Ismail Xhaferi: Elegji në dy kohë për komunistët antikomunistë
Atë ditë që mora teserën,
Zemra gjoksit më gufonte,
Gjithë natën dora ime,
Atë tesër ledhatonte.
Plot gëzim bëra betimin
Dhashë besë e dhashë nder,
Që ditë nga ditët e mia,
T’i jepja shokut Enver.
Ngrita grushtin edhe thashë,
“Gjer në vdekje ballë stuhisë”,
Ditë nga ditët e mia,
T’i falja edhe partisë
U betova përmbi tesër,
Armiqtë kurrë nuk do më ndalin,
Ditët e tjera të jetës,
T’i jepja për idealin.
Si besnik i idealit,
S’lashë njeri pa spiunuar,
Ndaj gjysma e lagjes sime,
në qeli pat përfunduar.
Nga spiunimet e mia,
Eh, sa herë që u bë nami,
20 veta në qeli,
Se thoshin, s’ka presh dyqani.
Duke mprehur vigjilencën,
Sy e zemër në llogore,
Natyrisht që kam zbuluar,
Dhe grupe armiqësore.
Dy barinjve majë malit,
Plani i zi në mes u mbeti,
Se të dy po komplotonin,
Si të bënin një grusht shteti.
Mos ta zgjatim muhabetin ,
Gjer në fund armikun ndoqa,
Si komunist i devotshëm,
dorë nga lufta e klasës s’hoqa.
Nëpër mbledhje bëja thirrje,
Që të gëzoja partinë,
Të dërrmojmë kapitalizmin,
Ku ha njeriu njerinë.
Të dërrmojmë kapitalizmin,
Është sistem i dalë boje,
Se populli i Amerikës,
Vdes e heq për bukë goje.
Flisja unë e para meje,
Dridhej grua, dridhej burrë,
Sepse teserën e partisë,
Lart e tundja si flamurë.
Dhe kur vdiq Mao Ce Duni,
Per pak sa s’më ndali fryma.
E qava Maon e shkretë,
E qava me ulërima.
Si komunist i patundur,
bëra vepra të mëdha.
“O ndërtojmë socializmin,
Ose rrugë të mesme s’ka”!
Ç’të kujtoj nga ajo kohë,
Kohë me halle të rënda?!
Shpata ime vetëtinte,
mbi armiqtë jashtë e brenda.
Kur erdhi demokracia,
Si të gjithë edhe unë e drodha.
Grisa teserën e PP-së,
Në parti të re vrapova.
Grisa teserën e PP-së,
Që ma kishin dhënë me zor,
Dhe brenda në selinë tjeter,
Prap ndër shokët kryesorë!
Ardhja e demokracisë,
Me bëri dhe më të zgjuar,
Mora prona, mora lekë,
Si një ish-i persekutuar.
Dhe ashtu siç më takonte,
Ashtu siç më kishte hije
Komunizmin e kam sharë,
kudo, me libër shtëpie.
Fjala ime gjëmoi rëndë,
Si krismat e Maliherit.
Se unë isha nga të vetmit,
që s’i fala ditë Enverit.
Se në kohë të diktaturës,
Kur ish vetëm një parti.
Ato që kam hequr unë,
Nuk i ka hequr njeri.
Ndaj aq shpejt i ngjita shkallët,
dhe shndrita si një yll.
Linda antikomunist,
edhe do të vdes i tillë.
Ngjita shkallët e karrierës,
Jo ngadalë por shpejt e shpejt,
Deputet në opozitë,
Ministër në parlament.
Kur më thonë ish- komunist,
dridhem, më vjen të pëlcas.
O ndërtoj kapitalizmin,
ose veten do të vras!
Kur më thonë ish- komunist,
Nuk më duket fare çudi,
Unë jam antikomunist,
Luftoj për demokraci…!