Albspirit

Media/News/Publishing

Presidentja Osmani kërkon mbështetjen e SHBA-së për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Prishtinë, 17 mars 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Në një letër dërguar Presidentit amerikan, Joe Biden, ajo ka thënë se pranimi i Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike do të jetë faktor shumë i rëndësishëm për sigurinë rajonale.

“Integrimi euroatlantik gjithmonë ka qenë qëllimi ynë, por sot – në kuadër të ngjarjeve të paprecedentë në kontinentin e Evropës – është prioriteti ynë kryesor i sigurisë kombëtare. Evropa po përballet me kohët më të errëta dhe më të rrezikshme që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Teksa ndajmë të njëjtin qëllim për mbrojtje dhe promovim të sigurisë globale, pranimi i Kosovës në NATO është i domosdoshëm. Argumentet kundër pranimit të Kosovës në NATO nuk i marrin parasysh imperativin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe nuk i shërbejnë interesit të botës së lirë demokratike, që është nën rrethim në rritje nga tendencat autoritare dhe politikat e tyre agresive”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka thënë se Kosova, si edhe mbarë rajoni, janë të ekspozuara ndaj rrezikut të destabilizimit që vjen nga ndikimet e Rusisë.

“Ndonëse të gjithë sytë janë drejtpërdrejt në luftën shkatërruese në Ukrainë, ne nuk duhet ta humbim vëmendjen ndaj situatës së brishtë në Ballkan. Ne jemi të ekspozuar nga përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të minuar Kosovën dhe për të destabilizuar gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Osmani.

“Si presidente e Republikës së Kosovës e di që Politikat e Sigurisë Kombëtare të Amerikës për Evropën është e përqendruar në një Evropë të lirë, të plotë dhe në paqe dhe që integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në strukturat euro-atlantike është pjesë e marrëdhënieve të qëndrueshme tras-antlantike. Me këtë në mendje, ne shprehim besimin dhe pritjen që SHBA-ja do ta përdorë lidershipin dhe ndikimin e saj për të përkrahur dhe avancuar procesin kompleks të pranimit të Kosovës në NATO, duke nisur nga programi Partneriteti për Paqe dhe pranimi i plotë në Kartën e Adriatikut”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka thënë se Kosova ka dëshmuar se meriton të jetë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike dhe ka kujtuar se Kosova është shteti më pro-amerikan dhe më pro-NATO në botë.

Please follow and like us: