Shpërthen biznesmeni konstruktiv tepelenas, Elton Ilirjani kundër Elsa Lilës
Janë të shumtë personazhet e njohur të ekranit, të cilët kanë vendosur që të reagojnë në lidhje me arrestimin në Itali të këngëtares së njohur, Elsa Lila. Arrestimi i saj u bë ditën e djeshme gjatë një operacioni për trafikim droge. Biznesmeni shqiptar që jeton prej disa kohësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Elton Ilirjani ka reaguar mbi arrestimin e bujshëm të këngëtares. Përmes një postimi të bërë në llogarinë e tij në “Instagram”, Ilirjani i revoltuar shprehet se Lila nuk ka turpëruar vetëm veten, por të gjithë shqiptarët e suksesshëm nëpër botë. Gjithashtu, ai bën thirrje televizionit kombëtar shqiptar RTSH-së dhe institucioneve përgjegjëse t’i heqin menjëherë çmimet e dhëna në festivalin e Këngës. “Meqë kjo artistja Elsa Lila nuk është se turpëroi vetëm veten e saj, por gjithë ata shqiptarë të sukseshëm nëpër botë, autoritetet shqiptare të artit RTSH dhe institucione të tjera përgjegjëse duhet t’i heqin menjëherë çmimet e dhëna në festivalin e këngës në RTSH! Kjo praktikë distancimi ndiqet rregullisht nga institucionet ndërkombëtare të artit botëror. Kuptohet, nëse në Shqipëri trafikimi i drogës shihet si problem madhor për shëndetin e të rinjve“, shkruan biznesmeni në Instagram. Ndër të tjera, Ilriani e ka treguar haptazi se nuk e ka pëlqyer si artiset Lilën. “Asnjëherë nuk e kam pëlqyer as si artiste, as si person. Në Shqipëri nuk ka artistë! Artistët mbrojnë kauza! Artistat mbrojnë liri! Artistat nuk janë trafikantë droge”, ka shkruar ai.