Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: NDIZE NJË QIRI NË HESHTJE!

 

Ndize një qiri në heshtje,

Në një kishë apo xhami,

Ndize për zotin në qiell,

Që na jep ende fuqi!

 

Ndiz dhe një qiri për miqtë,

Miq të rinj apo të vjetër,

Ndiz dhe për njerëzit e mirë,

Që janë rralluar kaq tepër!

 

Ndize një qiri në heshtje,

Nën një portë a nën një pemë,

Ndize një për Nënë Terezën

Që na shenjtëroi Atdhenë!

 

Ndize një qiri, o mik,

Për brengat që s’ kanë të sosur,

Ndize një dhe për ata,

Që kanë shpirtin e plagosur!

 

Ndize një qiri në heshtje,

Qoftë ditë a natë me hënë,

Ndize një qiri me dhimbje,

Për dikë që fle pa ngrënë!

 

Mos harro dhe në varreza,

Qiriri nuk duhet fikur,

Për ata që s’kemi më,

Për ata që na kanë ikur!…

 

Ndize një qiri në heshtje,

Të ndriçosh kudo shtëpinë,

Ndize për copën e bukës

Që kemi mbi tavolinë!

 

Ndize një qiri në heshtje,

Të ndriçojë si  flakë e zemrës,

Ti që të mundon mbi supe,

Dora e babait dhe e nënës!

 

Ndize një qiri në heshtje

Dhe për shpresën dhe për ëndrrën,

Ndize për miken e vjetër,

Që të prrushëroi zemrën!

 

Ndize një qiri në heshtje,

Për zemrën qę mori krisje,

Për një vajzë që priti gjatë,

Ti në zemër t’i trokisje!

 

Ndize një qiri në heshtje,

Bej pak dritë dhe kur është natë,

Ndize për të gjithë jetimët,

Që s’kanë nënë e që s’kanë babë!

 

Ndize një qiri në heshtje,

Në një strehë a në një portë,

Ndize për njerëzit e ligj,

Zoti madh i mëshiroftë!

 

Ndize një qiri në heshtje,

Ndize miku im i shtrenjtë

Për atdheun ku kemi rrënjët,

Për atdheun tonë të shenjtë!

 

Ndize një qiri në heshtje,

Në një kishë a një xhami,

Ndize për zotin në qiell,

Dhe për nënën Shqipëri!

 

Ndize një qiri në heshtje….

Please follow and like us: