Fritz Radovani: In memoriam At Klement Miraj
AT KLEMENT MIRAJ O.F.M., (1882 – 1956)
At Klement Miraj asht le në Selcë të Kelmendit me 1 Tetor 1882, nga Luca e Roza Miraj. Asht pagzue me emnin Fran. Në Shekullin XX u vendosen n’ Lezhë. Frani studjoi në Kolegjin Françeskan të Kallmetit. Në vitin 1914 ka shkue me vazhdue studimet e nalta n’ Austri. Ka vazhdue studimet e nalta teologjike e filozofike në Grac. Asht Shugurue meshtar me 1 Shtator 1907.
Mbas Shugurimit meshtar rikthehet në Atdhe. Në 1920 asht në Pejë. Aty At Klementi i kushtohet problemeve të gjuhës Shqipe si dhe botimeve të reja.
Bie në sy të shovinistëve serb dhe në 1921, arrestohet prej tyne dhe nuk ndryshon trajtimi nga kafshët, po edhe torturohet mizoririsht. Në vitin 1925 ata nuk e lejojnë me vazhdue sherbimin fetar atje, po e dëbojnë jashta Jugosllavisë. Fillon sherbimin në Shkoder dhe tri herë asht definitor i Françeskanve. Aty kishte dhe detyren e drejtorit të Muzeut Arkeologjik të Fretenve. Ka sherbye edhe në Rubik dhe në Laç të Kurbinit, gjithashtu në Bizë t’ Ishmit. Ishte një prej personaliteteve të rralla të Fretenve Shqiptar.
Një françeskan me vizion të gjanë, etnograf dhe folklorist i formuem tue theksue se ishte edhe letrar i shquem. Kudo ku ka sherbye si meshtar njihej si klerik i devotshem dhe korrekt. Ajo sjellje e miqësoi perjetsisht me disa prej meshtarve ma në za të kohës tue fillue nga At Gjergj Fishta, At Anton Harapi, At Marin Sirdani si dhe, figurave të tjera të randsishme atdhetare e të formueme që punuen vazhdimisht per idealin e njohun “Fe e Atdhe”.
At Klement Miraj asht kenë kerkues i palodhun i toponomastikës së gjashtë fshatrave të Kurbinit, prej ku ka botue disa pjesë shumë të randësishme.
Në Shqipni ka kenë famullitar i Dushmanit, i Rubikut dhe i Laçit Kurbinit, ku ka ndertue edhe një Kishë në vitin 1929, që asht në kambë edhe sot.
Në vitin 1951 edhe pse firmoi “Statutin e Kishës”, mbeti Ai At Klement që kje, dhe në vitin 1955 At Klementin e arrestojnë dhe e torturojnë shumë keq e pa pikë mëshire si klerik katolik. Po nuk mjaftohen me kaq, e Sigurimi i shtetit tue grumbullue edhe disa shpifës të vet e dënon me 20 vjet burg.
Me 22 Nandor 1956 At Klement Miraj, në moshen 74 vjeçare vdes Martir, si pasojë e torturave e vuejtjeve të Burgut Burrelit ku, edhe u vorros.
***
Shkrimtarët gjithnjë kerkojnë të veçanten nder shkrimet e Tyne. Mendoj se asht mirë që Shqiptarët të njihen me këte mendim per At Klementin, botue në librin e Dr. Pjeter Pepës, “Tragjedia e Lavdia e Klerit Katolik…” V.II. 291.
Dëshmi:
“Njeriu që u paraqit në udhëkryqin e jetës sime: Një françeskan shqiptar, një ëngjëll ngushëllues që më kapi përdore, për të më drejtuar në rrugën e ëndrres sime të coptuar. Nuk e kam harruar kurrë, edhe në ditët më të rënda. U struk, por nuk u shua në thellësi të shpirtit tim, sepse kur shuhet mirënjohja dhe falënderimi, atëherë shuhet shpirti. Ky njeri, ky meshtar katolik, ky atdhetar i ndershëm, i dënuar me 20 vjet burg, i vdekur si martir nga torturat në burgun e Burrelit, ky burrë i vërtetë quhet Klement Miraj.
…Duke mbajtur një trastë bezeje në dorë, zbrita, atë ditë shtatori të vitit 1940, në Laç. Dielli si një tepsi e përflakur bakri, preku dhe filloi të lagej paksa në det, përtej moçalishtës së zymtë. Me të shkuar në Laç, arrita tek shtëpia e priftit. Ndrojtjen dhe turpin ma lehtësuan dy motrat e tij të moshuara, Tonja dhe Terezja, që më ftuan në shtëpi, duke treguar se po më prisnin. Por, nuk kishte kaluar shumë pas përshëndetjeve, kur në oborr gjëmoi kori i fëmijëve: “Erdhi frati!” Brofa në këmbë, zbrita shkallëve e u gjeta në oborr. Prifti sapo kishte zbritur nga kali. Ishte shtatlartë. Zhguni i gështenjtë, rrethuar me litar të bardhë në mes, fundet e të cilit vareshin të lidhur nyje në këmbë, i kishin hije.
“Mirë se të pruni Zoti, o mësues!” Dhe më shterngoi dorën.
Atënatë kam qenë mysafir i tij. Sa bukur e qartë më foli për shkollën Normale të Elbasanit e mua, nxënësin e saj, më bëri të ndjehem krenar.
Vetitë burrërore e humane të këtij malësori të thjeshtë për nga origjina, por tejet europjan nga mendësia, vizionet moderne kulturore dhe tërë veprimtaria e tij e bukur në dobi të njerëzve, që nuk bëri asnjë dallim për shkak të besimit fetar, do të linin tek unë, që në fillim, shenja habije e më pas, gjurmë të pashlyeshme nderimi.
Ai u rrit pranë fshatarëve. U njifte hallet. U mësonte virtytin. I këshillonte. U hynte jepte besë e t’u pajtonte gjaqet. U jepte edhe këshilla bujqësije.
U blente ilaçe. U gjendej kudo e në gjithçka. Zotëronte pesë gjuhë të hueja e gjithnjë gjente kohë të studionte.
…Tani, jo ngjarja kryesore që desha të kujtoj. Unë qendroja i heshtur, shpirt varur, sepse më ishte nëpërkëmbur ëndrra e jetës sime. Ai e kishte dëgjuar historinë time në konkurs, nga një mësues i Normalës. Kuptonte se më kishin vrarë shpirtin, por bente sikur nuk dinte asgjë. Më afronte, më studionte dhe priste çastin e duhur të ndërhynte, si një psikolog i matur. Më thërriste në Kishë o në shtëpi. Më vinte në shkollë. Më shtynte në punë.
Synonte të krijonte një gjendje të re shpirtërore, të mirë, të gëzuar.
Kërkonte të më zgjonte interes dhe ia doli… Një ditë, kur për nevojat e nxënësve shkova e u ktheva 2-3 herë nga ai, nuk e dij as vetë sesi mu kujtua “perpetum mobile”, muzikë aq virtuoze, e shkathët, e shpejtë, teknikisht e tensionuar, që kerkonte zgjidhje, gjithashtu të shkathta. Po u korrigjoja detyrat e fëmijëve. Në ato detyra kishte filluar të më joshte diçka. Diçka e çiltër po lulëzonte mes vështirësish. Po më terhiqte timbrika e botës fëminore që, edhe pse me nuanca të lehta, kishte filluar të më bënte për vete, ishte kjo pjesë prezioze e botës po aq të dlirë kristiane.
“Mirë se të gjeta, mësues!”, më solli në vete meshtari.
“Mirë se erdhe e mirë se të ka prue Zoti!”, ia ktheva unë i knaqun.
Takimi me Padër Klementin ishte një çast që më përtërinte jetën. Çast që edhe sikur të dua, nuk mund ta harroj kurrë, falë qiellit, i këndoj haleluja!
Edhe sot, kur ndodh të shoh diellin, si një tepsi të përflakur që sheh kaltërsinë e detit, më këndon shpirti në heshtje për Padër Klementin, mikun e shtrenjtë të kohës sime më të vështirë e përshpëris nga zemra, me një ndjenjë të thellë mirënjohje: “Ave Padër!” Mustafa Krantja, dirigjent.
***
Kalojmë në faqen tjetër. Aty ku edhe fletët e Dosjeve janë shpue nga plumat.
Tiranët tanë nuk u ngopën asnjëherë me Gjak, dhe as me krizma plumash.
Ah, e shkreta Shqipni! Nen sundimin e kujt ka ra?!
Dalto nëpër Europë Përmendore të Nderueme, me kulturë Europjane, dhe pikrisht në Ato qendra, me ato Dyer të lustrueme, shprazen armët barbare të diktatorve antieuropjan. Kjo ishte çveshja nga kenja Njeri e tyne!
E këta bisha të gjakosuna komuniste, ende nuk janë ngopë me Shqiptarë!
O tradhëtarë, të shitun e pa asnjë pikë Gjak Shqiptari! Po si dëbohet rinia!? Po ku keni pa Atdhe pa lule të freskëta e të bukra o bisha, që vetem mendoni me e vorfnue dhe me plaçkitë si mos ma keq at vend, o hajdut vrastarë!
Keni harrue Lutjen e Nanës Tereza!Ja kush asht mallkimi! Qeverisja sotme!
Ndonse, Zamakët e Flamurit Kastriotit nuk vyshken as nuk thahen!
Ata i perkasin Qytetnimit dhe vetem: Asaj Europës Perëndimore!
Melbourne, 14 Korrik 2022.