Epigrame nga Viron Kona
Gënjeshtra
Ngado që ta kthesh,
gënjeshtra s`ndryshon,
rrumbullake si iriqi,
me gjemba ajo të shpon!
Babëzi
Për nga lakmia, grabitja dhe babëzia,
njerëzit ia kalojnë peshkaqenëve në dete,
janë aq të pangopur për pasuri dhe prona,
saqë duan të kenë dhe planetët për vete!
Po u bashkove…
Në jetë po u bashkove me njerëz të këqij,
nga “vallja” e tyre dhe të duash s`del dot,
të shfrytëzojnë dhe në krime të përfshijnë,
pastaj, si mbeturinë të hedhin për tokë.
Zhgënjimi
Zhgënjimi në miqësinë e rrallë,
njollë e zezë në këmishë të bardhë.
Maja e malit dhe kodrat
Mburrej maja se ishte e lartë,
s`kishte tjetër si ajo mbi dhe`,
i thanë kodrat: madhështore je,
por mbi shpatulla t`mbajmë ne!
Burimi mburravec
-Jam burim me uji,në dimër gurgulloj,
pa mua s`bëni dot, o njerëz të gjorë,
ju jap uji ju, po dhe natyra ka nevojë,
jam mbreti juaj,më vini shpejt kurorë!
-Prit pak,-i thanë,-shumë po ngutesh,
ne do presim verën për të të provuar,
nëse e meriton, kurorën do ta kesh,
madje dhe me perla e gurë të çmuar.
Vera, si çdo stinë shpejt ia mbërriti,
thatësira e la burimin fare të shkretë,
nga gryk`e tij e thatë,s`doli pikë uji,
burimi mburravec s`u bë dot mbret!
…………..
1.Ky krijim ka motiv fjalën e urtë: “Burimi i mirë, duket në thatësirë!”
Në trenin ekspres
Në stacionin e bukur t`trenit ekspres,
një kënd i bukur me libra më befasoj,
atje mund të marrë libra çdo udhëtar,
që gjatë udhëtimit dëshiron të lexojë.
Në çdo stacion treni ka libra lloj-lloj,
autorë nga çdo vend të botës gjen,
merr dhe lexo çfarëdo libri të duash,
kur mbaron, lëre te stacioni që vjen!
Libri më bëhet bashkëbisedues fisnik,
përgjatë gjithë udhëtimit gjersa zbres,
ndaj kur flas për vizitat e mia n`Suedi,
rrëfej dhe për librat në trenin ekspres.