Në Shkodër u nderuan dom Ndre Zadeja dhe Patër Anton Harapi
Shkodër, 27 korrik 2022 – Te varrezat katolike të “Rrmajit”, në lindje të qytetit të Shkodrës, gjatë periudhës së regjimit komunist, janë pushkatuar shumë intelektualë shqiptarë.
“Klubi i Poezisë” dhe revista “Illz” e Tiranës, në bashkëpunim me shoqatën e shkrimtarëve të Shkodrës, organizuan një pelegrinazh në nderim të klerikëve dhe shkrimtarëve dom Ndre Zadeja dhe patër Anton Harapi, të cilët janë ekzekutuar me akuza të sajuara.
“Sot kemi ardhur në Shkodër për me nderu dy korifejtë, patër Anton Harapin, shkrimtar i madh shqiptar, mendimtar, ideolog shqiptar, dhe dom Ndre Zadejën, poetin e ambëlsisë. Ky është udhëtimi i ynë i radhës. Pas kësaj, ne do të nderojmë Vinçens Prendushin në varrin e tij në Durrës”, tha drejtuesi i “Klubit të Poezisë”, Rexhep Shahu.
Ai tha se nderimi i dom Ndre Zadejës dhe patër Anton Harapit është pjesë e nismës për të nderuar shkrimtarët martirë, të cilët u pushkatuan, torturuan, apo u burgosën nga regjimi komunist për shkak të fjalës së lirë.
“Kemi vendosur të nderojmë shkrimtarët martirë, të cilët nuk janë nderuar asnjëherë në Shqipëri. Dhe kemi nisur me poetin e varur Avzi Nela, të cilin e kemi nderuar me pelegrinazhe të tilla, si ky i sotmi, me mbi 40 shkrimtarë shqiptarë ndër më kryesorët. Pas Avzi Nelës, kemi nderuar Vilson Blloshmin, Genc Lekën, Trifon Xhagjikën, shkrimtarë të pushkatuar nga Partia e Punës. Pas këtyre kemi ardhur tek homeri shqiptar, Gjergj Fishta”, tha Shahu.
Si vepra e dom Ndre Zadejës, ashtu edhe ajo patër Anton Harapit, ishin të ndaluara në Shqipëri gjatë viteve të komunizmit. Në vitin 1994, shtëpia botuese “Gjergj Fishta” botoi monografinë e parë me përmbledhjen e veprës së dom Ndre Zadejës, tha Frano Kulli.
“Nxitja për të botuar një libër për dom Ndre Zadejën ishte në kontekstin e asaj çfarë ndodhte në Shqipëri në fillimvitet 90’, evokimi, risjellja në publikun shqiptar të figurave të tilla të krijuesve, shkrintarëve, artistëve, sidomos atyre të persekutuar nga regjimi. Në këtë kontekst, ishte edhe përzgjedhja jonë për botimin e këtij libri, që i kushtohet dom Ndre Zadejës. Libri është një jetëshkrim, por ndërkohë ka edhe veprën e tij letrare”, tha ai.
Meshtar i përkushtuar, por edhe poet dhe autor i melodramave të para të letërsisë shqipe, dom Ndre Zadeja u pushkatua pa gjyq më 25 mars 1945 bashkë me 14 burra, mes tyre prijësi popullor i Kelmendit, Prek Cali.
Dom Ndre Zadeja është një nga 38 martirët e Kishës katolike shqiptare, që u shpallën të Lumë, më 5 nëntor 2016.
Ndërsa meshtari, shkrimtari dhe publicisti, patër Anton Harapi, u pushkatua në shkurt të vitit 1946, pas vendimit të Gjykatës speciale të Tiranës, që e shpalli kriminel lufte, armik të popullit dhe sabotator të pushtetit. Deri tani nuk dihet vendi ku iu varros trupi.
(Zëri i Amerikës)