Senad Guraziu: Korrupsioni i “kokave” më tragjik sesa ai i “xhepave”!
Korrupsioni i “kokave” më tragjik sesa ai i “xhepave”!
(s. guraziu – ap, n 2022 – fotoja: disa lulëkuqe të bregdetit shqiptar)
…sa herë i lexoj vërejtjet e z. Murati (Shaban), saherë i lexoj artikujt e tij, ashtu tek na flet shtruar e me qetësinë, teksa merret me analizat rreth çështjeve të ndryshme të politikave, ose dhe kur shkruan për temash tjera ndër-shqiptare (s’ka rëndësi nëse lexuesi pajtohet me çdosecilin opinion a mendim – kjo dhe s’do duhej, pasi ashtu do “mendonim të gjithë njësoj”, do ishte diç si linearitet, do i ngjante “monizmit” diktatorial, s’do kishte shans asnjë filiz tjetër prej idesh), por besoj s’ka lexues që nuk solidarizohet me arsyen intelektuale, me gjykimet dhe me qetësinë e tij – me çdo shkrim a reagim që na vjen nga ai, thuase lexoj edhe:
“…për fat të keq as Shqipëria, as Kosova, as Gjermania, as Amerika, as BE-ja etj. etj. s’e kanë të garantuar “fisnikërinë” e politikanëve të tyre – s’e kemi as ne garancinë, s’kemi si presim fisnikëri nga politikanët, andaj dhe na duhen mendje-zgjuarit jo mendje-fjeturit, s’na duhen opinionet e servilëve të korruptuar “mendërisht”, për fat të mirë s’jemi të fjetur – sikur na thotë z. Murati, pa le që s’ka si flihet kështu, s’ka shqiptar që e zë gjumi në këtë ambient politik, e qartë kjo, por vallë sa zhurmë mund t’bëjnë “daullet e letrës” sime, vallë sa peshë “çon” zëri im, nëse politikanët thjesht shtiren të shurdhër, madje thuase i kanë taposur veshët totalisht a hermetikisht…
…askush s’pret që politikanët shqiptarë t’na shtiren gjoja fisnikë, s’pret kush që politikanët t’jenë të pastër, 100% të denjë e të papërlyer, t’na prijnë denjësisht e të jokorruptuar, qoftë korrupsion “xhepash”, qoftë korrupsion mendjesh e zemrash, pasi dihet këto të fundit janë mozomokeq, dihet se korrupsioni i “mendor… i kokave” është shumë më tragjik sesa ai i “xhepave”, i dimë keto – por intelektualët shqiptarë s’duhet të heshtin, duhet t’i kapin penat e mikrofonat mediatikë, intelektualët s’e kanë luksin e heshtjes, luksin e gjumit e të amullisë, zëri i tyre s’bën punë i dobët, i tretur diku në sfond, i shurdhët, zëri i tyre duhet të dëgjohet qartë, të kumbojë si eho-ja avangarde e shoqërisë – kam përshtypjen sikur dhe këto na i thotë z. Murati (përveç të tjerave që ai veç na i thotë me penën e vet)…
***
…parë me ndonjë “pasqyrë” politike, me gjasë askush s’i ka punët më “ngusht” sesa vetë populli me politikanët e vet, në demokraci populli vetë i voton politikanët, e shoshitë kokërr-mendjen e tyre, i përzgjedh pastaj gjoja me “kokallë”, por ja që prapë s’ka diç të garantuar, e më së paku garantohet fisnikëria politike – ja pse, për fat të mirë e kemi atë “riciklimin” e votës demokratike, sepse në politikë s’ka garanci, asnjë lloj garancie, pa le të presësh që politikanët t’na merren me politikat gjoja fisnikërisht…
…në fakt sikur një lloj paradoksi në vete, paradoks qesharak – edhe politikan + fisnik, hm… e padëgjuar, kjo sikur bie ndesh dhe me vetë “logjikën” e politikës, dhe vetë Çurçilli dikur e dinte që këto të dyja thjesht nuk “shkojnë” së bashku – ndërsa dihet, lirisht mund të thuhet që Çurçilli ishte politikani më “fisnik” dhe më besnik që Mbretëria ka patur ndonjëherë…
…as mbretëresha e tij, tashmë e ndjera Elizabeta, s’e pati kurrë të garantuar fisnikërinë e ndokujt, të askujt – sa e sa dekoratat, medaljonet, sa titujt i pati ndarë, sa e sa nderimet, sa mirënjohjet (ashtu-kështu pati mbretëruar gjatë), bie fjala titulli “Knight” (Fisnik, Kalorës) është njëri nga nderimet më të larta në Mbretërinë e Bashkuar, historia s’na i fsheh faktet se mjaft individë (për të cilët mbretëresha pandehte se ishin fisnikë) i patën përbuzur nderimet “mbretërore”, i patën nëpërkëmbur të gjithë kufijtë e mundshëm të (jo)fisnikërisë – s’e kemi fjalën për të “huajt” (e nderuar me fisnikërinë kalorsiake), por për vetë britanikët…
***
…në rrafshin letraristik, ana ironike e “politikave” mund të krahasohet me lloj-lloj metaforash, e dimë psh. se Don Kishoti ishte një “fisnik kalorsiak” (sipas Servantesit fjala ishte për një dyshe-dinamike, ishte Kishoti së bashku me suiten e devotshme sançopançiane – dmth. fare lehtë mund t’i paralelizojmë: qeveritarët dhe servilantët e tyre) – e njohim mprehtësinë servantesiane, e njohim shpatën e tij me dy tehash të mprehtë, e njohim thelbin, çështjen kyç të penës së tij…
…e dimë që Servantesi (me penën e vet) synonte t’i fshikullonte veset politike dhe pollavrat “kalorsiake” të kohës, pasi gjithë ato rrëfime të stisura dhe romane qenë bërë bajate, tepër bajate, me shekuj flisnin për pollavra, për jorealizma, për gjëra të stisura, për kotësira, për gënjeshtra e hiperbolizma – dhe sipas Servantesit “mjaft ishte mjaft”, gjithë ata shekuj me pollavra e lavdithurjesh per “trimëri” servilantësh, për bythëlëpirës pasanikësh, për pjatalëpirës oborresh e mercenarësh, për politikat shtypëse të mbretërve e të tagrambledhësve, për vese e grykësi aristokratike… veç u ishte mbushur kupa, duhej një “mjaft” për shekujt që vijnë – askush s’mund ta bënte këtë më mire se Kishoti fisnik..