Albspirit

Media/News/Publishing

Xhoi Jakaj: Një mendim dhe sugjerim për Ministrinë e Arsimit dhe atë të Drejtësisë!

 

Një mendim dhe sugjerim për Ministrinë e Arsimit si edhe atë të Drejtësisë!

Të hapen shkolla riedukimi për të rinj që abuzojnë me lëndët narkotike dhe kanë tendenca të kthehen në hajdutë dhe vrasës, ndryshe ky vend pas pesë vitesh do kthehet në problem të madh social dhe do mbushet me kriminelë serialë.

Një nga problemet me të cilat përballet shoqëria, jo vetëm shqiptare, por edhe ajo globale janë mënyrat me të cilat ne përballemi me njerëzit devijantë, pra me njerëzit që kanë sjellje ndryshe, siç është rasti edhe i adoleshentëve e të rinjve të dhunshëm.

Në vendin tonë mungojnë shkollat e riedukimit dhe mënyra e vetme që të rinjtë e adoleshentët të vuajnë dënimin e tyre është burgu.

Si një ish drejtuese burgjesh mendoj se ka shumë të rinj në burg, kur mund të ketë mënyra të tjera riedukimi ose gjykim me shërbim prove.

Kam hasur në jo pak raste të denoncuar edhe nga familjet e tyre për shkak të dhunës sistematike që i riu ose e reja ushtronte, e jeta e tyre familjare kthehej në makth aq sa detyroheshin t’i denonconin fëmijët e tyre me shpresë se një ditë do përmirësoheshin e do ndryshonin sjellje me prindërit.

A nuk do ishte më mirë të kishte institucione riedukimi me mësues e psikologë! Në vend të një burgu, se në këtë të fundit kurrë nuk ndodh përmirësimi, përkundrazi bëhen më keq dhe jeta tyre merr kahje krejt tjetër.

Institucionet shtetërore përgjegjëse për edukimin social në këtë vend duhet të rregullojnë me ligj shkolla riedukimi që t’i përdorin në vend të një burgu me liri të cunguar…

“Dua t’i bëj një thirrje shtetit shqiptar për nevojën e këtyre shkollave, sepse ka mësues pafund në pritje të një punësimi dhe ata do jenë shumë të dobishëm, nëse këto kapacitete shfrytëzohen në dobi të kësaj kategorie.

Ka psikologë pa fund, të cilët kanë të mbaruar shkollat që kapacitet e tyre sociale e psikologjike të përdoren për të rehabilituar këta të rinj, që për njëmijë e një arsye në këtë vend prekin dyert e një burgu dhe e kalojnë ditën në shoqëri të të rriturve, që kanë shumë eksperiencë negative për t’ua induktuar lehtë të keqen.

Një i ri, një adoleshent që prek dyert e një burgu nuk rehabilitohet, por ndryshon përgjithnjë jeta e tij dhe nuk ka asnjë shans të integrohet në shoqëri pas traumës që përjeton në dyert e një burgu dhe kur del nga ato dyer në shoqëri, nuk i ofrohet asgjë, as punë, as jetë e rregullt dhe përsëri kthehet në përsëritës (recidivist).

Përkundrazi, shpesh vetë elementet që janë shokët e tij të dhomës e ditës gjatë vuajtjes së dënimit e orientojnë të kthehet në vrasës me pagesë apo hajdut i rëndomtë rruge ose profesionist për mbijetesë.

Sa nuk është vonë, mundohuni të paktën t’i shpëtoni të rinjtë shqiptarë, që kultivojnë hashash e ata që kanë tendenca të kthehen në vrasës, por kjo rregullohet vetëm me politika social-psikologjike të mirëmenaxhuara nga shteti, por duke ngritur shkollat dhe duke i punësuar e arsimuar ata…

Please follow and like us: