Vjen në shqip romani “Të luash me zjarrin”
Nga mjeshtrja e romaneve thriller Tess Gerritsen
Autori: Tess Gerritsen
Titulli: TË LUASH ME ZJARRIN
Përktheu: Ines Ekonomi
Numri i faqeve: 288 fq
Çmimi: 900 lekë
Isbn: 978-9928-136-40-4
Botues: Botimet IDK
Një histori dashurie e marrëzie, një e fshehtë vdekjeprurëse e fshehur mes notave të një partiture të vjetër.
Gjatë një udhëtimi në Romë për të dhënë një koncert, violinistes së bukur amerikane, Xhulia Ansdell, i bie rastësisht në dorë një dorëshkrim i çuditshëm. Bëhet fjalë për një pjesë muzikore të panjohur, një vals të titulluar “Incendio”, vepër e një autori misterioz: është një muzikë krejt e veçantë, me një ritëm krejt të sajin, që ngjan me vetë regëtimën e zemrës. Por ajo që Xhulia s’e di kur merr violinën ta luajë këtë pjesë muzikore, është se që nga ai çast asgjë s’ka për të qenë më njëlloj në jetën e saj. Sakaq nisin t’i ndodhin episode gjithnjë e më shqetësuese, në të cilët është e përfshirë edhe e bija. Kur e kupton se po rrezikon jo vetëm gjendjen e saj mendore, po dhe vetë jetën, Xhulia vendos se ekziston vetëm një mënyrë për të shpëtuar: t’i shkojë këtij misteri deri në fund. Dhe kështu ajo kthehet në Itali, ku nis kërkimet, derisa zbulon se autori i atij valsi të mrekullueshëm që ajo ka zbuluar, është një hebre i quajtur Lorenco Todesko, i cili mes viteve 1938 e 1944, në kohën e luftës dhe të fashizmit, pat përjetuar një histori të fuqishme dhe të dhimbshme dashurie… Dhe kështu këto dy histori, ajo e Xhulias dhe ajo e Lorencos, nisin të ndërthuren, duke e rrëmbyer lexuesin drejt një fundi tronditës.
Me profesion mjeke, Tess Gerritsen konsiderohet sot një ndër autoret më popullore në mbarë botën në zhanrin e romaneve thriller. Për prestigjiozen ‘Publishers Weekly’ ajo është madje “mbretëresha e romaneve ‘medical suspense'”. Shumë prej romaneve të saj janë bërë bestseller, duke qenë në krye të klasifikimeve si në SHBA, ashtu dhe në shumë vende europiane. Librat e saj janë të përkthyera në 31 gjuhë, me më shumë se 15 milion kopje të shitura në mbarë botën. “Të luash me zjarrin” është romani i saj i fundit.