Cikël poetik nga Avdush Canaj
S`JEMI TË VEGJËL
Ne s’jemi të vegjël
S’jemi
E di e gjitha bota
Shtëpitë e zogjve i dimë
Lagjeve të pranverës
Matematikën e leputjve
Me lakra e karota.
Sa herë na kap etja
Sa herë
Në kroin e imagjinatës
Pimë limonatë të mollës.
Yjet i zbresim pa shkallë
I zbresim
Për fustanet e shoqeve të shkollës.
Kësulëkuqen e Borëbardhën
I thërrasim për ditëlindje
Edhe dimrit
Kur pisha vishet me borë.
Qiellit të ëndrrave
Shetisim me pjata fluturuese
Në krahët e lojës
Rritemi çdo orë.
E di e gjithë bota
Të vegjël s’jemi ne.
ZËRI I SHPIRTIT
Ishte brenda
thellë
në zemrën time
kënga.
Ia hapa
dritaren
për ty
si zogut të kopshtit.
Të vijë
tek ti
të të galdoj
si mua.
Ky zë
i ëmbël
i shpirtit.
FALMA KËNGËN
Hënën e ndërroj
me dy ëndrra të magnoljes.
Qiellin ta jap
për një dallëndyshe çapkëne.
Merre barkën, nëse do
ma lë gjysmën e detit.
Edhe ai yll mbi plep
është yti.
Tash falma këngën
orkestruar nga guguçja.
NDOSHTA
Ndoshta mami i saj
ka ngrënë tepër
çokollata me lajthi?
Më shumë se mami im!
Ndoshta edhe karamele,
një vetësherbim!
Mund të ketë pirë
lëng pjeshke
një lumë!
Përa atë ajo është e ëmbël,
e ëmbël shumë, shumë!
Ndoshta…
Po, po.
Ndodh edhe kjo!
ZGJATA DORËN NË QIELL
Zgjata dorën në qiell
ta kap për freri
kalin e hënës
ta shaloj
edhe unë një grimë
livadheve me yje.
Hingëllima e ngazëllimit
ma zgjoi ëndrrën me jele.
PËR ALTINËN
Jam mërzit për Altinën
Nga e premtja pa e parë
njëqind vjet bëjnë krejt.
Kur të vjen të hënën
do ta puthë
si pjeshkën.
SI NË DEGË PEMËSH
Nga telat magjikë
të kitarës sime
fluturojnë zogjtë
e këndojnë
bashkë me mua
si në degë pemësh.
NJË PUTHJE POETIKE
N`breg, te cektina,
erdhi bukurina,
e qeshur, gazmore:
-Ti je ai çuni
që ke shkruar për mua
vargje valëzore!
-Po, si çunak,
diçka në zemër
më bëri trak!
Ma zgjati dorën si kahije,
më puthi te një anije.
Ç`magji në këtë verë!
Delfini na fotografoi
shtatë herë!
S`i mbeta borxh bukurisë
ilirike,
ia fala një puthje poetike!
Nesër vjen në ëndërr përsëri
me një shoqe për ty. E di! E di!