Swift-Kardashian, tashmë në “hasmëri”
Ajo që nisi si mosmarrëveshje e thjeshtë mes Taylor Swiftit dhe Kardashianëve, duket se po kthehet në hasmëri. Të dielën, më e famshmja e klanit, Kim Kardashian West postoi në “Snapchat” një bisedë telefonike mes bashkëshortit të saj, reperit Kanye West, dhe asaj që duket të jetë këngëtarja më e paguar e momentit.
Ajo për të cilën diskutonin të dy ishte nëse Swifti ia kishte dhënë pëlqimin e saj këngës së Westit, “Famous”, ku ai i referohet 26-vjeçares me një fjalë përçmuese.
Ylli i popit këmbëngul se nuk e kishte dëgjuar këngën në fjalë, kështu që nuk kishte sesi e aprovonte. Kanye nga ana tjetër nuk lëviz nga pozicioni i vet, e thotë se Swift ishte në dijeni dhe pajtohej plotësisht me të.
Sherri vazhdoi sot me deklaratën “online” të lëshuar nga Swift, ku këngëtarja kritikon ashpër publikimin e bisedës, gjest të cilin e përshkroi si “shumë të ulët”.
Interneti sigurisht u çmend pas kësaj “minidrame” e komentet kanë vërshuar nga të gjitha anët. Swift më herët pati nxjerrë një tjetër deklaratë, ku shprehej se nga çifti West nuk donte asgjë tjetër, përveçse ta linin të qetë.