohet se unë dhe gjithë shqiptarët, nihilistë nga natyra nuk i besuam demagogjisë imperialiste. Por edhe më skeptiku u bind kur kjo “fitorje” u legjitimua edhe nga trakti komunist “Zëri i Popullit”. Ky grup i heronjve të BSH nuk u ndal, por vazhdoi operacionin bankar duke luftuar dhëmb për dhëmb me bankat kapitaliste. Por diabolizmi kapitalist fitoi mbi komunizmën e “sinqertë” shqiptare. Banda e rrokut “Capital Markets” me në krye Toger Lukashin (lexo Qiriako Mihalin & Co) e BSH, dështoi me sukses. Financat shqiptare humbën brenda një frekuence kohore 200 milionë dollarë. Nga kjo bandë legjendare rroku, shumica ikën në drejtim të paditur, emigruan ose falimentuan politikisht dhe profesionalisht. Vetëm Shvejku im nuk u dorëzua. Vazhdoi luftën e “paepur” ndaj kapitalizmit dhe u vetësakrifikua për ”rilindjen” e mëmëdheut.
Pikërisht në ‘90, Shvejku im kryesoi operacionin humanitar në ndihmë të popullit të “mjerë” të Zvicrës. Në këtë operacion filantropik të bankierëve shqiptarë në ndihmë të vëllezërve tanë të “këputur” zviceranë, u realizua transferimi i floririt nga thesari i shtetit shqiptar në drejtim të bankave të falimentuara zvicerane. Shvejkun tim gjatë gjithë jetës së tij të amshuar e ka intriguar një parim esencial: “Miku i vështirë, në ditë të mira njihet”. Sasia monetare e “ndihmës” humanitare në drejtim të Zvicrës akoma edhe sot nuk dihet. Meqenëse kam vite që jam rekrutuar nga sigurimi i shtetit shqiptar dhe nga agjenturat imperialiste, kam mundur të zbuloj se operacioni “filantropik” i Shvejkut përmban transferimin e 4 ton floriri shqiptar nga aeroporti i Rinasit në drejtim të aeroportit të “shkatërruar” të Zyrihut. Për të vërtetuar punën kolosale të Shvejkut, disponoj dhe 5 faturat origjinale që kanë shoqëruar gjenialin tonë dhe floririn shqiptar. Ky fakt është mbajtur sekret deri tani për të mos ndikuar negativisht në marrëdhëniet me “armikun” historik të shqiptarëve, kapitalizmin.
“Inoçenti” Shvejk përsëri nuk ndalet. I paepur si një komunist i lindur, inkuadrohet si Zv/ Kryeministër i qeverisë së fundit komuniste në Europë. Për fatin e tij të keq, kjo ëndërr përfundoi për 32 ditë dhe net. Si një “gardian” i regjur i financave shqiptare arriti që të kontribuojë në rritjen e borxhit të jashtëm të Shqipërisë në 574 milion dollarë (‘91). Më pas Shvejku “parkohet” në Befotrofin, në Bugjejovicën që e kishte lindur (Fakulteti Ekonomik).
PS: Në dialektin tim të “mbrapshtë” shkodran, Befotrof është institucioni që legjitimon fëmijët që lindin në epruvetë. Gjatë punës vetëmohuese si pedagog, Shvejku mundohej të kontribuonte në mënyrë modeste në “mbarsjen” e kapitalizmit shqiptar (lexo kompanitë piramidale). Merita e Shvejkut të Fakultetit Ekonomik ishte se arriti të themelojë atje “Kominternin” ekonomik, celulën e ekonomistëve të rinj “komunistë” që do të përbënin embrionet e udhëheqjes së institucioneve financiare pas revolucionit komunist të ‘97 (kryekokat” e INSIG – ut shtetëror dhe kompanive private të sigurimit, në tatime, në dogana, sigurime shoqërore, këshillit kombëtar të ekonomistëve, drejtuesit e bankave shtetërore dhe private, të bordeve të privatizimeve strategjike, konsujt tregtarë në mbarë ambasadat, etj.). Nëse ju duhet listë prezenca e këtyre ekonomistëve me profil komunisti, jua jap me kënaqësi.
Për Shvejkun tim, dita e madhe erdhi. Revolucioni komunist i ‘97 përbën një nga kulmet e karrierës së tij ngazëlluese. U rikthye përsëri në Befotrofin që e kishte lindur, por këtë rradhë jo më si numëror topi, por si një Toger Lukash i kohërave moderne (Guvernator i BSH). Menjëherë si një strateg i madh, si një Napoleon i komunizmit modern ndërmori reforma radikale në administrimin e BSH. Me një shpejtësi rrufe “gradoi” me pushim nga puna mbi 74 nëpunës të BSH. Historik në perspektivën e afërt dhe të largët të BSH, ka qenë vendimi i Shvejkut tim për pushimin nga puna i të gjithë shoferëve, pastrueseve dhe çdo individi “të paaftë” që ishte specializuar jashtë shtetit. Spastrimi u bë “pa dallim klase, feje dhe bindje politike”. Vlera historike e Shvejkut tim rritet në momentin kur konvertoi Bursën e Tiranës nga një institucion real financiar, në një “shoë room” institucional, ku janë “parkuar” gratë, vajzat, mbeskat e udhëheqjes së periudhës të “artë” të komunizmit të djeshëm dhe të VIP – ve të korrupsionit të sotshëm.
Orgazmën profesionale, Shvejku im e arriti kur u bë aktori dhe regjisori i privatizimit të parë strategjik në Shqipëri, i Bankës Kombëtare Tregtare. Në këtë operacion gjenial, i ndihmuar edhe nga eminenca e tij historike, shqipfolësi Spiridon Brumbullis arriti atë që nuk e ka bërë asnjë korife në historinë e sistemeve bankare në shkallë planetare: privatizoi BKT me vlerën e 1 dollari. Po këtë qëndrim prej nacionalisti të “tërbuar”, ai ka mbajtur dhe kur u privatizuan Banka e Kursimeve, Banka Agrare, etj. Ne “shqipot” jemi përsëri origjinalë. Përfundimisht nuk kemi bankë me bazament kombëtar. Shvejku im arriti që me pathosin e tij “patriotik”, ta rrethojë Heroin tonë kombëtar Skënderbeu me 8 banka private greke. Ky akt patriotik i Shvejkut shqiptar, përbën rrethimin e tretë të Skënderbeut. Dy herët e para nga turqit, herën e tretë nga grekët.
Shvejku im ka një debulesë dhe një hobi të vetme, floririn. “Armiqtë e kllasës” duke ia njohur hobin e tij, me anë të një gomari dhe të një fshatari miliarder nga Kërraba arritën të penetrojnë brenda mureve dhe dyerve të “holla” të thesarit të shtetit dhe të vjedhin “pa dashje” 2187 monedha floriri numizmatike. Të më fali me nder jush Shvejku im, nëse kam gabuar në përcaktimin rigoroz numerik të monedhave. Për përcaktimin korrekt numerik të monedhave të floririt, jam konsultuar personalisht me vetë gomarin që i ka “transportuar” dhe pronarin e tij, multimiliarderin nga Kërraba.
Shvejku historikisht ka bërë beteja të përgjakshme kundër “përdorimit” abuziv të Bankës së Shqipërisë në fushata elektorale. Abuziviteti nuk qëndronte tek pozicionimi i egër politik i “musketierit” të BSH, por tek papërgjegjshmëria e përdorimit e fondeve të popullit më të varfër të Europës në një abuzim qindra milionë eurosh në favor të klasës politike në pushtet. Për të qenë më korrekt me Shvejkun, po pasqyroj kronologjinë e fakteve: në shtypin e majtë është demaguar mbi “fitorjet” dhe mbi vendimet “historike” të liderit historik të BSH. Si e tillë është reklamuar dhe butaforia e rradhës: në vitin zgjedhor 2005, Këshilli Mbikqyrës i BSH dekretoi vendimin “historik” për uljen e normës bazë të interesit për marrëveshjet e riblerjes (REPO) në masën 5.0 %. Kjo ishte ulja e 12–të rradhazi e interesave që nga 2003, kur norma baze e interesit ishin 8.5 %. Ky ishte dhe niveli më i ulët i interesit bazë që nga vendosja e mekanizmit monetar të marrëveshjes së riblerjes (REPO). Për të qenë sa më afër lexuesit të thjeshtë, detyrohem të marr përsipër dhe një herë rolin e ekonomistit “part time”. Mbështetur në eksperiencën botërore dhe në teorinë kontemporane bankare rezulton se operacione të tilla nuk ndërmerren në asnjë rast në prag të zgjedhjeve parlamentare (sidomos në vitin e fundit qeverisës). Rezulton se vendimi “historik” i BSH është ekzekutuar pikërisht dy muaj para zgjedhjeve. Le të na japë ndonjë rast analog Shvejku, qoftë dhe nga fqinjët tanë me të cilët jemi në “garë” për integrim financiar në BE. Le t’i referohet Maqedonisë, Serbisë, Bosnjës pa diskutuar Turqinë, Rumaninë dhe Greqinë. Pse nuk është marrë si sistem konvergjence qëndrimi i Bankës Qendrore të Bullgarisë para zgjedhjeve parlamentare? Pra jemi dy vende analoge nën asistencën e vazhdueshme të FMN-së. Nisur nga mungesa e integritetit, pozicionimi jotransparent dhe i papërgjegjshëm i Shvejkut, këto vendime “historike” kthehen në bumerang ekonomik dhe në vendime “diabolike” politike. Një lëvizje e tillë e normave të interesit në prag të zgjedhjeve parlamentare bën që të stimulohet qeveria në fshehjen e shpenzimeve buxhetore pa pasur nevojë për “axhustime” nga Komisionet Parlamentare të tipit “Braçe”. Si rezultat bëhet e mundur që në sistemin makroekonomik të përfshihen shpenzime buxhetore “elegante”, pa përfshirjen e tyre në buxhetin e aprovuar nga parlamenti ynë “i nderuar”. Pra bëhet fjalë për shpenzime të “padukshme”, që në fakt shkojnë në dhjetra milionë euro. Nëse politikbërësi Shvejk ka ndonjë pretendim për faktin e përmendur më sipër, jam gati të argumentoj skemën diabolike dhe kriminale të abuzimit me anë të lëvizjes me marrëveshjen REPO. Këtu nuk bëhet fjalë për shfrytëzimin e fondeve publike në sensin e rritjes së pagave të buxhetorëve apo për “cikërrima” të tjera, por për dhjetra milionë euro që i rëndohen kurrizit të drobitur të taksapaguesve shqiptarë. Në kundërshtim me eksperiencat ekonomike kontemporane, qeveritë e korruptuara realizojnë një vjedhje të programuar, pra shtrëngim i shpenzimeve dhe rritje e të ardhurave vetëm në dy vitet e para të pushtetit, tolerancë në vitin e tretë dhe “prerje shiritash” në vitin e katërt zgjedhor. Në të njëjtën kohë këto lloj qeverish antikombëtare (siç është rasti i qeverisë aktuale), abstragojnë aktet normative nga Parlamenti, intrigojnë skema të tilla diabolike, siç është ulja e normave të interesit parazgjedhor. Në kuadrin e respektimit të pozicionit transparent të BSH dhe Ministrisë së Financave do të ishte me vend që të publikoheshin nivelet e stokut të brendshëm duke eliminuar rritjen e shpenzimeve korrente dhe të investimeve përtej kufijve normativë.
Shvejku im, pasi dirigjoi me një sukses të paparë BSH, erdhi momenti që u rikthye tek “Kominterni” ekonomik në ‘05 (lexo Fakulteti Ekonomik). Shvejku im është si Anteu i mitologjisë greke. Anteu sa herë që ndodhej në situata kritike, fuqizohej në prekjen e njerëzve dhe të tokës. Për Shvejkun tonë toka dhe njerëzit simbolizohen me “Kominternin” personal, Fakultetin Ekonomik. Si në periudhën e parë (‘91-‘97), po ashtu dhe në periudhën e dytë kritike (05’-13’), Shvejku ynë kthehet në tokën mëmë, merr energji dhe pastaj ngrihet në kozmos. Në organizatën bazë të Fakultetit Ekonomik ka gjetur kolegët e tij, që i ka shokë të betuar në altarin e komunizmit “në të mirë e në të keq”.
Dhe ja më në fund erdhi 1 Prilli, dita e madhe e “vërtetësisë” së komunizmit koncesionar të Shqipërisë. Kuptohet që komunisti historik Cani, ose ndryshe Shvejku im nuk mund të rrinte pa u shpërblyer për kontributin e tij në minimin e demokracisë. Meqenëse ishte afër pensionit kuptohet që do të kërkonte një thelë të madhe, atë të Ministrit të Financave. Strategu filloi vrullshëm operacionet e tij financiare. E filloi menjëherë në fushën e tatimeve dhe të doganave, duke aktivizuar dy nga “engjëjt” e ekonomisë shqiptare, inteligjenten Briselda Portokallia dhe urlatoren Spiropali. Rezultatet janë mahnitëse: mbi 600 milionë euro abuzime dhe vjedhje vetëm në harkun kohor të dy viteve. Për të vënë në efiçensë të plotë tatimet, mori mendimet e një specialisti të shquar në fushën e tatimeve, prokurorin e kohës së Enver Hoxhës, skraparliun Tak-Fak Braho. Personalisht Shvejku im skicoi bllok skemën për të vënë nën zap serverin e “pabindur” të tatimeve, një rast unikal në planet. Çeta e “Rilindjes” zbarkoi në Drejtorinë e Tatimeve dhe me një operacion naziskin të tipit “blic greeg” e bëri serverin të flasë me gjuhën e “Rilindjes”. Por të mos harrojmë që përsëri Shvejku im nuk ishte në dijeni se çfarë po bëhej. Ai nuk ishte në dijeni as në rastin kur punonjësit e thesarit të BSH i bënë një peshqesh të madh popullit shqiptar: i dhuruan 7 miliardë e 314 milionë lekë thesarit të shtetit. Ai nuk ishte në dijeni as për koncesionin 120 milionë euro të “qebapit” ose “check up” të Vilma Zeraliut (Nushi). Ai nuk ishte në dijeni as për dhjetëra milionat e eurove për koncesionet e dializës, për riparimin e rrugës së kombit, për TVSH-në, për naftën, për Rrugën e Arbërit, për parkun industrial në Spitallë, për kontrabandën qeveritare, etj. etj.
Si përfundim mund të them se Shvejku im i vetëshkarkuar nuk ka qenë e nuk do të jetë kurrë në dijeni për asgjë deri në frymën e tij të fundit. Ai është part time Zv/Kryeministër, Guvernator, Ministër i Financave. Shqiptarët shpresojnë që frymëmarrja e tij të mos ndalohet kurrë dhe ai të kthehet përsëri si Anteu në krye të detyrës. Aksioma e tij: “ç’më duhet mua, se çfarë bëj unë” ka funksionuar mrekullisht për 30 vite me rradhë. E pse të mos funksionojë përsëri… Shvejku im ka lënë pasardhës të tillë besnikë që amanetet e tija t’ja çojnë deri në fund. Amanetet e Shvejkut Shqiptar në vesh të perëndisë. Amen!