Albspirit

Media/News/Publishing

Vittorio Sgarbi prezanton vajzën që ka me këngëtaren shqiptare

  • Kritiku i artit dhe autori i shumë shkrimeve dhe deklaratave kundër shqiptarëve në vitet ’90, zbulon lidhjen e fshehtë që ka me ata që kishte urryer publikisht. Intervista botohet sot në revistën “Chi”.

Në pritje që të dalin në dritë të tjerë fëmijë, duke u bazuar në deklaratën e Vittorio Sgarbi-t në vitin 2011, se ka rreth një duzinë me fëmijë, të cilët nuk i ka njohur ligjërisht, kritiku i artit, politikan e opinionist ka prezantuar zyrtarisht vajzën e tij të tretë, Albën, e lindur rreth 17 vjet më parë nga lidhja e tij me një këngëtare lirike me origjinë shqiptare. I intervistuar nga e përjavshmja italiane “Chi”, Sgarbi ka treguar se ndihet i lumtur për tre fëmijët e tij (përveç Albës, kritiku i artit ka njohur ligjërisht edhe Carlon 28 vjeç dhe Evelinën, 16 vjeçe), duke manifestuar edhe krenari që ka një vajzë shqiptare.

“Kam goditur në shenjë. Fëmijët janë bërë shumë të mirë.  Faleminderit nënave të tyre që janë treguar të zonjat. Alba, vajza ime e fundit nuk mund të ishte më e mirë. Është e mbarë, elegante, serioze dhe do të martohet vetëm në kishë, mundësisht shpejt. Dhe pastaj është shqiptare, populli që preferoj. I kam mbrojtur ngaherë shqiptarët nga shtypi i keq, gjithashtu edhe për këtë arsye kam një vajzë shqiptare”.

Sgarbi ka përsëritur se nuk ka qenë kurrë i interesuar që të bëjë rolin e një babai, por, edhe në këtë rast, ka deklaruar se ka marrë përsipër përgjegjësitë e tij. “Edhe pse Alba ka jetuar në Shqipëri e kam ndjekur gjithmonë, edhe pse në distancë ajo ka ecur mjaft mirë, them se ishte një fat i mirë. Mund të mos ishte kështu. Nuk kam qenë asnjëherë një edukator, nuk kam dashur kurrë as familje as fëmijë.

Kam një koncept nihilist për jetën, por fati mund të vendos në vendin tënd dhe kështu mund të ndodhë të bëhesh baba. Në këtë pikë, edhe pse doja të merrja përgjegjësitë e atësisë, në kundërshtim me atë që ndodhi me Evelinën, vajzën më të vogël të cilën e njoha menjëherë, për Albën na u desh të prisnim edhe pse mamaja e saj ishte e martuar. Tani Alba mban emrin tim”.

Edhe pse nuk dëshiron ta pranojë, Sgarbit, nuk i vjen keq që të bëjë rolin e babait. Kritiku i artit, në fakt, vetëpërgënjeshtrohet kur deklaron që nuk zbavitet duke bërë rolin e babait, dhe në të njëjtën kohë, dëshiron fëmijë të tjerë. “Nuk zbavitem duke bërë rolin e babait, por jam i lumtur që fëmijët janë bërë të mbarë. Alba është studente e Elektroteknikës në Tiranë edhe është shumë religjioze. Nuk jam sentimentalist, por më pëlqen të kem njerëz përreth, për këtë jam duke kërkuar një shtëpi më të madhe. Mendoj të bëj fëmijë të tjerë”.

Vittorio Sgarbi pranon atësinë në vitin 2012

Vittorio Sgarbi në vitin 2012 pranoi atësinë, si baba i vajzës 14-vjeçare, Albës. Më herët, vajza ka mbajtur mbiemrin e bashkëshortit, të nënës së saj me orgjinë shqiptare. Para katër vitesh u vendos që të ndërronte mbiemrin dhe u regjistrua me mbiemrin e babait të saj të vërtetë, Vittorio Sgarbit. Ai, sipas vendimit të Gjykatës, nga ajo periudhë ka paguar për vajzën e tij adoleshente 2200 euro në muaj. Mediet italiane thonë se kjo është hera e parë që Sgarbi pranon atësinë përpara Gjykatës.

Please follow and like us: