Cikël poetik nga Vlora Obertinca
FLUTURO
Kisha një zog të bukur në kafaz
E kisha marrë të vogël
E kisha rritur vetë në shtat,
Çdo ditë ia përkëdhelja puplat e ylberta
Zogut me cicërrima dhe intonacione të blerta,
Zogu im i bukur me zërin e ëmbël
Kënga jote më vinte edhe në ëndërr,
Ma qetësonte shpirtin dhe zemrën e mekur,
Një ditë kur u rrite
Ike të fluturosh larg,
U ngjite lart
Deri në qiellin e shtatë,
Tani nga atje
Flet në gjuhën time,
Që s’e kupton askush
Përpos zemrës sime,
Më thuaj një herë atë që s’ma the kurrë
Pse vendose të fluturosh aq larg?
Për të mos u kthyer më kurrë,
A s’të mungon ledhatimi i dorës sime?
A s’të mungon zëri i këngës sime?
Kush do të përkëdhel ëmbësisht si unë?
Me dashuri pa fund
Me fjalë të pa thëna
Që t’i dërgojë çdo natë në gjumë,
Kush ta qetëson zemrën e lënduar?
Kush të thotë çdo herë:
Më shumë se veten të dua.
Kafazi yt ka mbet i zbrazur
As një zog si ti nuk la plagë të hapur,
Të lutem, o zog kthehu nga ke shkuar
Zbrit nga qielli i shtatë
Për të më përqafuar,
Të m’i fshijsh lotët në fytyrën e përmalluar!
23 korrik 2021.
MËKATI
Ti e meriton dashurin e botës
Po çka të dhashë unë
Helmin e kobrës
Ti meriton lulet e kopshtit
Po çka të dhashë unë
Gënjeshtrat e një djaloshit
Ti nuk kurseve asgjë për mua
E unë egoist nuk të thashë të dua
Ti për mua e dhe edhe shpirtin
E unë për ty se lëviza as gishtin
Ti për mua e dhe edhe zemrën
E unë shkoja te tjetra
Dhe e shfryja epshin
Është fat i madh
Që nuk të kam pranë
Nuk mund të shoh në sy
Se kam bërë mëkat!
24 gusht 2021.
DETI DHE POSEIDONI
Rri ulur pranë detit valë-valë
Se ç’më vijnë kujtimet
Nga një dashuri e parë
Ishte e parë nga ndjenja e thellë
Që shpirti e kujtonte
Nga një jetë që ishte tretë
Jeta kishte shkuar
Por dashuria ishte rizgjuar
Me dallgët e detit
Kthehej duke më përqafuar
Po a nuk ishte ti
Një dashuri e harruar
Si ka mundësi
Të vish nga një jetë e kaluar
Hija e tij vinte me valët e detit
Një dallgë e sillte
E tjetra e trete
Sa kisha mall
Nga kjo dashuri e rrallë
Të lutem o det
Ringjalle Poseidonin e madh
Të bëjë një mrekulli nga kohërat antike
Të ringjallë dashurinë
Nga dimensionet mistike
Deti sikur ndjeu lutjet e mia
Ma shfaqi njeriun e ëndërrave të mia.
8 shtator 2022.
Please follow and like us: